Albspirit

Media/News/Publishing

Leo Messi dhe Bajram Curri, nekrologji për qytetin tim

 

Ermal MULOSMANI

Prej kohësh dua të shkruaj një homazh, një përshpirtje për qytetin tim.

Nuk i shkova në varrim, megjithëse e ndoqa me trishtim dhe dhimbje shpirti vuajtjen e tij tek heqte shpirt…Por, i zhytur mes betejave të përditshme “madhore” (sigurisht politike) dhe i shkëputur prej gati 30 viteve tashmë mendova se e kam humbur edhe të drejtën për të thënë mendimin tim për atë se çfarë po ndodh aty…

Por, dje rastësisht lexova një intervistë të Leo Messit. I pyetur nga gazetari se cili ishte trofeu më i rëndësishëm i jetës së tij ai u shpreh “Padyshim Kupa e Botës për 20 vjeçarë me Argjentinën”. Po e thoshte një njeri që ka fituar 4 Champions League e 5 Topa të Artë mes të tjerash. Dhe i ka mbetur mendja atje tek trofeu për vendin e tij që e urren po aq sa edhe e don! Ndërsa ky i jep veç dashuri dhe nuk lodhet kurrë! Kjo më bëri të reflektoj. Në fund të fundit nuk dua të më mbetet peng.

Bajram Curri është heroi që i dha emrin qytetit tim. Diku në vitet 65, atje ishte një fshat që quhej Kolgecaj me 4-5 fise dhe ndoshta 600 banorë. I vendosur rrëzë Alpeve, përballë malit të Shkëlzenit dhe në një distancë prej 3-5 km me lumin Valbona, në pothuaj 15 km të gjatësisë së saj, dukej pozicioni perfekt për të ndërtuar një qytezë model. Dhe fakti që Tropoja ishte porta hyrëse e Kosovës ambicia e shtetit komunist shkonte në favor të vendësve.

  1. Lumi

“Hero i qytetit pa lumë” është titulli i një kënge të vjetër të një rokgrupi te famshëm nga Kosova. Gjurmët quhej asokohe grupi.

I mora hua titullin paçka se ajo që do shkruaj më poshtë ka pak të bëjë me “heroin” e aq më pak me “qytetin pa lumë”. Nuk më pëlqen të shkruaj dhe nuk kam pikë dëshirë të shkruaj për asnjërin prej tyre. Por, paradoksalisht, ky titull më zgjon nostalgjinë për qytetitn me lumë…

Kur e dëgjoja këngën mund të kem qenë 10-11 vjeç ndoshta diçka më shumë. Kënga nuk më pëlqente fare, veç titulli… Si kështu, paska qytet pa lumë? Quhet qytet edhe pa lumë?! Kaq shumë e përbashkoja qytetin me lumin sa që nuk mendoja se ekzistonin veç e veç…

Lumi për mua ishte gëzimi, fëmijëria, imagjinata, intimiteti, poezia. Të gjithë fëmijët e donin lumin megjithëse jo me të njëjtin përkushtim.

Qyteti ku linda është pak më i madh se unë në moshë. Pak banorë, pak pallate, rrëzë malesh të lartë e të thepisur. Pylli i madh i gështenjave e rrethonte më shumë se gjysmën e qytetit. Pjesa tjetër ishte me blloqe kumbullash e mollësh dhe ara me grurë por më shumë misër…

Shumë larg për të të rënë rruga por shumë mikpritës nëse të sillte puna.

Ndërtesa të ulëta, pak dyqane, shumë malore por… kishte xhiron!

  1. Xhiroja dhe Çesmja…

Një shëtitore rreth 25- 30 m e gjerë, e sistemuar, kufizuar me dyqane e banesa në njërin krah e me një rrëpirë të gjelbëruar në anën tjetër që pritej me një bordurë guri për ti dhënë formën e duhur… Ishte e shkurtër, as 500 m. Nga fusha e futbollit tek Turizmi. Kalonim rrugës lokalin e Haki Dajës, kinemanë e qytetit me njerëz që prisnin (ashtu e mbaj mend gjithmonë), pastaj afroheshim tek çesmja e famshme, në qendër të qytetit… Të gjithë ndalonim aty. Ishte si me thënë një ndër 3 -4 gjërat që qysh në atë kohë mendoja që një arkitekt është artist më shumë sesa inxhinier. Përndryshe nuk mund të kishte kaq ndikim në jetët tona…

Vazhdonim ecjen drejt mëngjezores së famshme dhe kthenim rrugë tek stadiumi i lojërave me dorë, përshëndesnim Pallatin e Kulturës dhe përfundonim xhiron tek Turizmi për t’u kthyer e përsëritur ritualin të paktën 5-6 herë… Ai qytet ishte i sistemuar si dhomat e IKEA-s. Në shumë pak hapësirë ishte gjithçka…

Enveri e krijoi si “vitrinë” të Jugosllavisë por në fakt sllavizmi na mbyti ne… Sigurisht, në vend të hiteve me çifteli do zgjidheshin hitet moderne (për kohën) të një vendi ku e ku më të lirë. Paçka se ishte armiku potencial më i afërt na magjepsi me muzikë, basketboll, futboll. Idhujt e parë ishin Lepa Brena e Zdravko Çoliç, Drazen Petroviç, Toni Kukoç e Dragan Stojkoviç… Falë valëve të Televizionit të Prishtinës ndiqnim ndeshjet më të rëndësishmë të Ligës së Kampionëve, hitet më të fundit botërore, njohëm Michael Jackson e Madona… Një brez i ri po rritej ndryshe nga brezi i parë që populloi qytetin.

  1. Stadiumi i Lojërave me Dorë

Një nga mrekullitë arkitektonike të qytetit ishte edhe Stadiumi i Lojërave me Dorë. I vendosur mes Pallatit të Kulturës dhe Turizmit të qytetit ishte si një vend pelegrinazhi… Në mëmorien time kanë mbetur të pashlyera ritet e pergatitjes së fushes për lojë… Më vjen në mendje Ibrahim Gjongeci, me vizues dhe zorrën e ujit që bënte gati fushën. Oh, edhe ky proces kishte spektatorët e vet. Pastaj, nga ora 18.00 vinin tifozët e parë. Më racionalët prej tyre rrinin tek hekurat rrethues. Të tjerët, pasionantët, zbritnin për të mbushur shkallët e Stadiumit. Ndeshja fillonte në orën 19.00. Ishte një ndeshje futbolli 3 kundër 3. Aty pamë të luaj së pari Skënder Gegën, Halit Gegën, Fatmir Hasanpapën dhe legjendarin Hasan Hakia por, ndonjëherë në këtë fushë zbriti edhe Vasillaq Zëri e Ilir Përnaska, legjenda të futbollit kombëtar! Kjo ndodhte në ditët kur ekipi i basketbollit nuk kishte stërvitje. Përndryshe, i njëjti publik, ndoshta më shumë, vinin për stërvitjet e basketbollit. Lëre pastaj ndeshjet zyrtare të Valbonës në basketboll! Në atë stadium zbritën ‘Partizani’, ‘Dinamo’, ‘Labinoti’ dhe e gjithë elita e basketbollit shqiptar! Për të provuar se sa i emancipuar ishte ai qytet që zbriste i tëri, me gra e vajza, për të bërë tifo për ekipin e zemrës…Nuk po zgjatem për kampionatet kombëtare të mundjes, ndeshjet e paharruara të volejbollit apo spartakiadat. Ai stadium ishte i mbushur me aktivitete në 70% të vitit. Ishte pjesa më vitale e qytetit!

Kam shumë për të shkruar porn ë varrime nuk është vendi për fjalë të tepërta!

Dha shpirt i pari lumi! Atë e mora vesh se pse…

Dha shpirt çesmja! O Zot, po me çesmen ç’patën!

Dha shpirt shëtitorja! O Zot, po me shëtitoren ç’patën!

Po jep shpirt Stadiumiiiii! Njerëz, mossss… Po gaboni rëndë. Dikush tha që ishte si gropë dhe kur të sheshohet e të bëhet lulishte…. Oh, çfarë trishtimi….

Të qoftë dheu i lehtë Bajram Curri!

Leo Messi dhe Bajram Curri, nekrologji për qytetin tim

Please follow and like us: