Albspirit

Media/News/Publishing

Rama dhe socialistja që u bë me zemër

Enton Abilekaj 

Nuk mund ta zgjidhë krizën me fjalime Edi Rama. Në fazën ku ndodhet kriza, ka vlerë vetëm vendimmarrja e shpejtë. “Kriza më e keqe eshtë kriza më e gjatë”, tha Blushi.

Fjalimet për para mbi dorë apo nën dorë që opozita i paska dhënë një partie në pushtet, duken vetëm si përpjekje qesharake për të bërë propagandë të pavend, si kënga dhe krekosja e gjelit në majë të plehut. Ka vetëm një arsye që Rama të insistojë ta zgjasë këtë moment me propagandë boshe, goditjen e LSI-së dhe ndarjen përfundimtare me të. Duke hedhur akuza për qëndrimin e paguar ndaj krizës, duke e konsideruar puç, ai kërkon vetëm të largojë të majtët nga LSI, me argumentin e tradhtisë së Metës në favor të Berishës.

Kërkon të shumëfishojë mesazhet si ai i gruas që ishte bërë me zemër nga tradhëtia e LSI-së dhe i bënte thirrje që të mos dorëzohej. Bën fushatë, ndërkohë që kriza po mbyt 18 qershorin. Çdo vonesë është në dëm të përgatitjes së zgjedhjeve në datën e dekretuar dhe mund të thellojë kaosin.

Përpara janë tre variante: Bërja e zgjedhjeve pa opozitën dhe pa dy aleatët kryesorë është variant i parë, variant që mbështet Kryeministri edhe kur të gjithë besuan se ai u dorëzua më në fund dhe hoqi dorë nga aventura e zgjedhjeve njëpartiake. Ky variant sigurisht që nuk do çojë në stabilitet, në radhë të parë sepse lë jashtë më shumë se gjysmën e elektoratit që përfaqësohet nga PD, LSI dhe PDIU. Kjo aventurë me siguri do të çojë në kaos dhe do ta kthejë vendin shumë mbrapa. Prandaj socialistja me zemër, duhet të bëjë një vizitë përpara se të gjendet zgjidhja.

Varianti i Qeverisë Teknike, që duket si më i arsyeshmi, do të ishte vërtet shpëtimtar për zgjedhjet, por jo me kërkesat dhe afatet e ekzagjeruara që kërkon opozita. Nëse pranohet si zgjidhja më e mirë e mundshme apo si e keqja më e vogël, nuk mund të ketë mandat më të gjatë se 3 muaj, derisa të konstituohet Parlamenti i ri dhe të mblidhet sa më shpejt për një qeveri të mandatuar nga populli. Pra një qeveri që mund ta përfundojë mandatin në korrik dhe të përqendrohet tek zgjedhjet dhe instrumentet që i garantojnë ato. Për t’u realizuar ky variant, duhet patjetër që Rama të tërhiqet dhe PS të fillojë bisedimet për përbërjen e kabinetit.

Varianti i tretë u propozua nga Blushi publikisht, por nuk u përmend nga kryetari i LIBRA-s për herë të parë. Mocioni i mosbesimit për qeverinë Rama është përmendur disa herë që nga korriku i 2016. Nëse llogariten forcat, PD, LSI, PDIU dhe Blushi si revokues i mocionit, bëjnë shumicën në Kuvend. U duhet një emër kryeministri që e kërkon Kushtetuta dhe e arrijnë, por kjo nuk do ishte në shërbim të zgjedhjeve të lira dhe stabilitetit, pasi do ta përjashtonte PS-në nga procesi. Me të drejtë PS mund të zinte vendin bosh te Çadra dhe të kërkonte zgjedhje të lira.

Varianti i vetëm në këto kushte mbetet Qeveria Teknike me konsensusin dhe pjesëmarrjen e të gjitha partive parlamentare dhe me mandat shumë të kufizuar, pa shtyrjen e datës së zgjedhjeve, që mund të krijonte premisat për kaos.  Për këtë duhet që Rilindja të heqë dorë nga denoncimi, ta lërë propagandën për fushatën elektorale dhe t’i hyjë zgjidhjes së pashmangshme. Nuk është argument se Qeveria është legjitime dhe ka mandatin për ta çuar vendin në zgjedhje. Ky argument kërkon ta krahasojë Shqipërinë me demokracitë funksionale, por nëse do të kishim demokraci funksionale, qeveria do të kishte rënë në 2016-ën kur vendi u mbush me kanabis, kur bota dha alarmin për drogën që vinte nga Shqipëria me tonelata, duke përdorur makinat, anijet e avionët.

Nëse do të ishim demokraci funksionale qeveria do kishte rënë kur ministri i saposhkarkuar i Drejtësisë, Ylli Manjani dëshmoi se vendimet e Këshillit të Ministrave janë marrë pa u ndjekur asnjë procedurë formale. Nëse do të ishim demokraci funksionale legjitimiteti i qeverisë do të kishte rënë që kur ligji i Plehrave u fsheh nëpër sirtarët e kryeministrisë dhe dekreti refuzues i Presidentit nuk shkoi në Kuvend, për të rrëzuar maxhorancën bashkë me plehrat. Nëse do të ishim demokraci funksionale, mazhoranca nuk do të kishte legjitimitet që kur Prokuroria konstatoi deputetë dhe kryetarë bashkish me precedentë kriminalë, të dënuar me akuza nga më të rëndat në Perëndim. Si këto dhe shumë skandale të tjera që e kanë shoqëruar qeverinë në 4 vjet, në një demokraci funksionale do kishin prodhuar një qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme. Qeveria nuk ka rënë sepse jemi në një demokraci jofunksionale, ku nuk mban askush përgjegjësi para publikut dhe ku krimi thirret në aleancë kundër publikut. Ku policia është përdorur haptaz në 2015-ën në të gjithë vendin dhe në 2016-ën në Dibër dhe Kolonjë, për të identifikuar grupet që përfaqësojnë më shumë vota dhe për të negociuar me ta trafikun e votës në këmbim të interesave apo parave. Ky rol antiligjor i është dhënë policisë nga qeveria, jo nga ligji, ndaj kërkohet të ndryshojë qeveria, jo ligji. Vetëm po ndryshoi qeveria mund të largohen elementët partiakë nga policia, vetëm në këtë mënyrë mund të angazhohet policia kundër blerjes së votës, duke evidentuar sekserët dhe sponsorët e tjetërsimit të rezultatit para zgjedhjeve.

Me kalimin e orëve, rrethi ngushtohet, Edi Rama fiton adhurimin e militantëve duke u vënë kundër të gjithëve. Ndoshta kjo e bën të mendojë që ka të drejtë. Jashtë rrethimit, shumica pret zgjidhjen. “Kriza më e keqe është kriza më e gjatë”.

Please follow and like us: