Rikthimi i mirëpritur i Amerikës
Në vendimin e tij më të fortë deri sot në lidhje me sigurinë kombëtare, Presidenti Donald Trump kishte shumë të drejtë që urdhëroi sulme kundër forcës ajrore siriane të premten në mëngjes”, shkruan sot Nikolas Bërns, në një editorial për Financial Times.
Aspekti më befasues i këtij aksioni ushtarak nga ana e presidentit të ri ishte shpejtësia. Zakonisht, udhëheqësve amerikan do u ish dashur një kohë e konsiderueshme, për të vlerësuar risqet dhe avantazhet e përdorimit të forcës ushtarake, në një mjedis kaq të vështirë e të rrezikshëm. Por, sulmi i shpejtë i Trumpit, donte sigurisht edhe të dërgonte një sinjal të fortë përtej Damaskut, tek IRani dhe grupet terroriste të Lindjes së Mesme, se ai do të veprojë shpejt, për të mbrojtur interesat e SHBA nëse provokohet.
Sipas Bërns, edhe pse administrata ka lënë të kuptohet se sulmet nuk paralajmërojnë ndonjë fushatë të qëndrueshme ushtarake, ata “ishin gjithashtu një paralajmërim për Rusinë, se nuk ka fushë të lirë në ngjarjet në Siri. Po kështu, nuk ka asnjë dyshim se mysafiri i Trumpit në rezidencën e tij në Mar-a-lago në Florida, presidenci kinez Xi Jinping, tani e kupton që presidenti i SHBA beson se ka opsione për të mbajtur nën kontroll situatën e rrezikshme e të paparashikueshme me regjimin e Koresë së Veriut…”.
Më tej, autori, i cili është profesor në Harvard Kennedy School, shkruan se sulmi më i fundit në Siri na ka mësuar shumë në lidhje me Trumpin si Komandant i Forcave të Armatosura. Vendimi i tij i shpejtë ka rikthyer një pjesë të kredibilitetit të SHBA në Lindjen e Mesme. Por, nga ana tjetër, “shpejtësia mbresëlënëse me të cilën ai ndryshoi kurs këtë javë, ilustron gjithashtu anën impulsive e të rrëmbyer të karakterit të Trumpit. Ky ishte një mision … që mori mbështetjen e udhëheqësve europianë dhe arabë. E megjithatë, prirja e Trumpit për të goditur menjëherë dhe vëmendja e pakët ndaj detajeve, si dhe pasojave të paqëllimshme në kohë lufte, mund të sjellë telashe më vonë. Mund të shkaktojë madje edhe një katastrofë në një krizë të ardhshme me një kundërshtar më të fuqishëm, si për shembull Korea e Veriut”.
Autori e mbyll editorialin me këshillën që Trumpi të veprojë më me kujdes, teksa shkel në fushat e minuara të Lindjes së Mesme dhe përtej.