Përplasja Çabej-Bonfante: Ku flitej shqipja në lashtësi?
Kongresi i Studimeve Ilire i mbajtur në vitin 1972 shënon një nga konferencat më të organizuara shkencore të mbajtura ndonjëherë mbi ilirët. Duke iu përgjigjur ftesës së institucioneve akademike shqiptare, dhjetëra studiues të huaj të të gjitha lëmive shkencore erdhën në Tiranë, ku dhanë referate, kumtesa e trajtesa të thukta mbi çështje të ndryshme. Historianë, arkeologë, gjuhëtarë e antropologë, të përditësuar me të arriturat e fundit të kohës, dhanë kontribute të vyera për rikonstruktimin e botës ilire. Tërheq vëmendjen se sesioni i gjuhësisë u nderua edhe me praninë e glotologut italian, Guliano Bonfante (1904-2005), një nga autoritetet më në zë të indo-europianistikës. Fryt i sensit të tij zhbirues janë me dhjetëra artikuj e punime që kanë pahëtuar ndikimin e ilirishtes edhe jashtë kufijve të saj historik. Bonfante me qasjen e tij të mbrehtë e zhbiruese evidentoi një numër të madh fjalësh ilire në greqishten e vjetër. Sipas tij, ndikimi ilir, të cilin e njëjtësonte me atë pellazg, i kishte dhënë jetë qytetërimit kreto-minoan. Ai e gjente elementin ilir të shtresëzuar jo vetë në onomastikën mikenase, por edhe në mitologjinë klasike greke. Në konferencën në fjalë, Bonfante erdhi me kumtesën ‘Shqipja dhe Ilirishtja’. Gjuhëtari italian i binte mohit burimit ilir të shqipes. Duke përjashtuar përhershmërinë e shqipes në trevat e Adriatikut dhe Jonit, Bonfante prirej të besonte se shqipja ishte ngjizur në Dakinë Perëndimore. Në zemër të hipotezës së tij qëndronte fakti që shqipja dhe rumanishtja ndajnë një fond të numërt fjalësh, të cilat sipas tij, i atribuohen një nënshtrati të përbashkët të të dyja gjuhëve. Pas leximit të kumtesës nga Bonfante, gjuhëtari shqiptar, Eqrem Çabej do t’i përgjigjej me një kumtesë të jashtëzakonshme, në të cilën shkurtimisht interpreton çështjen e përkimeve shqiptaro-rumune. Pretendimit se shqipja nuk është formuar në trevat e sotme, Çabej i kundërvë faktin se shqipja ka huazime të numërta nga greqishtja veriperëndimore – dorishtja. Ai thekson se këto dorizma nuk gjenden në rumanisht, duke shkërmoqur idenë e formimit të shqipes në Daki. Kjo “përplasje titanësh” mes dy teorive rivale për truallin e formimit të shqipes është aktuale edhe sot, prandaj portali konica.al sjell polemikën Çabej-Bonfante.
SHQIPJA DHE ILIRISHTJA
Nga Giuliano Bonfante
Në antikitet, dy popuj të mëdhenj e të fuqishëm e ndanin midis tyre Gadishullin ballkanik (me përjashtim të Greqisë): Thrakët, që zinin pak a shumë Bullgarinë e tanishme, Turqinë europiane dhe Rumaninë, ilirët që zinin Shqipërinë e sotme dhe Jugosllavinë e sotme. Edhe Maqedonia greke dhe krahina të tjera, si Epiri, Etolia dhe Akarnania, ishin të populluara prej ilirësh, pjesërisht të përzier me grekër dhe që prej vetë grekëve μιζοβαρβαροι (mixobarbari). Nj ë mbret maqedonas quhej φιλελλην (filhelen),für einen Griechen ein sonde barer Name (Kretschmer). Që të dy këta popuj, thrakët dhe ilirët, i përkisnin padyshim familjes së madhe indoeuropiane, së cilës i përkasin, siç dihet, grekët, latinët, hititët, armenët, iranët, indo-arianët, sllavët, baltët, gjermanët etj. etj. Por këto gjuhë ndahen në dy pjesë nga isoglosa të ndryshme. Njëra nga më të rëndësishmet e këtyre është isoglosa e famshme e quajtur centum / satem nga fjalët latine dhe avestike, përkatësisht, për njëqind; dmth, velarja indoevropiane k mbetet në latinshten (centum), në greqishten, në keltishten, kurse qiellzohet dhe pastaj asimilohet në shumë gjuhë lindore; avestisht satem , indo-arianisht, satám dhe kështu më tutje. Trakishtja (dhe dakishtja) ishte pa asnjë dyshim një gjuhë satem (sh.p.sh. hyjneshën Σεμέλη Sémélé, rusisht zemlja, greqisht dhe χαμαί (kthon, hamai), kurse ilirishtja (me mesopotamishten) ishte pothuaj me siguri centum (ky është, sidoqoftë mendimi im dhe ishte edhe mendimi i të ndjerit Krahe). Tani gjuha shqipe është padyshim substancialisht një gjuhë satem , siç e tregojnë shumë forma tepër të qarta, dhe do të duhej afruar më fort me trakishten se sa me ilirishten. Shqiptarët janë pasardhësit e trakëve të lashtë (të mos harrohet se shqipja qind është me origjinë latine). Shtrohet këtu problemi shumë i vështirë i raporteve të shqipes me rumanishten. Nuk ka dyshim që rumunët të jenë trakë ose dako-trakë, që e kanë nxënë latinishten, por mbetën në gjuhën e tyre fjalë të ndryshme (rreth 160) që nuk janë as latine, as sllave, as gjermanike, as hungareze, as turke; mendohet me arësye (edhe për vështrimin e tyre) se i përkasin substratit të lashtë dako-trak. Nga këto 160 fjalë, rreth 70 gjenden në shqipen, dhe pikërisht me një veshje fonetike që nuk lejon të mendohet se ato paskëshin hyrë nga shqipja në rumanishten ose anasjelltazi (krh. Russu, Beziehungen der rumanischen Sprache zum albanischen und zum substrat , Revue de linguistique, 8, 1963, f.262). Do te citoj këtu si vijë:
rumanisht shqip
vienire `blaireau’, vjedullë
bască ‘vello’, ‘lana’’ bashkë ‘vello’
buza ‘labbro’ buzë ‘labbro’
copil ‘ragazzo’ kopil ‘garzone’
gușă ‘gola’ gushë ‘gola’, collo
moș, ‘vecchio’ moshë ‘vecchiaia’.
mugur “germoglio’ mugull ‘germoglis’
gălbează ‘distomatosi’. këlbazë ‘distomatosi’
ghiuj ‘vechio’ gjysh ‘nono’
gog ‘orco’ gogë ‘spettro’
strunga ‘ovile’ shtrungë ‘recinto per le pecore’
zară ‘latte cagliata’ dhallë ‘latte cagliato’
Shihet menjëherë nga vështrimi i këtyre fjalëve (dhe i të gjitha te tjerave qe nuk po citoj) se nuk është fjala për fjale ekzotike apo ditunore apo tregtare, që ë tregojnë prodhime te huaja: është fjala për fjale të përvujta, të përditshme, që i ka të vetat një popull barijsh (sh.p.sh. shtrungën, bashkën, dhallën, këlbazën); apo i përkasin fondit të lashtë te gjuhës trake ka jetuar jashtë romanizimit (që qe pothuaj i plotë në rumanishten, shumë i fortë në shqipen. aq sa Grober, në Grundrss-in e tij shumë të bukur në fundin e shekullit te kaluar, e numëronte shqipen thjeshtësisht si njç nga gjuhet romane). Mund te vërehen disa korrespondenca fonetike tipike të fjalëve shqipo-rumune: kështu p.sh. shqipes dh i përgjigjet rumanishtja z (zara: dhallë, viezure : vjedullë): dhe shqipes ll i përgjigjet rumanisht në r. Këto fenomene na garantojnë se kemi të bëjmë me fjale shumë të lashta, më të hershme se sa pushtimi romak. Ka, për me tepër, një sërë. izoglosash shumë të rëndësishme që u janë të përbashkëta vetëm shqipes dhe rumanishtes, dhe jo për gjuhët e tjera ballkanike: do të citoj këtu vetëm këto që vazhdojnë (krh. Russu, f.259).
- a atone bëhet në rumanishten a që shqip shkruhet ë;
- an e am bëhen an, in, ose am, im (ndryshimi është grafik).
- e atone bëhet a;
- en dhe em bëhen an dhe am;
- en përpara një dentaleje (dhëmboreje) bëhet in;
- en përpara një frikativeje bëhet in;
- br intervokalike (ndërzanore) bëhet ur;
- i atone bëhet a;
- b intervokalike zhduket, dhe po kështu v;
- n bëhet r (është rotacizmi i zakonshëm) që vërehet në disa dialekte shqipe (dhe pikërisht në dialektet jugore, të tipit te toskërishtes) dhe në disa dialekte rumune perëndimore, si istro-rumanishtja, dialekti i Banatit e të tjera të përafërta.
Ky fenomen i rotacizmit na shpie ta zhvendosim atdheun origjinal të shqiptarëve në veri, ndoshta pikërisht në territorin e Dakisë dhe pikërisht (siç është e natyrshme) në pjesën perëndimore të kësaj krahine. Dhe kjo pajtohet për mrekulli me origjinën trake të shqipes. Të vijmë tani tek elementi latin në rumanishten e në shqipen (e prekëm më lartë rëndësinë që ai pati në të dyja gjuhët). Është me të vërtetë e çuditshme të vërehet se si elementi latin i rumanishtes dhe ai i shqipes i ngjajnë njeri-tjetrit, qoftë në fonologji, qoftë në leksik (sh. gjithnjë Russu, f. 259, i cili nuk i dallon fenomenet me origjinë latine nga fenomenet me origjinë trake);
- a atone bëhet u (siç ndodh pjesërisht në italishten);
- u e shkurtër latine ruhet;
- li përpara një zanoreje dhe në pozitë fundore bëhet l’ (siç ndodh në italishten pjesërisht:figlio, capei, me zhdukjen të l’së);
- o përpara grupeve të bashkëtingëlloreve bëhet u (pjesërisht edhe në italishten);
- ce, ci latine (të shqiptuara ke, ki) dhe ge, gi qiellzohen në një shkallë më të pakë në shqipen (qint nga lat.centum, gjint nga lat. gentem), më shumë në rumanishten, ku arrihet te č, j (edhe te ž). Kështu edhe në italishten;
- kl bëhet ky, gl bëhet gy; psh. rumanisht chiema nga lat. clamare, si në italishten (chiamare).
Edhe në leksik ka korespondime të çuditshme; fjalë latine që ruhen vetëm në shqipen dhe në rumanishten dhe, (ajo që është shumë e rëndësishme) fjalë latine që ndryshojnë kaq shumë vështrimin dhe marrin një të ri, dhe pikërisht të njëllojtë në rumanishten dhe në shqipen: kështu conuentum ‘mbledhje’ që merr vështrimin e fjalës në të dy gjuhët dhe dracō (thirrore + l) dragua që merr vështrimin e dreqit (dhe që këndej, me artikullin latin ille të vënë pas, vjen fjala e famshme Dràcula me të cilën janë të mbushura filmat tonë). Edhe përdorimi i asnjanësit (neutrit) në rumanishten e në shqipen dhe në italishten është i njëjtë, siç është treguar tani vonë ndër Acta philological societatis academicae dacoromanae 3 (1964), pp. 29 ns, dhe prandaj nuk po ngul këmbë në këtë pikë. Ky asnjanës është me origjinë latine, por tërësisht i përtëritur (ital. il frutto: la frutta; il muro: le mura; të shënohet se në latinishtefructus dhe murus janë të gjinisë mashkullore). Këto konkordanca shumë të rëndësishme ndërmjet elementit latin të rumanishtes dhe atij të shqipes tregojnë, sipas mendimit tim, në mënyrë evidente se shqiptarë e rumunë kanë qenë dikur një popull i vetëm, që fliste të njëjtën gjuhë, qoftë edhe (siç është e natyrshme) me variante dialektore pak a shumë të shënueshme (sh.p.sh. rotacizmin); dhe ky popull pastaj qe romanizuar; shumë më i romanizuar qe rumuni, shumë më pak shqiptari (por elementi latin është gjithnjë shumë i fortë: sh.p.sh. fjalën peshk, qind!). Dhe qe romanizuar pikërisht në një kohë të vonë, në shekullin II të erës së re, dhe kjo shpjegon shumë mirë edhe disa konkordanca me italishten. Dhe pastaj me qenë se, për hesapin tim, unë e numëroj të provuar (dhe unë vetë jam marrë me këtë punë disa herë) vazhdimësinë e rumanishtes në Daki, përfundoj se shqiptarët kanë banuar dikur në Daki (dhe pikërisht në Dakinë perëndimore shih rotacizmin) dhe që andej migruan, në një epokë akoma të papërcaktuar, në vendet e tyre të tanishme. Në këtë përfundim më shpien dhe disa konsiderata të tjera. Së pari, i ndrituri albanolog, prof. Çabej, vëren në një punim të tij se në shqipen e sotme ndeshen shumë pak fjalë që kapen te greqishtja e vjetër (tri ose katër). Tani, ky fakt është shumë më i çuditshëm se Rosseti ka përvijuar, në bazë të mbishkrimeve të gjetura në Shqipëri, një hartë në të cilën rezulton se Shqipëria veriore shkruante latinisht, kurse Shqipëria jugore shkruante greqisht (në gjuhën vendase nuk shkruhej kurrë, nën pushtimin romak). Tani është e qartë që, në një vend gjuhë zyrtare e të cilit është greqishtja, do të ishte e habitshme që një ndikim i tillë të zhdukej plotësisht. Me fjalë të tjera, shqiptarët nuk janë autoktonë në Shqipëri, dhe kontaktet e tyre me grekërit janë të vona. Por nëse ata vijnë nga Dakia, kjo gjë shpjegohet lehtë, meqenëse ato tri ose katër fjalë mund ti atribuoheshin substratit ilir, që padyshim ekziston në shqipen (e ka treguar me prova p.sh. Marko La Piana), edhe pse është i dobët (shqipja është substancialisht një gjuhë trake-dake me shumë ndikime latine, sllave, turke, venedikase). Së dyti, toponomastika e Shqipërisë është kryesisht sllave (Puscariu); shqiptarët janë prandaj të ardhur nga Dakia, ndoshta me një infiltrim të ngadalshëm pasi e kishin okupuar sllavët atë territor (shek. V i e. sonë). Kanë mbetur në Shqipëri, është e vërtetë, disa emra të lashtë, me probabilitet ilirë (Shkodër, Durrës, etj); por këta emra nuk tregojnë në shqipen e sotme ato ndryshime fonologjike që duhet të tregonin sikur nga ilirishtja (ose nga latinishtja) të kishin kaluar drejtpërdrejtë në shqipen; kështu sk-fillestare e Skodra nuk mund të jetë shqipe, sepse në shqipen një sk e lashtë ka një përfundim të ndryshëm (h, krhs. njoh= lat.gnosco, gr. dial γνωσχω gnosko); σχιá, alb. hije). E gjithë terminologia detare dhe e peshkimit (duke përfshirë peshk pesce) është në gjuhën shqipe me origjinë latine ose venedike ose italiane ose sllave. Dhe në të vërtetë shqiptarët janë një popull barinjsh, kontinentalë, që nuk është i mësuar me detin. Kurse ilirët ishin lundrues shumë të aftë e piratë dhe e kërcënuan rëndë zotërimin romak në Adriatik (mjafton të thuhet se një tip anije romane, e famshmja liburne, ka një emër ilir). Trashëgimtarë të tyre janë prandaj jo shqiptarët, por piratët e tmerrshëm Uskokët e Narentës, që kaq shumë dhe kaq gjatë e trazuan flotën shumë të fuqishme të venedikasve. Trashëgimtarë të ilirëve qenë përkundrazi dalmatët, gjuha e të cilëve është shuar në mbarim të shekullit të kaluar. Është një gabim i rëndë, (dhe shpresoj ta tregoj shpejt në një punim që jam duke përgatitur) të afrohet rumanishtja dhe elementi latin i shqipes me dalmatishten: dalmatishtja paraqet një shtresë shumë më të lashtë latiniteti me qenë se Dalmacia dhe Illirikumi qenë pushtuar e romanizuar ndoshta në vitin 167 para erës së re, me siguri në vitin 9 para erës së re. Dhe në të vërtetë edhe duke mos prekur fakte të tjera dalmatishtja ruan të paprekura velaret latine (kenour nga cenare) që në shqipen e në rumanishten të paktën janë prekur (shq. qind nga lat.centum). Prandaj dalmatishtja është ilirishte-romane, kurse rumanishtja (dhe brenda kufijve të romanitetit të saj, shqipja) janë dakoromane, ose po të duash, trako-romane. Shqiptarët janë pra në pjesën më të madhe pasardhës të dakëve, popull i qytetëruar dhe trim, që luftoi gjatë dhe krenarisht kundër romanëve.
***
DISKUTIM MBI KUMTESËN E […] G. BONFANTES
Nga Eqrem Çabej […]
Në lidhje me kumtesën shumë interesante të Prof. Giuliano Bonfantes edhe në lidhje me diskutimet që u bënë rreth saj, po lejohem të prek sa më shkurt vetëm tri pika: E para, marrëdhëniet rumune-shqiptare; e dyta, huazimet latine të shqipes; e treta, huazimet greke të vjetra të shqipes. Që nga F. Miklosichi e këtej është thënë se marrëdhëniet leksikore rumune-shqiptare rrjedhin prej një burimi të tretë, prej një substrati, trak ose dak, si ta quajmë, substrat gjuhësor i kohës antike. Aty ndërtohet një ekuacion me dy të panjohura: rrjedhohen (derivohen) fjalë nga një substrat, për të cilin për këto fjalë që janë në diskutim, nuk dimë as gjënë me të vogël. Po ti analizojmë përkundrazi këto marrëdhënie leksikore një nga një, shohim se një pjesë e mirë e tyre gjejnë shpjegim evident në gjuhën shqipe, edhe bile një shpjegim prej një periode relativisht të vonë të kësaj gjuhe, të zhvillimit të saj të brendshëm, edhe jo shumë të vjetër, afërsisht të mesjetës së hershme. Kështu që në vend që të kemi përpara nesh elemente pararomake (gjermanisht vorrömsiche Bestandteile), kemi të bëjmë shpeshherë me elemente mesjetare të hershme. Le ta sqarojmë këtë me disa shembuj. Kemi fjalën bashkë, ndukë, një bashkë lesh, rumanisht bască. Në dialektet e shqipes krahas me bashkë ka edhe barukë, me të njëjtin kuptim. Kjo tregon qartë që bashkë reflekton një barashkë, që pra bashkë është një trajtë sekundare e shqipes, të cilën e ka marrë rumanishtja. Në rumanishten fjala bască është e izoluar, në shqipen ka farefisin e saj. Marrim fjalën këlbasë, gëlbazë, rumanisht călbează, gălbează të cilën e ka edhe greqishtja e re bashkë me ndonjë tjetër gjuhë të Ballkanit. Gustav Meyeri e ka parë fort mirë ndërtimin dhe historinë e kësaj fjale, dhe ne nuk gjejmë arsye për tu larguar prej tij e të shkojmë me mendimet e disa gjuhëtarëve më të rinj. Sikundër e pa ai dijetar, këlbaza, është një sëmundje që kalb mëlçinë e bagëtisë. Prandaj emri i saj lidhet me kalb, dhe ka dalë idealisht nga një kálbëzë. Është një emër sëmundjeje i karakterit eufemistik, në pajtim me mendësinë primitive, i formuar me një –zë deminutive, si emrat e sëmundjeve verdhësë, irizë etj. Aty u shpërngul theksi në shqipen në një periodë relativisht të vonë, sikurse nga dérdhëzë ka dalëderdhazë, nga búkurëzë bukurezë etj., një dukuri normale në gjuhën shqipe. Në shqipen,këlbazë lidhet me kalb, në rumanishten nuk lidhet me asgjë. Marrim tani fjalën moshë, me kuptimin që dihet. Ruamnisht mos është plak, moasa plakë. Në gjuhën shqipe moshë është e lidhur me mot kohë; vjet. Këtë e tregon fare mirë dhe një pasazh i Gjon Buzukut, ku mot është përdorur me kuptimin e moshës, përdorim që ruhet edhe sot nëpër dialekte. Fjalashtrungë, e cila rron në mbarë gjuhët ballkanike dhe përtej caqeve të tyre, lidhet përbrenda shqipes me shtroj. Ajo ka edhe kuptimin shtresë, vend fjetjeje, ndonjë shtrungë për të fjetur. Kuptohet se s’mund të thotë një njeri “s’kam një vathë delesh ku të fle”, po aty është fjala për një vend fjetjeje për njerëz. Prandaj shtrungë është shtresë dhe lidhet, siç u tha, me foljen shtroj . Del pyetja se ku ka një sufiks -ungë në shqipen? Po, ka. P.sh. prej shtjell ka dalë shtëllungë. Shohim kështu se shtrungë dhe morfologjikisht dhe kuptimisht hyn në mënyrë të natyrshme në sistemin gjuhësor të shqipes. Prandaj për mendimin tonë strunga e rumanishtes dhe e të tjerave gjuhë ballkanike e ka burimin në gjuhën shqipe. Për elementet latine të shqipes është shumë e vërtetë ç’thotë Prof. Bonfante, që këto elementë paraqesin një afri të madhe me ato të rumanishtes. Po kjo është njëra anë, njëri aspekt i çështjes. Huazimet latine të shqipes mbajnë një pozitë të ndërmjeme midis elementit latin ballkanik, ose lindor në daçi, i cili përfaqësohet kryesisht me rumanishten, dhe elementit latin që reflektohet me dalmatishten, e sidomos me gjuhët romane perëndimore. Shqipja ka një numër mjaft të madh fjalësh latine që si ka rumanishtja. Kjo tregon që shqipja u formua si gjuhë në një truall të ndryshëm nga ai i formimit të rumanishtes, në çdo rasë jo në Ballkanin lindor. Ka edhe disa veçori fonologjike që e largojnë nga rumanishtja; p.sh. k-ja latine para një zanoreje të çelët që u bë q në shqipen (qiqër etj.) e që nuk arriti në shkallën e një ç-je afrikate, tregon një depërtim më të hershëm të elementit latin sesa ai që ndodhi në Daki. Lidhur me elementin latin, desha të shtoj se ndonjë fjalë si lat. conventus, shqip kuvénd, rum.cuvint, e kadhe greqishtja e re, kuvenda, kuvendiazo, etj. Kështu qëndron, në vija të përgjithshme, puna e latinitetit ballkanik, një fushë që nuk përfshin vetëm lidhje specifike midis rumanishtes e shqipes. Sa për përmasat dhe vëllimin e këtij ndikimi gjuhësor, është për të shënuar se gjuhësia shqiptare vepron në këtë drejtim, që atë e ka reduktuar mjaft. Po rezulton tani, pas një analize objektive të materialit, që disa qindra elementesh latine të shqipes bien poshtë. Këto elemente që eliminohen, janë pjesërisht huazime italiane, pjesërisht fjalë vendi (autoktone), pjesërisht të ndonjë gurre tjetër. Me gjithë këto zbritje që i bëhen, nuk ka dyshim se elementi latin në fushën e huazimeve të shqipes kualitativisht mbetet në krye. Duke kaluar tani te huazimet e shqipes prej greqishtes së vjetër, vihet re se këto janë shumë më të pakta se huazimet latine, ato sillen rreth numrit tridhjetë ose pak më shumë. Me gjithë këtë, si pjesërisht më të lashta se huazimet latine, ato kanë një rëndësi të veçantë për historinë e gjuhës shqipe. Ndër të tjera, ato vërtetojnë që gjuha shqipe ose, me fjalë të tjera, shkalla e lashtë e saj është folur në Shqipëri e në trevat përreth në periodën antike. Vëllimi i pakët i këtij elementi përkundrejt elementit latin nuk përbën një rrethanë që mund të dëshmonte të kundërtën. Edhe për kohën mesjetare bizantine dhe kohën e re, perioda historike për të cilat dihet mirëfilli që shqiptarët kanë banuar në viset e tyre të sotmet, ndikimi gjuhësor i ardhur prej bregdeti, prej Italie krejt ashtu si në epokën antike ka qenë shumë më i fortë se ai i Greqisë, kur të kemi parasysh huazimet që kanë depërtuar në mbarë shqipen, dhe ky proces vazhdon edhe sot e kësaj dite. Kjo ka arsyet e veta territoriale, tregtare e kulturore. Ndikimi grek ka qenë dhe është më fort i karakterit dialektor. Ka një numër grecizmash të mbarë shqipes,por vëllimi i këtyre është shumë më i vogël se ai i ndikimit të italishtes. Kështu edhe në kohën antike ndikimi latin ka qenë shumë më i madh se ndikimi i greqishtes. Një tjetër rrethanë me rëndësi për të gjykuar për vendin se ku u kryen marrëdhëniet greke-shqiptare të antikitetit, është kjo, që përbrenda elementit grek të shqipes, ka disa dorizma, ka disa fjalë që janë me burim të sigurtë prej dialektit dorik-grek veriperëndimor. Të tilla janë drapën drapër prej drápanon (jo drépanon), qull prej χυλός fonetikisht hjulόs , etj., të cilat kanë a në vend të e-së, u në vend të y-së, etj. Aty del pyetja e karakterit historik: ku i kanë marrë të parët e shqiptarëve huazimet e këtij lloji? Të themi se i kanë marrë në Ballkanin lindor, a në Daki, atëherë pse si kanë rumunët? Thotë Klaus Haebler se të tilla elemente leksikore depërtuan prej bregdeti brenda thellë në Ballkan dhe atje diku kaluan në gjuhën shqipe. Po në gjuhën shqipe ka edhe dorizma të tilla si mokën, mokër, e është vështirë të mendohet që të kenë marrë kolonistët doras dhe mokrën e ta kenë çuar thellë në brendësi të Gadishullit ballkanik. Në këto rrethana, kur të kundrohen të dhënat gjuhësore, në mënyrë metodikisht të drejtë, në lidhje me situatën historike, këtu ka dy mundësi për interpretimin e këtyre elementeve greke dialektore: Ose këto kanë hyrë nëpërmjet ngulimeve dorike-ilire të bregdetit si Lissos, Dyrrahion, Apolonia etj., ose kanë depërtuar nga dialektet e Greqisë veriperëndimore, si ato të Akarnanisë, Etolisë, të cilat, sikundër dihet, ishin gjuhësisht të afra me dorishten. Ose si besoj unë nëpër të dyja rrugët njëkohësisht. Duke përmbledhur ç’u shtjellua në këtë diskutim, edhe duke lënë mënjanë toponiminë e vjetër, do të thuhet se ka elemente gjuhësore që flasin në të mirë të djepit të gjuhës shqipe, në anën perëndimore të Gadishullit ballkanik. Është një nder për ne që Prof. Bonfante merr pjesë në këtë kuvend ku jemi mbledhur. Ne gëzohemi që ai po merret me problemet e gjuhës shqipe. Unë shpreh bindjen time, dhe besoj edhe të shokëve të mi, që Prof. Bonfante, si një gjuhëtar me famë botërore që është, po të vazhdojë të merret me gjuhën shqipe, ka për të kontribuar shumë në thellimin e studimeve shqiptare.
PËRGJIGJE
Nga Giulio Bonfante
Më vjen keq se nuk mund t’i pranoj kritikat që m’u bënë, mbasi nuk është rrëzuar asnjë prej argumenteve të mia, dhe as nuk mund të mohohen ato shtatëdhjetë fjalë që janë të përbashkëta midis shqipes dhe rumanishtes, dhe as që mund të mohohet (fakt me shumë rëndësi) se elementi latin i shqipes dhe i rumanishtes është i njëjtë dhe se është shumë i ndryshëm nga dalmatishtja dhe nga gjuhët e tjera romane. Mu tha se mbështetem mbi fakte gjuhësore dhe jo mbi fakte historike. Unë nuk e marr vesh se çfarë kuptohet me këtë. Gjuhësia, për mua, bën pjesë në historinë, d.m.th. historia duhet të ketë parasysh faktet gjuhësore. Fakti se spanjollët flasin latinisht është një fakt historik. Ndoshta e keni fjalën për atë që quhet historia diplomatike, d.m.th. historia ashtu si del nga dokumentet e shkruara, diplomat, burimet, etj. Mirëpo, nga kjo pikëpamje, ne jemi në errësirë të plotë, qoftë për shqiptarët, qoftë për rumunët, sepse nuk kemi fare dokumenta. Këto dokumente mungojnë për shumë shekuj, dhe prandaj gjuhësia duhet të zëvendësojë në këtë rast historinë. Se shqipja ka pak fjalë nga greqishtja e vjetër, këtë e kam nxjerrë pikërisht nga punimi i Prof. Çabejt, një punim shumë i mirë, ku Çabej përmend tre raste, në qoftë se nuk gabohem. A ka shkruar apo jo punime të tjera më vonë, këtë duhet ta pranoj se nuk e di. Por, edhe në qoftë se fjalët e greqishtes së vjetër janë dhjetë a pesëmbëdhjetë, në vend të treve që përmenda më sipër, kjo nuk do ta ndryshonte shumë gjendjen: shqipja ka pak fjalë që rrjedhin nga greqishtja e vjetër. Prandaj, këto fjalë të greqishtes së vjetër rrjedhin natyrisht nga substrati ilir, të cilin unë nuk ia mohoj shqipes, ashtu siç e ka theksuar dhe mbrojtur La Piana. Unë kam thënë vetëm e vetëm: shqipja është kryesisht trakishte dhe se vetëm një pjesë e vogël e shqipes është ilirishte. Për fat të keq nuk kam arritur t’i kuptoj mirë argumentet sepse nuk e flas shqipen, për çka më vjen keq dhe i kërkoj ndjesë auditorit. Atë që arrita ta kuptoj nëpërmjet përkthimit që më bënë dy kolegët, i jam përgjigjur se nuk më ka bindur, prandaj u ktheva te teza që u kam paraqitur më parë. Ju falënderoj shumë.