Vangjel Dule flet për alternativat që ka opozita
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ishte i ftuar sot në Forumet UET me temë Reformizmi vs Populizmi, ku bashkëbisedoi me studentë dhe pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës mbi situatën aktuale politike dhe pozicioninim e tij në krah të opozitës PBDNJ-ja është një parti që përfaqëson të drejtat e minoriteteve në vend dhe ka një lidhje të fortë me minoritetin grek në veçanti. Si prol partie do të mirëkuptohej qënia e saj në qeveri, pavarësisht se cilës krah politik i përket qeveria, por kreu i kësaj partie Vangjel Dule ka zgjedhur të jetë në opozitë dhe të mbështesë protestën e inicuar nga Partia Demokratike në situatën aktuale.
Dule i ftuar në Forumet UET i ka bërë një skaner situatës ku ndodhet opozita dhe politika në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare duke theksuar se mungon besimi se këto zgjedhje do të jenë të lira dhe të ndershme. I pyetur për rolin e ndërkombëtarëve në këtë situatë, Dule ka zbuluar një fakt që nuk ishte artikuluar më parë publikisht; një propozim që ka ardhur nga përfaqësues diplomatikë për partitë e vogla aleate të PD-së. Sipas tij u është propozuar që të futen në zgjedhje edhe pa PD-në pasi kjo do t’u jepte mundësinë të shtonin fuqinë e tyre elektorale dhe mandatet e tyre në Kuvend. “Në takimet me diplomatët kryesisht kanë qenë në formën e paraqitjes së argumentave të njohura nga ana e partive të opozitës.
Kam dëgjuar dhe diçka të cilën po ta kisha dëgjuar individualisht nuk do të merrja përgjegjësinë ta thoja publikisht. Fatmirësisht isha dhe me kolegë të tjerë politikanë, ditët e fundit, që dëgjova një propozim kaq cinik që nuk e besova se e dëgjova. Na u tha në prani të përfaqësuesve të 4-5 forcave politike që ndoshta mund të ishtë një shans i mirë për ne që të përfitonim nga mospjesëmarrja e Partisë Demokratike në zgjedhje për të marrë ndonjë mandat më tepër. Nëse do të isha “tete a tete” me atë bashkëbisedues nuk do të merrja përgjegjësinë ta thoja publikisht, por isha me fat se isha me të tjerë që e dëgjuan.
Duhet ta keni të qartë që ka dhe nga këto mendime”- u shpreh Dule. Më tej Dule tha se të gjitha gjasat do të çojnë në shtyrjen e zgjedhjeve dhe në plotësimin e kërkesave të opozitës e cila ka refuzuar të regjistrohet në zgjedhjet e përcaktuara më 18 Qershor.
Tre alternativat e krizës
Duke folur për kauzën e opozitës, ku ai militon, Dule bëri një skaner të situatës dhe të alternativave që ofrohen për opozitën dhe klasën politike në këtë situatë. “Kemi tre alternativa, i shohim dhe zgjedhim atë më pak populiste.
E para, ne nuk investojmë në problemet që ekzistojnë në lidhje me organizimin e zgjedhjeve, shkojmë normalisht, bëjmë fushatë elektorale, paraqesim alternativat tona i bëjmë dhe favorin vetes dhe qytetarit që të dëgjojë alternativa politike. Zgjedhjet e 18 Qershorit do të jenë më të këqija se ato të 2013-ës. Pas atyre zgjedhjeve do të kemi kontestim, bojkot parlamentar për 6, 9, 12 muaj, nuk mund ta parashikoj, nuk do kemi hapje të negociatave me BE-në, as implementim të reformës në drejtësi, vetting, etj., dhe kostoja do të jetë shumë e madhe. Varianti i dytë është që opozita i qëndron fort variantit se zgjedhje me kushtet aktuale nuk mund të ketë.
Atëherë do të ketë zhvillime të sforcuara politike me shkelje edhe të Kushtetutës, me kapërcim, me arna juridike siç e kemi bërë traditë, por që do arrijmë të shkojmë në një proces zgjedhor, ku askush nuk do të ketë të paktën alibinë e kontestimit. Kjo periudhë para zhvillimit të zgjedhjeve mund të jetë shumë e shkurtër, disi më e gjatë, por sidoqoftë do të jetë më e shkurtër se sa kontestimi i zgjedhjeve të alternativës së parë. Pra çfarë preferojmë? Një periudhë zhvillimesh të sforcuara politike 2,3,4 mujore para zgjedhjeve, dhe zhvillimi i zgjedhjeve të pranueshme apo zhvillimi i zgjedhjeve me kushtet aktuale të cilat me siguri do të jenë të kontestueshme dhe do të shoqërohën nga një periudhë e gjatë destabiliteti. Në këtë do të futet alternativa e tretë që është ajo e plotësimit të kushteve të opozitës.
Ngritja e një qeverie besimi, siç tha zoti Meta, teknike siç tha zoti Basha, me mbështetje të gjerë e tha dikush tjetër, e cila ka vetëm një kosto, vetëm egoizimin e kryeministrit aktual”- u shpreh Dule. Kreu i PBDNJ-së shtoi se alternativa e tretë mund të jetë një shembull që e ka vendi fqinj Greqia, ku 2 muaj para zgjedhjeve japin dorëheqjen tre ministra të rëndësishëm të lidhur direkt me përgatitjen e procesit zgjedhor, i Brendshëm, i Drejtësisë dhe i Pushtetit Vendor bashkë me Zëdhënësin e qeverisë. Kjo bëhet si provë besimi tek zgjedhjet dhe pse nuk ka asnjë detyrim ligjor ndaj qeverisë në pushtet.