Orët e fundit të koalicionit
Desada Metaj
Protesta e zgjatur e opozitës duket se ka shkaktuar ngërçin e parë institucional dhe krizën politike brenda mazhorancës, kjo ka lidhje me limitet e regjistrimit të koalicioneve në KQZ.
Data 19 Prill është dhe afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve dhe në rastin konkret atij mes PS dhe LSI. Të dyja partitë kanë rënë dakort që të shtyjnë deri në datën 3 Maj këtë proces, duke shtruar një pikëpyëtje të madhe për Edi Ramën dhe të ardhmen e zgjedhjeve të 18 Qershorit.
Çfarë e ka penguar kreun e mazhorancës të regjistrohet si koalicion brenda afateve? Nëse PS dhe LSI kanë një marrëveshje atëherë ora 24:00 e ditës së sotme shënon dhe limitet kohore për të qenë së bashku në zgjedhjet e qershorit.
Në kohën kur në çdo deklaratë të tij Kryeministri ka shprehur pa doreza sigurinë që jo vetëm do të ketë zgjedhje në 18 Qershor por PS do të jetë pjesë e procesit me aleatin e saj LSI-në, kërkesa e sotme për të shtyrë këtë afat më shumë se krizë në marrëdhënien me opozitën tregon qartasi se dy aleatët e mëdhenj kanë vështirësi për të gjetur gjuhën e përbashkët për të qenë bashkë në zgjedhje.
PS dhe LSI janë dy parti të regjistruara brenda afateve si subjekte politike në KQZ për të garuar në zgjedhjet e ardhshme. Me ndryshimin e vetëm që LSI ka qenë e prerë në vendimin e saj për të mos qenë pjesë e procesit zgjedhor pa pjesëmarrjen e opozitës. Megjithatë, edhe nëse LSI do të rishohë qendrimin e saj për pjesmarrje ose jo në zgjedhje, në varësi të vendimit të opozitës, regjistrimi i saj si koalicion me PS nuk e pengon të tërhiqet edhe një ditë para zgjedhjeve.
Dilema kryesore në këtë rast nuk ka të bëjë me qendrimin e qartë dhe të prerë të opozitës, por me dyshimin se diçka nuk shkon tek aleatët e majtë. Kërkesa për shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve, e komentur deri më tani vetëm nga anëtarët e djathtë të KQZ është konsideruar e paligjshme, pasi çdo shkelje e afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor është shkelje e hapur dhe e paprecedentë e ligjit. Çdo ndryshim i tillë do të duhej të kishte miratimin e shumicës së përbërë në parlament për shkak se do të duhej të ndryshoheshin nene të posaçme në Kodin Zgjedhor. Thënë ndryshe, Edi Rama dhe pasioni i tij për reformën në drejtësi është zhbërë sot krejtësisht pas një letre që kërkon shtyrje afatesh përtej kompetencave të ligjit.
Askush nuk i pengon koalicionet të regjistrohen si të tilla dhe asnjë vendim KQZ nuk mund të ketë vlerë përtej këtij afati. Siç duket këtë pjesë të Kodit një pjesë e mazhorancës kërkon ta ndryshojë për të mbuluar apo fshehur konsensuse të munguara apo diçka më shumë.
Asgjë e keqe nuk i vjen politikës shqiptare nëse PS dhe LSI regjistrohen veçmas për zgjedhjet e qershorit. Madje edhe sikur të shkojnë në 18 qershor pa opozitën procesi do të ishte të paktën ligjërisht korrekt. Problemi i vetëm qëndron tek manipulimet e orëve të fundit për të ndryshuar dhe shkelur afatet ligjore që në mos i japin zgjidhje krizës të paktën shprehin qartë ngerçin e vazhdueshëm që PS dhe LSI kanë në bashkëpunimin me ulje ngritje të kohëve të fundit.
Dhe për këtë duket se as KQZ dhe anëtarët e bindur të saj nuk i ndihmojnë dot…