Albspirit

Media/News/Publishing

Gazetarët ‘bombardojnë’ Ilir Metën

Vetëm pak minuta pas mbylljes së punimeve të seances plenare të Parlamentit, që ezauroi raundin e pare formal të nisjes së procedures për zgjedhjen e Presidentit të ri, kryeparlamentari ka dale përpara medias, ku ka zhvilluar një “duel” me pyetje përgjigje. Citynews po e përcjellë të plotë këtë “dyluftim”, që nisi me pyetjen:

 Z.Meta u dogj edhe raundi i parë i votimit për Presidentin e Republikës, deri sa do të pritet opozita, pasi ju kështu keni deklaruar se do të prisni opozitën?

Natyrisht jemi duke zhvilluar procedurat kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe natyrisht edhe ezaurimi i raundit të sotëm pa kandidat ishte një tregues i vullnetit dhe për të respektuar këto procedura.

Por njëkohësisht edhe i durimit dhe vullnetit për të patur mundësinë për biseduar edhe me opozitën, që të kemi një proces sa më bashkëpunues dhe mundësisht sa më konsensual për zgjedhjen e Presidentit të ri së bashku edhe me opozitën.

Pasi dihet që kjo mazhorancë i ka numrat për të bërë një zgjedhje të plotë dhe legjitime të Presidentit të ri. Por besojmë se ky është një proces shumë i rëndësishëm që padyshim kërkon edhe meriton dhe bashkëpunimin e opozitës.

Pyetje: Kur do të jetë raundi i radhës, çfarë vendosi Konferenca e Kryetarëve?

Konferenca e Kryetarëve ka vendosur që ky raund të jetë nesër. Pra, një seancë më vete përveç seancës së zakonshme, por kemi kohën e duhur për të diskutuar këtë çështje në tryezë me opozitën.

Pyetje: Ju deklaroni se ka një vullnet për të pritur opozitën dhe për të pasur konsensusin e opozitës për Presidentin. Pse bëhen kaq të shpeshta raundet për zgjedhjen e Presidentit, kur Kushtetuta thotë se ka 7 ditë kohë çka mund t’i jepte më shumë opozitës dhe partive politike që të gjenin konsensus?

Ishte një kërkesë e grupit parlamentar të shumicës dhe natyrisht dhe fakti që ky raund do të bëhet nesër nuk e përjashton mundësinë për të patur një kohë më të gjatë për tre raundet e tjera. Pra, janë 5 raunde.

Pyetje: Do ta prisni opozitën deri në raundin e fundit z. Meta?

Ne do ta presim brenda të gjitha mundësive, por natyrisht nuk mjafton vetëm që ne ta presim, duhet edhe opozita të vijë.

Pyetje: Po i jepni kohë faktit që po e vendosni seancën nesër, kaq shpejt siç ju pyeti kolegu pak më parë edhe bisedimeve që mund të jenë edhe gjatë javëve të ardhshme me eurodeputetin McAllister që pritet që të vijë në Shqipëri, keni një konfirmim për këtë gjë? Po i jepni kohë palës tuaj dhe opozitës që të afrohet në qëndrime?

Fakti që raundi i dytë do të bëhet nesër, nuk do të thotë që raundi i tretë do të bëhet pasnesër. Mendoj që do të jepet koha e duhur dhe shpresoj dhe uroj që fillimi i javës së ardhshme të jetë fillimi i dialogut, sikurse pritet nga të gjithë.

Kjo është arsyeja që i kam kërkuar edhe kryetarit të Partive Popullore Evropiane, zyrtarisht, pasi jam konsultuar edhe me Kryeministrin Rama, që EPP-ja të luajë një rol të rëndësishëm, vendimtar, në këtë dialog duke patur në konsideratë këtë mosbesim dhe mosvendosjes së dialogut prej dy muajsh dhe prej disa javësh midis mazhorancës dhe opozitës.

Partia Demokratike është pjesë familjes së Partive Popullore Evropiane. Partitë Popullore Evropiane kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm për të mbështetur edhe integrimin evropian të Shqipërisë në të gjitha kohërat, pavarësisht nga ngjyrat e mazhorancave, që kanë qenë në Shqipëri në qeverisje.

Dhe besojmë që ky rol lehtësues të ketë një efekt pozitiv, në mënyrë të veçantë tek opozita jonë dhe jam i bindur që ne do të respektojmë çdo rekomandim nga ana e tyre për daljen nga kjo krizë apo parakrizë.

Pyetje: Koalicioni me PS-në do të bëhet pas zgjedhjeve z. Meta, pasi anëtarë të KQZ-së janë shprehur se kërkesa që LSI dhe PS kanë dërguar në KQZ është “nul” nga pikëpamja juridike?

Ne respektojmë çdo vullnet të institucioneve të tjera. Ne kemi treguar një vullnet maksimal për t’i dhënë më shumë kohë opozitës, për t’u regjistruar qoftë si subjekte politike, gjë që nuk ka ndodhur të paktën për shumicën e tyre, qoftë si koalicione.

Sepse sipas kësaj logjike i bie që opozita të mos regjistrohet më në zgjedhje dhe pavarësisht nga përpjekjet tona zgjedhjet të mos zhvillohen më me opozitën në rast se do t’i përmbahemi qëndrimeve të z. Bylykbashi fjala vjen.

 Pyetje: Z.Meta ju u shprehët se në fillim të javës së ardhshme shpresoni të nis dialogu. Keni marrë një konfirmim nga partnerët europianë, që kanë ndikim tek Partia Demokratike për t’u bërë pjesë e këtij negocimi mes partive?

Unë do të doja që dialogu të kishte nisur që pardje, për të mos thënë që dje dhe që tani.

Sepse kjo është një çështje që ne duhet ta kishim zgjidhur, por sidoqoftë është e rëndësishme dhe shpresojmë që fillimi i javës së ardhshme të jetë pozitiv dhe për këtë besoj se të gjithë duhet të përgatiten për të qenë bashkëpunues dhe fleksibël për të rritur pikat e takimit.

Pyetje: A qëndron 18 qershori si datë apo mund të shtyhen zgjedhjet?

Natyrisht që qëndron përderisa nuk kemi një dekret tjetër.

Pyetje: Nëse mbërrijmë ne raundin e pestë dhe opozita nuk është ende në sallë, do të preferonit zgjedhjen e Presidentit me sallën gjysmë bosh apo shpërndarjen e Parlamentit dhe kalimin në zgjedhje të parakohshme për t’ia kaluar zgjedhjen e Presidentit parlamentit të ri?

Së pari, ky nuk mund të jetë kurrsesi një vendim individual.

Së dyti, nuk është kjo ajo që dëshirojmë dhe që kërkojmë. Kërkojmë që vendi të fitojë normalitetin që i duhet, që e ka të domosdoshëm, jo thjesht dhe vetëm për Presidentin, por edhe për procesin zgjedhor që kemi përpara. Për një klimë sa më të qetë dhe qytetare, sepse përndryshe kjo nuk është në të mirë as të kredibilitetit të institucioneve aktuale dhe të ardhshme të vendit.

Njëkohësisht nuk është mirë as për situatën ekonomike, sociale, për biznesin vendas, për investitorët e huaj. Kështu që shpresojmë në përgjegjshmërinë dhe në reflektimin e të gjithëve.

Pyetje: Kështu siç erdhën ngjarjet z. Meta, a mund të themi se 18 qershori mund të jetë një garë e partive politikë dhe jo i koalicioneve meqenëse orët e fundit kanë mbetur për tu regjistruar dhe ju si subjekte brenda koalicionit qeverisës në KQZ dhe mesa duket nuk ka hapa konkrete për t’u regjistruar?

Për mua e rëndësishme është që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen sipas standardeve më të mira europiane, me një klimë mirëbesimi dhe për këtë duhet të kontribuojnë të gjithë. Nuk mund të kontribuojë vetëm një faktor apo kushdo qoftë.

Duhet që të gjithë të kontribuojnë për këtë çështje. Janë zgjedhjet e qytetarëve shqiptar. Ata meritojnë një proces normal dhe të qetë. Meritojnë një mazhorancë legjitime. Meritojnë një opozitë legjitime pas këtyre zgjedhjeve dhe institucione më të besueshme dhe më funksional.

Pyetje: Nuk ju dëgjojmë më të flisni për “qeveri besimi”. Çfarë ka ndryshuar?

U bënë tre javë që unë bëra një artikulim të tillë dhe ende i qëndroj asaj se qeveria duhet t’i ofrojë besim qytetarëve shqiptarë, por për fat të keq deklarata ime në vend që të rriste dhe përpjekjet për dialog u keqpërdor për të ndezur më tej retorikat, duke kërkuar edhe arrestime të politikanëve të caktuar. Ndërkohë që të parët janë partnerët të cilët duhet të ulen në çdo rast në tavolinë dhe t’i japin zgjidhje kësaj situate.

Asgjë nuk ka ndryshuar nga qëndrim im dhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim në funksion të një zgjidhjeje politike në funksion të ofrimit të posteve që ne kemi, qoftë unë si Kryetar i Kuvendit, qoftë ministrat përfaqësues të LSI-së në funksion të rritjes së një mirëbesimi.

Por askush nuk duhet të presë njëkohësisht që LSI-ja të rreshtohet me cilindo që kërkon ta çojë këtë krizë në ekstrem, sepse kjo nuk i shërben vendit, nuk i shërben qytetarëve shqiptarë dhe të gjithë duhet të punojmë për të rritur pikat e takimit në këto orë dhe në këto ditë.

Sepse çdo ditë që ikën e bën më të vështirë daljen akoma më të mençur nga ky qorrsokak ku mund ta fusim vendin, edhe për arsye emocionale përveç interesave të ngushta partiake apo politike.

Pyetje: E keni përmendur shpesh reformën administrative-territoriale ditët e fundit. A do të veprojë LSI-ja ashtu siç veproi mazhoranca, kur u votua kjo reformë pas dështimit të përpjekjeve për të sjellë opozitën në Kuvend për ta votuar? A do të futeni ju në zgjedhje nëse opozita nuk vjen?

Nuk dua ta mendoj që Shqipëria të ketë zgjedhje pa opozitën dhe kam qenë gjithmonë i prirur të kuptoj shqetësimet e tyre.

Kam përkrahur publikisht, prej kohësh dhe së fundmi shqetësimet e tyre, që nuk kanë qenë vetëm tyret, por edhe tonat; për çështjen e kanabisit apo të drogës; për çështjen e dekriminalizimit.

LSI dhe unë personalisht kemi qenë shumë të qartë për këto çështje, jo vetëm për t’i dhënë të drejtë opozitës, por sepse janë probleme mjaft shqetësuese me të cilat duhet të ballafaqohemi dhe duhet t’i godasim fort në mënyrë që të rrisim dhe besueshmërinë për forcimin e shtetit ligjor, apo për të çuar reformën në drejtësi.

Ndërsa unë nuk mund të them tani se opozita ka të dejtë në të gjitha kërkesat e saj, sepse po të thoja apo ta mendoja këtë gjë, do të isha edhe në çadër si drejtuesit e Partisë Demokratike apo si kolegë të tjerë.

E mirëkuptoj shqetësimin e tyre dhe dua të bëj të qartë që edhe përpjekja për të lehtësuar dialogun, duke kërkuar angazhimin e Partive Popullore Evropiane synon për t’i dhënë një shans tjetër rritjes së besimit te ky proces.

Dhe unë do ta marr në konsideratë seriozisht çdo rekomandim, çdo sugjerim që Partitë Popullore Evropiane do të bëjnë për tejkalimin e këtij ngërçi në vendin tonë.

Shpresoj që të gjithë aktorët të bëjnë të njëjtën gjë por ndërkohë duhet të përgatitemi të gjithë për pika takimi përpara fillimit të javës që vjen.

Pyetje: Edhe nëse ato propozime do të duken të njëanshme siç ishin fjalët e ministrit të jashtëm gjerman, Gabriel?

Unë më duket se jam shumë i qartë dhe nuk dëshiroj të hyj në komente mbi komentet. Për ne raporti me partnerët ndërkombëtarë është shumë i rëndësishëm, si partnerët evropianë ashtu edhe partnerët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por nuk është vetëm ky raport.

Mendoj se eksperiencat tona të hidhura në të kaluarën, sidomos zgjedhjet e vitit 1996 apo edhe zgjedhje të tjera të vështira që kanë ndodhur herë pas here në Shqipëri na detyrojnë që të bëjmë gjithçka për të garantuar paprekshmërinë e votës së qytetarëve shqiptarë.

Please follow and like us: