Albspirit

Media/News/Publishing

Ana e panjohur e Hilë Mosit, dëshmi të reja

Sot është ditëlindja e Hilë Mosit, poetit të njohur shkodran, i cilësuar   si poet luftëtar e publicist, patriot dhe demokrat, figurë politike e njohur e periudhës para e pas Pavarësisë. Pjesë e brezit të dytë të Rilindësve Shqiptarë. Por Hilë Mosi kishte edhe një jetë tjetër të panjohur, që shumë pak vetë e dinë e shumë pak ose aspak është folur për të. Hilë Mosi ishte edhe drejtor i policisë, prefekt, ministër… dhe, në fund, edhe poet.

Për veprimtarinë e tij patriotike e letrare kanë folur gjatë e gjerë, nëpër libra e antologji, nëpër konferenca e dokumentarë. Po le t’i hedhim një sy enigmave që e kanë shoqëruar gjithë jetën këtë figurë të shquar patriotike.

Hilë Mosi, u lind në Shkodër më 22 prill 1885. Historia e panjohur e tij nis në shkurt 1914, kur Hilë Mosi do të ftohet nga qeveria e Esad pashë Toptanit për ta vendosur Drejtor të Përgjithshëm të Sigurisë së Shqipërisë. Detyr;n e pranoi dhe filloi t; ushtroj; detyr;n, por pas pushtimit malazias të Shkodrës, më 1915, Hilë Mosin ushtria malazeze e internoi në Podgoricë së bashku me 25 shokë të tij. Më 1916, sapo ushtritë malazeze u largua nga Shkodra, Hila u kthye në vendlindje dhe organizoi shoqërinë “Vëllaznija” të Shkodrës, duke qenë ndërkohë kryetar i saj. Në kohën e pushtimit austriak të pjesës më të madhe të tokave të Shqipërisë Etnike (1916-1918), Hilë Mosi ishte shef (drejtor) i Policisë në Shkodër. Më 1920 veprimtari i shquar, Hilë Mosi, organizoi, në Shkodër, komitetin “Mbrojtja Kombëtare” dhe u zgjodh senator i Shkodrës. Në vitin 1921 ai u zgjodh deputet i Shkodrës dhe me këtë rast ka falënderuar publikisht në media të gjithë miqtë dhe dashamirësit që e kanë uruar për zgjedhjen deputet. Më 3 mars 1921 Hilë Mosi zgjidhet sekretar i Këshilli Kombëtar (Parlamentit). Kryetar ishte Xhemal efendiu (Naipi), kurse Spiro Koleka nënkryetar.

Edhe në këtë vit ai qe delegat dhe përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, në Gjenevë. Në tetor 1921 refuzoi postin e ministrit të Arsimit (më 28 tetor 1921 falënderoi gjithë miqtë që e uruan për emërimin). Në vitin 1923 Hilë Mosi do të zgjedhet “asamblist” (deputet) i Qarkut të Shkodrës, por i mërzitur nga sjellja jo e mirë e disa shokëve asamblistë largohet nga Asambleja (Parlamenti). Vërtetë, Hila deri më 1924 ishte deputet i Shkodrës, por në muajin prill të atij viti dha dorëheqje, me kërkesën e vet, për faktin se po përgatitej për prefekt i Korçës, ku do të shkojë më 16 maj 1924. Mirëpo, me vendim të Këshillit të Ministrave të Qeverisë së Nolit, më 24 qershor 1924, pushohet nga detyra e prefektit të Korçës me motivacionin: “për arsye administrative lirohet nga detyra”, duke u zëvendësuar në këtë detyrë nga ish-ministri Spiro Koleka. Po “Qeveria Noli” Hilën do ta emërojë, më 2 tetor 1924, zëvendësisht prefekt në Gjirokastër.

Në dhjetor të vitit 1924, meqenëse ishte përkrahës i “Revolucionit të Qershorit”, u shtrëngua të emigronte jashtë vendit. Në gusht 1925, pasi u amnistua nga Ahmet Zogu, së bashku 59 të tjerë, midis të cilëve shumë policë e xhandarë, u kthye në Atdhe. Dhe, “Qeveria  Zogu”, më 10 gusht 1925,  Hilën e caktoi, përsëri, prefekt në Korçë.  Në këtë detyrë Hila qëndroi deri në fund të vitit 1926. Pastaj do të dërgohet prefekt në Gjirokastër dhe nga atje, përsëri, do të kthehet në Korçë. Në detyrën e prefektit gëzoi respektin qytetar të atyre  rretheve dhe ka marrë vlerësime shumë të mira nga strukturat superiore për përmbushjen zyrtare të misionit të prefektit. Në fillim të vitit 1927 Hilë Mosi u emërua inspektor i Kryesisë së Republikës.  Pas kësaj detyre, më 19 nëntor 1927, u emërua ministër i Punëve Botore dhe zëvendës ministër i Punëve të Jashtme, ku qëndroi deri në qershor 1928, i zëvendësuar nga Salih Vuçiterni. Të evidencojmë edhe këtë fakt: Hilë Mosi, në tetorin e vitit 1927 përjetoi një fatkeqësi të rëndë familjare. Atij i vdiq i biri, Miri, për humbjen e të cilit do ta ngushëlloji edhe pushtetari sovran Ahmet Zogu.

Në shtator të vitit 1928, Hilë Mosit iu besua një detyrë me rëndësi në Sigurim të vendit. Në vitet 1929-1930 Hilë Mosin prapë e shohim prefekt të Korçë, me shumë telashe në siguri të vendit. Në këtë periudhë Policia e Korçës po merrte kritika të shumta për korrupsion, abuzime në detyrë, mungesë përgjegjësie dhe indisiplinime të shumta në detyrë. Ndërmjet policëve të akuzuar radhitej edhe komiseri i Policisë, Ilo Nano, të cilin Hilë Mosi e denoncoi në Ministrinë e Brendshme dhe në Prokurori se mbante lidhje me pronaren e një bordelloje me të cilën drekonte e darkonte shpesh herë.

Gazeta “Ars” nr. 5 e vitit 1930, informonte: “Prefekti i Korçës, Hilë Mosi, emërohet ministër i Arsimit në kabinetin qeveritar të Pandeli Evangjelit. Hilë Mosi në postin e ministrit të Arsimit ishte person me merita të dëshmuara nga periudha e studimeve.  Në vitin 1928 Hila i shkroi një letër Ahmet Zogut ku prezantoi mendimet e tij “mbi shkeljet e rregullave gramatikore në gjuhën shqipe dhe masat që duhen marrë”.

Në polemikat e shtypit të kohës, mes Hilë Mosit e Át Anton Harapit tek Hylli i Dritës, u dëtyrua Fishta t’i shkruante një polemikë klasike që në sintezë i thoshte “Gabove Hilë!”; siç mbante edhe titullin. Polemikë të cilën, bashkë me veprën “Bujari”, Mosi s’e kapërdiu.

Veterani  i përpjekjeve titanike për lirinë e kombit shqiptar, Hilë Mosi u shua më 21 shkurt 1933, në shtëpinë e tij në Tiranë. U varros në Shkodër me nderime të mëdha, më 22.02.1933. Pati një sëmundje të rëndë dhe të gjatë. Fjalën mortore në Shkodër e mbajti Mirash Ivanaj (në emër të qeverisë). Ndër të tjera ai u shpreh: “Ti shkove, o Hilë, tue mjerue familjen t’ande, tue lanë një tjetër vend të shprazët në mes të veteranëve, që janë aristokracia e luftëtarëve shqiptarë. …” Më 2 mars 1933 u këndua një meshë drite në kishën katolike të kryeqytetit për shpirtin e Hilë Mosit.

 

Please follow and like us: