Albspirit

Media/News/Publishing

Ziadin Sela, patrioti dhe politikani frymëzues

Azem Parllaku

Edhe unë jam Ziadin Sela, është sllogani i të gjithë shqiptarëve në trojet etnike. Një numër i konsiderueshëm prej tyre kanë vendosur edhe fotografinë e tij në profilet në rrjetet sociale. Sulimi i huliganëve partiak ndaj liderit të LR-PDSH-së, Dr. Ziadin Sela ka ngjallur reagim të fuqishëm tek shqiptarët në mbarë botën. Ky reagim erdhi menjëherë pasi, protestuesit që përfaqësonin ish-Kryeministrin Nikola Gruevski dhe partinë e tij VMRO, hynë dhunshëm në Parlament më 27 prill, duke dhunuar keq liderin social-demokrat Zoran Zaev, si dhe liderin politik shqiptar Dr. Ziadin Sela, i cili ende është nën trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve të rënda që ka pësuar.

Veprimet e VMRO-së demonstrojnë sesa e paqëndrueshme dhe etnikisht e ndarë është Maqedonia pasi që regjimi i Nikola Gruevskit dështoi të krijoi një koalicion shumice pas zgjedhjeve të dhjetorit 2016 dhe mandej kundërshtoi përpjekjet e Zoran Zaevit për të krijuar koalicionin me partite shqiptare.

Pamjet e ngjarjeve të 27 prillit 2017 na rikujtojnë urrejten etnike që sllavo-maqedonasit, nën drejtimin e Gruevskit, kanë ndaj shqiptarëve që kur VMRO-DMPNE kishte ardhë në pushtet gati dy dekada më parë. Sela, tashmë kuptohet qartë se ishte vendosur të përbënte “kokën e turkut” shqiptare, të kasaphanës së 27 prillit 2017 në parlamentin e Maqedonisë. Sepse, pavarësisht “vëllavrasjes” ndërmaqedonase që ishte kryefjala e synimit të mini-Grushtit të Shtetit të vënë në zbatim nga VMRO-ja, një viktimë shqiptare do të ishte e pashmangshme në secilin skenar.

Dr. Ziadin Sela, gjatë gjithë këtyre viteve ka dëshmuar se është një nga protagonistët kryesorë në skenën e politikës shqiptare, dhe një mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Sela njihet dhe si politikani i parë shqiptar në Maqedoni, që ka vënë në praktikë tryezën e dialogut të partive shqiptare në vendin fqinj. Pas largimit të tij nga PDSH-ja e Menduh Thaçit, ai kurrë nuk është parë me sy të mirë nga ish-Kryeministri Gruevski dhe falangat e VMRO-së. Njeriu që çau PDSH-në, dhe praktikisht hoqi qafe nga skena politike e shqiptarëve të Maqedonisë, një fosil politik si kjo parti shqiptare bisht e zgjatim trupor i VMRO-së, që ishte shndërruar në besnike e strukturave antishqiptare, antiperëndimore, shoviniste, neofashiste dhe filoruse të diktatorit të të Maqedonisë.

Si ndjekës i filozofisë politike të Arbën Xhaferit, u mbeti besnik parimeve të tij që janë kërkesat esenciale të shumicës. Ndryshe nga politikanët e tjerë shqiptarë të Maqedonisë, Dr. Ziadin Sela, e ndërtoi profilin e tij me pragmatizëm, pakorruptueshmëri materiale e ideore, pa shovinizëm, dhe me një retorikë të ashpër por të drejtë dhe të guximshme.

Dr. Ziadin Sela gjatë këtyre muajve të krizës politike në Maqedoni ka spikatur si udhëheqësi më elokuent, më mendjehollë, patriot, e ballëhapur, e ndërkohë i qartë në përballjen me demagogjinë antishqiptare, racizmin dhe tentativat e klikës së Gruevskit për të përçarë shqiptarët dhe për t’i përdorur ata si mish për top në shërbim të mbijetesës së regjimit të tyre. Gjithnjë e më shpesh muajve të të fundit në Maqedoni u zhvillua një fushatë shumë e egër ndaj figurës së Ziadin Selës dhe Aleancës për Shqiptarët. E gjithë kjo fushatë e koordinuar dhe e sponzorizuar nga VMRO-ja, pse jo, dhe e ndihmuar nga disa politikanë shqiptarë të cilësuar si “Gruevistët”, ka patur si qëllim t’a paraqesë Selën si ultra-nacionalist dhe radikal, e për rrjedhojë VMRO-ja ta shfrytëzojë si “ushqim” për protestuesit dhe për të pasur një palë shqiptare për konfrontim me qëllim që, kriza të paraqitet si krizë ndëretnike.

Duke e ditur se Sela konsiderohet si një politikan serioz i vlerësuar nga ndërkombëtarët, fushata anti-Sela në media kishte si qëllim t’a paraqesë atë, si politikani i destabilitetit, e në këtë mënyrë të humbej mbështetja e madhe që, Sela e gëzon tek ndërkombëtarët.

Jo më larg, vetëm dje Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee, i cili ndodhej në Shkup, për t’u takuar me drejtuesit e partive kryesore politike dhe me autoritetet shtetërore, në një kohë kur është thelluar kriza politike dhe ekziston frika nga tendosje të reja, e dënoi dhunën e përgjakshme në parlament.

Ai e quajti këtë një akt qyqar, ndërsa theksoi nëvojën për hetime të shpejta, për gjetjen dhe nxjerrjen e autorëve para drejtësisë. Më herët, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup pohoi se krijimi i qeverisë së re, konfirmimi i Talat Xhaferit si kryeparlamentar dhe zbardhja e dhunës në Parlamentin maqedonas, do të ishin pjesë e rëndësishme e axhendës se zëvendësndihmës Sekretarit të Shtetit për Europën dhe Euro-Azinë, Hoyt Brian Yee.

Zhvillimet e dhunshme të së enjtes që kaloi i vunë në lëvizje demokracitë perëndimore. Pas sulmit në Parlament, të cilin e konsiderojnë të organizuar, përmes një deklarate të përbashkët, BE, NATO, SHBA dhe OSBE, sqaruan se presin hetim sa më të shpejtë për këto vepra kriminale dhe nxjerrjen e autorëve përpara drejtësisë, ndërsa këmbëngulin që gjykatat të veprojnë në mënyrë të pavarur.

Please follow and like us: