Ermonela Jaho: Skena në Tiranë është më magjikja, dua të kthehem
Sopranoja e mirënjohur shqiptare Ermonela Jaho ngjitet për herë të parë në skenën e Operas Kombëtare të Uashingtonit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke nisur nga kjo e shtunë, me interpretimin e saj në rolin kryesor, në veprën e Xhakomo Puçinit, “Madame Butterfly”.
Ermonela rrëfen në një intervistë për Saimir Sulaj TV, emocionet që përjeton në çdo shfaqje, të cilat, siç shprehet, ajo i sheh gjithnjë si të jetë shfaqja e parë dhe e fundit e saj.
Artistja me fame botërore heq një paralele mes historisë së kësaj opere, si histori e ndjenjave njerëzore dhe alkimisë në mesin e grupit të këngëtarëve që interpretojnë në shfaqje.
Sopranoja jonë e njohur nuk e fsheh në asnjë çast dashurinë e madhe për Shqipërinë dhe për skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, të cilën e prek me emocionin më të madh, paçka se ka interpretuar në teatrot më të mëdhenj të botës. Madje ajo na rrëfen edhe një peng të jetës.
“Madame Butterfly” është një nga operat më të njohura botërore, e kompozuar nga italiani Xhakomo Puçini.
Ajo përshkron historinë e adoleshentes japoneze Çion-Çion San e cila me këmbëngulje dhe përkushtim arrin të mposhtë fatkeqësitë e jetës dhe beson deri në fund në dashurinë e vërtetë dhe familjen. Kur ëndrra e saj merr fund, ajo vret veten, duke e mbyllur çdo gjë tragjikisht.
Ermonela do të interpretojë në teatrin e Kennedy Center në kryeqytetin amerikan, duke nisur nga mbrëmja e kësaj të shtune, gjer më 20 maj.
Ermonela, ju keni shfaqjen e parë këtë fundjavë dhe një sërë shfaqjes këtu në Uashington D.C, çfarë e bën të veçantë këtë radhë, shfaqjen tuaj?
Mendoj është një stacion i rrugëtimit tim si artiste, kështu që çdo herë që hipi në skenë, sic është dhe rasti i teatrit në Uashington është emocion, por për mua, nuk ka rëndësi, është hera e parë apo hera e fundit, është magjike. Për mua, filozofia ime është kjo, hera e parë dhe hera e fundit në atë skenë si këngëtare. Për mua është po jetoj një ëndërr, që ka filluar në Shqipëri, në moshën 14-vjecare, kur vendosa të bëhesha këngëtare operistike. Kam 25 vjet që këndoj në skenë dhe dua të jetoj atë moment sikur është i fundit. Dhe Uashingtoni është një teatër i rëndësishëm, më bën të ndjehem në shtëpi, por për mua si artiste është një emër dhe pritshmëria e publikut është e madhe ndaj impenjimi im është total, 100%.
‘Madame Butterfly’, mund të na thoni për bashkëpunëtorët në Uashington, si ndiheni me ta?
Unë e kam kënduar disa herë ‘Madame Butterfly’ dhe pak më parë e kam kënduar në Londër. Këtu kam kolege të tjerë dhe mund të them si në cdo lloj zanati, është një teamwork, punë në grup, dhe nuk ka rëndësi që ti ke rolin kryesor dhe të jesh i besueshëm duhet dhe të kesh një kimisti me të gjithë kolegët që për publikun ajo histori është një eksperiencë jete.
Ermonela ka qenë në skenë për qindra e mijëra vepra të famshme botërore, cilën shfaqje e cilën skenë do veçonte Ermonela që i ka lënë më shumë mbresa?
Cdo skenë për artistin ka atë emocionin e vet, por do të tingëllojë paksa anakronike nuk e di tani skena në Shqipëri kur këndova ‘Madame Butterfly’, ku u ktheva pas 7 vitesh, një shfaqje që nëna ime nuk e pa dot për arsye sepse u nda nga jeta. Ishte një lloj amaneti të kthehesha në Shqipëri e të këndoja këtë rol dhe n.q.s ekziston një botë tjetër mendoj se arrita t’ja realizoj këtë ëndërr nënës sime që dëshironte të shihte ‘Madame Butterfly’.
Në opera kërkon një lloj pjekurie, qoftë vokale, moshe dhe në atë moment që nëna ime ishte gjallë dhe donte të shihte Ermonelën ‘Madame Butterfly’ ishte herë dhe unë po bëja hapa gjigandë që ta realizoja atë ëndërr. Jo se jemi nacionalistë, por jemi shumë të lidhur me vendin. Mua më zë gjumi e zgjohem me lajme nga Shqipëria, jam e lidhur me atdheun, sepse ia kemi dalë të jemi dikush në botë, duhet të jemi një shembull për atë vend.
Për mua ishte thuajse e pamundur që të kthehesha në Shqipëri e të realizojë ëndrrën time të këndoja atë rol aty, të kënaqja prindërit e mi, dhe pse e këndoja në teatrot më të mëdha botërore me emrat më të mëdhenj, dhe nuk e di atë faqe unë e bëra në Shqipëri ku e këndova ‘Madame Butterfly’. Dhe pashë sa shumë nevojë e dashuri kemi për artin në Shqipëri. Kam shëtitur shumë vende, kam parë realitete të varfërive të jashtëzakonshme, por këndonim. Ndaj qenia njerëzore ka nevojë për artin, këngën. Në atë teatër të vogël ka qenë emocioni më i madh për mua.
Bashkëpunimi me artistë shqiptarë apo botërore cilët do të veconit?
Me Plaçido Domingo tek Traviata në Francë, e projekte të tjera, kurse me këngëtarët shqiptarë është kënaqësi shumë e madhe sepse të thërret gjaku kur i themi ne. Koncerti për Nënë Tereza, ku u mblodhëm tërë shqiptarët, kjo ishte mrekullia e tretë e Nënë Terezës. Imagjino të bësh 3 artistë bashkë, aty ishin të gjithë bashkë dhe ka qenë ai bashkëpunim fantastik dhe mendoj të përsëritet sepse flitet gjuha e përbashkët dhe unë e dua shumë vendin tim, sa herë dëgjoj diçka në shqip, qoftë dhe himnin, përlotem. Them obobo po plakem para kohe, por ke nevojë të qëndrosh i lidhur me rrënjët, i lidhur me figura pozitive, sepse bota është në krizë për këtë dhe ndaj kemi nevojë për shembuj pozitivë. Është një mesazh pozitiv dhe asgjë nuk është e pamundur dhe kërkon dedikim dhe vullnet të jashtëzakonshëm dhe duhet të kemi atë zjarrin, pasionin që në art është i domosdoshëm.
Kur do e shohim së shpejti Ermonelën në Tiranë?
Shumë shpejt, por axhenda ime ka qenë shumë e ngjeshur këto kohë. Jam kthyer dy herët e fundit për të hapur këtë Masterclass për këngëtarët operistikë të rinj sepse kur vendet kalojnë këtë momentin e krizave, sepse kam parë këngëtarë aty pa shpresë, pesimistë por nëse është pasioni për artin nuk do i lerë, nuk ta heq asnjeri, sic dola unë, tjetri, apo tjetri të gjithë do ia dalim. Është një lloj detyrimi, sa një njeri kur ëndërron thotë nuk do arrij kurrë aty. Por kur një njeri si unë që e ka arritur atë ëndërr dhe shpjegon sa e vështirë është të arrish majën jashtë vendit tënd, është puna e pasioni dhe them se mund tia dalë kushdo. Dhe ky është rrugëtimi i jetës dhe ndoshta me punë të madhe, e sakrificë, kështu që kthehem me këtë mendim në Shqipëri dhe jo të tregoj si këndon Ermonela, por si qenie humane të jap kontributin tim. Një artiste që dola nga Shqipëria në vitin ’93 dhe nga ana tjetër kthehem me bagazh shpirtëror human. Duhet të flasë shpirti dhe një shpirt që ka eksperiencë është ai që rezonon me publikun. – See more at: http://shqiptarja.com/news.php?IDNotizia=417520#sthash.rZuoZHnE.dpuf