Mentor Nazarko: Pse të dyja palët gënjejnë për votën e lirë dhe të ndershme?
Opozita e ka bërë të qartë me përsëritje të pafundme se arsyeja themelore e protestës së saj është garantimi i votës së lirë dhe të ndershme. Qeveria e ka bërë të qartë se vota e lirë dhe e ndershme është e garantuar, por megjithatë ka ofruar garanci shtesë për ta siguruar. Opozita kërkon garanci të tjera. Cila është e vërteta, mes pozicioneve të dy palëve, gjithmonë duke mbajtur parasysh se e vërteta nuk ka kurrë ngjyrën e njërës palë politike?
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë zgjedhjet pa presion, pa blerje vullneti jashtë procesit të votimit, pa blerje vote në procesin e votimit, numërim të qetë, pa presion që i garanton të gjithë atyre që kanë të drejtë vote ta zhvillojnë qetësisht të drejtën e tyre dhe se institucionet që prodhohen në fund janë, produkt i vullnetit të popullit.
A ka mundësi që kjo e drejtë të garantohet në pak muaj nëse ajo është e cënuar si thotë opozita? Ne po bëjmë sikur harrojmë se gjithë partitë kur kanë qenë në pushtet nuk kanë garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por që megjithatë kanë garantuar rotacion herë pas here. Pra po e lemë mënjanë se partia që proteston sot nuk ka garantuar gjithmonë votë të lirë e të ndershme. Interesi publik, interesi kombëtar është që më në fund të mbyllet kapitulli i kontestimit të zgjedhjeve. Dhe nga ky këndvështrim protesta e opozitës duhet mbështetur.
Por a ka hapësirë që brenda kaq pak kohësh të bëhen përmirësime kaq rrënjësore në ligj dhe në sjelljen e palëve që të garantohen këto zgjedhje, sipas standardeve më të mira? Jo, dhe kjo është arsyeja themelore pse të gjitha palët gënjejnë.
Së pari, që të garantohet vota e lirë dhe e ndershme, do duhen bërë ndryshime ligjore në Kodin elektoral, të cilat do duhej të ishin bërë 6 muaj para. Rregullat e lojës ndryshohen 6 muaj para për një arsye të thjeshtë: që të disiplinohet sjellja e palëve sipas tyre dhe ato të kenë kohë të përshtaten. Po pse opozita nuk i ka kërkuar 6 muaj më parë, apo akoma më herët?
Së dyti, a garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme me komisione partiake? Deri diku, ato garantohen me gjithë stërhollimin e rregullave në Kodin tonë zgjedhor shumë të detajuar, sipas parimit “hajduti kontrollon hajdutin”. Por afërmendsh se kush ka më shumë para blen dhe vullnetin e rojeve të hajdutëve, pra qeveria ka mundësi më shumë. E kjo gjë nuk zgjidhet dot në momentin e fundit. Bota na mëson se komisionet jopartiake, ku anëtarët kanë përgjegjësira legale të forta, janë më funksionale, madje dhe Palestina e lirë ia beson mësuesve numërimin e votës. Komisionerët partiakë nuk janë gjë tjetër veçse punonjës publikë, apo bashkiakë që shndërrohen, si thoshte me ndershmëri në një intervistë të fundit Berisha, në ushtri elektorale. E për pasojë, numërimi mes dy ushtrive është luftë.
Së treti, a garantohet mosblerje e vullnetit para se njerëzit të shkojnë në kutitë e votimit, mostjetërsimi i tij, në kushtet shqiptare? Jo, me varfërinë ekzistuese, jo. Me mungesën e lirisë së tregut, jo. Me media të blera, jo. Me paratë e pista që partitë hedhin në qarkullim, jo. Me paratë e drogës sipas akuzave të opozitës, jo. Po a po ofron opozita zgjidhje për të kontrastuar gjithë këto dukuri, dhe nëse po, pse nuk i ka ofruar më parë? Pse vallë, vetëm paratë e drogës janë problem? Pse nuk qenkan paratë që partitë heqin mënjanë nga tenderat publikë, nga financimet e ndërmarrësve që fitojnë tendera publikë, etj., para që nuk deklarohen askund?
Nëse opozita do të ofronte një zgjidhje të plotë për të gjitha këto dukuri, do duhej të ishe me të pa asnjë kusht. Por kjo nuk është e vërtetë. Opozita thjesht po përmend paratë e drogës duke tentuar njëherazi që të bindë bashkësinë ndërkombëtare se droga ka futur në qarkullim shumë para për të blerë vullnetin e votuesve. Por bashkësia ndërkombëtare e di shumë mirë se votë e lirë dhe e ndershme garantohet nga një reformë rrënjësore e sistemit elektoral, financimit të partive, administratës publike, lirisë së mediave, lirisë së tregut. Sepse blerja e votës është thjesht pasojë e mungesës së lirive të tjera. Nëse opozita do të propozonte këtë reformë tërësore, ajo do ta bënte realisht Shqipërinë një republikë të re. Basha vetëm flet kundër oligarkëve për lirinë e mediave, por bashkë me frustrimin për ata që e shitën sa doli në opozitë, dhe dëshirën për liri të mediave, nuk propozon asgjë. Dhe kësisoj Republika mbetet e vjetër, edhe nëse ndërrojnë kuajt që tërheqin karrocën.
Edhe sikur palët të bien dakord për ndonjë zgjidhje, skenari është i zymtë. Këto para janë tashmë në qarkullim. Këto para ( të tenderave, të drogës, para të paligjshme apo të ligjshme në origjinë) do të përdoren pjesërisht apo tërësisht për të blerë vullnetin e votuesve. Kjo është e pashmangshme. Këtë nuk e pengojnë dot vëzhguesit ndërkombëtarë, edhe sikur të dyfishohen apo trefishohen. Për këtë arsye, ndryshimet e mëdha kërkojnë konsensus, kërkojnë qeveri me bazë të gjerë, dhe marrëveshja e tanishme, do të ishte thjesht veçse një hap. Jo gjithë procesi i themelimit të një republike të re.