Restaurimi i shtëpisë së At Gjergj Fishtës, një projekt me interes mbarëkombëtar i Sabri Maxhunit
Eden Babani
Qendra për Mjekësi Fizikale dhe Rehabilitim “Nëna Naile” (QMFR – NN) Banjat në Kllokot, tashmë është bërë e njohur si brenda, ashtu edhe jashtë hapësirës shqiptare, që nga brigjet e Mesdheut, deri në vendet skandinave; që nga Europa Qendrore, deri në brigjet lindore të Atlantikut.
Për herë të parë kam qenë te “Nëna Naile” bashkë me bashkëshorten time, Fatbardhën, në maj të vitit 2011. Na duhej të ripërtëriheshim trupërisht (të rehabilitoheshim fizikisht, siç thuhet shpesh me fjalë të huazuara), lidhur me disa probleme të artikulacioneve. Janë lëndime që na mundojnë rëndom ne, banorët e Belgjikës, ku lagështia i ligështon bash ato, artikulacionet. U ndjemë të ripërtërirë, si unë ashtu edhe Fatbardha. Dimrin e atij viti, e kaluam pa probleme, ndërsa dimrat e përparshëm i ankoheshim njëri tjetrit qysh në mëngjes, sa hapnim sytë: “Më dhemb këtu…”. “Më ther atje…”.
Brukseli, ku banojmë, është i lagësht dhe moshat tona, s’ka se si t’u shpëtojnë artriteve, të cilat janë të përhapura në masë atyre vise të veshura me mjegullnaja. Janë të modës, – qesh ime shoqe. Ia pres unë:Modën, na e ka ënda ta ndjekim edhe ne, ani se jo aq të rinj…
Kësisoj, na u bë zakon të shkojmë vit për vit në Kllokot. Çdo herë “Nënën Naile” e gjejmë të shtuar me një objekt të ri. Tashmë, tri objektet ose “hotelet” e kompleksit, Shtëpia e të Moshuarve dhe Vilat, llogaritin së bashku 2000 shtretër, me kushte të lavdërueshme higjieno-sanitare, me personel mjekësor të specializuar dhe me shërbim njëzetekatërorësh të nivelit për t’u lakmuar edhe prej banjave termike (llixha) me tradita të hershme.
Pronari i Qendrës, miku ynë, Sabri Maxhuni, mikpritës si gjithmonë, na befason edhe me libra të rinj. Libra me brendi historike që mbajnë autorësinë e vetë Sabriut dhe që kanë vlera të padiskutueshme për memorien tonë kombëtare, por edhe të miqve e të dashamirëve, që mbështesin ose vënë në dukje arritjet e tij në fusha nga më të ndryshmet e jetës.
Janë bash këto dy “vogëlsira”, projektet për të ardhmen dhe librat e rinj, që më shtynë të shkruaj këta pak rreshta.
Faqe nga ditari
Tetorin e kaluar, atë të vitit 2013, me ne, do të udhëtonte edhe im kushëri, Eduardi, me të shoqen, Dritën, e cila para afro një viti kishte pësuar një ndërhyrje të rëndë kirurgjikale (Hernie Discale). Për ata të dy, përveç Qendrës Kurative me emër, kërshëria më e madhe do të ishte udhëtimi nëpër Autostradën e Kombit. Për mua e për Fatbardhën, që e kishim përshkuar disa herë atë arterie të mrekullueshme, kërshëria do të shpërngulej në zgjatimin e saj drejt veriut të trojeve tona etnike, në Autostradën “Ibrahim Rrugova”, përtej pikës kufitare të Morinit, e cila fatkeqësisht vazhdon të ndajë me polici kufitare dy gjymtyrët kryesore të kombit tonë.
Të them të vërtetën, nëse përpara dy vjetësh, udhëtimi për në Morinë ishte i rehatshëm, thuajse njësoj si në autostradat e Europës, prej andej, deri në Prishtinë, të kujtonte rrugët që na la trashëgim regjimi i Enver Hoxhës, neve, këtej kufirit shqiptaro-shqiptar, dhe ai jugosllav, vëllezërve tanë, për matanë. Lëre, pastaj, udhëtimin deri në Gjilan, ku duhet të ndërroje autobusin e të merrje atë të linjës Gjilan – Ferizaj, që të mbërrije në Kllokot, te QMFR “Nëna Naile”.
Një natë përpara se të niseshim, teksa po përshkoja me mend gjithë ato orë të lodhshme udhëtim, (nëse do të përjashtoja dy orët e këndshme të autostradës Tiranë – Qafë Morinë), im kushëri, mjeshtër për të zhbiruar më të mirën e më të rehatshmen e mundshme, më telefonoi e më tha se udhëtimi për te “Nëna Naile” qenkësh thjeshtësuar tej mase. Do të merrnim linjën Tiranë – Ferizaj me autobusët Arbeni Turs. Në Ferizaj, “Nëna Naile” dërgonte mikrobusin për klientët e vet. Dhe e gjitha kjo, vajtje – ardhje, me 15 euro për njeri, afërsisht barazi me pesë udhëtime njëorëshe me autobusët urbanë me metrotë ose parametrorë e Brukselit.
Tetorin e shkuar, nuk pata rast ta përshkoja gjithë autostradën e re në brendësi të Republikës së Kosovës, sepse në Shtime e lamë atë për t’iu drejtuar Ferizajt. Tim kushëriri dhe së shoqes u mbeti merak Prizreni, ky “stacion” i rëndësishëm i historisë sonë kombëtare, krahas Krujës së Skënderbeut e Vlorës së Ismail Qemalit. Por, ani! – i “ngushëllova” aq sa munda. – Ditët nuk futen në thes, themi ne, devollinjtë. Të jemi shëndoshë e mirë, pa dëshira, në mos rasti, do t’ju sjellë juve sërish ose të katër së bashku në këto anë.
Djali që kishte dërguar Baca Sabri me mikrobus, na shpuri drejt e të hyrja e objektit të ri, numri 3, siç shënohej në revistën reklamuese të Qendrës. Mendoja se numri 1, ku patëm qëndruar herë të tjera, do të kishte qenë më i miri. Qenkësha gabuar. Ndërtesa e papërfunduar që lamë në maj të 2011-s – shtylla të zeza betoni dhe platforma katesh të porsanisura – të krijonin përshtypjen e shkatërrimeve që la pas Lufta e fundit. Tashmë, në tetor të 2013-s, ajo shkëlqente njësoj si objektet e tjera. S’u linte gjë mangët dy të parëve. Parqet, lulishtet, stolat, shatërvanët, rrugët që i lidhin, po ashtu. Kurse pishina e re, e projektuar në formën e një tyrbeje, të befasonte me mënyrën sesi arkitekti kishte menduar të thyente monotoninë.
Sërish, te “Nëna Naile”, i mrekulluar nga befasitë e mikut tonë, Sabri Maxhuni – Novosella
Për të mbërritur te “Nëna Naile”, në Kllokot, sivjet i ramë nga Prishtina. Kësisoj, e quaj të mbyllur ciklin e autostradave të kombit, që atdhetari kosovar, Sabri Maxhuni, i krahason me të drejtë me Urën e famshme mbi Drinin e Bardhë, e cila lidhi në mesjetë dy brigje të Perandorisë Osmane. Por ajo që më befasoi më së shumti këtë tetor, ishte nisma e tij më e re për restaurimin e shtëpisë së At Gjergj Fishtës.
Tek çmalleshim duke biseduar pas një ndarjeje të gjatë prej më se një viti dhe tek e pyeta për projektet e tij të së ardhshmes, Sabriu me dëftoi për nismën e re. Befasia vështirë se mund të merret me mend. Jo se biznesmeni atdhetar nga Vushtria dëshiron të restaurojë një objekt me rëndësi historike në Zadrimë. Në fund të fundit, At Gjergj Fishta është i të gjithë shqiptarëve, kudo ku jetojnë. Por, dashka-padashka, mendja më shkoi te biznesmenët e Shqipërisë. Ku janë milionerët tanë që, ndoshta, kalojnë dhjetëra herë atyre anëve me vetura të shtrenjta, por që s’e kthejnë kryet një herë të vetme andej nga duhet? Ja pse nisma e Bacë Sabriut më cyti edhe më, për t’iu vënë këtij shkrimi.
Unë mund të shkruaja fare lirshëm për projektet e tij në fushën e biznesit, sidomos në atë të ndërtimit, të cilën e ka shtrirë anekënd Kosovës. Dhe s’do të kisha bërë asnjë gabim, përderisa gjithçka, përveç interesave të veta, – dukuri sa njerëzore, aq edhe e ligjshme, – e ka bërë dhe po e bën në të mirë të Kosovës së dëmtuar ekonomikisht nga Lufta e fundit me pushtuesit serbë, – solidaritet atdhetar.
Projektet për restaurimin e shtëpisë të të Madhit Fishtë, Sabriu i ka gati. Siç dëftojnë fotot, i kanë përpunuar deri në hollësi arkitektët dhe inxhinierët e tij. Madje, Sabriu më dëftoi edhe kërkesën drejtuar Kryetarit të Komunës Blinisht në qarkun e Lezhës, në vartësi të së cilës është shtëpia e ashtuquajtur “muze” e Poetit të Madh.
Në letër-kërkesën e vet të datës 18. 09. 2014, mes së tjerash, Sabri Maxhuni shkruan:
“Duke ditur se ka kohë që është iniciuar restaurimi i shtëpisë së At Gjergj Fishtës në fshatin Fishtë të Zadrimës, por që asgjë konkrete nuk është ndërmarrë deri tashti, Bordi Drejtues i Qendrës për Mjekësi Fizikale dhe Rehabilitim – Banja “Nëna Naile” në Klllokot – Republika e Kosovës, ka marrë vendim që ta bëjë restaurimin e kësaj Shtëpie Muze, në mënyrë që ajo të bëhet pikë frekuentuese për të gjithë qytetarët shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë Londineze, duke u njohur kështu me një pjesë të historisë sonë kombëtare, respektivisht me një personalitet të shquar të popullit shqiptar ndër vite”.
Në vijim, Zotëri Maxhuni i parashtron Kryetarit të Komunës Blinisht, “meritat kombëtare, fetare e njerëzore” të At Gjergj Fishtës, i cili është nderuar me tituj, medalje e dekorata nga institucione shqiptare e joshqiptare: Urdhri “Nderi i Kombit”, (Tiranë, 2002); Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit, (Kosovë); “Kurora e Argjendtë” nga Klubi “Gjuha Shqipe”, (Shkodër 1911); Dekorata “Mearif”, (Mbretëria Turke, 2012); “Pena e Florinjtë” (qyteti i Beratit, 2013); “Medaglia di Benemerenza” (Papa Piu XI, 1925); “Lector Jubilatus” (Paria e Urdhrit Françeskan, 1929); dekorata “Phoenix” (Greqi, 1931).
Letër-kërkesën e vet, atdhetari ynë e mbyll me fjalët e Zef Valentinit: “Fishta âsht një Homer shqiptar. Ai nuk âsht vetëm nji poet i madh kombëtar. Ai âsht nga ma të mdhajt’ në botë. E rëndësishme âsht që ai të njihet prej saj.”
Kësisoj, atdhetari kosovar ka bindjen se, nga Kalaja Krujës, te Varri i Skënderbeut në Lezhë, prej andej në Fishtën e Poetit të madh dhe, më tej, në Prizrenin e Lidhjes së famshme Shqiptare, brezi ynë i ri, por edhe turistët e huaj, do të kenë rastin të njihen me stacionet ndër më të përmendurat e historisë sonë kombëtare.
Në përfundim, duke uruar që nisma e zotërisë Sabri Maxhuni t’i kapërcejë sa më parë dhe sa më me pak vështirësi problemet dhe pengesat e mundshme burokratike të organeve përkatëse, vendore ose qeveritare, dëshiroj të sjell thënien e tij se vepra poetike e At Gjergj Fishtës është për shqiptarët “edhe Kuran, edhe Ungjill”.
11/10/2014