Procesi i Rusisë kundër Gorbaçiovit, minutë pas minute
Pas grushtit të shtetit të dështuar më 1991, frymëzuesi i perestrojkës kthehet në liri, ama vetëm për të asistuar në momentet e fundit të Bashkimit Sovjetik. Bota kishte ndryshuar. Kronika, minutë pas minute, e dorëzimit final
Moskë. Liria e Mikhail Gorbaçiovit ka zgjatur pak. I dalë gjallë nga 4 ditët e robërisë në duart e puçistëve, themeluesi i perestrojkës e gjen veten rob të Parlamentit rus, në duart e Boris Jelcinit dhe të deputetëve të tij: i lirë të lëvizë, të flasë, të kthehet në Kremlin, në rast se do, por politikisht nën ruajtje, i nënshtruar vullnetit dhe deri poshtërimeve të bashkëbiseduesve të tij.
Kishte shkuar në Shtëpinë e Bardhë mbi Moskovë, siç e quanin qytetarët Parlamentin e Rusisë, për t’u bërë homazh ligjvënëse të republikës më të madhe të Bashkimit Sovjetik dhe sidomos presidentit të tyre, Boris Jelcinit, që me një rezistencë heroike ka dhënë një kontribut vendimtar në dështimin e grushtit të shtetit.
Ishte gati të premtonte një bashkëpunim të ri, më të madh, me forcat demokratike, t’u njihte pushtetin e rritur dhe ndoshta shpresonte që të merrte në shkëmbim ndonjë duartrokitje dhe ngrohtësi, si viktimë e një komplot që ka bërë të dridhet Bashkimi Sovjetik.
Por nuk ndodh kështu. Për një orë e gjysmë, në këmbë përpara një mikrofoni, duke dërsirë nën prozhektorët e telekamerave që filmojnë direkt fjalimin e tij, Gorbaçiovi është shtrënguar pa dëshirën e tij që të marrë rolin jo të këndshëm e të akuzuaarit përpara trupit gjykues, gjithnjë e më shumë padurues me kalimin e minutave, gjithnjë e më pak i gatshëm që ta dëgjonte e ta justifikonte, thuajse në ankth që t’i zhvasnin një rrëfim, për paaftësi, në mos për faj.
E akuzojnë se ndjehet ende socialist, se nuk e konsideron të «jashtëligjshme» Partinë Komuniste, se i ka zgjedhur ai, një për një, njerëzit që e kanë tradhëtuar duke i organizuar grushtin e shtetit dhe se ka vonuar reformat prej ankthit të tij në kërkimin gjithmonë të një konsensusi të përgjithshëm. Praktikisht, e dënojnë pse ka qenë një lider që beson tek moderimi dhe ndërmjetësimi si instrumenta për të dalë paqësisht nga diktatura.
I komanduar me shkop nga Jelcini si një nxënës shkolle, i ndërprerë vazhdimisht nga deputetët që i janë ulur përballë, i kontestuar dhe i përqeshur nga një audiencë që sot e konsideron ka mundësi me ndonjë bazë vërtetësie si qendrën e vërtetë të pushtetit e të gjithë vendit, Presidenti sovjetik vuan një trajtim edhe më shokues kur lë Parlamentin: një turmë prej 2000 njerëzisht, partizanë të rezistencës ndaj puçistëve, e bllokon për gjysmë ore kortezhin e tij të limuzinave, e fishkëllen gjatë, duke i ulëritur «Gorbaçiov, gjaku i të vdekurve tanë është në duart tuaja», «Gorbaçiov, vendi jot është në bangën e të akuzuarve».
Dhe në fund vetëm një kordon prej 30 gardistësh të armatosur i kanë mundësuar që të kthehet në Kremlin. Është një proces ai që po asistojmë në sallën e Sovjetit Suprem rus: një spektakël forcë të ashpër nga njëra anë dhe i një dobësie tronditëse nga ana tjetër.
Kuptohet me njëherë se për të gjërat nuk janë mirë. Kur hyn në podiumin e presidencës, bashkë me Jelcinin, e pret një heshtje e akullt. Jelcini i jep jetë një duatrokitjeje, por rrahja e duarve zgjat vetëm shumë pak minuta.
Një duatrokitje krejt e ndryshme shpërthen kur Gorbaçiovi, pasi ka marrë mikrofonin, falenderon Parlamentin rus «dhe në mënyrë të veçantë Presidentin Boris Nikollajeviç Jelcin» pse ka fituar sfidën me puçistët: deputetët ngrihen në këmbë në unison, duke duartrokitur me entuziazmin e një stadiumi futbolli. Ajo që ka ndodhur më pas, meriton që të referohet thuajse stenografikisht, tamam si në debatimet gjyqësore.
Gorbaçiovi: «…6 vite prestrojkë, reforma, e kanë ndryshuar thellësisht vendin…».
Zë nga salla: «Vazhdo më tej, këtë e dimë prej kohësh!».
Gorbaçiovi: «…populli nuk e ka pranuar grushtin e shtetit, forcat e armatosura nuk qenë të gatshme të rreshtohen kundër popullit dhe reformave…».
Një zë: «Vazhdo, dil aty ku duhet».
Një tjetër: «Çfarë thua, nuk është e vërtetë!»
Një tjetër akoma: «Fol konkretisht, na informo!»
Gorbaçiovi (dukshëm i irrituar): «Çfarë doni, që t’ju përsëris ato që kam thënë dje në konferencën për shtyp? Apo nuk e keni dëgjuar»?
Murmurima kundërshtimi, fishkëllima.
Jelcini (nga mikrofoni në tryezën e podiumit): «Shokë, ju lutem, mbani qetësi».
Gorbaçiovi: «Mirë, mirë, po deshët lajme, ja ku i keni». Dhe komunikon vendimet e marra në mëngejes, në mbledhjen me Jelcinin dhe liderët e 8 republikave të tjera sovjetike: emërimet e 3 ministrave të tij, atij të Mbrojtjes, të Brendshëm dhe kreun e KGB, të gjithë progresistë, të gjithë të pranuar nga Jelcini.
Salla duatroket. «Po mbledh akoma informacione lidhur me atë që ka ndodhur në ditët e komplotit, por mund t’ju them me siguri që të paktën 2 anëtarë të qeverisë nuk më kanë tradhëtuar, ministri i Kulturës Gubenko, që është rreshtuar kundër…».
Zëra nga salla: «Përralla».
Gorbaçiovi (duke ju drejtuar deputetit që ka folur): «Pse? Në një moment të parë ka heshtur, por më pas ka dhënë dorëheqjen në shenjë proteste…».
Zë: «Vonë, shumë vonë».
Zë tjetër: «Turp».
Gorbaçiovi: «…gjithsesi, tjetri që më ka qëndruar besnik është zëvendëskryeministri Sherbakov, i cili…».
Shpërthen rrëmuja: «Jo, jo, përralla, nuk është e vërtetë, ka tradhëtuar, është si të tjerët, janë të gjithë puçistë!» në një kor ulërimash e britmash. Jelcini ngrihet në këmbë, shkon në anë të podiumit ku po flet Gorbaçiovi, i zgjat një copë lettër, kthen mikrofonin nga vetma dhe i thotë sallës: «Kjo është një përmbledhje stenografike e seancës së Këshillit të Ministrave e 20 gushtit, nga ku rezulton se të gjithë janë fajtorë ose nuk i janë kundërvënë grushtit të shtetit». Pastaj kthehet të ulet në vendin e tij.
Gorbaçiovi: «Por unë vërtet nuk e kam lexuar akoma…».
Jelcini: «Lexoje».
Gorbaçiovi: «Por Primakovi (këshilltari i tij ekonomik, shënimi im) më ka thënë se…».
Jelcini (i irrituar dhe me zë të lartë): «Mikhail Sergejeviç, të lutem lexojeni atë dokument, tani, këtu».
Gorbaçiovi (konfuz, i sikletosur): «…Po, jo, tani e lexoj, më parë dua të përfundoj diskutimin që po mbaja».
Tregon se ka pritur në Kremlin Ministrin e Jashtëm Bessmertnykh, thotë i bindur se nuk e ka dënuar hapur sa duhet grushtin e shtetit dhe për këtë i ka kërkuar që të japë dorëheqjen. Duatrokitje.
Një ulërimë: «Shevardnadze, rimerr Shevardnadze».
Ulërimë tjetër: «Jo, Shevardnadze e mbajmë ne! Shumë e lehtë! Duhej të mendoheshe më parë».
Një zë: «Dokumentin, lexoj, po e lexon apo jo»?
Gorbaçiovi: «Prisni, do të doja të thoja një gjë tjetër. Dua të them se puçistët donin të n asgjësonin, të na shtypin dhe për këtë duhet të ndëshkohen, ama në bazë të ligjit. Duhet të jemi të gjithë të përgjegjshëm, të ekuilibruar, të mos i japim rrugë një gjuetie shtrigash…».
Salla shpërthen, ulërima, fishkëllima, nuk dëgjohet më asgjë.
Jelcini: «Urtë, shokë, urtë».
Gorbaçiovi (i dëshpëruar): «Ju lutem! Ju lutem! Mos harroni se keni përpara vetes një qenie njerëzore. Situata ime nuk është e thjeshtë. Unë them atë që mendoj, e gjitha këtu, çfarë doni më tepër”?!
Presidenti vazhdon: «Kujtoni se rreziku më i madh, dhurata më e madhe që mund t’u bëjmë konservatorëve, reaksionarëve, është përçarja e dorcave demokratike…»
Një zë: «E kemi dëgjuar».
Një tjetër: «Gjë e vjetër».
Një i tretë: «reaksionarët në burg! Nuk do të kemi më frikë nga asgjë».
Gorbaçiovi (i hutuar, hezitues): «Në rregull, tani po kaloj në leximin e dokumentit që më dha Boris Nikollajeviçi…».
Zëra: «Shyqyr! Më së fundi».
Presidenti lexon përmbledhjen stenografike e mbledhjes së Këshillit të Ministrave, rezulton se anëtarët e qeverisë së tij, të vënë përballë shkarkimit të Gorbaçiovit dhe gjendjes së jashtëzakonshme të shppallur nga puçistët, e pranojnë faktin e kryer njëri pas tjetrit, ndonjë shpreh rezerva, ndonjë tjetër thotë se i duhet të reflektojë pak më shumë dhe nuk e ndjen veten të aftë të thotë aty për aty as po, as jo.
Audienca shpërthen. «Turp! Do të na e paguajnë! Frikacakë».
Gorbaçiovi duket paksa i gjallëruar, i qëndron lojës, komenton me gjeste dhe me fjalë reagimet e ministrave që e kanë tradhëtuar: «Çfarë thoni për këtë? Më shumë puçistë sesa jo, nuk ju duket?». Për një tjetër, që deklarohet «paksa i paqartë», lëviz dorën sikur do të thotë «çvete, çvete».
Por pastaj arrihet tek Gubenko, ministri i Kulturës, që nga raporti stenografik duket në favor të grushtit të shtetit.
Zëra: «E shikon? Ka tradhëtuar edhe ai».
Gorbaçiovi: «Po, ama më pas ka dhënë dorëheqjen…».
Leximi arrin tek emri i Sherbakov, zëvendëskryeministri, që ka kërkuar më shumë kohë për t’u shprehur lidhur me grushtin e shtetit.
Zëra të përzier: «Maskarai i fëlliqur! Dhe ti thoje se ishte për t’u shpëtuar? Hekurat, në burg».
Gorbaçiovi (i dorëzuar): «Po, mendoj se qëndrimi i duhur është dorëheqja e të gjithë qeverisë dhe, nga ana tjetër, lidhur me këtë qemë dakord në mëngjes me Boris Nikollajeviçin…».
Më së fundi një duatrokitje.
Gorbaçiovi (i dekurajuar): «Duke kaluar në një temë tjetër, do të doja të thoja se dekretet e firmosura nga Presidenti i Rusisë Boris Jelcin në ditët e robërisë time kanë ligjshmëri të plotë. Tani duhet të ndryshojmë gjithçka, na duhet një qeveri e re koalicioni e mbështetur nga të gjitha republikatt sovjetike, duhen riorganizuar forcat demokratike, punuar sëbashku…».
Jelcini (duke e ndërprerë): «Shokë, çfarë thoni nëqoftëse unë firmos një deket tjetër për t’i pushuar aktivitetet e Partisë Komuniste të Federatës Ruse (më konservatorja brenda Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, qartazi e impplikuar në grushtin e shtetit, shënimi im.)”?
Duatrokitje e gjatë entuziaste.
Jelcini: «Dekreti miratohet me aklamacion».
Gorbaçiovi (duke bërë shenjën jo me dorë): «Mendoj se, se, se… Nuk e kuptoj çfarë po bëni. Do t’i takonte Sovjetit Suprem, jo, domethënë, sigurisht unë e respektoj Boris Nikollajeviçin, por, një minutë, sigurisht që nuk mund të thuhet se gjithë Federata Ruse e partisë është e përfshirë në grushtin e shtetit, janë miliona njerëz, miliona punëtorë e fshatarë, midis tyre ka shumë demokratë të sinqertë, ju siguroj për këtë, nuk mund të mohohet, ndalimi i aktiviteteve të Partisë Komuniste Ruse do të ishte gabim…».
Jelcini: «Atëhere të themi se aktiviteti është pezulluar, në pritje që Prokuroria të përcaktojë përgjegjësitë».
Gorbaçiovi: «Ah, atëhere, në këtë rast…».
Pastaj fillojnë pyetjet.
Një deputet: «Ju besoni apo jo tek socializmi»?
Gorbaçiovi: «Duhet pyetur se çfarë është socializmi, është një ideal që në një shoqëri pluraliste ka të drejtë të ekzistojë, nuk ju duket? Përndryshe kthehemi në metodat e së kaluarës».
Deputeti i dytë: «Ju jeni në favor apo kundër shpalljes së paligjshme të Partisë Komuniste të bashkimit Sovjetik, që është një prej idhtareve të grushtit të shtetit? Përgjigjuni qartë, po apo jo»?
Gorbaçiovi: «Shokë, nuk duhet të kapemi nga histeria antikomuniste. Nëqoftëse partia, siç jam i bindur, do ta pranojë programin e rinovimit të paraqitur prej mete, do të bëhet një forcë demokratike, siç jemi të gjithë ne këtu brenda».
Fishkëllima, protesta, ulërima.
Deputeti i tretë: «Mikhail Sergejeviç, e kuptoni se tash e prapa është ju që keni nevojë për ne, nuk jemi ne ata që kemi nevojë për ju? E kuptoni? Hajde, përgjigju!».
Gorbaçiovi (me një fije zëri): «Vërtet besoj se kemi nevojë për njëri tjetrin, është edhe një mësim nga grushti i shtetit…».
Deputeti i katërt: «Kush do të jetë kryeministër? Po zëvendëspresidenti i ri»?
Gorbaçiovi: «Kryeministri, do të thoja, duhet të vjë nga udhëheqësia e Rusisë. Kryeministri juaj Silajev më duket një kandidat i shkëlqyer. Ndoshta zëvendëspresidenti duhet të vijë nga republikat tona aziatike».
Disa duartrokitje të ndrojtura.
Pyetjet dhe përgjigjet e Gorbaçiovit vazhdojnë.
Jelcini ndërhyn për të propozuar se zëvendëspresidenti i Rusisë, Koloneli Rutskoj, është promovuar gjeneral: «Jeni dakord, Mikhail Sergejeviç?»
Gorbaçiovi: «Sigurisht, patjetër, shumë mirë».
Jelcini: «Mirë, shokë, prej një ore e gjysmë Presidenti i vendit tonë është në këmbë duke na folur. Tani më duket se është momenti që ta lëmë në impenjimet e tij. E falenderoj edhe në emrin tuaj». Pastaj fillon duatrokitjen, deputet e ndjekin paqejf dhe Jelcini e shoqëron Gorbaçovin drejt daljes.
Procesi ka mbaruar. I lodhur, i cfilitur, ideatori i perestrojkës nxiton drejt daljes, si një i burgosur që ëndërronte prej kohësh të kthehej në liri.
(nga libri “La fine dell’impero. Ultimo viaggio in Urss” i autorit Enrico Franceschini)
Përgatiti: ARMIN TIRANA / bota.al