Retrospektivë e 27 viteve (mos)marrëveshje dhe huqi alla shqiptar i pakteve “in-extremis”
Nga qeveria e stabilitetit me në krye Ylli Bufin tek ekzekutivi i besimit, nga marrëveshjet Nano-Berisha tek pakti Rama-Basha
Gëzim Saliu
Në 27 vite të pluralizimit në Shqipëri, mosmarrëveshjet dhe krizat politike kanë qenë të shumta dhe të llojeve të ndryshme. Mes këtyre, vendi ka kaluar edhe kriza të forta që janë përshtjelluar më pas në konflikte civile sic ishte ajo e viti 1997 . Por më së shumti mosmarrëveshjet e forta mes palëve, ku vlen të theksohet se klasa politike shqiptare është dalluar gjithnjë për një antagonizëm të thellë dhe të ashpër, janë kthyer në ngërçe që më së shumti kanë ndikuar negativisht tek vetë qytetarët shqiptarë dhe sidomos tek ecuria e Shqipërisë drejt aspiratës evropiane. Nëse në këto gati tre dekada, liderët politikë do kishin zgjedhur dialogun dhe jo konfliktin, me shumë mundësi vendi do të ishte anëtarësuar tashmë në Bashkimin Evropian. Dhe ajo që është vënë re si një detaj dallues i politikës shqiptare është fakti se zgjidhja e dialogut dhe konsensusit ka ardhur gjithnjë “in-extremis”. Në 27 vite, palët kanë shtyrë më shumë drejt thellimit të konfliktit dhe përplasjes mes tyre se sa gjetjes së rrugëve të dialogut , për të mundësuar një zgjidhje në kohë të shkurtër të çfarëdo lloj mosmarrëveshjeje të krijuar. Por cilat kanë qenë krizat më të forta politike në vend dhe si është gjetur zgjidhja mes palëve? Cilat janë marrëveshjet më të rëndësishme mes mazhorancës dhe opozitës nga viti 1991 e deri në 2017-ën? Cilët kanë qenë personazhet kryesorë politikë që janë përfshirë në negociata dhe si janë strëzgjatur ngërçet politike, duke arritur zgjidhen vetë në “last minute”?
Marrëveshja për qeverinë e stabilitetit
Para marrëveshjes së famshme të qeverisë së stabilitetit në qershort të ’91-it, mes palëve politike në vend u farkëtua më parë edhe një mini-marrëveshje e cila çoi në shtyrjen e zgjedhjeve të para pluraliste në vend. Kështu lindja e Partisë Demokratike pas protestave të studenëve të dhjetorit 1990 solli krijimin e pluralizmit në Shqipëri pas 45 vites regjim dikatatorial. Në kushtet kur zgjedhjet më parë ishin parashikuar të zhvilloheshin në 10 shkurt 1991, PD e sapo krijuar përmes grevave të ndryshme e detyroi qeverisjen e PPSh-së ti shtynte ato në në 31 Mars 1991. Në mes të Janarit u firmos një marrëveshje që parashikonte shtyrjen e zgjedhjeve nga 10 shkurti në 31 mars 1991, kjo edhe për ti dhënë më shumë mundësi partisë së vetme opozitare për t’u organizuar. Megjithatë edhe partia fitues e dalë nga këto zgjedhje të para, PPSH nuk e pati të gjatë jetën. Vetëm pas dy muajsh “fituesit” u detyruan të lëshonin terren ndaj demokratëve duke mundësuar arritjen e marrëveshjes së qershorit 1991 me krijimin e “qeverisë së stabilitetit”. Kështu partitë parlamentare arritën një marrëveshje për një zgjidhje të re politike, si rezultat i së cilës më 5 qershor u krijua një qeveri koalicioni, e quajtur Qeveria e Stabilitetit, e kryesuar nga Ylli Bufi, që i përkiste Partisë Socialiste, e sapo dalë nga kongresi i X-të dhe i fundit i Partisë së Punës. Gjatë periudhës më pak se një vjeçare të ekzistencës së tij, legjislatura e parë e parlamentit pluralist miratoi disa ligje të rëndësishme si: ligji për: “departizimin dhe depolitizimin e disa organeve shtetërore”, ligji “Për sanksionimi dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”. Po ashtu u miratua ligji për tokën, për policinë e rendit, për pafajsinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish dënuarve dhe përndjekurve politikë.
Marrëveshja e 9 marsit e vitit 1997
Për shkak të trazirave të vitit 1997, qeveria “Meksi” u dorëheq në 1 mars të këtij viti dhe vetëm një ditë më pas më 2 mars u miratua vendimi “Për gjendjen e jashtëzakonshme”. Më 3 mars në situatën e Gjendjes së Jashtëzakonshme, u organizua një seancë parlamentare, ku u bë mandatimi i Sali Berishës si President Republike, me 113 votat e deputetëve të djathtë. Por PD nuk mundi të ngrinte një qeveri të re dhe pas kësaj u mundësua marrëveshja e 9 marsit 1997, e cila u firmos prej 10 partive politike shqiptare, për t’i dhënë fund luftës civile nga ku humbën jetën mbi 3 mijë njerëz. Partitë politike të ftuara në takim nga Presidenti i Republikës, së asaj kohe Sali Berisha, nënshkruan Marrëveshjen e Paktit Kombëtar , ku ranë dakort që vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme në qershor të 1997 . Por deri në zhvillimin e këtyre zgjedhjeve sipas marrëveshjes, vendi u administrua nga një Qeveri me bazë të gjerë e quajtur Qeveria e Pajtimit Kombëtar me Kryeministër, Bashkim Finon! Vendimet kryesore prej marrëveshjes ishin: Krijimi i “Qeverisë së Pajtimit Kombëtar”; amnistia për civilët e ushtarakët e përzierë në krimet dhe ngjarjet e periudhës janar-mars 1997; zgjedhjet brenda qershorit 1997; dorëzim të armëve brenda një jave dhe shpalljen e “Zisë kombëtare për shqiptarët e vrarë në konfliktin civil e atë ushtarak.
Marrëveshja e vitit 2002 Nano-Berisha
Në vitin 2001 situata politike në vend ishte shumë e acaruar. Partia Demokraitike në atë kohë në opozitës kërkonte me ngulm hetimin e zgjedhjeve të vitit 2001 e ndërsa kishte bojkotuar Parlamentin si edhe këshillat bashkiakë në disa prej qyteteve më të mëdha të vendit, si Tirana dhe Durrësi. Po ashtu edhe tek e majta në qeverisje kishin plasur konfliktet mes Fatos Nanos dhe Ilir Metës. Gjatë kësaj kohe në diskutim ka qenë edhe zgjedhja e Presidentit të vendit, e cila më pas në saj të marrëveshjes mundësoi një emër konsensual nga të dyja palët. Por edhe në këtë rast nuk mungoi gjuha antagoniste dhe tendenca e palëve për konflikt, akuza e sulme duke mundësuar zgjidhjen vetëm pas një stërzgjatje të ngërçit. Në janar të vitit 2002 nisën negociata reale mes mazhorancës dhe opozitës e ndërsa në shkurt të këtij viti u zhvillua takimi publik në Kuvend i drejtuar nga kryeparlamentari asaj kohe Namik Dokle. Në atë kohë ne emër të PD-së negocioi Jozefina Topalli dhe Ilir Rusmajli e ndërsa për PS-në Blendi Klosi dhe Taulant Dedja. Pas negociatave arritja e marrëveshjes u mundësua në mars të 2002-it, ku dy kryetarët e partive kryesore në vend, Fatos Nano dhe Sali Berisha, para se të firmosnin marrëveshje kryen aktin e famshëm të asaj kohe të shtrëngimit të duarve në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu. Nga marrëveshja Nano-Berisha u vendos zgjedhja e Presidentit konsensual, emërimi i kryetarit të ri të SHISH-it, ngritja e komisionit bipartizan për reformën zgjedhore si edhe ngritja e një komisioni hetimor parlamentar për kryetarin e bashkisë së Tiranës Edi Rama. Sa i përket emrave, marrëveshja mundësoi zgjedhjen e Alfred Moisiut si President të Republikës e ndërsa u shkarkua nga kryetar i SHISH-it Fatos Klosi, dhe në vend të tij u zgjodh Kujtim Hysenaj.
Marrëveshja e 2008-ës Berisha-Rama për ndryshimet kushtetuese
Marrëveshja e vitit 2008 Berisha-Rama që preku në disa pika edhe Kushtetutën e Shqipërisë mbetet një ndër më të diskutuarat në politikën shqiptare, ku madje edhe në ditët e sotme ajo përmendet jo pak në replikat mes palëve politike. Ndryshe nga vështirësitë tradicionale të politikës shqiptare që për të arritur një marrëveshje kapin gjithnjë limitet e fundit kohore, marrëveshja e 2008-ës ishte ndoshta më e papritura dhe më e shpejta në kohë mes partisë më të madhe në pushtet dhe asaj kryesore në opozitë. Më 21 prill 2008 marrëveshja e dakordësuar mes kryeminsitrit të asaj kohe Sali Berisha me kreun e opozitës Edi Rama u votua në Parlament në një seancë ku debati dhe tensioni ishte i pafund. LSI dhe disa parti parlamentare e kundërshtuan fort këtë marrëveshje si një atentat ndaj kushtetutës së vendit, duke e cilësuar si një pakt të dy forcave kryesore për të asgjësuar partitë e vogla të kohës me ndryshimet në kodin zgjedhor.
Kështu në bazë të marrëveshjes, Kuvendi i kohës miratoi ndryshimin e nenit 87 të Kushtetutës lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Sipas këtij ndryshimi, votimi në Kuvend për kreun e shtetit do ishte me pesë raunde, ku përcaktohej se nëse në tre raudnet e para nuk do mundësohej zgjedhja me shumicë të cilësuar, atëherë nga raundi aktërt e dderi në të pestë Presidenti do mund të zgjidhej me shumicë të thjeshtë. Po ashtu marrëveshja Berisha-Rama preku edhe çështjen e shumëdiskutuar të kohës së mandatit të prokurorit të Përgjithshëm, më saktë të nenit 149 të Kushtetutës. Sipas marrëveshjes, Prokurori u vendos që të emërohej nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit, për një mandat prej pesë vjetësh, me të drejtë riemërimi. Sa i përket mënyrës së funksionimit të Këshillit të Ministrave, u miratua ndryshimi i mocionit ndaj kryeministrit ku u vendos që 1/5 e deputetëve kishte të drejtë të paraqiste për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit në detyrë, duke propozuar një kryeministër të ri.
Kriza pas zgjedhjeve të 2009-ës dhe darka “Krokodilit”
Rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2009 nuk i dhanë numrat e duhur as për PD e as për PS që të krijonin qeverinë. Megjithatë PD që mundi të siguronte 70 mandate arritit të sigurojë një marrëveshja me LSI-në, e cila mori në atë kohë 4 deutetë, duke mundësuar kështu krijimin e ekzekutivit. Por ndonëse e gjithë proçedura ishte jo vetëm ligjore por edhe e vertifkuar nga të gjitha institucionet përkatëse, PS u ngrit kundër qeverisë së re duke kërkuar me forcë hapjen e kutive të votimit. Për muaj me rradhë PS nisi protesta të mëdha në të gjithë vendin duke shkuar deri në bllokimin e rrugëve dhe djegien e gomave. Madje përballë zyrës së kryeministirsë u ngritën disa çadra ku brenda tyre u përfshinë deputetë dhe simpatizantë të PS-së ne nje greve urie me synim kryesor hapjen e kutive të votimit. Por megjithëse edhe gjykatat e vendit e hodhën poshtë këtë kërkesë të socialistëve, Rama në atë kohë në opozitë këmbëngulte fort tek kjo pikë. Madje më shumë se një kërkesë e arsyetuar, kjo e kreut të opozitës së kohës u duk si një justifikim për të shmangur largimin nga partia pas humbjes në zgjedhje, ku mos harrojmë se në atë kohë turbullirat në PS ishin të mëdha me krijimin e LMN-së. Për një kohë të gjatë, palët ishin në sitatë të fortë tensioni mes tyre dhe ndërkombëtarët po kërkonin me ngulm zgjidhjen e situatës. Dhe në saj të ndërhyrjes së tyre u mundësua një darkë në Strasburg në restorantin “Krokodil”.
Darka e asaj kohe erdhi me ftesë të Joseph Daul, Kryetar i Grupit të Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian dhe me ftesë të Martin Schulz, Kryetar i Grupit të Partisë së Socialistëve Europianë në Parlamentin Evropian. Në përfundim të asaj darke që zgjati për më shumë se 5 orë palët përveçse disa premtime për zgjidhje në fund nuk mundësuan asgjë konkrete sa i përket argumenteve të PS-së për hapjen e kutive. Darka e Krokodilit rezultoi një dështim sa i përket negociatave mes palëve, megjithëse vetëm pak ditë më pas Rama e mbylli çadrën e grevës.
Marrëveshja e 24 dhjetor 2014-të për dekriminalizimin
Nisja e mandatit të qeverisë “Rama” pati debate të forta, jo vetëm në kuadrin e përplasjeve me opozitën, por edhe në saj të debatit të asaj kohe për mundësinë e asgjësimit të armëve kimike në Shqipëri. Megjithatë kulmi i debatit mes palëve erdhi me çështjen e ngritur nga opozita për dekriminalizimin. Demokratët bojkotuan Parlamentin për rreth 6 muaj duke kërkuar me ngulm një zgjidhje për të larguar personat me rekorde kriminale nga jeta parlamentare dhe administrata. Pas një angazhimi të fortë të ndërkombëtarëve, ku negocimi final u mundësua nga negocitorët Kukan e Fleckestein, palët mundën të arrinin marrëveshjen për rezolutën e përbashkët. Megjithatë ashtu si edhe në rastet e mësipërme u vu re se ngërçi u zgjat mjaft në kohë, duke sjellë zgjidhje vetëm pas muajsh e muajsh akuzash, sulmesh e mungese aktive të jetës parlamentare në kuadër të bojkotit opozitar. Kryeministri Rama nuk e pranonte si fenomen kriminalizimin e jetës politike të vendit, duke hedhur akuza ndaj opozitës e ndërsa kjo e fundit duke marrë shembuj të shumtë të disa prej deputetëve të propozuar nga Rama të dënuar më parë për krime të ndryshme theksonte se dekriminalizimi ishte zgjidhja imediate për politikën shqiptare. Pas një kalvari të gjatë, mazhoranca dhe opozita miratuan me 126 vota pro rezolutën e përbashkët, ku palët u angazhuan për normalizimin e jetës parlamentare në Shqipëri. Taulant Balla e Genc Pollo udhëhoqën negociatat që në mesnatë sollën marrëveshjen me 4 pika, ku rezoluta e eurodeputetëve do miratohet pa ndryshime. “Pika e parë: “Opozita kthehet në parlament dhe rimerr plotësisht funksionet e saj parlamentare, duke iu shmangur bojkotit të parlamentit dhe komisioneve të tij. Mazhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e cilësuar prej tre të pestave, duke anashkaluar opozitën, por do të punojnë së bashku me opozitën për të gjetur konsensus për reforma të rëndësishme sa herë që është e mundur”. Pika e dytë: “Të gjitha palët do të kontribuojnë për dialogun politik, i cili duhet të bëhet së pari në parlament dhe të respektojnë Kushtetutën dhe zbatimin sistematik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca qeverisëse dhe opozita do të angazhohen të rishikojnë rregullat që kanë të bëjnë me funksionimin efikas të komisioneve parlamentare hetimore, të bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare”. Pika e tretë: “Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku në mënyrë konsensuale, me ndihmën e Bashkimit Europian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale, që kërkojnë të zgjidhen ose të emërohen për poste publike, bazuar në standardet europiane dhe me asistencën e Komisionit të Venecias”. Pika e katërt: “Përfaqësuesit e grupeve më të mëdha parlamentare në Parlamentin Europian, socialdemokratët dhe Partia Popullore Europiane do të mbështesin një marrëveshje të tillë politike”.
Marrëveshja për reformën në drejtësi 21-22 korrik 2016
Padyshim që debati për reformën në drejtësi ka qenë ndër më të tensionuarit ne jëtën politike shqiptare. Për muaj me rradhë palët hasën në debate, akuza e sulme mes tyre duke hedhur faje reciproke për gjendjen e sistemit të drejtësisë në vend dhe mënyrën se si ai do të ndryshohej. Ndonëse erdhi si iniciativë e mazhorancës qeverisëse, drafti për ndryshimet kushtetuese solli përcarrje të mëdha. Hartimi i një drafti nga një grup ekspertësh të nivelit të lartë shqiptarë , i mbështetur fuqimisht nga PS, u rrëzua në masën 70 % nga komisioni i Venecias. Kjo i ktheu palët në shinat e drejta për pak kohë ku nisën bisedimet në komisionin e piosaçëm të reformës në drejtësi. Megjithëse kjo çështje hasi koklavitje të mëdha, ku nuk u lanë jashtë ndërhyerjet e fondacionit Soros në reformë, palët qëndruan në pozicione të kundërta për shumë kohë lidhur me disa pika të draftit. Debate të shumta, takime pa rezultat, negociatorë që vinin e iknin dhe në fund mbesnin akuzat. Në këtë debat të stërzgjatur nuk munguan edhe tentativat e errëta për blerje deputetësh nga kahu i pakicës për të mundësuar arritjen e 92 votave, për “urdhra nga lart” të votimit të një drafti të padakordësuar me forcën më të madhe opozitare apo edhe për lojëra me aktorë të caktuar ndërkombëtarë që më shumë se sa hallin e një reforme të drejtë, mbështesnin “babaxhanin” e saj fillestar, Soros. Megjithatë u desh një lëvizje e fortë e LSI, aleatit të PS, e cila qëndroi deri në fund tek një draft konsensual, duke pamundësuar lëvizjen e socialisteve më tej drejt një votimi të reformës me vota të trafikuara. Në fund pas një kalvari të gjatë negocimi dhe hyrje daljesh, ku dështuan tentativat për reformë të njëanshme, palët mundësuan arritjen e marrëveshjes dhe votimin e paketës me ndryshimet kushtetuese në mesnatën e 21-22 korrikut të vitit 2016 me 140 vota.
Marrëveshja Rama-Basha 18 maj 2017
Dhe në fund të retrospektivës vjen marrëveshja e arritur vetëm tre ditë më parë nga kryeministri Rama dhe kreu i opozitës Basha. Padyshim që kjo ka qenë ndër krizat më të zgjatura dhe me tensione e debate të forta që arritën deri në artikulimin e skenarëve për destabilizim të vendit. Për 90 ditë përballëz zyrës së kreut të qeverisë u vendos çadra e protestës opozitare, ku kërkesat kryesore ishin për një qeveri teknike për të mundësaur zgjedhje të lira e të ndershme. Duke argumentuar fenomenin e drogës të kthyer në shqetësim jo vetëm kombëtar por edhe ndërkombëtar, si edhe kriminalizimin e jetës politike e administratës, opozita kërkoi me ngulm krjimin e një qeverie teknike pa Ramën kryeministër. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë e cilësoi situatën e krijuar si një krizë artificiale, duke folur për 90 ditë për një çadër të ngritur nga opozita për shkak të frikës nga procesi Vettingut. Në këto pole ekstremisht të kundërta, LSI me Metën në krye kërkoi një zgjidhje të mesme me propozimin e hershëm për një qeveri besimi. Po ashtu kjo parti e frenoi me kohë PS-në, e cila fliste me tone të larta për zgjedhje pa opozitën, ku LSI artikuloi faktin se një mundësi e tillë do e kthente vendin shumë hapa pas. Megjithatë edhe ky qëndrim i kësaj partie nuk mundësoi zgjidhjen e krizës politike. Madje këtë krizë nuk e zgjidhi as negocimi më i lartë ndërkombëtar, ai që u cilësua si paketa “McAllister”. U desh ndërhyja e fundit, këmbana e SHBA-e, e cila mundësoi uljen e palëve në tavolinë. Pas një stërzgjatje të krizës, Rama dhe Basha me kërkesë të kryeministrit zhvilluan një takim kokë më koë darkën e 17 majit, ku pas më shumë se 5 orësh negocimi, dolën me një marrëveshje. Kjo e fundit u bë publikë ditën e 18 majit, ku sipas marrëveshjes data e zgjedhjeve u vendos në 25 qershor. Opozita mori 6 ministra teknikë, postin e zv.kryeministrit, kreun e KQZ-së, Avokatin e Popullit si edhe një sërë drejtorish.