Rama-Basha/ Hakmarrja, një gjellë që hahet e ftohtë
Skënder Minxhozi
“Qari dhe qederi janë motër e vëlla”, thotë një shprehje e vjetër e Shqipërisë së Mesme. Kush rrezikon shumë, fiton shumë, do të ishte versioni modern i shprehjes. Është pikërisht ajo që bënë Edi Rama dhe Lulzim Basha, kur vendosën të nxjerrin jashtë sallës në mënyrë jo edhe aq elegante një tufë burrash, të gjithë kryetarë partish më të vogla parlamentare, në natën mes 17 dhe 18 majit. Ishte një gjest i fortë dhe i pazakontë mes dy liderësh që rëndom kanë evituar prej vitesh që të jenë edhe në të njëjtin event apo ceremoni, e jo më të dialogojnë me orë e orë vetëm për vetëm.
Ishte një lëvizje kur të krerët partiakë rrezikuan jo pak. Rrezikuan të dështojnë në negociata sy më sy, rrezikuan të ngrejnë kundër vetes inatin dhe mllefin e Berishës dhe Metës që u qëndronin pas shpie, rrezikuan të keqkuptohen nga ndjekësit e votuesit, rrezikuan të prodhojnë në tryezë rezultatet e mëvonshme elektorale që mund t’i penalizojnë. Të gjitha këto variable sot duken të zgjidhura. Të paktën pjesërisht. Marrëveshja komentohet si një sukses politik, çadra u mbyll, votuesit duken të kënaqur në të dy kampet, Berisha u shpreh me fjalë pozitive, kurse Metës i duhet të duartrokasë dhe të buzëqeshë, megjithëse do të kishte dëshirë që të gjuante me ç’ti vinte për dore në drejtim të dyshes Rama-Basha!
Ilir Meta ka qenë frymëzuesi i hershëm i një marrëveshjeje mes pozitës dhe opozitës. Ka ofruar madje portofolet e ministrave të tij, e më vonë edhe postin e presidentit, ende pa e marrë atë, për hir të një marrëveshjeje pozitë-opozitë. Ka hedhur në eter kaq shumë retorikë bashkëpunimi dhe kompromisi, saqë sot, kur kjo ndodhi në formën më të padëshërueshme për të, ai ka fare pak hapësirë për të anatemuar produktin.
Për këto arsye, por edhe për faktin se nuk ka mundur të parashikojë devijimin e rrezikshëm që procesi i negociatave mund të merrte, ai i ka sot duart e lidhura dhe gojën e kyçur, përballë realitetit të ri politik dhe elektoral që ka ndërtuar lidhja e papritur mes Ramës dhe Bashës. Madje edhe kur i shkarkojnë krahun e djathtë nga poltroni i ministrit të drejtësisë.
Ndër vite Meta ka pasur iluzionin, jo të pabazuar, se mbajtja e një boshti strategjik komunikimi e bashkëpunimi me Berishën, do t’i ofronte atij qetësinë e mjaftueshme për të kontrolluar dinamikën e raporteve mes dy partive të mëdha. Meta ka besuar më shumë se ç’duhet, mesa shihet, tek varësia e Bashës ndaj ish-kryeministrit nga një anë, si dhe tek përçmimi e tallja publike e Ramës për Bashën nga ana tjetër. E ka parë si të pamundur që këto dy personazhe, njëri i markuar në çdo hap nga hija e rëndë e Berishës, e tjetri që i lutej me muaj rresht për të rinovuar marrëveshjen e koalicionit, do të vinte momenti që do t’i nxirrnin të gjithë nga loja, për t’u marrë vesh mes tyre, pa praninë e askujt tjetër. Dhe si për ironi të fatit, pak hapa larg zyrës së tij të kryetarit të Kuvendit.
Ajo që ka ndodhur me Metën dhe LSI në javën e fundit, është materializimi i proverbit të famshëm, i cili thotë se hakmarrja është një gjellë që hahet e ftohtë. Sot LSI po provon hakmarrjen ekstreme dhe cinike të Ramës dhe Bashës, ndaj lojrave politike që ka luajtur në hapësirën e rrezikshme dhe të minuar mes të majtës dhe të djathtës. Po ndodh sot ajo që ndodh rëndom kur elefantët mërziten dhe shkelin barin e kullotës. Rama ka duruar prej muajsh kritikat e athta të aleatit, të cilat erdhën duke u bërë gjithnjë e më të ashpra, ndërkohë që përgjigja për koalicionin mungonte. Kurse Basha nuk ja ka falur Ilir Metës faktin që e ka parë historikisht si një kartë rezervë në PD dhe që vendosi të zgjidhet kryetar shteti, ndërkohë që ai rrinte i strukur në çadrën e protestës. Përfundimi i sagës së krizës elektorale ka qenë një triumf në stil të gjerë i bipolarizmit, i cili ka sfiduar më në fund aleancën më jetëgjatë politike në historinë e pluralizmit shqiptar: atë mes Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Marrëveshja Rama-Basha shënon kalimin e Rubikonit politik shqiptar. Është thyer një tabu shumëvjeçare, e cila precedentin e fundit e gjen në vitin e mbrapshtë 1997 me qeverinë Fino. Praktikisht sot PS e PD qeverisin bashkë, e nuk është e thënë që kjo të mos ndodhë edhe pas 25 qershorit. Të paktën në parim. Rama dhe Basha kanë arritur të sfidojnë të shkuarën dhe të tashmen, duke frikësuar gjithkënd që qëndronte mes tyre. Ky produkt është ndoshta me i rëndësishëm se edhe vetë fundi i krizës së çadrës dhe normaliteti elektoral i 25 qershorit. Sepse në natën e 17 majit ka ndodhur një ngjarje e cila potencialisht (duhet nënvizuar fort kjo fjalë), vlen për të hapur një cikël të ri politik. Jo vetëm për të zgjedhur një kryeministër apo një kryetar bashkie në Kavajë, por shumë më tepër se kaq.