Jorida Tabaku: Për të mos harruar Spaçin!
Me të vëretë, vendi është i qetë, shprehej Vaclev Havel lideri i revolucionit të kadifenjtë në Cekinë e 1989; Ka një heshtje varri do të thoje?!
I tillë ishte atdheu ynë dy dekada më parë ku në zemrën e maleve shtriheshin burgjet e Spaçit, Burrelit, Tepelenës, Kosovës që ushtronin represionin e ashpër dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve të burgosur në emër të sundimit komunist. Nën ashpërsinë e një sistemi që dhunonte sistematikisht dhe racionalisht qytetarët e tij nën moton e luftës së klasave por që prodhoi dhunën më të pashoqe në ish vendet e lindjes duke shndërruar një vend të vogël në kufijtë e 28 mijë kilometrave katror në ferrin mbi tokë.
Në mesin e maleve, në një zonë ku qe e pamundur të arratiseshe, regjimi komunist ndërtoi burgun famëkeq të Spaçit. Ku u kujdes të torturonte dhe dhunonte të burgosurit politikë dhe që përmes punës dhe mundit të tyre të krijonte ato vepra që më pas regjimi do të krenohej. Dhuna e vazhdueshme dhe torturat e pafundme çuan në rebelimin e 21 majit të vitit 1973, ku shqiptarët e burgosur dhe dhunuar ngritën kryet për të fituar lirinë e kërkuar brenda burgut derisa 60 makina të mbushura me ushtarë rrethuan kampin dhe shuan revoltën e Spaçit.
44 vite më pas, nën hijen e heshtjes qeveritare, Spaçi mbetet i harruar ndërsa paratë tona shpenzohen jo për të kujtuar të djeshmen e dhimbshme të një populli por për të lartësuar megallomaninë e sotme. Pas shuarjes së revoltës byroja komuniste dënoi me vdekje Dervish Bejkon, Pal Zefin, Hajri Pashaj dhe Skënder Dajën duke i ekzekutuar dhe duke i lënë ato pa varr.
Sot, është detyra e gjithsecilit prej nesh jo vetëm që të kujtojë ato të cilët u ngritën kundër tiranisë së një bande që shkretoi dhe vrau shqiptarët. Por mbi të gjitha është detyra e çdo deputeti dhe ligjvënësi që të shtyjë qeveritë për të vendosur drejtësi duke mos e lënë të harrohet në kujtesë të djeshmen e shoqërisë sonë.