Albspirit

Media/News/Publishing

Shtrëngohet laku për autokratët e Evropës

“Përshëndetje Diktator”,- do t’i drejtohej me një ton shpotitës Zhan Klod Junker, drejtuesit të Hungarisë Viktor Orban, tek e priste në hyrje në Samitin e Rigës, në maj të vitit 2015. Qesëndisje tipike e personaliteteve të rafinuara në përvojën jetësore dhe eksperiencën profesionale, por që fatkeqësisht nuk kanë forcën të shkaktojnë reflektimin e duhur tek figura shtetërore, që janë të inkuadruara me vendosmëri për shkatërrimin e vlerave themelore të shtetit të së drejtës.

Dje, Parlamenti Evropian, miratoi një rezolutë e cila mund të çojë në nisjen e një procesi, ku mund të aktivizohet neni 7, që i heq Hungarisë të drejtën e votës në Këshill. Zhvillimet e fundit në Hungari, kanë shënuar një përkeqësim të vazhdueshëm të demokracisë. Rezoluta e miratuar ditën e djeshme rithekson një sërë problematikash, tashmë të konfirmuara prej kohësh në Hungari. Në optikën e parlamentarëve evropianë, këto problematika në tërësinë e tyre, kanë provokuar përkeqësimin e shtetit të së drejtës, të demokracisë dhe të drejtave themelore.

Ndër to, spikasin: liria e shprehjes; liria akademike; të drejtat themelore të migrantëve, të azilkërkuesve dhe të refugjatëve; liria e tubimit dhe e organizimit; kufizime dhe pengesa ndaj aktiviteteve të organizatave të shoqërisë civile; të drejtat sociale; të drejtat e minoriteteve, duke përfshirë romët, hebrenjtë, dhe personat që i përkasin komunitetit LGTBI; të drejtat sociale; funksionimi i sistemit kushtetues; pavarësia e pushtetit juridik dhe e institucioneve të tjera; pa harruar akuzat e shumta shqetësuese mbi korrupsionin dhe konfliktin e interesave, të cilat të marra së bashku mund të jenë shenja e emergjencës së një kërcënimi të vazhdueshëm për shtetin e së drejtës në Hungari.

Rezoluta thekson gjithashtu shqetësimin, mbi deklaratat e drejtuesve të partisë në pushtet që kundërshtojnë çdo ndryshim ligjor, si reagim ndaj rekomandimeve të institucioneve të Unionit, për të qëndruar në kuadratin e së drejtës, që buron nga Unioni Evropian. Por, ajo sugjeron gjithashtu se rasti hungarez, lejon të testohet kapaciteti dhe vullneti i Unionit për të reaguar ndaj kërcënimeve dhe dhunimeve të vlerave të tij themelore nga një shtet anëtar, pasi vërehet me shqetësim se zhvillimet në disa vende të tjera anëtare, prezantojnë ngjashmëri shqetësuese të kërcënimit të shtetit të së drejtës, si në Hungari. Duke u përmbyllur me vlerësimin se: “Situata aktuale në Hungari, përfaqëson një rrezik të qartë të dhunimit të rëndë në kuptimin e nenit 2 të traktatit të BE-së, dhe se ajo justifikon nisjen e procedurës të parashikuar nga neni 7, paragrafi 1, i traktatit të BE-së.”

Por, demokracia ka mbartur gjithmonë një karakter kompleks dhe të veçantë. Sidomos mes raportit interesant, që ajo ka aftësinë të krijojë me kundërshtarët dhe armiqtë e saj, teksa të parët i likuidon dhe të dytët i kultivon. Është një raport, që siç duket ka arritur të kultivojë edhe figura si Orbani i Hungarisë, apo edhe Kaçjinksi i Polonisë.

“Armiku është ai që ju urren dhe do t’ju shkatërrojë, kundërshtari është ai, që ju do dhe dëshiron t’ju ndryshojë. Demokracitë i kultivojnë armiqtë e tyre, ndërsa kundërshtarët i likuidojnë!(“Globalia”, Zhan-Kristof Rufë, 2005, f.470).

Problemi, në fakt ka kohë që shtrihet tek vetë familja e djathtë evropiane, PPE. Kjo, pasi shfaqet në luhatje dhe heziton të pozicionohet qartazi në mbrojtje të vlerave demokratike. Tolerimi i sjelljeve dhe i akteve të tilla, e keq-pozicionojnë PPE-në.

Orbani konsiderohet prej kohësh si “fëmija problematik” i PPE-së, si “fëmija i tmerrshëm dhe i përkëdhelur”, që PPE nuk mund ta ndëshkojë dot. Kjo, pasi shikohet në njëfarë mënyrë, si një ndëshkim ndaj vetvetes. Dëshirohet, por dhemb! Ndërkohë dëmet shumëfishohen, duke mos e ndihmuar aspak “fëmijën” të korrigjohet. Por: “Duhet të ndëshkojmë, jo për të ndëshkuar, por për të parandaluar ”,- thoshte i urti Seneka.

Dhe në fakt ky parandalim, duhet të jetë më i gjerë se, sa thjesht i inkuadruar ndaj një individi, apo një shteti të caktuar.

Që prej tetorit të vitit të kaluar, Parlamenti Evropian do të theksonte në rezolutën e tij të tetorit, (25.10) nevojën për të ngritur një mekanizëm të gjerë monitorimi, që do të bënte të mundur monitorimin e demokracisë në Union, të shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore.

Pra, një mekanizëm që të vëzhgojë gjendjen e demokracisë në vendet anëtare, pas anëtarësimit të tyre. Ky mekanizëm, funksion në mënyrë të detajuar para anëtarësimit, por pas anëtarësimit jo. Kjo, pasi ka një konceptim të përgjithshëm (i logjikshëm në parim) se, shtetet nuk kanë arsye të prapësohen në nivelin dhe standardet  e tyre tashmë të arritura.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian është i pajisur me një sërë mekanizmash, që imponojnë respektim thuajse në të gjithë fushat e tjera politike, si konkurrenca, bashkëpunimi policor dhe juridik, politika e jashtme, etj, por, vlerat themelore nuk figurojnë të monitoruara dhe të mbrojtura nga instrumente solidë, për të mundësuar respektimin e tyre, në të gjithë Bashkimin Evropian.

Mekanizmi i ri, që u propozua në fund të vitit të kaluar, synonte të bënte të mundur që të gjithë vendet anëtare të respektojnë vlerat, që mbartin traktatet evropiane, duke mundësuar gjithashtu përcaktimin e kritereve të qarta, të bazuara në prova konkrete dhe jo-politike për të vlerësuar dosjet e tyre në fushën e demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore në mënyrë sistematike.

Një mekanizëm, që në praktikë duhet të funksionojë në mënyrë periodike, pra të përvitshme, ku Komisioni Evropian, në konsultim me një panel ekspertësh të pavarur, do të përpilojë një raport evropian, që pasqyron gjendjen e demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore në vendet anëtare, duke përfshirë në këtë raport edhe rekomandime specifike për çdo vend, mbi bazën e treguesve siç janë ndarja e pushteteve, liria dhe pluralizmi i medieve dhe sistemi i drejtësisë. Raport, që do të shërbejë si bazë për çdo veprim që mund të ndërmarrë Komisioni dhe për të përcaktuar një qasje të qartë, duke kaluar nga hapja e dialogut me një shtet anëtar nëpërmjet aktivizimit të nenit 7, duke shkuar më pas drejt një paralajmërimi të parakohshëm, para se një dhunim i rëndë të konkretizohet dhe për të shkuar më tej drejt fazës përmbyllëse të aktivizimit të nenit 7, sipas të cilit mund të pezullohet e drejta e votës në Këshill, për një vend anëtar.

Mekanizmi i sugjeruar nga Parlamenti, duhet që të shoqërohet me një propozim konkret nga Komisioni Evropian, deri në muajin shtator të këtij viti, dhe pritet të shërbejë për të shmangur aplikimin e rregullave të ndryshme, po në të njëjtën mënyrë, siç monitorohen edhe fushat e tjera politike në BE.

Please follow and like us: