Kalaja e Kaninës dhe martesa e Skënderbeut me Donikën
Në 23 Prill 1451 Skënderbeu bëhet dhëndër i Gjergj Arianitit, Gjergj Arianiti Topia Komneni.
Ai u martua me Donikën (Andronika), e cila ishte 23 vjeçe, ndërsa vetë ishte 46 vjeç.
Ajo ishte një nga tetë vajzat dhe shquhej për bukurinë e rrallë ndër vajzat e krahinës.
Ashtu siç e thotë edhe Barleti, ajo ishte një ndër vajzat më të bukura të dyerve bujare të Shqipërisë së shekullit të XV.
Legjendat dhe gojëdhënat për martesën e Skënderbeut në Kaninë kanë mbetur të gjalla edhe sot në Rajonin e Vlorës.
Njëra prej tyre e ruajtur në Himarë, e cila ishte zotërim i Gjergj Arianitit thotë se: “Ditën e dasmës në Kaninë shkuan edhe Kapedanët e Himarës me peshqeshe për çiftin.
Ata e shoqëruan nusen deri në Krujë”. Ndërkohë që në Qishbardhë dhe Penkovë (Vlorë), ruhen katër toponime të tilla si: Qisha e Skënderbeut, Rrapi i Skënderbeut, Vau i Skënderbeut dhe Ara e Skënderbeut; dëshmi të shekullit të XV.
Kurorëzimi i çiftit, midis Gjergjit 46 vjeçar dhe Donikës 23 vjeçare, u bë në kishën e vjetër të Manastirit të Ardenicës , i cili ndodhet 10 km në veri të Fierit.
Ndërsa motra tjetër e Donikës, Angelina, u martua me princin serb Stefan Brankoviç dhe është shpallur Shenjt nga Kisha Ortodokse Serbe.
Pas vdekjes së Skënderbeut në 17 Janar 1468 , Donika u shpall regjenti i të birit Gjonit, trashëgimtarit legjitim të Skënderbeut.
E ndodhur në kushte të tilla në të cilat ajo nuk mund të ushtronte funksionin e saj, kur turqit kërcënonin në mënyrë më serioze shtetin shqiptar, Donika në 23 Maj 1468 u largua së bashku me të birin në Itali.
Në vitin 1468, suita e saj u vendos në Itali në dy feudet që Ferdinandi i Aragonës, mbret i Napolit, i kishte dhuruar Skënderbeut në vitin 1463, si kompensim i ndihmës së çmuar që heroi i dha atij.
Në vitin 1501 kur mbërriti në Spanjë si pjesë e një delegacioni, Donika Kastrioti tashmë ishte 73 vjeçe dhe nuk do të ketë pasur mundësinë të kthehet më në Napoli.
Ajo mendohet të ketë vdekur në harkun kohor midis Marsit të vitit 1505 dhe Shtatorit 1506.
Ky fakt dëshmohet nga testamenti i Giovanna-s së III, në të cilin pohohet se Andronika është varrosur në kishën e Trinisë së Shenjtë në Valencia të Spanjës.