Albspirit

Media/News/Publishing

“KAMARJA E TURPIT”, NJË EPËRSI MONSTRUOZE

“FINANTIAL TIMES” PËR KADARENË

“KAMARJA E TURPIT”, NJË EPËRSI MONSTRUOZE

NJË FABUL E FUQISHME E REPRESIONIT SHQIPTAR E SHKRUAR NË VITET 1970, BOTOHET PËR HERË TË PARË NË ANGLISHT

Mark Damazer

Në çdo faqe, natyra e dhunshme dhe gërryese e shtypjes shtetërore të mbyt, të mundon dhe të dëshpëron. Shteti në fjalë është Perandoria Otomane e viteve 1820, një tirani shumëgjuhëshe e shumëkombëshe, me një shtrirje të madhe. Në krye qëndron një sulltan, i cili duhej të konkurronte me një pasha shqiptar 82 vjeç, Aliu i Zi, që për dekada me radhë në gjykatën e tij, ka qenë një forcë e madhe, por ka vendosur të revoltohet kundër sovranit të tij.

Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, e ka shkruar këtë roman të shkurtër e mbresëlënës para 40 vjetësh, por tani, është përkthyer shkëlqyeshëm në anglisht, nga John Hodgson. Si me shumicën e veprave të tij, Kadare analizon në detaj, vuajtjet e kombit të tij, të cilit i referohet si “ngatërrestar i vjetër” ose “një shtet vërtet i mallkuar”, në kulmin e problemeve, ndërsa ka duruar për shekuj me radhë, mjerimin e shkaktuar nga dominimi arbitrar. Sulltani nuk përshkruhet fizikisht dhe fjalët e tij shkruhen vetëm një herë: “Do të të shndërroj në hi, hi, hi”.

Por, Kadare preferon të përqendrohet në burokracinë e shtypjes nga sulltani dhe, në mënyrë më dramatike, në taktikat çnjerëzore që përdorte për t’u siguruar se të nënshtruarit e tij, ta kuptonin plotësisht epërsinë e tij monstruoze, qofshin afër apo larg. Një akt i tmerrshëm në veçanti, një kokë e prerë, madje, disa koka të prera, marrin vëmendjen kryesore. Ata të cilët sulltani dekreton, janë tradhtarë të veçantë, që meritojnë një trajtim të veçantë. Kokat e tyre vendosen në publik në atë që quhet “Kamarja e turpit”, e vendosur në një mur, në një shesh të rrezikshëm të Kostandinopojës:

“Ndoshta asgjëkund tjetër syri i kalimtarit nuk do të mund të kapte kaq lehtësisht varësinë që krijohej midis ngrirjes së rëndë të sheshit shekullor dhe kokës së prerë njerëzore, që kishte dashur ta shpërfillte atë.” Ekzistojnë rregulla dhe rituale të detajuara, në mënyrë që kokat të transportohen në rregull, të ruhen dhe të shfaqen në publik, duke përdorur akull, kripë dhe mjaltë, e të gjitha këto, të shkruara në “Rregullat për kujdesin ndaj kokave”.

Korrieri mbretëror, puna e të cilit është të kthejë kokat në Kostandinopojë, ndalon gjatë rrugës për t’ua treguar fshatarëve, me pagesë. Në skena të dhimbshme dhe patetike, Kadare përshkruan si turmat mblidhen në heshtje dhe pavarësisht varfërisë, paguajnë. Ata ndihen të befasuar, të parëndësishëm e të frikësuar: “ Koka po vendoste lidhjen e saj me turmën. Sytë e saj të qelqtë po kërkonin sytë njerëzorë. Në erë sundonte tejdukja e vdekjes. Bashkë me shtrëngimin e së ftohtës shikuesit e ndienin se afroheshin në kufijtë e saj, gati sa nuk e preknin. Do të kalonin dhe ca çaste dhe të gjithë bashkë, turma dhe vdekja, do të përbënin një bashkësi të tejdukshme, të dylltë.”

E megjithatë, as kjo nuk mjafton që sulltani të sigurohet mbi nënshtrimin e shqiptarëve. Kujtimi i një rebelimi të suksesshëm të udhëhequr 400 vjet më parë, nga heroiku Skënderbe, përndjek jo vetëm Aliun e Zi të moshuar, i cili nuk ka asnjë ngjashmëri me të, por edhe sulltanin. Njerëzit e Aliut të Zi e shpërfillin atë, madje edhe gruaja e tij 22 vjeçare, është e hutuar prej kredencialet e reja nacionaliste. Kështu, ai mposhtet.

Sidoqoftë, Shqipërisë duhet t’i zhvishet identiteti kombëtar, një detyrë kjo, që kryhej “sipas doktrinës së vjetër të fshehtë të “Kra-kra”-së dhe kalonte nëpër pesë faza kryesore: e para, zhdukja lëndore e rebelimit; e dyta, zhdukja e idesë së rebelimit; e treta, rrënimi i kulturës, artit, dokeve; e katërta, shuarja ose gjymtimi i gjuhës; dhe e pesta, shuarja ose dobësimi i kujtesës kombëtare.
Nga të gjitha këto, më e shkurtra ishte zhdukja e truptë e rebelimit, që s’ishte gjë tjetër, veç lufta; kurse faza më e gjatë ishte zhdukja e gjuhës, ose Mosgjuha, siç quhej shkurt.”

“Ideja e rebelimit duhet të zhduket, ceremonitë vendase martesore të ndryshoheshin dhe gjuha shqipe të bëhej “Mosgjuha”. Në një paragraf i cili mund të vendoset përkrah Orwell-it, Kadare liston mënyrat se si një gjuhë mund të eliminohet: “Në një raft të rëndë prej bronzi ishin dosjet e gjuhëve të vdekura. Ato ishin të trasha, por shumica e fletëve të tyre ishin të shuara me kujdesin më të madh. Ishin shuar fjalët e fjalorit, rregullat e gramatikës e të sintaksës, shkallë-shkallë, sipas rrallimit ose zhdukjes së tyre në jetë, dhe në fund ishin fshirë shkronjat e alfabetit, regëtima e fundit e gjuhës së shkruar, pas së cilës vërtetohej vdekja e saj.”

Njësoj si në të gjithë regjimet e tmerrshme autoritare, askush nuk është i sigurt. Kadare depërton përtej frikës dhe pasigurisë së personazheve të tij, të cilët nuk arrijnë asnjëherë paqe fizike apo psikologjike, qoftë në fitore apo humbje, ose ndërsa shoqërojnë një kokë të prerë nëpër perandori, apo kur organizojnë shfaqjen e kokave të prera në kryeqytet. Ata nuk arrijnë të flenë, shohin ëndrra të këqija, ose kokat e prera i trullosin dhe të gjitha këto, ndodhin ndërsa luftojnë të gjejnë vullnetin dhe respektin për veten.

Kjo është një ngjarje magjepsëse, e mbushur me personazhe të vuajtur e të paharrueshëm, si dhe përshkrime të detajuara të arkitekturës dhe peizazheve të shkreta. Është legjendë dhe njëkohësisht, një portret i nënshtrimit. Kadare, sidoqoftë, nuk na jep gjithë gjurmat e shpirtit, individual apo kolektiv, të mposhtura. Shqipëria nuk do të mposhtet.

—–

The Traitor’s Niche, by Ismail Kadare, translated by John Hodgson, Harvill Secker, RRP£16.99, 208 pages
Mark Damazer is Master of St Peter’s College, Oxford

FEBRUARY 3, 2017

Please follow and like us: