Albspirit

Media/News/Publishing

Qerim Vrioni, udhë dhe punë blete e një studiuesi

Zylyftar Hoxha

 

Për shkak se rridhte nga një familje e madhe të trajtuar si kundërshtare e Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe e komunizmit gjatë gjithë periudhës moniste, Qerim Vrionin, domosdo do ta ndiqte hija e një perskutimi të skajshëm politik. Si i gjithë takëmi i tij, hoqi dorë nga ëndrrat dhe pasionet, iu nënshtrua fatit, dhe iu fut punës si elektricist. Jetoi familjarisht në Vlorë, në mënyrën më modeste dhe njëkohësisht dinjitoze që të jep një punë krahu, por edhe me reflekset e një finikërie të origjinës që e ka shfaqur dhe e shfaq edhe sot.

Megjithëse ia kam zënë nja dy herë në gojë të kaluarën, duket se ai s’ka dëshirë të flasë për të. Me sa duket ky është një kapitull i mbyllur. Dhe, me qenë se ai s’do, s’po e shtyjmë më tej.

Si duket gjithë ajo energji e ndrydhur një jetë të tërë, u shfaq te Qerimi pas viteve ’90, kur ai u fut fotografisë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare si një artist modest, por i vërtetë dhe i besueshëm në mesazhet që transmeton me artin e tij. Në jetën e vet krijuese dhe studiuese, Qerim Vrioni ka shkruar shumë analiza e studime dhe në të gjitha shquhet për përqasjen interesante ndaj problematikës së ndryshme të fotografisë. “Magjia e dhomës së errët”, më shumë se teknikisht dhe artistikisht, e ka tërhequr atë në një tjetër gjë, në zhbirimin historik të artit të fotografisë, si asaj shqiptare ashtu edhe asaj botërore. Dalëngadalë dhe shënim pas shënimi ai u bë një studiues i vërtetë i artit dhe teknikës së fotografisë, duke sfiduar kështu edhe emra të njohur, që vërtetë janë të mirë, por që duke rendur pas kronikës, pas ambicjeve artistike, nuk u “shkoi mendja” atje ku i shkoi Qerimit, te boshllëku historik dhe enciklopedik i fotografisë në Shqipëri. Pasionin për artin fotografik, me durim e me punë këmbëngulëse, ai e ktheu në profesion. Pa dyshim, ai është dhe mbetet një njeri serioz e nga më të mirët, tërësisht i përkushtuar në artin e fotografisë.

1113Në një nga komentet e shumtë pas një shkrimi të botuar kohët e fundit në gazetën “Dita” nga Qerim Vrioni, shkruhet: “Qerim Vrioni ka kohë, u bënë mote tashmë, që shëmbëllen me një bletë të urtë e të palodhur punëtore që qëmton e vë në hojet e Kujtesës Kombëtare vlerat më të mira të familjes shqiptare…Me hapjen e kufijve, udha e bletëve ishte e hapur kat e kat, dhe Vrioni, si njëra nga këto bletë e le gjurmën e vetë si fjolla e dritës së Pikasosë në foton e Milit…”.   Falenderojmë, shkrimtarin e njohur Faruk Myrtaj, autorin e këtij komenti për këtë përcaktim për studiuesin tonë, të cilit, mendojmë se do t’i shërbejë si nxitje dhe inkurajim i mëtejshëm në punën e tij, ndërsa ne, për titullin e këtij shkrimi.

E nisi punën me librin e tij të parë “Fotografia-një grusht diell”, të botuar në vitin 2005, ku përfshiu analiza të fotografive të shquara si dhe historinë e fotografisë shqiptare që nga Pjetër Marubi, Kol Idromeno, Kristo Shuli, Petro Dhimitri, Thimi Raci, Vani Burda, Kristaq Sotiri, Jani Zengo e deri tek fotografët e vonë. Nuk e ka patur të lehtë, pasi studimi do një punë e gjatë kërkuese. Për një datë, për një emër për një fakt, do të hapësh dhe kërkosh volume të tëra librash dhe dokumentesh. Kërkimi i Vrionit ka nisur fillimisht në arkivat shqiptare dhe Bibliotekën Kombëtare në Tiranë dhe atë të Galerisë së Arteve. Më pas aventura e kërkimit ka vazhduar edhe jashtë atdheut, në bibliotekat e universiteve amerikane, ku ka takuar veprën e Gjon Milit, Dhimitër Mborjes dhe fotografëve të tjerë të mërgatës shqiptare, por edhe veprën e autorëve të famshëm botërorë si Nadar, Man Ray, Anri Kartje Breson, Robert Capa, Henri Cartier-Bresson, Dorothea Lange etj., mes të cilëve, disa i ka studiuar dhe analizuar në librat e tij.

Nga viti në vit kalendari i veprimtarisë së Vrionit dendësohet dhe pasurohet. Në vitin 2007 ka qenë bashkëpunëtor në përgatitjen e albumit fotografik “50 Years of the University of Tirana in 100 photos”(50 vite të Universitetit të Tiranës në 100 fotografi), botuar me rastin e 50-vjetorit të Universitetit të Tiranës. Në vitin 2008 ka organizuar në Tiranë, Vlorë, Prishtinë dhe Grand Rapids (Michigan, SHBA) veprimtarinë “150 vjet fotografi shqiptare”, dhe vijon kështu i vetëm, pa i thënë kush dhe pa u shperblyer e mbeshtetur nga askush, duke kryer ndërkohë një detyrë atdhetare dhe një mision të munguar akademik.

Një vit më pas, në 2009-n, hodhi në qarkullim botimin “150 vjet fotografi shqiptare”, që përbën librin e parë mbi historinë e fotografisë, një libër i shkruar me kujdes, një histori ekstrakte e fotografisë shqiptare, por edhe e rrugës artistike të fotografëve më të famshëm shqiptarë. Po atë vit 2009, Qerim Vrioni ka përfaqësuar me fotografi Shqipërinë në ekspozitën “Il Lazio tra Europa e Mediteraneo” të hapur në Romë (Itali) me pjesëmarrjen e fotografëve nga të gjitha vendet mesdhetare.

Që nga libri i parë e deri te i fundit, “Fjalori i Fotografisë”, por edhe nga analizat dhe të rejat që ka sjellë në shtypin e ditës për korifenjtë botërorë të fotografisë, Qerim Vrioni, dallohet për skrupulozitetin shkencor, për kujdesin maksimal në atë që hedh në letër, duke qenë i kursyer në fjalët. Librat e tij nuk janë voluminozë dhe proliks fjalëshumë, ata nuk i kalojnë 150-200 faqet, dhe dallohen për stilin e ngjeshur, të thjeshtë dhe të kuptueshëm. Në ta zë më shumë vend argumenti sesa përshkrimi. “Fjalori i Fotografisë”, psh, dallohet për qartësi mendimi, për një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme. Parë në këtë këndvështrim, ky fjalor është model se si duhen bërë këto llojë punimesh. Kemi parë enciklopedi dhe fjalorë të fushave të ndryshme dhe në shumë prej tyre zërat në shqip ose nuk i janë shmangur dot gjuhës teknike, ose janë dhënë të paqartë nga ana gjuhësore, duke mos shpjeguar dot termin e dhënë as për teknikun e fushës, pa le më pas për një lexues më të gjerë. Fjalori i Qerimit, sido një punim akademik, është i lexueshëm si një doracak, jo vetëm për atë që thamë më sipër, por edhe se një pjesë e madhe e termave të shpjeguara nuk i përkasin vetëm fotografisë, por në përgjithësi të gjithë elektronikës së sotmeqë ka pushtuar tërë jetën tonë. Ai nuk është një libër rafti, por është një libër praktik, që rri mirë dhe është i domosdoshëm për çdo tavolinë pune.

Please follow and like us: