Albspirit

Media/News/Publishing

Ballkani dhe balanca e fuqisë

Kristaq Xharo

Shkrimi që vijon përmbyll trajtesën për konceptin e fuqisë kombëtare. Ndërsa në pjesën e parë dhe të dytë u ndalëm në konceptin e fuqisë dhe referencat në sjelljen e elitave politike, këtë radhë tentohet të hidhet një vështrim i përmbledhur për balancën e fuqisë në rajonin tonë. Për sa më sipër janë hedhur vetëm disa refleksione për fuqinë kombëtare, rolin dhe perspektivën e saj. Qëllimi gjithmonë është e mbetet për të theksuar se fuqia kombëtare është në thelb të interesave dhe vitalitetit të kombit për tani dhe të ardhmen. Nuk merret përsipër për të shteruar konceptin, por për të sensibilizuar reflekse objektive lidhur me mundësitë dhe nevojën për një analizë gjithëpërfshirëse. Ky mund të jetë një projekt madhor që është mbi të gjitha kombëtar, por që nxit kontribute të studiuesve, të eksperteve, të analistëve dhe të elitave drejtuese që mund të jenë të ndarë në taktika politike, por të përafërt në nivel operacional dhe në unitet dinamik në nivel strategjik. Lexim të qetë…

 

 

Lajme nga Ballkani. Kryeministri serb Vuçiç para pak kohësh përfundoi javën e “mjaltit” në Rusi. Vëllai i madh sllavo-ortodoks, presidenti Putin, i mbushi duart me ‘lodra lufte’ si dhurata vëllait të vogël, në prag të Krishtlindjeve dhe në fillim të 2017-s. Ato ishin armatim modern Mig- 29, Tanke T-72 dhe një numër të konsiderueshëm makineri lufte. Emisarët rus e siguruan Vuçiçin se do t’i qëndrojnë si përherë fuqishëm në krah. Në këtë rast citoheshin qëndrimet e njëjta të dy vendeve edhe për Kosovën. Vuciç siguroi që këto armatime do të jenë jetike për Serbinë dhe se “tani ne do të jemi në gjendje të mbrojmë territoret tona…”. Atij nuk iu desh të përkufizonte termin e territorit serb, sepse e ndihmon Kushtetuta. Një stërvitje tripalëshe Rusi- Serbi–Bjellorusi u ra dakord që të zhvillohej së shpejti me pjesëmarrjen e gjerë të forcave dhe të armatimit modern.

Kroacia, (vend anëtar i NATO-s) që ndjek nga afër dhe me ndjeshmëri zhvillimet më të fundit në rajon ka reaguar fuqishëm duke planifikuar të blejë një skuadron modern helikopterësh dhe po ashtu brenda marsit 2017 një skuadrilje me avionë supersonikë nga SHBA. Presidentja kroate Kitaroviç u shpreh se modernizimi i forcave të armatosura iu përgjigjet nevojave të Kroacisë. Pra, të dy drejtuesit (Serbia dhe Kroacia) kanë ‘siguruar’ se pajisja me armatim modern iu përgjigjet vetëm nevojave të mbrojtjes. Askush prej tyre, sigurisht që nuk pranoi se kjo është një garë armatimi në zemër të Ballkanit. Ndërkohë që mjaft analistë nuk ngurojnë që t’i cilësojnë këto zhvillime si dinamikën e një rivaliteti strategjik i fuqisë jo vetëm midis këtyre vendeve, por të super të mëdhenjve, që nuk kanë munguar të shprehen në krah të tyre.

Pak kohë më parë ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes së vendit fqinj- Greqisë, nuk nguruan që të deklaronin pa dorashka, por edhe me mjaft mburrje epërsinë e tyre ushtarake në forca dhe armatim kësaj radhe direkt përkundrejt Shqipërisë. Një stërvitje ushtarake në kufij me vendin tonë u përdor nga ministri i Mbrojtjes për të treguar direkt forcën ushtarake. Vendi ynë iu përgjigj “fuqishëm” këtij shantazhi përmes drejtuesve më të lartë të dikastereve nëpërmjet blogjeve ‘Facebook’ dhe ‘twitter’ duke iu sjellë në vëmendje se ne jemi vend anëtar i NATO-s. Me këtë u la të kuptohet, që në çdo rast “ne do të na mbrojë NATO”. Ndoshta është fjala ‘për nga toka dhe deti’ sepse prej 5 vitesh, vendi fqinj (ngarkuar nga NATO ) ‘mbikëqyr dhe ruan’ hapësirën tonë ajrore. Pra, edhe NATO ende nuk e ka zgjidhur dilemën se si mund të mbrohet nga vendet e veta anëtare!!! Por, edhe pa na e treguar ministrat grekë, e vërteta është e hidhur. Shqipëria është sot vendi me kapacitetet më të ulëta të fuqisë kombëtare në rajon. Dhe duket se edhe për një kohë të papërcaktuar do të vazhdojë të mbesë e tillë.

Ballkani dhe balancat e fuqisë. Ballkani me një sipërfaqe prej 550.000 km² dhe popullsi me rreth 55 milionë banorë përbëhet nga rreth 13 shtete. Asnjë prej shteteve të Ballkanit nuk mund të klasifikohet në ‘fuqi të mëdha’. Vetëm Turqia në rajon dhe Italia pranë rajonit, siç e përmendëm më lart vlerësohen në nivelin e fuqive rajonale. Shtetet e tjera ndahen në kategorinë e ‘fuqive të vogla’ apo të shteteve të vogla. Fuqitë e tyre ekonomike dhe ushtarake nuk ngrihen në nivelin e fuqive rajonale apo të shkojnë më tej. Për të qartësuar më saktë këtë parashtrim bëhet e nevojshme koncepti i fuqisë kombëtare. Për këtë na ndihmon vlerësimi i kategorive që përmendëm më lart: ekonomike, ushtarake, moralo-politike.

Fuqia ekonomike, sipas studiuesve është forma më e rëndësishme e fuqisë kombëtare. Ajo presupozon aftësinë e një kombi për të plotësuar nevojat e veta dhe për të kontrolluar sjelljen e shteteve të tjera me mjete ekonomike. Mjetet ekonomike në politikën e jashtme konsiderohen aktualisht mjetet më vitale, që një shtet mund të përdorë për të ndikuar në veprimet dhe sjelljen e tij ndaj dhe nga shtetet e tjerë. Palmer dhe Perkins në librin e tyre ‘Marrëdhëniet ndërkombëtare’ shprehen se asnjë shtet nuk mund të bëhet ‘një fuqi’, qoftë edhe e vogël , pa patur fuqi adekuate ekonomike. Nga ana tjetër, fuqia ekonomike është e pandashme nga fuqia ushtarake, thotë James Uolfe, sepse është një nga përbërësit e saj bazë, në kushtet e luftës moderne, për më tepër që fuqia ekonomike mund të konsiderohet edhe me efektet e fuqisë ushtarake, por e shprehur në formë më të ‘butë’. Duke përdorur logjikën e mësipërme dhe për referencë (CIA fact book 2016), qartë, mund të dallojmë kapacitetet e fuqisë ekonomike për vendet e rajonit. Për nevojë analize është përfshirë edhe Italia, që renditet e 12-ta, ndërsa vendet e tjera vijojnë: Turqia e 13-ta; Greqia e 57-ta; Bullgaria e 76-ta; Serbia e 81-ta; Kroacia e 84-ta; Sllovenia e 98-ta; Bosnja e 111-ta; Shqipëria e 121-ta; Maqedonia e 125-ta; Kosova e 145-ta; Mali i Zi 153. Pozicioni i shumicës së vendeve të rajonit, përjashtuar dy të parat nuk afron vlerësime që ndonjë prej këtyre vendeve të ketë kapacitetet e fuqisë ekonomike në arenën ndërkombëtare. Por nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë që në hapësirën rajonale, secili prej tyre të luajë sipas peshës së vet specifike.

Fatkeqësisht shtetet shqiptare apo atje ku shtrihen viset shqiptare nuk gëzojnë peshë të mjaftueshme ekonomike apo më pak për t’u ndjerë ‘fuqi ekonomike’ e për të modifikuar sjelljen e vet apo sjelljen e të tjerëve ndaj tyre. Pavarësisht termave të ‘sovranitetit’, kjo nuk e shmang varësinë ekonomike, qoftë edhe brenda rajonit. Edhe për një të ardhme jo të afërt pozicioni në renditje vështirë se do të kapërcejë dukshëm renditjen e paraqitur në CIA fact book 2016. Ndërkohë do të gjendej optimizëm nëse do t’i referoheshim ndonjë ‘grandi strategjie’ që do të shprehte një synim që mund të realizohej mbas disa viteve. Pra, në termat e kapaciteteve tashmë ne nuk arrijmë të ngrihemi në kategorinë e fuqisë dhe mbetemi thjesht një vend i vogël.

Fuqia ushtarake është një nga format më të rëndësishme të fuqisë kombëtare dhe për një kohë të gjatë ajo në mënyrë gjuhën tradicionale unifikohej me termin e fuqisë kombëtare. Ajo (fuqia ushtarake) konsiderohet si absolutisht thelbësore për objektivat e sigurisë së kombit prej nga vetë siguria si elementi më jetik i interesit kombëtar. Në fakt, fuqia ushtarake është njëkohësisht shqetësimi kryesor i çdo kombi për sigurinë e tij. Mundësia e shkeljes së sigurisë së një kombi përmes kërcënimit (luftës) dhe shantazhit (agresionit) nga kombet e tjera konsiderohet gjithmonë si një mundësi e veçantë, por jo e lënë mënjanë apo e injoruar, ndaj çdo komb i jep përparësi sigurisë së tij. Për të ruajtur sigurinë nga rreziqet e mundshme, çdo vend krijon dhe konsolidon forcat e armatosura duke i vlerësuar ato si mjetin kryesor për sigurinë dhe integritetit territorial.

Kapacitetet e fuqisë ushtarake në vendet e rajonit. Bazuar në indeksin global të fuqisë 2016, Shqipëria renditet e 115-ta nga 125 vende të marra në shqyrtim. Është një pozicion jo i pëlqyeshëm edhe në shkallë rajonale. Duke përdorur të njëjtin burim referimi (CIA fact book 2016) , për indeksin global të fuqisë ushtarake, vendet e rajonit i gjejmë të renditura: Turqia e 8-ta, Italia e 10-ta; Greqia e 28-ta; Rumania e 43-ta ; Bullgaria e 67-ta; Kroacia e 68-ta; Serbia e 83-ta; Shqipëria e 115-ta; Sllovenia e 111-ta; Bosnja e 120-ta. Turqia dhe Italia renditen në 10 vendet e para dhe klasifikohen si fuqi rajonale edhe në aspektin ushtarak. Greqia ngrihet në kontekstin e një fuqie, por jo rajonale, ndërsa vendet e tjera janë në nivelin e fuqive ‘të vogla’ (Kroacia dhe Serbia). Vendet e tjera thjesht konsiderohen ‘vende të vogla’. Në këtë aspekt, pra në kontekstin e fuqisë ushtarake vendi ynë mbetet një ‘vend i vogël’ dhe larg kategorizimit si ‘fuqi e vogël’, krahasuar me fqinjët, që kanë pozicione më të preferuara në renditje.

Edhe trendi i rritjes së fuqisë ushtarake dominohet nga fqinjët. Sipas SIPRI me qendër në Stokholm shpenzimet ushtarake për 2016 për vendet e rajonit vijojnë: Italia, 27,3 miliardë dollarë; Turqia 14.9; Greqia 4 miliardë 973 milion; Serbia 710 ; Kroacia 695; Shqipëria 147 dhe Kosova 51 milionë dollarë. Pavarësisht nga të qenit në aleanca të fuqishme (NATO) apo në partneritete gjithashtu të fuqishme strategjike (Serbi-Rusi), kjo nuk i ka penguar aspak vendet e rajonit të hyjnë ‘në një garë të ethshme armatimesh’ në nivel rajonal duke e bërë rajonin edhe më të brishtë e më pak të sigurt. Referuar ‘dilemës së sigurisë’ vendet e rajonit edhe pse njohin balancën e fuqive të mëdha nuk ngurojnë aspak që të investohen në kapacitetet e brendshme të fuqisë. Në sloganin e mbrojtjes kombëtare, ato nuk ngurojnë të kërkojnë sisteme moderne të luftës dhe të porosisin armatim për të fituar supremaci brenda rajonit kryesisht me vendet fqinje. Greqia shpenzon mbi 5% të GDP për nevojat e mbrojtjes ndërsa vendet e tjera si Serbia, Turqia dhe Kroacia e kanë kaluar nivelin e 2%. Vendi ynë nuk ka arritur të kapë shifrën e 1% të GDP së përgjithshme, megjithëse krahasuar me vendet e mësipërme ka një GDP disa herë më të vogël. Në një krahasim të thjeshtë Greqia ka një buxhet të përvitshëm gati 30 herë më të lartë se Shqipëria , ndërsa Serbia 5-6 herë më të lartë. Vendet e Ballkanit janë në kërkim të pozicioneve më të larta në kapacitetet e fuqisë ushtarake. Të gjitha vendet janë anëtarë në aleanca apo në partneritete strategjike të fuqishme, por kjo nuk pengon trendet e tyre të rritjes së shpenzimeve ushtarake.

Studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se sigurimi i kapaciteteve të mjaftueshme të potencialeve ushtarake ndikon në sjelljen e shteteve, ndërsa mungesa e tyre ndikon direkt në kapacitetet e fuqisë kombëtare, për rrjedhojë edhe në peshën e një vendi në arenën ndërkombëtare. Për një vend të vogël përmasat e fuqisë lidhen në raportet me vendet fqinje apo ndoshta edhe pak më larg në rajon, por pa shkuar më tej. Është detyrim i elitave politike për të vlerësuar e ndikuar në kapacitetet e fuqisë kombëtare. Fakti që përmendet nga shumë ligjërues koncepti i ‘sovranitetit’ ndërkohë që sovraniteti konvencional (më së paku hapësira ajrore dhe detare) nuk arrijnë të sigurohen as me kapacitete minimale të fuqisë e kthen ligjërimin e liderëve në sjellje butaforie. Pa kapacitete fuqie (ekonomike, ushtarake, moralo-politike) një vend nuk mund të jetë tjetër veç një ‘sovran pa sovranitet’.

Dhe së treti, për ‘fuqinë moralo-politike’ që mund ta gjejmë edhe si ‘soft power’ , ‘fuqi psikologjike’, ‘morali kombëtar’ e forma të tjera, vlerësohet se është një tjetër shumë e rëndësishme e fuqisë kombëtare. Ajo nënkupton fuqinë e mendimit dhe imazhin e kombit, sjelljen e elitave e kulturën kombëtare. Ato edhe pse janë jo të matshme janë mjaft të ndjeshme. Ato janë forma që përdoren nga shtetet për të siguruar një ndryshim të dëshiruar në raport me sjelljen e shteteve të tjera. Me përdorimin e mjeteve diplomatike formale, informale, publike dhe kulturore, një shtet gjithmonë përpiqet të influencojë opinionin dhe lidershipin e shteteve të tjerë. Aftësia për të ndikuar te të tjerët përmes komunikimit përbën pjesën ‘soft’ të fuqisë kombëtare të një kombi. Josef Noer e përshkruan fuqinë e butë në librin e tij ‘Mjete për të arritur sukses në Politikën Botërore’ si mundësi që “…një vend mund të arrijë rezultatet që dëshiron në politikën botërore, sepse vendet e tjera admirojnë vlerat e tij, duke përdorur shembullin e tij, duke aspiruar nivelin e prosperitetit dhe të mirëqenies – dëshirojnë ta ndjekin atë”. Kjo fuqi e butë – i bën të tjerët që të ndikojnë pozitivisht në objektivat kombëtarë që ju dëshironi – t’i afrojë njerëzit dhe shtetet më shumë se sa t’i detyrojë ata.

Në vend të përfundimit. Për sa më sipër janë hedhur vetëm disa refleksione për fuqinë kombëtare, rolin dhe perspektivën e saj. Qëllimi gjithmonë është e mbetet për të theksuar se fuqia kombëtare është në thelb të interesave dhe vitalitetit të kombit për tani dhe të ardhmen. Nuk merret përsipër për të shteruar konceptin, por për të sensibilizuar reflekse objektive lidhur me mundësitë dhe nevojën për një analizë gjithëpërfshirëse. Ky mund të jetë një projekt madhor që është mbi të gjitha kombëtar, por që nxit kontribute të studiuesve, të eksperteve, të analistëve dhe të elitave drejtuese që mund të jenë të ndarë në taktika politike, por të përafërt në nivel operacional dhe në unitet dinamik në nivel strategjik.

Please follow and like us: