Albspirit

Media/News/Publishing

Arbën Xhaferi: Nacionalizmi cinik

 

Cinizmi është vetëdije e rrejshme e arsimuar, thotë filozofi gjerman me prejardhje holandeze, Peter Sloterdijk. Përkufizimi i tij, aq i thjeshtë dhe aq i thellë i cinizmit m’u kujtua tani kur konfrontimet greko-maqedonase rreth emrit të shtetit, më saktë të identitetit etnik të maqedonasve të sotëm, kanë arritur në pikën e vlimit dhe të absurdit “të arsimuar”. Sa më banale bëhen përpjekjet për imponim të një pretendimi, nga të dyja anët, aq më cinike bëhen motivet dhe arsyetimet e një pretendimi të tillë.

Fillet e këtij cinizmi te pala maqedonase, duhet kërkuar në sferën e politikës dhe të psikologjisë, dikur dhe veçmas sot kur ky kontest ka marrë trajta paroksiste.

Të gjithë e dinë se ky problem u nxit në Kongresin e Berlinit (13 Qershor 1878) kur u abrogua Traktati i Shën Stefanit (3 Mars 1878). Shpesh herë zgjidhjet e padrejta të kontesteve të ndryshme hapin shtegun për konflikte të reja. Sipas këtij traktati Maqedonia dhe pjesët e Turqisë evropiane iu ndanë Bullgarisë, aleatit kryesor të ekspansionizmit carist rus. Shtetet evropiane të brengosura nga shtrirja ruse në zona strategjike të Ballkanit, e organizuan Kongresin e Berlinit dhe këto toka të pushtuara nga armata ruso-bullgare iu kthyen Turqisë, ndërkaq Bosnja dhe Hercegovina u bë protektorat i Austro-Hungarisë.

Në Maqedoninë e asaj kohe zhvillohej antagonizmi serbo-bullgar dhe grek lidhur me përkatësinë e këtyre territoreve, përkatësisht të popullatës sllavisht-folëse. Bullgarët i trajtonin ata si bullgarë ndërkaq serbët si serbë. Ndërkaq grekët aty-këtu bënin përpjekje t’i asimilonin dhe arrinin sukses kryesisht te popullata vllahe.

Me mohimin e drejtës së bullgarëve që të shtrihen në pjesët më strategjike të Ballkanit nuk u ndalën pretendimet e tyre për përvetësim të këtyre territoreve, por ndikuan që ajo ta ndryshojë strategjinë. Këto përplasje do të nxisin luftërat Ballkanike ku kundër Bullgarisë do të bashkohen serbët, grekët, rumunët madje edhe turqit.

Strategjia bullgare pas Kongresit të Berlinit për përvetësim të territoreve të Maqedonisë zhvillohej mbi idenë e formimit të një Maqedonie në trajtën e Zvicrës ku në barazi të plotë do të bashkëjetonin bullgarët, shqiptarët, vllehët, turqit dhe të tjerët. Mekanizmi që do ta realizonte këtë ide u bë VMRO-ja (Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase). Ideja parësore apo doktrina nacionale e kësaj organizate ishte me origjinë bullgare. Ajo kishte dy lloj strukturash: degët e brendshme dhe degët e jashtme.

Degët e brendshme vepronin në tokat e sunduara nga Turqia, ndërkaq ato të jashtmet vepronin kryesisht në Bullgari.

Degët e jashtme që gëzonin siguri dhe liri veprimi ishin më revolucionare se ato të brendshmet që shpesh herë ishin objekt i represionit osman. Kryengritja e Ilindenit (2 Gusht 1903) u nxit nga degët e jashtme, ndërkohë që degët e brendshme hezitonin. Kjo kryengritje arriti që të formojë Republikën e Krushevës që u shua pas 15 ditësh me ndërhyrjen energjike të ushtrisë osmane. Çuditërisht ushtria osmane i sulmoi kryesisht lagjet vllahe dhe ato sllave thuajse nuk i preku fare. Disa analistë thonë se ideja e krijimit të Maqedonisë ka qenë vllahe, ngaqë vetëm kjo popullatë proto-ballkanike nuk arriti ta krijojë shtetin e vetë. Në Maqedoninë e Pirinit që sot gjendet në Bullgari sipas burimeve bullgare me nocionin “gjuhë maqedonase” është nënkuptuar gjuha vllahe.

Sipas këtyre interpretimeve befasuese, në Maqedoninë e sotme mbiemrat me prapashtesën “ski” u takuakan elementit vllah. Ky pohim ndërlidhet me trajtat e mbiemrave rumune, bie fjala Petresku, Iliesku, Çaushevsku, Ionesku etj.

Përplasjet ndërmjet degëve të jashtme me ato të brendshme të VMRO-së kishin vetëm një dallim: degët e jashtme kërkonin bashkimin e Maqedonisë me Bullgarinë, ndërkaq degët e brendshme pas tragjedisë, përvojës së hidhur nga Republika e Krushevës u përcaktuan për pavarësinë e Maqedonisë. Në esencë në mes tyre nuk kishte dallim për përkatësinë etnike të banorëve të territorit që e mbante emrin Maqedoni. Sipas tyre ata ishin bullgarë.

Situata u komplikua kur pas luftërave ballkanike dhe Luftës së parë Botërore, Maqedonia e sotme u pushtua nga Serbia të cilët filluan t’i trajtojnë banorët sllavisht-folës të këtij territori si serbë.

Rivaliteti serbo-bullgar për përvetësim të këtij elementi, ishte i ashpër në të gjitha periudhat e formimit të këtyre shteteve.

Grekët u implikuan në këtë kontest për shkak të ambicieve ruso-bullgare të fundshekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX që të kenë dalje në Detin Egje (që ata e quanin Bello More – Deti i Bardhë, si antipod i Detit të Zi), në zonën e Kavallës që i takon territorit të Maqedonisë antike. Nga këto përvoja të hidhura, ambicieve sllave që të kenë dalje në Selanik apo Kavallë, grekët filluan ta perceptojnë me dyshim formimin e Maqedonisë së sotme si pretendim për zgjerim në tërë territorin e Maqedonisë antike, prandaj ata sot kërkojnë të bëhet një dallim i qartë në mes të Maqedonisë antike dhe asaj të sotme.

Komunistët jugosllav menduan se arritën të gjejnë zgjidhje përfundimtare për këtë çështje duke krijuar një komb të ri me emrin maqedonas dhe duke krijuar një Republikë të veçantë me emrin e Maqedonisë që pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, sipas vendimit të Komisionit të Badinterit u bë shtet i pavarur. Në vijë të këtij projekti, të krijimit të një populli dhe të një shteti të veçantë me emrin maqedonas dhe Maqedoni u kodifikua gjuha e veçantë maqedonase nga një dialekt i sllavishtes dhe u zgjodh alfabeti i veçantë cirilik që do të krijonte një distancë të padiskutueshme nga bullgarishtja. Por, disa zgjidhje, si pasojë e ndërhyrjes së politikës, janë të çuditshme. Bie fjala, alfabeti maqedonas e ka shkronjën “nj“, ndërkaq në fjalor nuk figuron kjo shkronjë, ngaqë asnjë fjalë nuk fillon me këtë shkronjë. Shpjegimi duhet kërkuar prapë në sferën e politikës: prapashtesat e fjalëve të gjuhës maqedonase duhet t’u gjasojnë atyre të serbishtes që përfundojnë me “nj” dhe të dallojnë nga ato të bullgarishtes që përfundojnë me “ie”. Ndërkaq, edhe pse kanë fjalë që fillojnë me shkronjën “ë” (‘rci), ajo nuk figuron në alfabet, ashtu si në atë të bullgarishtes. Autori i këtij projekti ishte shkrimtari i njohur maqedonas, Bllazhe Konevski.

Nga aspekti politik ky projekt nuk do të ishte kontestues sikur të mos ndërthurej me pretendime psikologjike të grandomanisë. Si çdo njeri që synon të ketë një të kaluar të fisme, ashtu edhe çdo popull kërkon të ketë një të kaluar të lavdishme. Pas krijimit të Maqedonisë, përkatësisht të kombit maqedonas u hap shtegu për rikrijim të historisë, kështu që ideologët e kësaj zgjidhjeje filluan të përvetësojnë çdo personalitet dhe çdo ngjarje që u zhvillua në të kaluarën në këtë territor ku është krijuar shteti i sotëm maqedonas të trajtojnë si histori maqedonase. Sipas këtij botëkuptimi, tashmë të ideologjizuar, bie fjala Aleksandri i Madh, Konstantini i Madh, Cirili dhe Metodi, Samoili, Nëna Terezë janë maqedonas. Ky dimension psikologjik, uria për një prejardhje të famshme, fisnike, për një rol të jashtëzakonshëm historik dhe kulturor përhapet me një vetëdije cinike, duke kërkuar argumente të çfarëdo lloji që të trashëgohet çdo gjë. Këtë vetëdije, në mënyrë më cinike e përkufizoi ish-ministri, profesori i Fakultetit Juridik, L.Fërçkovski duke thënë se maqedonizmi është një licencë e fuqishme historike Në kuadër të këtij rrëfimi, në variantin më serioz, maqedonasit e sotëm janë pasardhës gjenetik të maqedonasve antik dhe njëkohësisht djepi i krishterimit dhe gjuhës sllave, ndërkaq sipas varianteve jo serioze, befasisht naive, maqedonasit dhe gjuha maqedonase paskan një vazhdimësi prej kohërave para historike e deri në ditët e sotme. Ideologjizimi i një pretendimi gjithmonë e dhunon realitetin, ngaqë e ndjek logjikën e brendshme dhe jo të vërtetën. Prandaj, nëse Aleksandri i Madh paska qenka maqedonas (në kuptimin e sotëm të fjalës), Ptollomeu, gjenerali i tij që mori trashëgiminë mbi Egjiptin po ashtu, atëherë, sipas kësaj metode të interpretimit të historisë nxirret përfundimi se edhe mbesa e tij, Kleopatra, qenka maqedonase. Këto shembuj nuk janë ironizime dashakeqe, por pohime të botuara, të shkruara në tekstet e autorëve të ndryshëm. Në kuadër të kësaj manie për famë, sivjet në nivelin më të lartë shtetëror u pranua një delegacion i një fisi nga Himallajet, Hundësve që pretendohet se janë pasardhës të ushtarëve të Aleksandrit të Madh. Princin dhe princeshën, “dëshmitë e gjalla” për këto pretendime jo serioze i pranoi vetë kryeministri Gruevski, arki-episkopi i Ohrit, Stefani, kryetari i Shkupit, Kostovski, akademikët, gjuhëtarët etj.

Në këtë proces të përvetësimit sistematik të së kaluarës së popujve të tjerë bëhen qëllimisht apo nga mosnjohja disa gabime elementare metodologjike:

– projektimi i koncepteve të sotme në të kaluarën;

– mos dallimi në mes të historisë së një territori dhe një populli;

– trajtimi i shtetit dhe kombit si kategori jashtë kohore, metafizike, që gjithmonë kanë ekzistuar si në formë ashtu edhe përmbajtje;

– reinterpretimi i fakteve historike etj.

Nëse një veprimtar i periudhës kur filloi të brumoset çështja maqedonase, ka deklaruar se është bullgar, sot thuhet se ai s’ ka qenë i vetëdijshëm se ka qenë maqedonas, ose kur dikush tjetër që herë thotë se është bullgar, herë se është maqedonas thuhet se ka qenë në buzë të asimilimit. Për ta qartësuar këtë dilemë duhet të marrim një shembull nga realiteti shqiptar ku këto punë janë të qarta. Me siguri shumë veprimtarë politikë kosovarë, duke filluar prej Isë Boletinit e deri te Adem Jashari, me mija herë kanë pohuar se janë kosovarë, duke mos vënë asnjëherë në dyshim përkatësinë e tyre shqiptare.

Kontesti aktual greko-maqedonas lidhur me emrin ka marrë një kahe të gabuar. Shtrohet si dilemë e të drejtës së individit apo të popullit për vetë përcaktim, për vetë identifikim. Qasja e vërtetë, ku edhe mund të gjendet zgjidhja është analiza shkencore e etnogjenezës së popullit maqedonas. Kjo qasje në asnjë mënyrë nuk nënkupton se duhet të mohohet drejta e një populli, rrjedhimisht edhe i popullit maqedonas për vetë përcaktim, por të kundërtën, vënien e këtij pretendimi mbi baza të shëndosha. Siç dihet popujt formohen dhe zhduken gjatë historisë dhe fare nuk është me rëndësi kur është formuar vetëdija e veçantë e një populli, por çfarë vlerash do të prodhojë ai në të ardhmen.

Helenët e vjetër kishin një fjalë të urtë: Të kaluarën mund ta ndryshojnë vetëm hyjnitë, ndërkaq njeriu mund ta ndryshojë të ardhmen. Siç shihet nga intensifikimi i kontestit greko- maqedonas lidhur me emrin, në Maqedoni s’ ka njeri që e kupton urtësinë e këtij mesazhi. Problemi nuk ka të bëjë me polemikat akademike, por me interesat vitale të qytetarëve të Maqedonisë, veçmas të shqiptarëve që nuk dëshirojnë më të jenë peng e pretendimeve jo reale, të një grandomanie që me vetëdije cinike projektohet.

Këto probleme kohët e fundit janë bërë më të mprehta dhe njëherësh më të rrezikshme, për shkak të botëkuptimeve dhe ambicieve të kryeministrit riosh, Gruevski. Ai pandeh se me qëndrime sa më rigide do të arrijë ta lodhë dhe gjunjëzojë Greqinë, ta ndryshojë të kaluarën sikur të ishte zot, ta anulojë Marrëveshjen e Ohrit, t’i restaurojë marrëdhëniet ndëretnike para kësaj marrëveshjeje, të sigurojë një zhvillim ekonomik, të krijojë një opozitë luajale, ngjashëm si përpjekjet e idhullit të tij, Putinit. Në Bukuresht, kur vendosej anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, ai udhëtoi për të refuzuar këtë ofertë, ngaqë nuk dëshiron të hyjë në histori si vrasës i iluzioneve aq të këndshme që gudulisin krenarinë, sedrën kombëtare. Ministri i tij për punë të jashtme, Milloshovski këto ditë deklaroi se nuk beson se ky kontest mund të zgjidhet në këtë mandat. Pra, ata refuzojnë me arrogancë anëtarësimin në NATO dhe përshpejtimin e procesit për të hyrë në UE, vetëm e vetëm për ta imponuar interpretimin e tyre për të kaluarën. Është e qartë se në Maqedoni aq shumë është zhvilluar dhe thelluar ky koncept i identitetit simbiotik maqedonas, si trashëgues të Maqedonisë antike dhe të qenit djep i krishterimit dhe arsimit sllav, saqë ai nuk mund t’ i lejojë vetes që të bëhet shkaktar që mija libra, analiza, hulumtime, manifestime, krijime artistike të hidhen si mbeturina të pa vlera. Ai do të shkojë deri në fund me këto qëndrime, madje do ta radikalizojë situatën. Filloi me pagëzimin e aeroportit me emrin “Aleksandar Veliki” (kurrë nuk kuptova pse përdoret mbiemri në trajtën serbe, “veliki” dhe jo në atë maqedonase “golemi”), vazhdoi me vendosjen e skulpturave antike para ndërtesës së qeverisë, sipas sugjerimeve të arkeologut të tij personal që s’ pushon së gërryeri tokën për ta gjetur dëshminë për pretendimet maqedonase dhe pale ku do të përfundojë. Por, diçka është e sigurt: ai tashmë perceptohet si hero, si sfidues, si theomah dhe jo si një riosh i frikësuar që s’ mund të mbajë barrën e përgjegjësisë politike

Në raport me shqiptarët kjo mendësi maqedonase, ky nacionalizëm cinik, peng i të cilit është bërë edhe kryeministri Gruevski, inicion një varg problemesh:

nxit angazhimet për përvetësim të trashëgimisë kulturore shqiptare, Skënderbeut, Nënës Tereze e cila trajtohet si bijë e Maqedonisë, apo si shkupjane (këto ditë u realizua ideja që paraprakisht u pat penguar e dorëzimit të skulpturës 3 m të Nënës Tereze, Papës Benediktit të XVI që pritet të ekspozohet në Vatikan);

-modifikon marrëveshjen e Ohrit;

– paralajmëron se nuk do ta respektojë ligjin për amnisti;

– krijon probleme me Shqipërinë dhe Kosovën me vendosjen e vizave, apo taksave për sigurim social;

– pengon procesin e integrimeve në strukturat e NATO-S dhe UE-së;

– ndërhyn në organizimin politik të shqiptarëve, duke shkaktuar përçarje…

Ndërhyrja e fundit në PDSH paralajmëron se ngjashëm do të veprojë edhe me BDI-në, duke i shndërruar deputetët në material shpenzues. Ai do të vazhdojë me përpjekjet që përmes shantazheve të krijojë një opozitë luajale, por diçka thelbësore nuk kupton: ai mund t’i detyrojë disa deputetë shqiptarë t’ia mbajnë anën, por kurrsesi nuk mund ta blejë luajalitetin e popullit shqiptar për projektin e tij. Humbje kohe!

06.09.2008

Please follow and like us: