Albspirit

Media/News/Publishing

Mirash Gjelaj, një histori e veçantë suksesi në Amerikë

0

Mirash Gjelaj është krenar me punën që bën si menaxher i një prej ndërtesave më të njohura në Manhattan. “The Apthorp” quhet ndërtesa që ai menaxhon, ndërtuar gjatë viteve 1906 dhe 1908 nga William Waldor Astor, sipas projektit të arkitektëve të njohur, Clinton dhe Russell me arkitekturë të Renesancës italiane. Edhe materiali ndërtimor dhe mjeshtrit u sollën nga Italia dhe shtete të tjera të Evropës. Ndërtesa me 162 banesa të mëdha ka katër hyrje (secila hyrje është e lidhur me oborrin – kopshtin e bukur dhe fontanat në mes të ndërtesës), 10 ashensorë dhe është e vendosur në hapësirën ndërmjet Avenyve Broadway e West End dhe rrugëve 78 dhe 79.

Sipas “NewYork.com”, “The Apthorp”është një nga pesë ndërtesat më të famshme të New Yor-ut.

Shumë shqiptarë sot menaxhojnë ndërtesat në Manhattan, por ndërtesa ku punon Mirashi është e jashtëzakonshme. Për të janë shkruar libra e artikuj, janë bërë filma, këtu kanë jetuar e jetojnë personalitete të famshme të artit, biznesit, filmit e gazetarisë. Po përmendim vetëm disa prej tyre: Nora Ephron, gazetare, noveliste, producente (për jetën e saj u bë një film në këtë ndërtesë) komediani, aktori dhe shkrimtari Louis C.K., aktori Al Pacino, këngëtarja Cyndi Lauper, aktorja Rosie O’Donnell, gazetari Steve Kroft nga “60 minutes”, e shumë figura të tjera të njohura që banojnë sot në këtë ndërtesë, e që për shkak të privatësisë nuk mund t’u përmenden emrat.

Vetë Mirashi u ka treguar banesat blerësve të interesuar, peronaliteteve të njohura amerikane si: Natalie Portman, Meg Ryan, Penelope Cruz, Oprah Winfrey, Meg Ryan, Alec Baldwin, Bruce Willis etj.

Mirash Gjelaj u lind në Pejë. Babai i tij, Nol Pjetër Gjelaj ishte nga Thethi i Veriut të Shqipërisë, ndërsa nëna Prena nga Trieshi i Malësisë.

Nol Pjetër Gjelaj, bashkëluftëtar i Prek Calit, la Thethin në vitin 1945 dhe shkoi të jetonte në Guci, ku për shumë vite ndërtoi rreth 50 shtëpi. Në vitin 1956, meqenëse, siç thotë Mirashi, “atje ra puna” dikush i tha: -Shko në Kosovë se atje ka punë mjaft. Nol Pjetër Gjelaj dëgjoi këshillën dhe po atë vit u vendos në Pejë. Vazhdoi punën e muratorit për disa vite dhe pasi ndërtoi disa shtëpi dhe një shkollë, në vitin 1968 shkoi me familje në Itali dhe pas një viti erdhi në New York me bashkëshorten dhe 11 fëmijë. Tri vite më vonë ai pasi punoi rëndë dhe kurseu para, bleu ndërtesën e parë në Bronx dhe me kalimin e kohës edhe ndërtesa të tjera. Kur ai ndërroi jetë në vitin 1986 (14 vjet pasi bashkëshortja Prena ndërroi jetë) familjen e la në gjendje të mirë materiale.

“Për të gjitha sukseset në jetë u jam mirënjohes prindërve që më rritën dhe edukuan në frymën kombëtare e fetare dhe njëkohësisht më dhanë edukatën e punës. Qëkur isha 10 vjeç unë shkoja në punë ta ndihmoja babain”, thotë Mirashi në banesën e tij të rregulluar bukur në “The Apthorp”, në shoqërinë e bashkëshortes Fanda dhe djalit Joseph.

“Suksesi nuk është sa para ke e sa fiton. Suksesi është të kesh shëndet, dashuri e lumturi familjare”, thote Gjelaj.

Të gjithë anëtarët e familjes Gjelaj kanë punë të rëndësishme në kompani të njohura.

Fanda punon drejtoreshë e bankës “Emigrant Bank” ndërsa Joseph në kompaninë “Wharton Properties” ku përfaqëson pronarin në biznes, ndërsa vajza Jeniffer punon në “SYPartners”.

Mirashi dhe familja e tij njihen për bamirësi. Fanda është e njohur si humaniste në organizatën “Angels in Africa” që ka ndihmuar e ndihmon njerëzit e varfër të Afrikës. Ajo është nënkryetare e organizatës dhe një pjesë të kohës ia dedikon ndihmave që mbledh ajo për nevojtarët në Afrikë.

Bashkë me familjen dhe shaljanët me banim në New York, Mirashi dhe familja dhanë rreth 200 mijë dollarë për ndërtimin e Kishës së Thethit. Vëllau Nushi udhëhoqi ndërtimet e saj.

Mirashi vizitoi fshatin Theth në vitin 2004 dhe pasi pa gjendjen e mjerueshme të kishës i hyri aksionit për mbledhjen e ndihmave për ndërtimin e saj.

(Thethi është një fshat në komunën Shalë në rrethin e Shkodrës.

Fshati ndodhet në veri të luginës së Shalës, në mes të Alpeve me një bukuri të rrallë, në Veri të Shqipërisë, 70 kilometra nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre malet: Radohima, Sheniku e Papluku. Me lartësi mbi 2500 metra mbi nivelin e detit, shtrihet lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre Alpeve).

Sipas “Thethi – guide .com” në vitin 1917 në Kishë të Thethit u hap shkolla e parë shqipe nga At’ Shtjefën Gjeçovi.

Një kishë e veçantë dhe e bukur është ndërtuar në vitin 1892 në po atë vend dhe po ato themele që është edhe sot e kësaj dite. Në periudhën e ndërtimit ngjitur me murin lindor të saj, ka qenë edhe shtëpia ku banonte famullitari i kishës. Duke qenë se banorët e Thethit që nga krijimi i tij kanë qenë katolikë, një nga ndërtimet e para ka qenë kisha. Një nga famullitarët më legjendarë jo vetëm për Thethin dhe kishën Katolike, por për të gjithë kulturën shqiptare ka qenë At’ Shtjefën Gjeçovi. Gjeçovi në vitin 1917 hapi shkollën dhe u mësoi fëmijëve shkrimin dhe k’nim (leximin) e “Gjuhës Shqipe”. Këtë traditë ndoqën edhe priftërinjtë e tjerë të kësaj kishe. Si periudhë hapjeje e kësaj shkolle, nga shteti në fuqi i asaj periudhe, njihet hapja që i është bërë nga At’ Marjan Prela në vitin 1921. Ministri i arsimit të asaj kohe, Ahmet Zogu, nëpërmjet një urdhëri të brendshëm ka levruar një fond prej 100 frangash ari për arsimimin e fëmijëve të Thethit.

Për ndërtimin e Kishës “Zoja e Shkodrës” në New York Mirashi bashkë me familjen dha 120 mijë dollarë. Ka ndihmuar edhe njerëzit nevojtarë në vendlindje, ndërtim rrugësh etj.

Cka thonë te tjerët për Mirashin dhe familjen e tij?

Aktivisti i njohur në komunitet, Lekë Gojçaj thotë se e njeh Mirashin qëkur ka qenë dhjet vjeç dhe për të e familjen ka respektin më të madh.

“Po të mos ishte babai i tij Noli dhe vëllau Kola para më shumë se 30 vjetësh, nuk do të kisha mund të bleja shtëpinë ku kam jetuar për shumë vjet në Mt. Kisco. Kola erdhi një ditë në vizitë tek unë e më tha se po më dukesh nuk je fort në disponim. A ke ndonjë hall? I thashë dua të blej shtëpinë e po më mungojnë një shumë parash. I tregova se sa para më duheshin dhe ai më tha se i kam të gjitha ato që ke nevojë por më duhet të shkoj e ta pyes babain. Shkuam te Noli dhe ai m’i dha paratë pa interes e pa kontratë. I jam mirënjohë gjatë tërë jetës kësaj familjare bujare”, thotë Leka.

Mirash Gjelajt në kryerjen e punës i ndihmojnë 40 punëtorë dhe dy ndihmëse.

Cilat janë kushtet që personi të kryejë punën si duhet në një ndërtesë siç është “The Apthorp”?

“Të plotësosh gjithë kërkesat e banorëve, të jesh i fokusuar çdo ditë në punë, të menaxhosh mirë ekipin, të jesh në gjendje për zgjidhjen e çdo problemi që mund të paraqitet, këto janë disa nga kushtet për ta kryer punën si duhet”, thotë Mirash Gjelaj, i cili është edhe nënpresident i kompanisë së energjisë “Marathon Energy”, e cila merret me shërbimin e vajit, riparim boilerësh, eletrik etj.

“Kjo kompani mund t’ju ndihmojë shumë shqiptarëve që kanë pasuri të patundshme. Kemi çmime jashtëzakonisht të mira për bashkatdhetarët tanë”, thotë Gjelaj, i cili është i dashuruar pas librave e fotografive të vjetra.

(Illyria)

Please follow and like us: