Albspirit

Media/News/Publishing

Rrëfimi i Ilirian Zhupës

 Image result for ilirjan zhupa

Nëse ka një histori të bukur në realitetin e asaj kohe, parë në një këndvështrim, është ajo që ka ndodhur me letërsinë. Nga malet zbritën një tufë gjysmanalfabetësh, të cilëve u ra në dorë edhe letërsia, edhe gazetat, edhe shtëpitë botuese. Sigurisht ata nuk lanë ndonjë pasuri të madhe po të kemi parasysh veprat, por ata ama mbështetën fuqimisht brezin e dytë që ishte brezi i Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, i Fatos Arapit, Dhimitër Xhuvanit…

Arta MARKU

“Poeti duhet të bëjë atë që nuk e bën dot njeriu vetë. Dhe ta bëjë brenda njeriut. Ta bëjë në zemrën e tij, ta bëjë në ndërgjegjen e tij, ta bëjë në ndjesinë e tij. Dhe prandaj duhet t’i rrëfehet lexuesit. Nuk i tregon atij një histori që e ka shpikur nga mendja”. Ilirian Zhupa, një personazh i njohur në letrat shqipe, shprehet kështu në një bisedë mbi poezinë, besimin apo miqtë e dikurshëm…

“Kam ecur mes dimrit që merr dhe jep frymë,
Jam pjekur në saçin e diellit të verës
Mbuluar me pluhur, me vesë, me brymë.
Kam heshtur si gurët,
Kam klithur si shpendët.

Jam rritur si pema me rrënjët shumë thellë,
Jam djegur rrufesh, jam mbytur nga shiu…
Por krahët dhe rrënjët gjithmonë mi ka prerë
Një dorë njeriu

…një ndër poezitë kjo, e librit “Të gjallë dhe të vdekur” libër të cilin, teksa e lexoja më ngjallte dy ndjesi që alternoheshin. E para ishte nostalgjia, sa herë hasesha me ndonjë poezi që i përkiste fundit të viteve ‘80 ose fillimit të viteve ‘90. Ndjesia tjetër kishte të bënte me provokimin e pyetjeve, pra mendimit. Dhe sigurisht që kjo është një vlerë pasi një poezi përveçse është ndjenjë ose ndjesi është padyshim mendim… Gjithsesi, pyetja e parë, ende pa hyrë brenda librit është: Pse një heshtje kaq e gjatë? Me librin “Të gjallë dhe të vdekur” takoheni me lexuesit pas një shkëputjeje çerek shekullore…

Është një pyetje shumë e vështirë kjo që po më bëni. Sepse heshtja nuk vjen për shkakun tim. Heshtja vjen për shkakun e asaj bime që kam dashur të prodhoj, e cila ka dashur kohën e vet që të rritet. Fillimisht unë kam botuar një cikël me rreth 20 poezi te gazeta “Drita” në vitin 1992. Asokohe libri ishte gati të botohej. Pastaj, jeta, lëvizjet, gjërat e ndryshme që ndodhën bënë që ai libër të rrinte pak kohë… e ajo kohë u bë shumë kohë…

Ku qëndron dallimi mes librit të projektuar në ’92 dhe këtij të sotmit?

Ato poezi që janë botuar në gazetën “Drita” janë të gjitha te ky libër. Por pjesa e librit që nuk është botuar në ‘92 sigurisht që ka pësuar një metamorfozë të madhe ose nuk është më tek ky libër duke mbetur thjesht pjesë e dhomës së nxehjes. Pra, është si pjesë e nxehjes që autori bën para se të dalë në fushën e lojës…

E keni shoqëruar këtë libër me një parafjalë. Në fakt duhej. Pikërisht për shkak të shkëputjes së gjatë, kishte nevojë lexuesi për disa shpjegime. Në këtë parafjalë ju thoni që libri është dhe s’është i njëjti duke e argumentuar me ndryshimet e lexuesit, të kohës por edhe të autorit. Te kjo e fundit dua të qëndrojmë: Ku qëndron thelbi i ndryshimit të autorit?

Autori ka ndryshuar siç ndryshon një gjë që është në lëvizje, që është në rritje. Siç ndryshon dushku që bëhet lis, gjë që kërkon kohën e vet. Është një ndryshim të cilin më shumë sesa vetëdija njerëzore e ka përcaktuar vetëdija artistike. Një gjë që mund të kompletohet, apo të ndërtohet në mënyrë të studiuar mirë, në një kohë të caktuar nuk është e lehtë ta bësh më shpejt. Ka njerëz që mbjellin pemën e ullirit ose lisin. Por ka njerëz që mbjellin shelgun, për zbukurim për shembull. Shelgu rritet shpejt por jo ulliri. Ose ka të tjerë që për nevojat e tyre, mbjellin misrin, misri rritet për tre muaj. Mesa duket, çdo gjë në botë do kohën e vet për t’u rritur.

Gjatë kësaj kohe që nuk keni pasur kontakte me lexuesin, a keni vijuar të jeni poet? A keni pasur të njëjtën marrëdhënie me poezinë apo ajo ka qenë në periferi të vëmendjes suaj?

Unë shpresoj që vetë libri të provojë që poezia nuk ka qenë asnjë ditë në periferi për mua. Pavarësisht nga koha, pavarësisht nga detyrimet që kam pasur, pavarësisht nga lufta për mbiekzistencë që kam qenë i detyruar të bëj. Për 99% të shqiptarëve ka qenë kështu gjatë këtyre 25 vjetëve. Luftë, qoftë për ekzistencë fizike, qoftë intelektuale apo pavarësi mendore. Pra është një luftë që e kanë bërë të gjithë, e sigurisht edhe unë bashkë më të tjerët. E megjithatë tani ishte momenti për t’i botuar poezitë në libër, veçse për shkak të sa më sipër, edhe për shkak të ajrit që ka filluar të lëvizë. Sepse është një ajër pak më i fisëm. Kanë filluar njerëzit të interesohen edhe për estetikën, edhe për fjalën, edhe për ngjyrën. Kanë filluar të shkëputen nga tallavatë letrare të cilat e pushtuan tregun shqiptar në mënyrë barbare. Pra ka filluar të bjerë mjegulla. Ajo mjegull të cilën në pjesën më të madhe e ngritëm vetë ne, të gjithë ne, pa përjashtim, duke e menduar demokracinë që po vinte në një formë jo reale, në një formë futuriste.

Edhe pak të parafjala e librit. Më ka tërhequr vëmendjen një shprehje. Ju shkruani: “Libri e ka kaluar provën e heshtjes. Ndërkohë që një brez shqipfolësish është rritur duke mos ditur gjë për të e ndoshta edhe për autorin”. Kjo më bëri të mendoj për marrëdhënien mes poetit dhe lexuesit, për rëndësinë ose jo që ka lexuesi për autorin. Më erdhi në mendje Kafka i cili, para se të vdiste ia dha veprën e vet Maks Brodit me porosinë për t’ia djegur, duke lënë të kuptohet se nuk i interesonte që vepra e tij të lexohej. Ama, me gjasë, po të kish qenë kështu ai vetë do ta kishte djegur veprën e vet. Por kjo e fundit është hipotezë e ndoshta të gjithë autorët kanë një këndvështrim të ndryshëm lidhur me lexuesin. Cili është këndvështrimi juaj? Sa ju intereson lexuesi? Si është lexuesi që keni në mendje? Për cilët lexues shkruani?

Unë nuk i besoj historisë së Maks Brodit. Këto më duken trillime letrare që zakonisht bëhen për subjektet mbasi ata nuk janë më. Bëhen me qëllime tregu apo me qëllime heroizmi nga ata që hiqen si mbrojtës veprash. Unë mendoj se një njeri që e shkruan veprën, e shkruan për lexuesin e vet. Edhe sikur të jetë në mes të pyllit e të mos ketë frymë njeriu kurrkund. Ai e shkruan për njeriun e parë në horizont. Sa më mirë ta shkruajë, sa më i sinqertë të jetë, sa më i plotë, sa më pa hile e marifete… aq më të lehtë do ta ketë që ta gjejë lexuesin e vet, pavarësisht nëse ai lexues mund të shfaqet pas 24 orësh, mund të shfaqet pas 24 vjetësh apo edhe me shumë. Koha, mendoj, për një autor, është jo shumë e rëndësishme. Autori nuk është njeriu i publikut, nuk është si aktori. Aktori ka nevojë për publikun, ka shumë nevojë për të, për duartrokitjet për përkëdheljet, lëvdatat…

Sepse është kontakt i drejtpërdrejtë…

Pikërisht. Aktori lind dhe vdes në moment. Roli i tij aty, në skenë. Në momentin që një aktor e ka luajtur rolin, në atë moment ai rol ka vdekur. Aktorit i duhet patjetër që ta shohin në atë moment, ta prekin në atë moment, ta ndjejnë në atë moment, të reagojnë në atë moment. Ndërsa, mendoj që puna e letërsisë është një gjë që mund të bëhet edhe pa e pasur të pranishëm publikun. Në parafjalën e librit tim përmend një fjalë: sepete. Kemi pasur të gjithë nëpër shtëpi sepete. Kanë pasur gjyshet tona, nënat tona derisa dolën këto gjërat pak më moderne dhe i flakëm. Në sepete ruhen gjërat e çmuara…
Ka edhe diçka që i përfshin lexuesit në librin tim. Diçka në strukturën e librit, në mënyrën se si është organizuar. I organizuar në tre njësi, libri ka pjesë organike “Nën lëkurë”, “Mbi lëkurë” dhe “Qielli im”. Mes tyre është futur cikli “Urat” që janë poezi të nxjerra nga 4 librat e botuar para viteve ’90. Ato poezi janë botuar në respekt të atij lexuesi që i ka lexuar ato, që i ka përjetuar, i ka dashur. Por janë futur edhe për lexuesin e ri, atë të pas viteve ‘90.

Në përgjithësi poezia juaj, nëse nuk do t’i referoheshim datave që poezitë mbajnë në fund, është një poezi e të gjitha kohëve. Është një poezi që ka në thelb qenien njerëzore të gjithëkohëshme. Megjithatë disa prej poezive, aty këtu, i përkasin pikërisht kohës sonë. Jemi sot dhe jemi këtu dhe kjo duket qartë. Do ta ilustroj me një poezi:

Çdo mbrëmje kthehem në shtëpi nga rruga,
Më këpucë të drunjta, me këmbë të drunjta.
Nga një punë ku gjithçka më është e rrëmujtë,
Me gishta të drunjtë, me krahë të drunjtë.
Ku ma mbyllin gojën dhe sytë e mjegulluar,
Me trup të drunjëzuar, me zë të drunjëzuar.
Ç’po bën ky vend, ç’hata ngjan këtu?…
…Me mendjen dru, me shpirtrat dru.

…Në fund të kësaj poezie, viti 2015, që siç edhe thashë, edhe po të mos ishte, nuk do të më pengonte që të qëndroja në kohën tonë nëpërmjet këtyre vargjeve. Çfarë mendoni për përmasën sociale të poetit, për angazhimin e tij social, për trajtimin e problemeve nëpërmjet poezisë, për thirrjen, klithmën e poetit?

Ju e keni kapur drejt dhe data nuk është rastësisht. Sigurisht në këtë libër ka pak poezi të reja por poezitë e reja që janë futur, ato 7-8 poezi që janë shkruar pas viti 2010 po them, janë futur me dy qëllime. Qëllimi i parë për të thënë që kjo gjë apelon për sot, apelon për tani. Është tani momenti që duhet ta dëgjojmë! Është tani momenti që duhet të na dhembë! Është tani momenti kur duhet të reagojmë! Qëllimi dytë është një qëllim strukturor. Sepse kjo poezi pajtohet me strukturën time të para njëzet e ca viteve të të gjallëve dhe të vdekurve. Ne jetojmë në një vend i cili e ka kaluar padyshim në mënyrën më interesante kapërcyellin e proceseve demokratike. Jemi një vend që flasim shumë, që kemi një slang shumë të zhvilluar: flasim tërë ditën në parlament, në tribunat politike, në tribunat diplomatike, siç flas unë ndonjë herë. Flasim me një slang mjaft evropian, mjaft bashkëkohor, mjaft të kultivuar ndërkohë shkatërrojmë lumenjtë tanë, shkatërrojmë pyjet, malet, fushat tona… I kemi derdhur shtëpitë nëpër fusha si togje plehrash. Ne, në esencë, shkatërrojmë gjuhën tonë që shpesh e kemi të padëgjueshme, të palexueshme… Në media, në gazeta ajo është me të vërtetë e drunjtë. Dhe ta mendosh, të gjitha po i shkatërrojmë për shkak të çastit, të mirëqenies sonë të tanishme. Dhe harrojmë që duke i shkatërruar ato kemi shkatërruar pikërisht veten tonë. Vërtet mund të shtojmë për veten tonë shumësinë e sendeve, të gjërave, të kemi më shumë produkte në tavolina, të kemi më shumë mundësi lëvizjeje, më shumë mundësi zdërhalljeje. Por, mundësitë në këtë botë janë të kufizuara dhe një njeri që shkatërron natyrën, që shkatërron gjuhën… ka shkatërruar veten. Nuk është një sulm që bëhet nga jashtë. Është një sulm që bëhet përbrenda. Kështu pra, me atë poezi kam dashur të them që edhe njeriun, këto njëzet vjet, e kemi trajtuar më keq se pyllin. Tashmë ai nuk është më një filiz që mund ta mbjellësh në tokë të shëndetshme e që mund të rritet por është një listelë. E kemi prerë në rrënjë dhe, një listelë nuk prodhon më asgjë. Sigurisht, mund të prodhojë një ornament ama nuk lind më gjë prej saj. Këtë kam dashur të them…

Duhet të vetëdijesohemi pra, e për këtë edhe poezia ndihmon. Por, le të vijojmë më tej. Titulli i librit “Të gjallë dhe të vdekur”, vë bashkë dy skajet. Por jo vetëm në titull vihet re kjo përballje apo pranëvënie e të kundërtave. Është karakteristikë e tërë këtij libri kjo, dy skaje të vëna bashkë në një varg: dashuria dhe urrejtja; revolta dhe bindja; ftesa dhe dëbimi; të mençurit dhe të marrët; zengjinët dhe skamësit; gjumi dhe zgjimi; mbarsja dhe dështimi… dhe do të vijoja gjatë… Pse kjo zgjedhje?
Ju thoni që i vë bashkë, por në fakt unë nuk i vë bashkë. Sepse ato janë bashkë. Ato janë dy anët e së njëjtës gjë…

Ama ju i ndriçoni njëkohshëm dhe me siguri kjo është e qëllimshme…

Po sigurisht që është e qëllimshme… Në rrafshin horizontal, ato duket sikur janë bashkë. Në rrafshin vertikal ato nuk janë bashkë. Sepse shpesh të keqen e kemi rritur më shumë se të mirën, pabesinë më shumë se besën edhe pse gjithë ditën flasim për besën. Lakminë tonë e kemi rritur më shumë se mirësinë… e kështu me radhë. Nuk besoj se ka vend tjetër, në atë pjesë të botës ku ne duam të shkojmë, ku thuhet pa hezitim: e mo ai është hajdut po i lumtë se është i zoti! Ne shqiptarët e themi. Rëndom e themi, gjithkund e themi, pa na u dridhur qerpiku, pa u menduar dy herë… Është një deformim shumë i madh, një orë e më parë duhet të mësojmë ta dallojmë këtë gjë që është kërleshur në mënyrë kaq të keqe dhe ta veçojmë e t’i shërbejmë të mirës. E keqja rritet vetë. E keqja do më pak shërbim se sa e mira. Është koha kur duhet të fillojmë të mendojmë se si t’i shërbejmë të mirës.

Për ta personalizuar pak: nga bisedat që kam bërë me njerëz të ndryshëm të letrave, poetë ose prozatorë, ose nga intervista të ndryshme që kam lexuar, më rezulton se poetët janë më autobiografikë sesa prozatorët. Çfarë mendoni ju në përgjithësi për autobiografizmin në poezi, dhe sa jeni ju autobiografik në poezinë tuaj?

Unë nganjëherë bëj ndonjë shkrim në gazeta, ndonjë shkrim eseistik. Dhe e kam quajtur serinë e shkrimeve që botoj “Nga dhoma e rrëfimit”. Përgjithësisht poetët, lexuesin e konsiderojnë si priftin. Duan t’i rrëfehen atij. Dhe duan t’i rrëfehen deri atje ku nuk rrëfehet. Gjë që nuk ndodh me prozatorët. Duke qenë kështu poezia ka dy elementë të rëndësishëm: elementin autobiografik dhe elementin rrëfimtar. Nuk bën poeti rruaza që t’i marrë lexuesi, t’i vërë në qafë e të thotë sa bukur dukem me këto. Poeti duhet të bëjë atë që nuk e bën dot njeriu vetë. Dhe ta bëjë brenda njeriut. Ta bëjë në zemrën e tij, ta bëjë në ndërgjegjen e tij, ta bëjë në ndjesinë e tij. Dhe prandaj duhet t’i rrëfehet lexuesit. Nuk i tregon atij një histori që e ka shpikur nga mendja. Duhet t’i rrëfejë një histori që e ka parë, e ka prekur. Me një fjalë i tregon se si e ka vënë dorën në plagë. Prandaj poezia është autobiografike. Mua nuk më vjen zor të them se poezia ime jam unë dhe nuk shoh ndonjë dallim të madh mes asaj që shkruaj dhe asaj që jam: pra unë jam ky me të gjitha stërhollimet, shtrembërimet, filozofimet, keqkuptimet, gabimet…

Pra, po ju rrëfej veten, ku mund të gjejë gjithkush veten e vet… këtë doni të thoni?
Po pikërisht, dhe atje janë të gjithë, të gjithë ata që janë të ngjashmit e mi.

Thashë më lart se poezitë tuaja më nxisnin pyetje, se poezitë tuaja provokojnë pyetje. Por në njërën prej tyre ju vetë shtroni pyetje dhe unë nuk e kuptoj se pse nuk i jepni përgjigjet.
Poezia titullohet “Përtej” dhe thoni:

Përtej jetës është vdekja, por çfarë është përtej vdekjes?
Përtej dashurisë është urrejtja, por çfarë është përtej urrejtjes?
Përtej dritës është errësira, por çfarë është përtej errësirës?

Dhe vijon… Pse ju nuk përgjigjeni?

Unë tek ajo poezi nuk kam ardhur si mësuesi, kam ardhur si nxënësi. Por mendoj që me një vështrim pak më të kujdesshëm gjendet çelësi pas të cilit është përgjigjja. Sepse kur them përtej të keqes është e mira, kam parasysh se nuk është një gjë që rritet siç rritet driza në pyll. E mira është një gjë që rritet tek njeriu. Pra ka dy marifete artistike kjo poezi, nëse do të doja të shpjegoja vetveten. Poezia mbyllet me vargun: përtej meje je ti, por ç’është përtej teje? Dhe ka shumë pak gjëra përtej. Gjithë kjo mënyrë pyetjeje bën që fjala përtej të pësojë invers dhe nuk është më një fjalë që përcakton distancën, përcakton hapësirën, por përcakton brendinë e gjësë. Pra, edhe pse jo në mënyrë të hapur, është thënë: ajo që është PËRTEJ është këtu BRENDA. Është brenda Evës, brenda Adamit. Nuk ka gjë tjetër…

“I vetmi mister qenkam unë…”, thoni në një poezi tjetër… pra brenda sërish, brenda vetes është misteri tek e fundit…

Sigurisht! Jemi me fat se jemi misteri më i madh i botës. Shkenca e ka shpjeguar si vërtiten yjësitë, si lëviz kozmosi, ka folur për vrimat e zeza, ka zbuluar ze ka mundësi që të ekzistojë apo jo jeta tjetërkund… por asnjëherë nuk ka arritur të shpjegojë se përse kjo qenie, njeriu, u bë me vetëdije, me ndërgjegje. Pse nuk u bë për shembull harabeli, apo elefanti…

…ose siç thoni në një tjetër poezi: nuk ka arritur të përcaktohet mosha e shpirtit…

Po, është një mister shumë i madh qenia, por është edhe një dhuratë shumë e madhe që nuk duhet shpërdoruar.

Një poezi tjetër e juaja më jep mundësinë t’ju pyes për dashurinë, për konceptin tuaj mbi dashurinë. Poezia është:

Në stola ulen ata që dashurohen,
Mbi stola hipin ata që varen.
Një jetë të tërë dashuria ime
Ulet dhe hipën mbi stola.

Një poezi e jashtëzakonshme dhe mendoj se gjithsecili lexues do të mendojë kështu e do të qëndrojë gjatë te kjo poezi, duke bërë padyshim leximin e vet individual. Por dua të di shpjegimin tuaj…
Ndihem shumë mirë që ju ka pëlqyer kjo poezi. Në fakt unë kam shumë variante të asaj poezie. Jo me katër vargje, jo siç është stoli, me katër këmbë, por me shumë e shumë gjëra. Por, mesa duket, në fund thelbi, kuintesenca e gjësë ishin këto katër vargje. Ne varemi atje ku dashurohemi! Ne prosperojmë atje ku dashurohemi! Ne pësojmë disfatë atje ku dashurohemi! Kur u shpik stoli në fillim, u shpik për t’u ulur e jo për t’u varur. Por ne jemi si ai njeriu që ulet në stol dhe dashuria e vet, dëshira e vet, egoizmi i vet, i thotë se duhet të hipë dhe mbi stol. Sepse trajtojmë në mënyrë jo humane njeriun që ulet në stol. Prandaj, mendoj se bota, kohë më pas, e hoqi stolin nga ata që varte dhe shpiku atë portën që hapet… Se është pak e trishtë që njeriu atje ku dashurohet atje edhe të varet.

Poezia tjetër titullohet “Miqtë e mi shkojnë në udhë të vet”. Dhe në këtë poezi janë të identifikuar të ngjashmit tuaj, miqtë tuaj, poetë të tjerë, sikurse Preç Zogaj, Elsa Ballauri, Besnik Musfataj, Xhevahir Spahiu, Agim Isaku etj., të cilët, siç thoni ju, “shkojnë në rrugë të vet/ duke më harruar mua/ pikërisht se e dinë që nuk mund t’i harroj”. Do të doja të dija se cila është marrëdhënia mes të ngjashmëve, marrëdhënia mes poetëve?

Në Shqipëri edhe poetët kanë pasur po atë fat si dhe gjithë shqiptarët e tjerë që janë impenjuar me gjërat e veta, me të përditshmen, me hallet… Dhe sigurisht më vjen keq për të gjithë shqiptarët e tjerë por në radhë të parë më vjen keq për miqtë e mi. Unë tani po afroj te të gjashtëdhjetat e më ndodh shpesh që i takoj shumë miq të mitë, qoftë këtu qoftë në Prishtinë, nëpër raste të trishta. Ne dikur takoheshim për të tjera gjëra. Ne dikur bënim takime, mbledhje, forume për të tjera gjëra. Tani ne nuk takohemi më si dikur…

Ishte një kohë shumë interesante ajo e viteve ‘80 kur poezia në Shqipëri, e poetëve që u shfaqën në atë kohë, që janë ata poetë që u përmendën që jeni edhe ju… ishte një poezi shumë dinjitoze, interesante. Ishte një kohë e poezisë… që prodhoi shumë poetë dhe poezi shumë të mirë. Çfarë të veçante kishte ajo kohë që i prodhoi dhe pse koha jonë nuk ka të njëjtën prodhimtari?

Brezi i viteve ‘80 ka pasur atë sukses, aq sa e ka pasur, sepse është ngritur në supet e brezit të viteve ‘70, e brezit të viteve ‘60, e brezit të viteve ‘50. Dhe nëse ka një histori të bukur në realitetin e asaj kohe, parë në një këndvështrim, është ajo që ka ndodhur me letërsinë. Nga malet zbritën një tufë gjysmë analfabetësh të cilëve u ra në dorë edhe letërsia edhe gazetat edhe shtëpitë botuese. Sigurisht ata nuk lanë ndonjë pasuri të madhe po të kemi parasysh veprat, por ata ama mbështetën fuqimisht brezin e dytë që ishte brezi i Ismail Kadaresë, i Dritëro Agollit, i Fatos Arapit, Dhimitër Xhuvanit… E mbështetën fuqimisht këtë brez. I krijuan të gjitha mundësitë të shkollohej, i dhanë të gjitha mundësitë të ishin pranë librit, pranë letrës. U dhanë leje krijuese të pafundme. Dhe sigurisht brezi i dytë krijoi një frakturë dhe bëri përpjekjen e parë për t’i nxjerrë letrat shqipe nga shinat e skematizmit. Brezi i dytë ndihmoi brezin e tretë që është Nasi Lera, Agim Spahiu, Bardhyl Londo, Zija Çela e shumë të tjerë (ndjesë për mospërmendjen e të gjithë listës së gjatë), brez i cili solli me vete revoltën, gjë krejtësisht e munguar në letrat shqipe. Revolta e Xhevahir Spahiut është e pashoqe, e Bardhyl Londos po ashtu. Ne erdhëm, si brez i katërt dhe nëse nuk do të ishte shthurur tregu…. brezi i pestë do të ishte një brez i mrekullueshëm. Më dhemb shumë brezi i pestë…

Pra është e njëjta logjikë me të cilën folëm deri tani: e mira do përkujdesje për t’u rritur.
Po! E mira, dashuria, mëshira… duan përkujdesje për t’u rritur.

Le të rrimë dhe pak në vitet ‘80. Nëpërmjet një poezie tuajën sigurisht:

Rrimë në vitrinë…
Na veshin, na zhveshin, na fshijnë.
Ne presim të qetë dhe heshtim,
Se jemi manekinë.

Vrapojnë në rrugë nga shiu
Këmbë burrash, grash dhe fëmijësh.
Ne s’lagemi kurrë… (mjerë njeriu
Që s’gjen qetësi manekinësh!)

Shkojmë andej nga na thonë,
Qëndrojmë ashtu si na vënë,
Buzëqeshim, përherë pozojmë,
Përballë, profil, me një këmbë.

Dhe s’nxehemi kurrë, s’bërtasim,
Sikur bota të kthehet përmbys.
Mjafton të na veshin e mbathim,
Që ne të pozojmë sërish.

Kjo më duket si një poezi që mund të shkruhet në çdo kohë që mund të lexohet në çdo kohë duke tingëlluar filozofikisht, po njëlloj në lartësinë e duhur. Mirëpo jo në atë kohë. E çuditshme pra kjo poezi pikërisht në vitet ‘80! Ka qenë një poezi sirtari? Një poezi e shkruar për veten?

Jo nuk ka qenë një poezi sirtari. Është shkruar në vitin ’84 dhe është botuar në vitin ’85. Është botuar sërish në vitin ‘88…

Dhe asnjë reagim? 

Sigurisht ka pasur…

Jo jo, desha të them, se në atë kohë kjo poezi duhej të dilte nga qarkullimi…

Nuk mund të dilte sepse një nga meritat e mëdha të brezit të viteve ‘80 ishte që, ndryshe nga paraardhësit tanë, ne u bëmë bashkë. Kur thoje Preç Zogaj do të thoshte Besnik Mustafaj, do të thoshte Teodor Keko, do të thoshte Ilirian Zhupa, do të thoshte Skënder Buçpapa, do të thoshte Rudolf Marku… Ne u bëmë të gjithë bashkë. Ne nuk ishim trima të vetmuar në majë të malit, ne ishim një çetë dhe ishim një brez që po vinte edhe me talent por edhe me guxim në letrat shqipe. Edhe komunizmi nuk ishte aq budalla sa të sulmonte një brez të tërë. Poezi të tilla, për shembull, botonte Zija Çela te gazeta “Drita” që ishte kryeredaktor asokohe, botoja unë te “Zëri i rinisë”, do të botoja më vonë, kur shkova te shtëpia botuese Naim Frashëri.
Do të tregoj një histori të shkurtër, për një poezi tjetër që është gjithashtu në këtë libër e të cilën Zija Çela ma ka botuar në vitin ‘85 ose ‘86. Poezia titullohej “Pashë një vajzë” dhe është ajo poezia që thotë: pashë një vajzë që i gëzohej vetes/ diku mes ujërave duke menduar që s’e shihte njeri etj., etj… Poezi e cila, për kohën, tingëllonte e pamoralshme, le ta quajmë kështu. Zija Çela e pëlqeu shumë dhe me thotë: unë dua ta botoj patjetër por, do më falësh, duhet të bëjmë një ndryshim të vogël. Zbritëm në kafen e Lidhjes, për të biseduar. Zija Çela ishte i mendimit se duhej të gjenim një mënyrë për të thënë se poezia nuk ishte një ide reale por ishte një mendjeshkrepje. Ajo femra që i gëzohet vetes, që bën gjeste etj… Po sikur t’ia vëmë “Ëndërr”?, më thotë. E kishte fjalën për titullin. Maskim më të bukur nuk ka, i thashë. Dhe ajo poezi u botua e vijoi të botohej me titullin “Ëndërr”.

Titulli, pra, shpëtimi i poezisë. Le të flasim tani për procesin: thonë që poetët dhe prozatorët kanë karakteristika të veçanta, ndër to elementi më dallues është të qenit sistematik ose jo. Pra, prozatorët duhet të jenë të tillë, të rrinë gjatë mbi tryezë, të shkruajnë vazhdimisht… Përkundrazi poetët shkruajnë kudo dhe kurdo, në tren, mbi një faturë bari, paketë cigareje… dhe poezia bëhet. Nëpër ç’rrugë ecën poezia juaj që nga çasti shfaqjes si ide dhe deri kur i shkon lexuesit në dorë?

Unë shkruaj poezi edhe nga këto që futen në xhep por, me kalimin e kohën, gjithnjë e më rrallë shkruaj të tilla. Ose më saktë, u besoj gjithnjë e më rrallë të tillave. Shkruaj edhe poezi që vijnë e ikin me mijëra herë, derisa përfundimisht e kuptoj se është ajo që kam shkruar sonte, ajo që kam shkruar tani, pavarësisht se mund ta kem shkruar 100 herë më parë. Të paktën tek unë kështu vjen poezia. Poezia është një gjë e vogël por do një gdhendje të madhe, një përpunim shumë të madh. Rrallë ndodh që të të vijë në dorë ai zogu i vogël pendëartë, pa përpjekje. Sigurisht të vjen një pendë e tij në fillim dhe ti pastaj nuk e di kurrë se sa do të vuash derisa të arrish te zogu.

Pra, ka një punë kolosale pas ca pak vargjeve?

Pas një figure madje, pas një detaji…

Dua t’i referohem sërish një poeti një mikut tuaj, që është Besnik Mustafai. Kur e pyeta se pse poetët fillojnë si të tillë dhe kapërcejmë më pas te proza, më tha dy gjëra: e para, poezia është si dashuria! Me kalimin e kohës vjen rrallë. Dhe e dyta, duke qenë koncentrat, poezia nuk të lejon mundësinë të shprehesh gjatë, shterrueshëm mbi një argument e kësisoj lind nevoja për t’iu drejtuar prozës me hapësirën e pakufishme që ka. Ju, ndërkohë, i keni qëndruar besnik poezisë. Çfarë shpjegimi ka kjo besnikëri juaja?

Unë kam vendosur të rrëfehem te prifti. Unë nuk kam vendosur të tregoj rrëfenja rreth vatrës së zjarrit. Ka dy mënyra rrëfimi. Pse nuk kam vendosur të shkruaj prozë? Kam pasur një dilemë mjaft të gjatë, dhe e kam ende edhe sot që flasim bashkë. Madje kam vandakë të tërë me letra të mbushura në shtëpinë time, me drama me tregime, me romane të cilat nuk më bindin mua, ndërsa tek poezia ndihem mirë, ndihem i sigurt. Është sporti im, është gara ime. Është si dashuria që nuk shuhet kurrë, pavarësisht nga mosha. Ka një poezi të mrekullueshme poeti im më i dashur Uollt Uitman: Pashë në rrugë ca të ra e ca plaka/ Të ratë janë të bukura/ Plakat janë edhe me të bukura. Kur e kam lexuar para 30, 40 vjetësh më pëlqeu shumë por nuk e kuptova pse më pëlqeu. Tani më pëlqen akoma më shumë dhe mendoj se në masën më të madhe e kuptoj pse më pëlqeu: nuk është dashuria as e re e as e vjetër. Ajo ose është ose nuk është.

Please follow and like us: