Albspirit

Media/News/Publishing

A ishte poliagjent Mehmet Shehu?

 

Maliq Sadushi, Ish zv.ministri i Mbrojtjes nën Mehmet Shehun, edhe pas viteve 90-të ka qenë mjaft diskret në prononcimet për mediat, lidhur me periudhën e punës së tij me kryeministrin më jetëgjatë në historinë e vendit. Pas fundit të hidhur të Shehut, ai u degradua po nuk u burgos.

Por me mikun e tij Eqerem Osmënaj, ish drejtor i Zbulimit të Ushtrisë, Sadushi që ndërroi jetë në vitin 2010, ka zhvilluar biseda të gjata lidhur me ngjarjet e diktaturës dhe mjaft momente të errëta të asaj periudhe. Këto shënime vijnë pikërisht si hedhje në letër e atyre bisedave dhe kujtimeve.

Në këtë pjesë të tretë të kujtimeve të Maliq Sadushit, që po botojmë ekskluzivisht në ‘DITA’, bëhet fjalë për akuzat që u bënë kundër Mehmet Shehut pas vdekjes së tij. Sa të vërteta janë akuzat se Mehmeti ka qenë agjent i jugosllavëve, sovjetikëve dhe amerikanëve etj. Dy bisedat e Enverit me Stalinin për Mehmetin.

 

Nga Eqerem Osmënaj

 

 

Shpesh bisedat e mia me Maliq Sadushin lidhur me Mehmet Shehun shtriheshin në një hark të gjatë kohor, që nga koha e luftës e deri sa ai u eliminua në dhjetor 1981. Po më së shumti ato përqendroheshin tek akuzat që iu bënë pas vdekjes në tablonë sinoptike të Enver Hoxhës. Maliqi ishte i mirinformuar dhe pasi kishte reflektuar për një kohë të gjatë, kishte një mendim të palëkundur për figurën dhe personalitetin e Mehmetit si burrë shteti dhe si ushtarak.

***

E kam pyetur Maliqin për akuzat që denigronin figurën e Mehmetit pas vdekjes. Dhe Maliqi përgjigjej shkoqur:

Ato akuza u bënë në një kohë të caktuar, në një kohë që zhvillohej një luftë e brendshme për pushtet dhe koha ka treguar se ato akuza kanë qenë të pavërteta. Ja po të argumentoj disa prej tyre:

 

A ishte Mehmet Shehu një vegël jugosllavëve?

Në asnjë mënyrë. Mehmet Shehu është njohur me Dushan Mugoshën në fillim të majit 1943 në shtëpinë e Kadri Hazbiut. Në atë kohë Mehmeti ishte sekretar organizativ i qarkut të Vlorës. Ai nuk afrohej shumë me njerëzit që nuk i njihte, aq më keq me të huajt. Ato ditë në krahinën e Vlorës ishte edhe Liri Gega, që e mbante veten për Sekretare politike e qarkorit kur dihej se ne kete funksion ishte Hysni Kapua. Liri Gega kishte mbështetjen e Dushan Mugoshës. Mehmeti u mërzit kur mësoi se Dushani dhe (Muzhiku)- pseudonimi i Liri Gegës, donin të shkrinin këshillat nacionalçlirimtare dhe t’i zëvendësonin me Sovjetët si në Bashkimin Sovjetik. Mehmeti dhe Hysniu sa diktuan këtë manovër  kërkuan largimin e “mikut të paftuar” Mugosha dhe Liri Gegës. Ata u larguan, Liria për në Mat ndërsa Mugosha në Labinot… Pas dy muajsh, kur u formua Brigada e Parë, Dushan Mugosha gjendet pranë saj për “ndihmë”.

Mehmeti kundërshtoi prerazi këshillat e te derguareve te Titos si Tempo e Mugosha për Federatën Ballkanike. Ai siç rrodhën ngjarjet më pas, Mehmeti kishte një qëndrim të prerë lidhur me  ndërtimin e shtetit shqiptar dhe pavarsinë e Shqipërisë. Mehmeti kur ishte shefi i shtatmadhorisë të ushtrisë shqiptare kundërshtoi unifikimin e ushtrisë shqiptare me atë jugosllave si dhe kundërshtoi pranimin e dy divizioneve të ushtrisë jugosllave që të dislokoheshin në Korçë e Gjirokastër. Jugosllavët, nëpërmjet Koçi Xoxes, që ishte Sekretar Organizativ dhe Ministër i Brendshëm, punuan ta bënin Shqipërinë Republike të shtatë Jugosllave dhe për këte thurën komplote kundër Mehmetit dhe Nako Spirut duke i quajtur antijugosllav dhe i larguan. Në fakt Nako vret veten, Mehmeti largohet. Por qëllimi ishte të goditej Enver Hoxha. Kështu ata shfrytëzuan Plenumin e Tetë në shkurt 1948 me sajesën “Fraksion në kokë të Partisë”  duke shfrytëzuar vetëvrasjen e Nakos dhe largimin e Mehmetit që i akuzuan për antijugosllavizëm dhe kështu indirekt akuzohej Enver Hoxha si mbështetës i tyre. Në këtë Plenum Nakua u quajt armik. U denuan Mehmet Shehu dhe Liri Belishova… Ata kishin bërë plan për ta vrare pas shpine, por Mehmeti u largua në Çorrush të Mallakastrës për tek njerëzit e tij duke iu ruajtur njerëzve të UDB Tito -Rankoviçit që livadhisnin lirshëm në Shqipëri. Në Kongresin e Parë të PKSH në nëntor 1948 Enver Hoxha rehabilitoi Mehmet Shehun, Nako Spirun, Liri Belishovën pa pyetur  jugosllavët.

Tani më thoni: Si mund të ishte Mhemeti agjent i jugosllavëve?

 

Bisedat e Enverit me Stalinin

Por mund të shtojmë edhe fakte të tjera:

Në vitin 1947 kur shkoi për vizitë në Moskë Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe u takuan me Stalinin. Aty Stalini ka folur edhe për shkollimin e kuadrove ushtarakë shqiptarë dhe në bisedë e sipër i ka thënë Enver Hoxhës: “Kam informacion nga shokët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Sovjetike se ju keni në krye të ushtrisë, Shefin  e Shtatmadhorisë, Gjeneral Shehu. Ai është një strteg i madh ushtarak…”.

Në Takimin e dytë  me Stalinin, në mars -prill 1949, pas dënimit nga Informbyroja të Titos, dhe pasi ishte eliminuar Koçi Xoxe, Enver Hoxha i deklaroi Stalinit: “Partia jonë e rregulloi gjendjen në Ministrinë e Brendshme ish vater e titistëve… Gjeneral Mehmet Shehu është një  udhëheqës i lavdishëm dhe në detyrën e tij ka ndihmën e vazhdueshme të Partisë e të popullit…”

Jo, kurrën e kurrës, Mehmet Shehu nuk ka qenë as agjent i të huajve dhe as armik i partisë dhe popullit të tij!, e mbyllte bisedën për këtë çështje Maliq Sadushi.

Ja edhe një fakt tjetër, shtonte ai: A ka qënë Mehmet Shehu pro shtetëzimit të oborreve, prapër eleminim të pronës private në fshat, sikurse u tha më pas? Jo dhe jo.

Po ta them se ai ishte kundër këtij orientimi dhe e ka quajtur “Shkelje të Kushtetutës” Dihet, vendimin e mori Byroja Politike  dhe Qeveria e zbatoi verbërisht jashtë ndërgjegjes së vet… Këtu nuk shtrohet çështja të mbrojmë Mehmet Shehun por të qëndrojmë drejt ndaj problemeve të kaluara si dhe ato të sotme!

 

Qëndrimet pas vdekjes së Mehmetit

Pastaj biseda kalonte në një plan tjetër. Por Maliqi vazhdonte të mbronte pikëpamjet e tij për ato që kishte parë e dëgjuar. Një ditë më tha:

Më ka bërë shumë përshtypje zelli i tepruar i Byrosë Politike për ta fshirë Mehmetin pas vdekjes! Ky zell tregohej duke u bërë fakt të pavërtetat, me urrejtje, sepse u dha sinjal nga Partia, sepse në atë kohë kështu shprehej besnikëria që të flitej sa më shumë kundër viktimës, se kështu tregohej dashuria për Partinë, popullin, Atdheun etj., etj. Kështu u sajuan letra anonime nga një pushtetar se Mehmet Shehu ishte provokator, se kishte dënuar autorin, deri sa dolli edhe Sinoptika (Tabloja Sinoptike e Enver Hoxhës). U fol se gjoja qëllimisht sabotoi planin e mësymjes së Divizionit I, ku dihet se Divizioni e kreu me nder e lavdi këtë mision!

U fol për një dosje në kasafortën e Hysniut, për letrën e ardhur në vitin 1960 nga Argjentina se Mehmeti ishte spiun i CIA-s. Dhe sikur të mos mjaftonte vetëvrasja e Mehmetit, i arrestuan bashkëshorten, i’u vetëvra i biri Vladimiri, iu vetëvra i vëllai Arshiu, iu arrestuan dy djemtë Bashkimi dhe Skënderi, u varros dhe u çvarros tre herë kufoma e Mehmetit, u zhduk gjithë vepra e tij, u hoqën të gjitha fotografitë, u mohua gjithçka, gjithçka… Iu shkatërrua shtëpia Muze në Çorrush. Megjithatë, unë them, -shtonte Maliqi, se me këto veprime u vu në dyshim ideologjia, politika, sistemi. Sepse kur vë dorë mbi fëmijët e mikut tënd që i ke mbajtur në prehër, u ke uruar ditëlindjen, u ke bërë dhurata, lodra, këtu humanizmi ka vdekur!

 

Po ç’ishte ajo fletore në kasafortën e Hysniut?

U fol shumë për një fletore personale të kohës së luftës ku Mehmeti kishte hedhur disa shënime te tij me mendimin: ”Si do të bëhej Shqipëria pas luftës?” . Këto shënime pas vdekjes së tij nga ndonjë politikan i asaj kohe u komentuan se kishin”përmbajtje jo të mirë”.. ”përshkruheshin nga fryma socialdemokrate…” sidomos kjo e fundit pas vrasjes u komentua si nje e metë shumë e rëndësishme politike e Mehmet Shehut. Ajo fletore u përdor si dëshmi sikur Mehmeti kishte qenë armik qysh në kohën e luftës e ndoshta dhe më përpara. Jo, kjo nuk ishte aspak e vërtetë. Ato shënime dhe pikëpamje të Mehmetit i përkasin vitit 1942.

E vërteta e padiskutueshme dhe e provuar tashmë karcipërisht është se Mehmeti ishte përkrahësi më i vendosur i Enver Hoxhës dhe thënë troç, krahu i djathtë i tij jo vetëm në qeverisjen e vëndit por edhe në parti, tregoi vendosmëri, guxim dhe qartësi politike në mbrojtje të pushtetit dhe të lirisë dhe Pavarsisë së vendit. Është njësoj sikur sot t’i dënosh për tradhti socialistët e demokratët, pasi nuk i qëndruan besnikë komunizmit.

 

A ishte  Mehmeti mendimtar dhe strateg i madh ushtarak?

Përgjigja e Maliq Sadushit për këtë ishte:

Vlerësimin si ushtarak atij ia bëri lufta në Spanjë, Lufta Nacionalçlirimtare, përballimi i provokacioneve të Greqisë në gusht 1949, lufta për eliminimin e bandave si ministër i brendshëm. Atij i janë kënduar këngë qysh gjatë luftës dhe për të si ushtarak i zoti janë shprehur edhe udhëheqës botërorë.

Aftësitë e Mehmet Shehut njiheshin mirë nga Shtabi i Përgjithshëm dhe nga Enver Hoxha. Në çdo rast Mehmet Shehu qe vlerësuar dhe cilësuar, komandant nga më të shquarit, kishte një nam të madh në popull, thuhej se ishte komandant që s’e zinte plumbi, që sulmonte e fitonte kudo e kurdoherë.

Mehmetit iu besua detyra për çlirimin e Tiranës dhe këtë mision ai kreu në mënyrë të shkëlqyer. Mehmet Shehu është autori i “Tezave të Këshillit të Mbrojtjes” një material prej 50 faqesh, më 1967 dhe mbi bazën e këtyre u hartua “Arti Ushtarak mbi Luftën Popullore”. Por pas dënimit të tij më 1981 kjo broshurë, si tërë veprat e Mehmet Shehut u zhdukën barbarisht me vendim Partie!

Kur mori detyren e Ministrit të Brëndshëm linte të befasuar specialistët më të mirë për problemet e zbulimit, kundërzbulimit, radiozbulimit, spiunazhit politik, teknologjik e diplomatik. Kur u bë Kryeministër çmohej si specialist i kompletuar në fushën e bujqësisë, teknikës bujqësore, por kryesisht pasioni i tij ishte ai ushtarak, ndonëse ishte një ekonomist i talentuar…

Por le t’i kthehemi edhe njeherë aftësive ushtarake të Mehmetit.

 

Poliagjent apo komunist fanatik?

Kur binte fjala se cili ishte Mehmet Shehu, një poliagjent, sikurse u quajt pas vdekjes, apo një komunist dhe atdhetar i flaktë, Maliq Sadushi thoshte pa hezitim: Ai ishte një komunist shumë i devotshëm dhe atdhetar nga më të flaktët.

Mehmet Shehu, si ushtarak e analist i situatave nderkombetare, kishte të drejtë kur thoshte, se për Shqipërinë rreziku më i madh është Lindja. Ai, ndoshta qe shumë i sigurt se NATO-ja, nuk mund ta sulmonte Shqipërinë përpara ariut Rus, sepse konflikti do të ishte i rëndë dhe do të shkaktonte luftë në kuadrin ballkanik  e më gjërë. Ndryshimet mund të ndodhnin në Shqipëri vetëm në qoftë se tradhtonte udheheqja thoshte Mehmet Shehu . Kete teze te tij po perpiqem ta ilustroj me nje fjalim te tij mbajtur në vitin 1977 në një miting të madh ushtarakësh në fushën e Rrushkullit në Durrës.

Në përfundim të një manovre të madhe ushtarake në zonën e Durrësit, ku morën pjesë 60.000 trupa, të gjithë pjesëmarrësit u mblodhën (sipas urdhrit të ministrit) se ai vetë do t’u fliste trupave. Në atë takim ishin të pranishëm edhe Hysni Kapo, Ramiz Alia e plot anëtarë të KQ të PPSH dhe të qeverisë.

Në fjalën e tij Mehmet Shehu, pasi sqaroi shumë probleme të politikës së jashtme të Shqipërisë, foli edhe për rreziqet reale të një ndërhyrjeje të mundeshme në raste konfliktesh midis të mëdhenjve, e plot shkaqe të tjera. “Vetëm Shqipëria, -tha ai nuk ndryshon, nuk tradhton idealet e socializmit”. Dhe më tej vijoi me detyrat që i çeleshin ushtrisë në të ardhmen si forca ushtarake më garante për mbrojtjen e pushtetit dhe të Atdheut. Ne atë çast shpërthyen brohoritje të fuqishme të rreth 60.000 trupave “Ushtria garancia, ushtria garancia!”. Mehmet Shehu ndërhyn dhe iu drejtohet të pranishmëve: “Jo, ushtria garancia, por Partia Garancia , sepse ajo është udhëheqesja e ushtrisë dhe e tërë vendit, ushtria zbaton direktivat e partisë për mbrojtjen e vendit….” Me gjithë këtë ndërhyrje të tij, që donte t’u thoshte ushtarëve që kish përballë se ne kemi garanci të sigurtë udhëheqjen e drejtë të PPSH, megjithëse thelbi i fjalimit të tij për ruajtjen e pavarësisë për kohën, shprehja Partia-garancia , ishte e drejtë se ishte e vetmja force politike që udhehiqte vendin, po të gjykoje ndryshe ishe armik.

Mehmeti ishte komunist shumë fanatik, shumë i vendosur dhe këtë e tregonte në veprimtarinë e tij politike , shtetërore dhe ushtarake .

Duke tjerrë mendimet e tij dhe qëndrimet e vendosura politike kundër udhëheqjes Sovjetike dhe duke folur për tradhtine e tyre, Mehmet Shehu ka thënë në atë fjalim të vitit 1977:

“Shikoni shokë, ajo që ndodhi në BS me tradhtinë e hrushovianëve, mund të ndodhë kudo, ne duhet të jemi vigjilentë dhe të gatshëm për çdo situatë kritike dhe të keni parasysh se tradhtia vjen gjithnjë nga lart e jo nga poshtë, pra, rreziku i vendit, i restaurimit kapitalist është real, ndaj ndaj s’duhet t’u zërë gjumi. Në rast se do të konstatoni që ju ka tradhtuar udhëheqja, atëhere rrëmbeni armët dhe sulmoni Komitetin Qendror” (Ky fjalim u botua pa asnjë ndryshim në shtyp)!

Mehmet Shehu ishte shumë i vendosur në rrugën e tij. Kur po dorëzonte detyrën e Ministrit të Mbrojtjes në janar 1980, midis shumë porosive na tha:

Dëgjoni mirë! Ballistët do të përpiqen që t’ju marrin pushtetin, jo sot, por kur të mos jemi më ne të vjetërit…”. Të gjithë sa ishim në zyrë i thamë: “Jo shoku Mehmet, në vendin tonë nuk ka ballistë… pastaj, po ne çdo bëjmë…? Ai vijoi: “Ballistët i keni këtu brënda, janë të gjallë, kanë rrënjë dhe degë, kanë edhe përkrahje të madhe nga jashtë.”

Shumë vonë aty nga 1991 e në vazhdim, kam thënë që Mehmet Shehu ka pasur të drejtë për ato që na tha 2 vjet para vdekjes….

 

Please follow and like us: