Albspirit

Media/News/Publishing

Hakerat e qeverisë ruse u vjedhin Demokratëve raportin kundër Donald Trump

Ruben Avxhiu

Depërtohen kompjuterat e Komitetit Kombëtar Demokrat – shtohen dyshimet që Putini ka një kandidat të preferuar në garën presidenciale

 

Hakerat e qeverisë ruse kanë penetruar kompjuterat e Komitetit Kombëtar Demokratik dhe kanë vjedhur arkivën e hulumtimit opozitar për të kaluarën e Donald Trump.
Akuzat janë lëshuar sot nga zyrtarë të komitetit dhe ekspertë të sigurisë që hetuan incidentin.
Lajmi ka shtuar dyshimet ekzistuese se regjimi i Vladimir Putinit ka një interes në rritje që Trump të jetë fitues i zgjedhjeve presidenciale amerikane.
“Hulumtimi i opozitës” është një proces standard në betejat zgjedhore amerikane dhe përbën një punë kërkimore në të kaluarën e kundërshtarit të ardhshëm për të gjetur të meta dhe skandale që mund të përdoren në momente të caktuara të fushatës.
Donald Trump ka reaguar me entuziazëm në të kaluarën ndaj komplimenteve të Putinit dhe ka dhënë sinjale të forta se nuk do të zbusë kritikën amerikane për shkeljet e demokracisë në Rusi dhe do të fillojë një ngrohje të marrëdhënieve mes të dy vendeve.
Ndërsa askush nuk e di se çfarë do të bëjë vërtet Trump si president, fjalët e tij të përsëritura pozitive për Putinin kanë shqetësuar sidomos vendet që e shohin veten të kërcënuara nga rritja e agresivitetit të Rusisë.
Vetëm një ditë më parë, qarkulluan lajme se shërbimi sekret rus do të botojë përmbajtje nga emaila të vjedhur prej Hillary Clinton që do të sjellin paditjen e saj nga autoritetet federale. Kjo përmbajtje do të botohet nga Wikileaks që është akuzuar shpesh si një front i spiunazhit rus.
Sipas ekspertëve depërtuesit e sistemit të Komitetit të Demokratëve kanë mundur të lexojnë edhe emaila dhe bisedimet në linjë mes zyrtarëve.
Një zëdhënës i Ambasadës Ruse në SHBA tha se nuk e ka idenë se për çfarë po flitet dhe nuk di për ndonjë depërtim kompjuterik nga Rusia.

Please follow and like us: