Albspirit

Media/News/Publishing

Tetor 1944, SHBA: Greqia do leje për pushtimin e Shqipërisë

Tetor 1944, SHBA: Greqia do leje për pushtimin e Shqipërisë

Nga Thanas Mustaqi

 

Duke ditur disponimin antikomunist të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qarqet ultrashoviniste të Athinës kërkonin të zhvasnin territore shqiptare në kohërat kaotike të Luftës II Botërore, deri dhe me dërgim trupash, ndonëse vetë ishin në flakët e luftës civile. Por këto ëndrra të çmendura kanë ngjallur shqetësim në Uashington, Londër dhe në Kuartierin e Forcave të Bashkuara Aleate të Mesdheut në pallatin mbretëror të Kazertas në Itali. Kemi gjetur në arkivat amerikane katër dokumente të rralla të diplomacisë amerikane dhe që bëjnë fjalë për alarmin e shpërthyer në SHBA nga mundësia e nisjes së një konflikti greko-shqiptar, ndërkohë që ende vazhdonte Lufta e Dytë Botërore. Enver Hoxha u bënte të qartë amerikanëve se nuk do të lejonte cenimin e territorit shqiptar nga grekët, ndërkohë që kërcënonte me luftë dhe kërkon referendum për Kosovën. Nisur nga përplasjet me misionet angleze në Shqipëri, Hoxha refuzon ndihmat aleate, pasi dyshonte për prirjet pro-greke të britanikëve. Nga ana tjetër qeveria e Papandreut (Plaku) kërkonte shpalljen e Shqipërisë “shtet armik” dhe mosnjohjen e qeverisë së përkohshme shqiptare të Beratit, me pretendimin se Enver Hoxha ishte… turk musliman! Përkthimi dhe titujt e dokumenteve janë të redaksisë.

 

KONFLIKT I MUNDSHËM

Bën përshtypje se këshilltari politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate në Itali, diplomati i njohur Aleksandër Kërk, detyrohet t’i dërgojë një telegram urgjent, më 23 tetor 1944, Sekretarit të Shtetit, Kordell Hall (Cardell Hull), lidhur me deklaratën e Enver Hoxhës për një luftë të mundshme greko-shqiptare për kufirin. Ka dy data me interes: më 18 tetor 1944 çlirohet Greqia nga forcat angleze dhe po atë ditë fillon zyrtarisht punë qeveria greke, në atë kohë në mërgim, e kryesuar nga kryeministri Gjeorgjios Papandreu (1888-1968), gjyshi i kryeministrit grek me të njëjtin emër të viteve 2009-2011. Më 20 tetor 1944 Enver Hoxha u kërkon nga Berati aleatëve të njohin Qeverinë e Përkohshme të kryesuar prej tij. Dhe grekët që nuk dinin se ku kishin kokën ata muaj të luftës civile, nuk harronin ëndrrat shoviniste për Shqipërinë e Jugut, për të cilën Enver Hoxha “pretendon se është shqiptare definitivisht. Hoxha thekson më tej se shqiptarët do të luftojnë për këtë territor nëse është e nevojshme”. Këtë deklarim lideri i partizanëve shqiptarë ia bën shqiptaro-amerikanit Tom Stefan, njeriu i OSS-së (Zyra e Shërbimeve Strategjike), pararendëses së CIA-s. Kuptohet, Shtabit të Forcave Aleate në Kazerta të Italisë, i hapeshin telashe të mëdha me ndonjë konflikt të mundshëm greko-shqiptar, ende pa mbaruar Lufta e Dytë Botërore. Për më tepër që Enver Hoxha u kërkonte amerikanëve një referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ndërkohë që anglezët dhe amerikanët po sajdisnin së tepërmi jugosllavët e Titos.

 

NEVOJA PËR STABILITET

“Qeveria greke jo vetëm që ka paraqitur pretendime për territore të gjera në Shqipërinë e Jugut (Epirin e Veriut), por ka kërkuar që Shqipëria duhet shpallur “shtet armik” dhe shfaqi dëshirën e saj për të dërguar trupat grekë për pushtimin e zonës së diskutueshme”, kështu shkruante në një telegram pas dy javësh, më  9 nëntor 1944, vetë i ngarkuari me detyrën e Sekretarit të Shtetit Stetinius (Edward Reilly Stettinius, Jr, 1900 –1949). Uashingtoni i vë në dukje Kërk-ut se“Departamentit të Shtetit do t’i interesonin informacione… mbi perspektivat e ruajtjes së stabilitetit në kufirin greko-shqiptar, pasi të largohen gjermanët dhe të kalojë në duart e autoriteteve vendase kontrolli i plotë”. Kryediplomati amerikan thotë se qeveria amerikane mendonte që kërkesa greke për Shqipërinë e Jugut duhej të merrej në shqyrtim në konferencën e paqes, dhe se i përmbahej pikëpamjes që kufiri i para-luftës duhej konsideruar si kufiri legal. Për SHBA-në ishte e rëndësishme që forcat e armatosura greke dhe ato shqiptare duhet të parandalonin shkeljet e kufirit dhe se duheshin ndaluar përpjekjet e të dy palëve për dëbimin apo shfarosjen e minoritetit që i përket një gjuhe ose etnie tjetër. Këto janë fjalë paksa pragmatike, thjesht anglo-amerikanët nuk dëshironin tensione kufitare. Ata heshtnin për gjenocidin grek mbi minoritetin shqiptar çam në Greqi, të realizuar ato ditë të korrespondencës Kazerta-Uashington.

 

“007”-AT DHE LONDRA

Pikërisht këtë gjë kishin nuhatur shërbimet sekrete aleate, që ndër katër arsyet pse FNÇ-ja nuk dëshironte të kërkonte ndihma në dhjetor 1944 nga anglo-amerikanët: dyshimi i natyrshëm për qëllimet e Aleatëve në Ballkan, veçanërisht në mbështetje të iredentizmit grek. Ky është konkluzion i mbledhjes së Komitetit të Përbashkët të Shërbimeve Sekrete pranë Kuartierit të Forcave Aleate të Mesdheut, njoftonte në një telegram të 5 dhjetorit 1944 këshilltari politik amerikan Kërk. Dhe si për t’i vënë kapak këtij konstatimi të “007”-ve, të nesërmen, në Departamentin e Shtetit pritet me kërkesën e tij Kimon P. Diamantopulos, ambasador i Greqisë në SHBA (në vitet 1940-1946), kryediplomati i një qeverie që nuk ekzistonte (!) pasi Greqia ishte e pushtuar. Një konsull që dërgoi në vitin 1943 në Uashington qeveria në mërgim e Mbretit Zog nuk u pranua nga Departamenti i Shtetit. Në kulmin e luftës civile në vendin e tij, Diamantopulos, “lexoi një telegram të Qeverisë së tij që shprehte kundërshtimin e saj të vendosur ndaj formimit të një qeverie në Shqipëri” dhe se “forcat e Hoxhës në Shqipëri po terrorizonin dhe po shtypnin minoritetin grek në Shqipërinë e jugut”. Autori i memos së takimit, ndihmës-shefi i Divizionit të Çështjeve të Lindjes së Mesme Koler në Departamentin e Shtetit (Foy D. Kohler) nuk përmend raportet e misionit amerikan në Greqi që përshkruan tmerret e gjenocidit grek mbi çamët me “licensën për të vrarë” lëshuar nga misioni britanik. Në Kllogjer të Sarandës janë varrosur 2.700 veta të vdekur rrugës, gjatë eksodit të popullsisë së çame. Më 25 qershor 1944 forcat e gjeneralit Napoleon Zerva ekzekutuan 2.000 çamë brenda një nate në qytetin e Paramithisë. Zyrtari i Departamentit shënon se Diamantopulosit, qejfli gostish në  hotelet e Uashingtonit, iu sugjerua se, nëse qeveria greke synonte rezultate praktike, këtë fare mirë mund t’ua kërkonte autoriteteve ushtarake britanike që ishin përgjegjës për teatrin e Shqipërisë në hetimin e këtyre akuza për terrorizim dhe shtypje. Me sa duket, diplomacia amerikane ishte e pafuqishme ndaj “Luanit” britanik, që ishte marrë vesh me Stalinin që Greqia t’i lihej në kompetencë Çurçillit.

 

Dokumenti 1

Kreu i LNÇ-së: Jo Vorio Epirit dhe po Kosovës

 

15Në foto: (Nga e majta në të djathtë) Enver Hoxha, Omer Nishani, Ramadan Çitaku, shefi i misionit të OSS-së, pararendëse e CIA-s amerikane, Tom Stefan. Foto është botuar për herë të parë pas vdekjes së Enver Hoxhës, në albumin fotografik kushtuar diktatorit nga ish-“Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste”, i cili drejtohej nga Nexhmije Hoxha.  Njeriu i shërbimit sekret amerikan, Thomas (Tom) Stefan, ka raportuar tek këshilltari politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate në Kazerta të Italisë se Enver Hoxha i ka deklaruar më 23  tetor 1944 se territoret në Shqipërinë e jugut do të mbroheshin dhe me luftë po të ishte e nevojshme ndaj pretendimeve greke. Kreu i LNÇ-së ka kërkuar referendum për Kosovën.

 

Telegram i z. Aleksandër Kërk, këshilltar politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate, drejtuar Sekretarit të Shtetit

Kazerta, më 23 tetor 1944, ora 17:00

[Marrë më 24 tetor, ora 08:23]

OSS-ja (Office of Strategic Services – Zyra e Shërbimeve Strategjike, pararendëse e CIA-s – “Investigim”) raporton se Hoxha ka thënë se ai vetë pranon kufirin jugor shqiptar të vendosur në Konferencën e Londrës në vitin 1913. Ai i përmbahet pozicionit që grekët në Shqipëri duhet të kthehen në Greqi dhe nuk sheh ndonjë justifikim për referendum dhe se do të kundërshtonte një referendum në Shqipërinë e Jugut, për të cilën pretendon se është shqiptare definitivisht. Hoxha thekson më tej se shqiptarët do të luftojnë për këtë territor nëse është e nevojshme. Nga ana tjetër, Hoxha mendon se problemi i Kosovës mund të zgjidhet vetëm me referendum.

KËRK (KIRK)

 

 

Dokumenti 2

Athina: Fqinji verior duhet shpallur “shtet armik”

 

Telegram i të ngarkuarit me detyrën e Sekretarit të Shtetit (Stettinius) drejtuar z. Aleksandër Kërk, këshilltar politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate në Kazerta

Uashington, më  9 nëntor 1944, ora 21:00

Departamentit të Shtetit do t’i interesonin informacionet që ju ose anëtarët e stafit tuaj në Bari mund të keni ose do të arrini të merrni mbi perspektivat e ruajtjes së stabilitetit në kufirin greko-shqiptar, pasi të largohen gjermanët dhe të kalojë në duart e autoriteteve vendase kontrolli i plotë. Sikurse mund të jeni njoftuar, qeveria greke jo vetëm që ka paraqitur pretendime për territore të gjera në Shqipërinë e Jugut (Epirin e Veriut), por ka kërkuar që Shqipëria duhet shpallur “shtet armik” dhe shfaqi dëshirën e saj për të dërguar trupat grekë për pushtimin e zonës së diskutueshme.

Qeveria amerikane vazhdimisht ka bërë publike me formulime të qarta pikëpamjen e saj se për kontestet kufitare nuk duhet vendosur para rregullimit të përgjithshëm. Qeveria britanike ka deklaruar se çështja e kufijve të Shqipërisë duhet shtyrë për t’u zgjidhur nga konferenca e paqes. Ndërkohë ne mendojmë se kërkesa greke për Shqipërinë e Jugut duhet marrë në shqyrtim në atë kohë [në konferencën e paqes], dhe i përmbahemi pikëpamjes se ndërkaq kufiri i para-luftës duhet konsideruar si kufiri i ligjshëm. Nga ana tjetër, shtetet që janë në kontest dhe shtetasit e tyre duhet të mos ndërmarrin veprime, të cilat do të shkelnin këtë kufi apo të cilat do të tentonin të paragjykonin një zgjidhje të kontestit kufitar në thelb në një datë të mëvonshme. Për këto arsye, mendojmë se është e rëndësishme që forcat e armatosura greke dhe ato shqiptare duhet të parandalojnë shkeljen e kufirit dhe se duhen ndaluar përpjekjet nga ana e të dy palëve për të dëbuar ose shfarosur minoritetin që i përket një gjuhe ose etnie tjetër. Jemi të sigurt se autoritetet ushtarake këtë problem e kanë mirë parasysh, por do t’ju ishim mirënjohës për çdo informacion që mund të jeni në gjendje të ofroni mbi këtë temë. Telegramet tuaja të kohëve të fundit mbi Shqipërinë… kanë qenë shumë të dobishme.
STETTINIUS

 

 

Dokumenti 3

Inteligjenca: Ja pse Tirana nuk u kërkon ndihma aleatëve

 

Telegram i z. Aleksandër Kërk, këshilltar politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate, drejtuar Sekretarit të Shtetit

Kazerta, më 5 dhjetor 1944, ora 22:00.
[Marrë ora 22:58]

Qëndrimi jo-bashkëpunues i FNÇ-së në Shqipëri ndaj misioneve aleate dhe mungesa e dëshirës së tyre për të kërkuar ndihmë nga Aleatët shpjegohet sipas mendimit të JIC-it [1] pranë Shtabit të Forcave Aletate me: (1) dëshirën për të siguruar njohje nga aleatët si autoriteti i vetëm qeverisës në Shqipëri, (2) frikën para shfrytëzimit ekonomik nga të huajt si në të kaluarën nga italianët, (3) krenarinë kombëtare që shkakton ngurrim për të pranuar para aleatëve se ka mungesa dhe dobësi dhe (4) dyshimin e natyrshëm për qëllimet e Aleatëve në Ballkan, veçanërisht në mbështetje të iredentizmit grek.

KËRK (KIRK)

Shënim i origjinalit anglisht

[1] JIC: Joint Intelligence Committee – Komiteti i Përbashkët i Shërbimeve Sekrete

 

 

Dokumenti 4

Athina: SHBA të mos njohë Hoxhën, është turk musliman

 

16Në foto: Kimon P. Diamantopulos, ambasador i Greqisë në SHBA (në vitet 1940-1946), kryediplomati i një qeverie që nuk ekzistonte (!) pasi Greqia ishte e pushtuar. Ai  po kontrollon personalisht ushqimin, që në fillim ishte dehidratuar, pastaj rihidratuar, pasi ka shtruar një drekë zyrtare më 11 mars 1943, në hotel “Statler”, Uashington, D.C. Më 6 dhjetor 1944, kur në Greqi s’merrej vesh se kush do të fitonte për shkak të luftës civile, në emër të ish-kryeministrit Georgios Papandreu (1888 –1968) i vendosur nga anglezët në Athinë më 18 tetor 1944, Diamantopulosi u kërkonte amerikanëve të mos njihnin një qeveri shqiptare  të formuar nga Hoxha “turk musliman”.

 

 

Memo bisede, hartuar nga ndihmës-shefi i Divizionit të Çështjeve të Lindjes së Mesme (Koler)

[UASHINGTON,] më 6 dhjetor 1944.

Të pranishëm: Z. Cimon P. Diamantopoulos, ambasadori grek
Z. Alling [1]
Z. Kohler
Ambasadori grek thirret me kërkesën e tij për të diskutuar për çështje aktuale. Ai lexoi një telegram të Qeverisë së tij që shprehte kundërshtimin e saj të vendosur ndaj formimit të një qeverie në Shqipëri nga Hoxha (ambasadori tha se ky emër ishte në të vërtetë Hodja, dmth “mësues”, dhe iu referua si një turku musliman). Telegrami vazhdonte me thëniet se forcat e Hoxhës në Shqipëri po terrorizonin dhe po shtypnin minoritetin grek në Shqipërinë e jugut.
Ambasadori, me sa duket, nuk ishte i sigurt lidhur me qëllimin e qeverisë së tij, veçanërisht nëse ishte udhëzuar të na kërkonte parandalimin e formimit të Qeverisë Hoxha apo mosnjohjen e çdo qeverie të tillë që mund të formohej. Ai po kërkon sqarime për këtë pikë.

Në përgjigje të kërkesës së tij mbi pikëpamjet tona si pjesë e dytë e mesazhit, iu sugjerua se nëse qeveria greke synonte rezultate praktike këtë fare mirë mund t’ua kërkojë autoriteteve ushtarake britanike që ishin përgjegjës për zonën e Shqipërisë në hetimin e këtyre akuza për terrorizim dhe shtypje.

FOJ KOLER (FOY D. KOHLER)

Shënim i origjinalit anglisht:

[1] Pol Ejlling (Paul H. Alling), zëvendësdrejtor i Zyrës së Çështjeve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës.

 

 

Foto-kontrast/ Diplomacia e luftës

Nga kasollja e Helmësit në hotelin luksoz të Uashingtonit

 

17Në foto: Në kasollen e Helmësit, gusht 1944. Njeriu i shërbimeve sekrete amerikane, Thomas (Tom) Stefan, i atashuar pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare, midis Enver Hoxhës dhe Omer Nishanit, i katri djathtas Ramadan Çitaku (Foto e arkivit të Uashingtonit).

 

 

 

18Ambasadori i Greqisë, Kimon P. Diamantopoulos shikon se si Sol Blum (Bloom), kryetar i Komitetit amerikan për Punët e Jashtme pranon një pjatë në një drekë të shtruar nga qeveria helene në mërgim, në hotelin “Statler” në Uashington DC: Të mos njihet qeveria e përkohshme shqiptare e krijuar në Beratin e çliruar nga forcat partizane pa zbarkim aleatësh. Greqinë e çliruan më 18 shtator 1944 anglezët.

 

Please follow and like us: