Albspirit

Media/News/Publishing

Pandeli Koçi: Pano Taçi, një jetë boheme për poezinë

 

Poezia e Pano Taçit reflekton një konglomerat e vorbull kontradiktash në një hapësirë të shtypur dypërmasore, ku jeta në kufijtë e vdekjes e të gjallimit, të errësirës e dritës, të urrejtjes e të dashurisë ka vulën e pamëshirshme të fatalitetit – të një fataliteti shqiptar që zvarritet në rrafshin diakronik nga e kaluara jonë historike, në ditët tona dhe, në rrafshin sinkronik, nga burgjet e kampet e diktaturës në anarkinë katastrofike të përditshmërisë.

Duke jetuar e përjetuar për vite e vite me radhë burgjet e internimet, një realitet sa dramatik e tragjik aq dhe absurd, poeti nuk mund të mos nxirrte ose më saktësisht nuk mund të mos i buronte vetëdijshëm e pavetëdijshëm një rrjedhë poetike, ku në raportin  dritë-hije mbizotëron e errëta, hija e kalvarit që mbarti, por pa e humbur kurrëherë besimin e rrënjosur  te njerëzorja, e mira dhe mbi të gjitha te dashuria. Prandaj poezitë e Panos janë në thelb mikrodrama që shpërthejnë nëpërmjet një lirizmi të egër me ngjyrime të theksuara ekspresioniste. Edhe pse e mbante veten si nxënës e ndjekës të Lasgush Poradecit, ai i qëndroi larg frymës së romantizmit, sepse vetë përvoja e jetës së tij ia kushtëzoi dhe ia shtroi udhën e poezisë, të ndaluar për të, drejt një realizmi egërshan.

Ringjallja e poetit pas vitit ’90, botimi i librave, vlerësimet e larta për poezinë e tij, nuk ia grisën dot hijen e tmerreve e të vuajtjeve. Zhgënjimet nga realiteti i ri, i quajtur tranzicion pa fund, një pjese të poezisë ia ngjyrosën me humor të zi deri në sarkazëm.

Poeti rrëfen plagët – as i vjen turp nga to, as mburret me to. Ai vetëm rrëfen, duke poetizuar për t’i vërtetuar vetes e të tjerëve se dhimbjet e vuajtjet janë shoqëruese të pandara nga liria e dashuria, të cilat e ushqejnë shpirtin si ajri e drita trupin.

Mbërthyer në kornizat e një metrike të rëndë e gozhdët e rimave tingëlluese, poezia e Pano Taçit frymon me një ritmikë gulçuese, të shqetësuar, po të disiplinuar e të vetëpërmbajtur, gjithsesi të funksionalizuar ndaj lëvizjeve, ndrydhjeve e shpërthimeve të asaj mikrobote që quajmë shpirtërore, po që është në rezonancë të drejtpërdrejtë me atë makrobotë që e quajmë shoqëri njerëzore.
Pano Taçi është nga të rrallët në letërsinë shqipe që shkroi poezi erotike “lakuriqe” dhe përdori fjalë që “s’thuhen” ose “të paturpshme”. Këtë mund ta quash një sfidë të tij të guximshme ndaj “moralit” e “traditës poetike të kultivuar”, se në poezinë popullore atë leksik e gjen sheshit.

Cili është (anti)heroi lirik i kësaj poezie? Ai që e ka njohur  jetën e krijimtarinë e këtij poeti, do të përgjigjet: Vetë Pano Taçi. Ndoshta prandaj në librin tim “Turbull” kam përfshirë edhe këtë trevargësh: “Po t’i prangosësh bashkë\ aventurë e poezi \ e kanë emrin Pano Taçi.”

Libri me titullin domethënës “Muzgu vjen papritur” është i fundit i Panos, por që ai nuk arriti ta shohë të botuar edhe pse e dëshiroi këtë deri në çastet e fundit të jetës në spitalin “Nënë Tereza” nr.4, kati 4, dhoma 7 të Tiranës. Por besoj se vlera origjinale e poezisë së tij, miqtë e dashamirësit e poezisë së tij, historia e letërsisë do ta kërkojnë natyrshëm ribotimin e veprës së tij, pra ringjalljen e poetit.

Disa poezi…

Ç’KËRKOJ TË GJEJ…

Ç’kërkoj në pyll me hap të zbehtë,
Tek rrjedh gëmushës një burim?
Hazdisur zogjtë ia thonë lehtë
Për mallin tënd, për mallin tim.

Bëj t’ia dëgjoj gjethet kories
Se ç’thonë ato buzëblerta.
Thashë ia gjeja gjurmën hijes,
Që le ti e pas unë mbeta.

Te brinja e mallit për matanë
Të pashë si ikje si një shterg.
Të pret ky mall pa fund, pa anë,
Se më vjen prapë nga ai shteg.

Nuk di pse zemra më mbërdhi,
A thua, kot rri duke pritur?
Dëgjoj korijen që gërrhin
Mbi mallin tënd duke dremitur.

Ç’kërkoj në pyll me hap të zbehtë,
Me këtë mall që po më çmend?
Hazdisur zogjtë ia thonë lehtë
Për mallin tim, për mallin tënd.

I SHUSHATUR

I shushatur rashë të flë,
Më shushati syri i zi.
Ai sy ëndërr m’u bë.
Ëndrra kongji mbi gji.

I shushatur rashë të flë,
Shushatur nga fëmëra.
Ç’ma solli në gjumë atë,
Të më marrë flakë zëmëra.

I shushatur rashë të flë,
Nga ajo që më shushati.
Zgjata dorën që ta zë
Aty te shtarti…
Oh, unë i ngrati,
U ngrita e s’gjeta gjë!

NJË LOT

Një lot, oh, e desha një lot,
Syu të ma pikojë tatëpjetë,
Rrudhës së faqes së ftohtë
Mbi buzën time të zbehtë.

Në bie si hënë e plotë,
E pi për raki të sertë.

RUSPA

Tundu moj, hallall të qoftë.
Ndizja flakën trimit.
Ikë e shka si t’ishe troftë,
Valës së vështrimit.

Tundu moj, të qoftë hallall,
Vrit e digj me sy.
Dhe vdekuri bëhet gjallë,
Në i shkon përbri.

Tundu moj, se të ka hije,
Djali pas e ndjell.
Ku shkel, dheu na merr shije,
Hapin tek e hedh.

Tundu moj, hallall të qoftë,
Se, si ruspë shket.
T’isha peshkatar, moj troftë,
Iu zija në rrjetë.

ME KONGJI MBI BUZË

Kongjijtë mbi buzë çapkëni,
Ç’pate që m’i le për dert.
Tek hedhin vallen te lëmi
Bëj t’iu zë e ti më shket.

S’kam përse ta mallkoj fatin,
Dridhe vallen e më pri.
Ku them, lëmsh e bëjmë shtratin:
Dehem unë e përumb ti.

Qesh e lot, e tek këndon,
Nga unë sytë nuk i hoqe.
Oh, po çke që më lëndon,
Më lëndon e më tundon,
Moj më e bukura në shoqe.

Dy fjalë mbi buzë të rrinë,
Porsi shpuza ndënë hi.
M’u bë,
Më thanë:
Në lëndinë
Në më zë,
Ta fal një gji…

Ç’më flet moj, pash Perëndinë,
Mësomë të t’i puth të dy.

15 qershor 2014

Please follow and like us: