Albspirit

Media/News/Publishing

Mit’hat Frashëri: Rilindja shqiptare

 

 

Shqiptarët hynë vonë në skenën e nacionalizmit. Napoleoni II e quajti shekullin e 19-të shekulli i nacionalizmit, sepse pikërisht ai- pa të shfaqej ndjenja kombëtare te shumë popuj. për të cilët më parë as që besohej se ekzistonin.

Pikërisht nga viti 1800 te popujt ballkanikë filluan të zgjohen ndjenjat nacionaliste: para kësaj date, grekë. rumunë, serbë e bullgarë ishin të kënaqur që kishin fenë e krishterë. që ishin armiq të turqve, dhe nuk shkonin më larg. Bullgarët filluan ta ndjejnë veten të tillë vetëm rreth gjysmës së shekullit të kaluar.

Shqiptarëve iu desh të prisnin luftën ruso- turke të vitit 1877 për të forcuar bindjet e tyre. Fakti që ishin të fundit në këtë gjë nuk do të thotë aspak se janë inferiorë. Kam dëgjuar të thonë se dijetari i shquar çek, Safarik, gjatë një darke me miq të tij paska thënë se, në qoftë se një forcë e mbinatyrshme munt të zhdukte afër 12 pjesëmarrës në një darkë, ideja e nacionalizmit çek do të zhdukej bashkë me ta: në këtë mënyrë ishin shumë të paktë ata të cilët e ndjenin vehten bohemë dhe jo gjermanë.

Sidoqoftë, munt të thuhet se kjo është një nxitje e mirë që prej disa dekadash. Në këtë lëmsh toke ka pasur shumë raca, që në të kaluarën ndritën me një shkëlqim të fortë dhe të cilat, qysh prej asaj kohe u shuan; një tjetër që qëndronte në rradhët e para të qytetërimit aktual nuk figuronte mbi ne as ndërmjet numrit të barbarëve në fillim të erës sonë. Vitet tona janë një gjë kaq e vogël në këtë pafundësi. Ne themi se shqiptarët pritën vitin mëshirëplotë 1878 për të dëgjuar thirrjen e gjakut dhe të racës.

A flinin më parë sedra e tyre kombëtare dhe shqetëpsimi i tyre kombëtar? A e konsideronin ata veten si persona të përzierë në masën e racave fqinje? Mund të thuhet se jo.

Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve.

Udhëtarët e Orientit dhe vëzhguesit e ngjarjeve turke, e kanë dalluar që prej një kohe të gjatë këtë karakteristikë të shqiptarëve.

Pikërisht kësaj ndjenje shumë të zhvilluar të ndërgjegjes kombëtare. Shqipëria ia dedikon mos asimilimin e saj në masën që e rrethonte dhe është me të vërtetë e habitshme që ishuj të vegjël shqiptarësh mbeten ende të paprekura që prej shumë shekujsh, duke ruajtur me anë të fesë gjuhët e tyre, përdorimin e tyre dhe zakonet e tyre, të lëna nga të parët.

U desh sigurisht një dozë e fortë vitaliteti etnik për t’i mbrojtur këta shqiptarë nga asimilimi e zhdukja dhe ata të vetë Shqipërisë, të cilët dëshmuan për sedrën e tyre kombëtare me revoltat e shumta që ndërmorën kundër turqve.

Më të famshmet dhe të njohurat ndër këto revolta janë ato të familjes së Bushatllinjve (Mustafa dhe Mahmud) nga Shkodra dhe të Aliut nga Janina. Pas vdekjes së këtij të fundit, pjesa jugore e Shqipërisë ka njohur shumë revolta të tjera, sigurisht më pak të bujshme, porjo më pak karakteristike. Por për ta kristalizuar këtë ndjenjë kombëtare dhe për ta konkretizuar atë në një koncept të qartë, u desh tronditja e madhe e luftës ruso-turke të vitit 1877-1878 dhe traktatet e Shën-Stefanit e të Berlinit që e pasuan atë.

Në këto traktate, rajone të tjera të banuara nga shqiptarët ishin caktuar që të zgjeronin Serbinë dhe Malin e Zi ose të krijonin shtetin e ri bullgar. Më vonë ishte i njëjti problem, për t’ia lëshuar Greqisë- së bashku me Thesalinë- pjesën jugore të vilajetit të Janinës: për Shqipërinë ky ishte fillimi i copëtimit. Pranim dhe pasojë e copëtimit të Perandorisë Osmane, mbasi vetë Shqipëria nuk llogaritej si entitet etnik.

Kjo mjaftonte për të reaguar; rreziku ishte tepër i madh dhe tepër evident: edhe një luftë tjetër fatkeqe për Turqinë dhe Shqipëria do të zhdukej me perandorinë e krijuar nga pasardhësit e Osmanllinjve.

Pra duhej shpëtuar ngarkesa e saj e vogël dhe të mos lihej të tërhiqej nga anija, e cila po fundosej. Goditja u ndje dhe ndodhi reagimi.

Përballë rrezikut që u kanosej, shqiptarët u zgjuan instinktivisht, spontanisht. Sigurisht erdhi koha për këtë. Dhe u organizuan disa mbledhje për të rënë dakord lidhur me masat që duheshin marrë. U mbajtën mbledhje si në veri edhe në jug dhe qendrat kryesore ishin Preveza, Janina, Shkodra, Prizreni e qendra të tjera të dorës së dytë dhe pak nga pak në të gjitha qytetet. Mbledhjet në veri kishin si synim të drejtpërdrejtë të parandalonin ndarjen nga Shqipëria e Guxisë dhe Plavës, të Nishit, Vranjës dhe Kurshumlies. Mbledhjet e jugut duhet të shmangnin rrezikun nga ana e Greqisë.

Një tubim i rëndësishëm u zhvillua në fund të vitit 1878 në Gjirokastër dhe dy delegatët, Abdyl bej Frashëri e Mehmed bej Vrioni. u caktuan të vizitojnë kryeqytetet e Fuqive të Mëdha dhe të paraqisin ankesat e shqiptarëve: në fakt ata do të shkonin në Rome, Paris. Londër, Berlin e Vjenë dhe pritja që iu bë nuk kishte aspak natyrë qe t’i dekurajonte ata. Kur u kthye nga misioni i tij. delegati Abdyl; bej Frashëri shkoi në Prizren ku u krijua Komiteti Qëndror i Mbrojtjes Kombëtare. i njohur me emrin “Lidhja e Prizrenit”. Qëllimi i vërtetë i ndjekur nga komiteti ishte, përveç se ta shpëtonte vendin nga copëtimi, të bënte që të njihej e të pranohej ekzistenca e një Shqipërie dhe e një kombi shqiptar. Në fakt, ishte fjala jo që të shpëtoheshin mbeturinat e Turqisë, por që të respektohej trupi i një Shqipërie. Të dy të deleguarit që vizituan politikanët e Fuqive të Mëdha duhej sidomos ta plotësonin këtë detyrë e program që duhej ta vazhdonte Lidhja e Prizrenit.

Fillimisht Turqia e kishte parë me një sy dashamirës Lëvizjen Shqiptare, përsa kohë që duhej kundërshtuar vullneti sovran i Rusisë dhe interesat e shqiptarëve ishin të njëjta me ato të Portës së Madhe.

Por gjërat morën një kthesë tjetër, kur lëvizja nacionaliste shqiptare u forcua më shumë nga sa mendohej. Komiteti i Prizrenit pa u vonuar më shumë, filloi të hartojë një program autonomist, që kishte për dallim njohjen nga Porta dhe nga fuqitë, të ekzistencës së një Shqipërie në kufijtë e përcaktuar, duke pasur një autonomi administrative.

Programi autonomist përfshinte territorin e vilajeteve të Janinës e Shkodrës (në tërësi) dhe pjesët e banuara nga një popullsi, shumica shqiptare, në vilajetet e Shkupit dhe Manastirit, pjesë që përfshijnë këto dy qytete dhe rajonet që ndodhen në perëndim.

Këto katër vilajete duhej të formonin një të vetëm, që të kishte si kryeqendër Manastirin, shqipen si gjuhë zyrtare, një buxhet të pavarur dhe shërbimin ushtarak në kufijtë e vilajetit të madh shqiptar, përveç se kur mund të kishte luftë me një shtet tjetër.

Që prej këtij çasti, nuk duhej shumë mendjemprehtësi për të kuptuar se kjo ishte lufta e hapur me Turqinë. Kjo e fundit në fakt intrigoi për ta shpërbërë Lidhjen dhe për të mbjellë përçarjen në mes të kryetarëve. Por kishte një unitet të ngushtë ndërmjet të gjithëve, si krishterë ashtu edhe myslimanë dhe, duke mos arritur asnjë rezultat me anë të këtyre mjeteve, Porta dhe sulltan Abdyl Hamiti që ishte zot absolut, përdorën një mjet më efikas: armët. Marshalli Dervish Pasha u dërgua në krye të 40 batalioneve.

Shqiptarët dispononin vetëm dhjetë mijë njerëz të armatosur keq dhe që nuk kishin asnjë top. U zhvillua një luftë dhe mitralozi turk bëri efektin e tij. Lidhja pushoi së ekzistuari, por ajo kishte funksionuar për dy vjet, duke dhënë fizionominë e një administrate autonome, duke krijuar një milici të vogël dhe një buxhet -gjë që është edhe më e rëndësishme- duke krijuar shkakun për të forcuar ndjenjën dhe ndërgjegjen për një nacionalizëm të kristalizuar, duke e kthyer një gjë të vogël e të pandërgjegjshme në diçka të qartë e të ndërgjegjshme.

Veprimtaria e Lidhjes nuk ishte sterile: Guxia dhe Plava u shpëtuan; Preveza dhe Janina nuk iu dhanë aspak Greqisë. mbasi fuqitë u detyruan të pranonin se ato ishin rajone shqiptare. Nga ana tjetër është e vërtetë se Nishi, Vranja dhe Kurshumlie humbën dhe koncertit europian iu desh të përdorte një manovër detare për t’u dorëzuar malazezve qytetin trim të Dulcingos me banorët e tij të guximshëm. Lidhja u shpërbë, kryetarët e saj u larguan, u mërguan dhe mbështetësit e saj u persekutuan, por ndjenja nuk mund të asgjësohej dhe anëtarët e Komitetit Shqiptar, duke u fshehur prej autoriteteve turke e duke u trembur ndoshta më pak nga vetë turqit sesa nga këshilltarët e tyre, e vazhduan fshehur veprimtarinë e tyre. Duke filluar nga viti 1880, veprimtaria e komiteteve politike shqiptare ishte lidhur ngushtë me veprimtarinë e tyre letrare.

* * *

Ndërkohë që komitetet, të cilët formonin Lidhjen e Prizrenit, e zhvillonin aktivitetin e tyre politik në Shqipëri, një tjetër komitet ishte krijuar në Kostandinopojë, me synimin që të punonte për kulturën: kjo ishte e famshmja “Shoqëria letrare” në statutet e së cilës, të publikuara më 1879, shohim se figuronte roli i anëtarëve të saj kryesorë, si të krishterë ashtu edhe myslimanë: më aktivët ishin Sami bej Frashëri (vëllai i Abdyl bej Frashërit) mysliman; Efendiu Pashko Vasa (katolik nga Shkodra); Jani Vreto (ortodoks i Shqipërisë së Jugut, distrikti i Leskovikut). Shoqëria e Konstantinopojës -të cilën sulltani e toleronte në dukje, përsa kohë që ai besonte, ose bënte sikur besonte se veprimtaria e saj drejtohej thjesht kundër kërkesave të armiqve të përbashkët – nxorri po vitin e themelimit të saj një alfabet dhe libër leximi; dhe pak kohë më pas Pashko Vasa publikoi veprën e tij të titulluar “Studim për Shqipërinë dhe shqiptarët” (vepër e cila u botua gjithashtu po atë vit në Paris dhe në përkthimin gjermanish, në Berlin; një përkthim turk u bë nga Ali Danish bej Prishtina, anëtar i Shoqërisë Letrare; por Sulltani i sekuestroi gjithë kopjet dhe libri u ndalua.

Shoqëria Letrare zhvilloi një veprimtari mjaft të madhe për të përhapur mësimin në gjuhën shqipe dhe për ta bërë praktike studimin e gjuhës kombëtare. Mbërritja në Konstantinopojë e Naim bej Frashërit, vëlla i dy të tjerëve, i dha një hov të ri institucionit kulturor dhe një revistë letrare mujore, “Drita”, më vonë “Dituria” u botua për një vit në kryeqytetin turk. Eshtë e tepërt të thuhet këtu se shkronjat e përdorura për të shkruar shqipen ishin shkronja latine.

E kanë pasur gabim kur thoshin se shqiptarët kanë përdorur shkronjat greke ose turke për të shkruar gjuhën e tyre.

Që prej më se 400 vjetësh, shqiptarët përdorin shkronja latine dhe pikërisht me këtë alfabet u shtypën librat e Buzukut, Frano Bardhit, Budit dhe Bogdanit. Pra, nuk duhej besuar se Shoqëria letrare e Konstandinopojës krijoi një gjuhë dhe një shkrim. Në Shkodër shtypeshin libra shqiptarë që prej 100 vjetësh dhe pak më vonë edhe shqiptarët e Italisë (me në krye de Radën dhe Kamardën) ishin futur në studime të thelluara që duhej të tërhiqnin vëmendjen e botës letrare dhe të zgjonin te bashkëkombasit ndjenjën e studimit të gjuhës kombëtare. Në çastin kur Shoqëria e Konstantinopojës filloi të zhvillonte veprimtarinë e saj, i mençuri Konstantin Kristoforidhi punonte që prej më se dy dekadash për përkthimin në shqip të shkrimeve të shenjta, në shërbim të shoqërisë biblike angleze.

Para Kristoforidhit, Naum Veqilharxhi dhe Kolonja (që banonte në Bukuresht) kishin bërë një provë duke botuar një alfabet shqiptar (të litografuar më 1845). Pra, nuk bëhej fjalë aspak për të krijuar, por thjesht për ta bërë praktik dhe të përdorshëm mësimin dhe studimin e gjuhës shqipe. Dhe pikërisht këtu është merita e anëtarëve të Shoqërisë së Konstandinopojës, se i ka nxitur këto studime, se u ka krijuar bashkëpatriotëve të saj ndjenjën e mundësitë për këtë, se e ka shndërruar atë nga një gjuhë pothuajse e vdekur, në një gjuhë të gjallë kombëtare, se i ka dhënë një kombi të tërë si ideal studimin dhe mësimin nëpërmjet gjuhës së të parëve, domethënë rigjenerimin nëpërmjet mësimit dhe bashkimit.

Pikërisht për këtë arsye viti 1878 duhet konsideruar si fillimi i rilindjes intelektuale të shqiptarëve, ashtu sikurse ishte fillimi i rilindjes politike “Lidhja e Prizrenit”.

Sulltani dhe Porta shqetësoheshin për gjithçka që ishte shqiptare: postave, doganave dhe sidomos agjentëve të policisë u ishte dhënë urdhër të sekuestronin të gjitha shkrimet, të gjitha korrespondencat në gjuhën shqipe. Dhjetra e dhjetra veta u burgosën, u persekutuan, u ndoqën sepse tek ata u gjetën copa letre të shkruara në shqip. I detyruar ta kufizoja studimin tim në një numër të vogël faqesh, nuk mund të shtrihesha deri te vështirësitë që hasnin shqiptarët dhe te proçedurat e shkathëta që ata kishin përdorur për të bërë që të dështonte vigjilenca e spiunëve turq në të gjithë Turqinë dhe bile edhe në Konstadinopojë.

Le të flasim më mirë për veprimtarinë e shoqërive jashtë Turqisë. Pra komitetet nuk mund të funksiononin më, veçse në fon-nën e shoqërive të fshehta revolucionare. Qendrat e veprimtarisë u transferuan jashtë vendit: në vitin 1884 u krijua në Bukuresht Shoqëria letrare Drita (më vonë Dituria); ajo kishte një shtypshkronjë dhe ka botuar libra letrarë dhe shkollorë, të vëllezërve Naim dhe Sami bej Frashëri, të Jani Vretos, Thoma Sinos, Qiriazit etj.

Më 1897 në Bruksel u krijua revista “Albania” (që më vonë u transferua në Londër), e cila botonte në faqet e saj vepra letrare të poetëve Patër Gjergj Fishta, Filip Shiroka dhe të shkrimtarëve të tillë si Faik Konica, P. Ethem Gjeçaj etj. Një vit më vonë, më 1898, në Sofje u krijua shoqëria “Dëshira” me një shtypshkronjë të pajisur mirë dhe mund të themi se veprimtaria në botimin e librave kaloi nga Bukureshti në Sofje, ky u shtypën dhjetra vepra të vogla letrare e shkollore, si dhe fletushka “Drita”, e cila duhej të krijonte një frymë të gjallë nacionaliste te shqiptarët dhe të mbështeste aksionin militant të komiteteve politikë.

Duhet shënuar në një mënyrë krejt të veçantë veprimtaria që u zhvillua nën regjimin e sulltan Hamitit nga një grup politik revolucionar i drejtuar nga vëllezërit Bajo e Çerçiz Topulli dhe Mihal Grameno. Ky i fundit, në të njëjtën kohë – poet e shkrimtar, ishte shpirti i kërkesave për autonomi ekleziastike të shqiptarëve ortodoksë. Dhjetra e qindra mijra kopje të shtypura u futën në mënyrë të fshehtë në Shqipëri dhe u lexuan me etje: shumë persona të burgosur si revolucionarë, për shkakun e thjeshtë se autoritetet kishin zbuluar tek ata libra ose gazeta shqip, i kishin kthyer qelitë e tyre të burgut në shkolla të vërteta, mbasi as ata, as nxënësit e tyre, nuk kishin çfarë të humbisnin.

Jashtë vendit, në Bukuresht dhe në Sofje, në Egjipt dhe më vonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u formuan shumë shoqëri dhe komitete, të cilët që të gjithë kishin programin e Lidhjes së Prizrenit ose të paktën përpiqeshin të siguronin nga Porta njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare dhe lejen për mësimin e gjuhës shqipe në shkollat private. Në aspiratat e tyre nacionaliste, shqiptarëve u duhej të përballeshin me një armik jo më pak këmbëngulës dhe të tmerrshëm sesa vetë turqit. Ky ishte patriarku grek i Koristandinopojës, i mbështetur ose më mirë i nxitur nga Greqia dhe Rusia: këto të dyja ose tre shtete – mbasi patriarkana është një shtet brenda shtetit me fuqi tepër të tmerrshme – ishin këshilltarët besnikë të Turqisë për ta nxitur atë kundër shqiptarëve.

Për pasojë. shqiptarët më në fund u bindën se për të shpresuar një ngritje morale dhe kombëtare. Duhej të çliroheshin nga tirania greqizuese e partriarkanës. e cila nuk bindej aspak të pranonte ortodoksë që nuk ishin grekër.

Pra, rilindësit, futën në programin e tyre krijimin e një kishe autoqefale, ku të përdorej gjuha shqipe.

Lumo Skëndo

Përkthyer nga frëngjishtja: Shkëndia Dhame. Nxjerrë nga revista “Popujt e Lirë”, gusht-shtator 1919

Please follow and like us: