Albspirit

Media/News/Publishing

Paskal Milo: Sulmet ndaj ambasadorëve si në ’96

Paskal Milo: Sulmet ndaj ambasadorëve si në ’96, ja çfarë më tha këshilltari i Klinton për Berishën, ligji grek i luftës absurd, të mos përdoret nacionalizmi për vota

Paskal Milo: Sulmet ndaj ambasadorëve si në ’96, ja çfarë më tha këshilltari i Klinton për Berishën, ligji grek i luftës absurd, të mos përdoret nacionalizmi për vota

 

Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, në një intervistë për gazetën “Sot”, komenton ngjarjet më të nxehta aktuale politike, si rolin e ambasadorëve në kuadër të reformës në drejtësi dhe sulmet e PD ndaj tyre, rolin e Sali Berishës, vizitën e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, etj. Milo i ka kërkuar PD të mos përsërisë gabimin e vitit ’96 kur sulmoi ambasadorët, të cilët i kërkuan që të anulonte zgjedhjet e manipuluara të këtij viti. Duke u ndalur në këtë ngjarje, Milo kujton këshilltarin e Presidentit Klinton kur e krahasoi Berishën me Leninin. Sa i takon marrëdhënieve me Greqinë, Milo e cilësoi absurd ligjin e luftës me shtetin, ndërsa i bëri thirrje politikës mos të përdorë flamurin e patriotizmit për vota.

-Palët vijojnë të ndahen nga qëndrimet e tyre për reformën në drejtësi, ku secila vendos kushte të panegociueshme. Mendoni se do të gjendet konsensusi dhe drafti do të kalojë për miratim në Parlament?

Konsensusi, ky përcaktim klasik i artit të kompromisit dhe të diplomacisë në Shqipëri, është i shpërfytyruar. Kjo ndodh sepse shqiptarët në përgjithësi dhe klasa politike në veçanti, nuk kanë kulturën e mjaftueshme për të kuptuar thelbin e konsensusit, por edhe për ta zbatuar atë. Pikërisht nga kjo vjen e gjithë sjellja politike, që konsensusin e konsiderojnë një veprim të njëanshëm gjithnjë në favor të interesave të tyre. Pra, vetë konsensusi konsiderohet në Shqipëri si një truk për t’ia hedhur kundërshtarit politik. Pikërisht, këtë lloj konsensusi kërkojnë aktualisht dy partitë e mëdha politike. Vetë kjo reformë e stërzgjatur e drejtësisë, që ende nuk mund ta quash reformë, por thjesht një grindje marramendëse e protagonistëve politikë, për t’ia hedhur njëri-tjetrit dhe për të konstituuar një reformë që të instalojë supremacinë politike të njërës apo tjetrës palë në sistemin e drejtësisë. Po të mos ishte kështu, kjo reformë do të duhej të bëhej vite përpara. Unë mendoj se nuk do të ketë reformë të mirëfilltë në drejtësi! Edhe nëse shkohet në një kompromis të këtyre ditëve të ardhshme, reforma do të jetë e çalë! Ajo nuk do të përfaqësojë atë synim madhor për të reformuar sistemin e drejtësisë dhe për të reformuar gjithë jetën e shoqërisë shqiptarëve. Dhe ajo që unë mendoj dhe besoj se shohin gjithë shqiptarët si të papranueshme për një reformë afatgjatë europianë, është që të mos ketë përfaqësim politik në sistemin e drejtësisë.

-Ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin kanë qenë mjaft aktivë për të nxitur politikën shqiptare për të miratuar reformën në drejtësi, madje, ata zhvilluan takime edhe me grupet parlamentare, gjë që nuk u pëlqye nga PD. Si e shihni rolin e ambasadorëve në kuadër të reformës në drejtësi?

Partnerët tanë ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit e tyre në Shqipëri, kanë bërë të jashtëzakonshmen për të gjetur një kompromis midis aktorëve politikë në Shqipëri, dhe ata janë të bindur se këtu kemi një racë politike të jashtëzakonshme që nuk mund ta gjesh në asnjë vend të botës, as në Afrikë! Dhe duke qenë se e njohin kaq mirë këtë racë politike, ata shpesh herë kanë qenë të detyruar të dalin edhe jashtë vetes së tyre, jashtë misionit normal diplomatik që ata kryejnë duke shkuar deri në kërcënime. Pse? Sepse ata tashmë kanë marrë në dorë që të reformojnë jo vetëm sistemin e drejtësisë, por në Shqipëri duhet ribërë shteti, institucionet dhe jeta politike. Nuk mund të ketë një Shqipëri evropiane me një katundari politike, anadollake, ku palët e ndjejnë kënaqësinë vetëm kur grinden, kur shahen dhe kur akuzohen. Një klasë e tillë politike që ka si instrument pikërisht veset më negative të një shoqërie që e kthen Parlamentin në një shesh beteje, ku vetëm deputetin intelektual nuk e shfaqin, ku vetëm mafiozët, njerëzit e krimit dhe gjuha e rrugaçërisë prezantohen, nuk mund të ndërtojë shtet, nuk mund të bëjë reforma. Reforma s’ka për t’u bërë nga këta aktorë politikë; këtu ka nevojë për një katharsis të mirëfilltë dhe të gjithanshëm! Pyetja shtrohet: Kush do ta bëjë? Këta që janë nuk e bëjnë dot, sepse do të thotë që të ikin vetë. Por meqë nuk duan të ikin meqë kanë interesa, dhe mbi të gjitha janë ato që mund t’i penalizojnë nesër, atëherë bëjnë ç’mos që reforma ose të mos bëhet fare, ose të shtyhet në kalendat greke, ose të bëhet ashtu siç u intereson atyre, dhe për rrjedhojë ta shesin atë në opinion si një arritje. Jemi pikërisht në një rreth vicioz ku vërtitet e gjithë galeria e personazheve të politikës shqiptare dhe ku baltosin me qëllim që të shtyhet. Arti i demagogjisë dhe i mashtrimit ka arritur kulmin!

-Ditët e fundit, ambasadorët janë kritikuar nga opozita për qëndrimet e tyre. Si i vlerësoni këto akuza në gjykimin tuaj?

PD nuk duhet të vazhdojë të bëjë gabimin e hershëm, kur qëndrimet e saj nuk mbështeten nga ndërkombëtarët dhe fillon e i akuzon ato sikur mban anën e kundërshtarëve të tyre politikë. Më kujtohet në maj të 1996, pas manipulimit të zgjedhjeve parlamentare, kur BE dhe SHBA filluan të kontestojnë zgjedhjet, t’i kërkojnë PD dhe Berishës që të anulonte një pjesë dhe të ribënte zgjedhjet, ata nuk pranuan dhe në momentin kur filluan kritikat e hapura të komunitetit ndërkombëtar, atëherë PD dhe Berisha filluan të akuzojnë përfaqësuesit diplomatik evropianë dhe amerikanë. Nuk arritën një prej drejtuesve të DAP dhe pati një sjellje të tillë politike sa nuk u besohej njerëzve se me kë kishin të bënin. Më kujtohet fare mirë në atë kohë, disa herë këshilltari i Presidentit Clinton, i cili na tha në zyrën e tij në Uashington, se Berisha është leninist! Në vitin 1998, përsëri iu kundërvunë ndërkombëtarëve gjatë tentativës për grusht shteti. Komuniteti ndërkombëtar iu kundërvu nga ana e tij, ndërsa Berisha dhe PD bënë përsëri përgjegjës një pjesë të mirë të faktorëve ndërkombëtarë. Për të mos vazhduar më pas për ngjarjet e mëvonshme, për qëndrimet personale të Berishës ndaj disa ambasadorëve si Withers dhe Arvizu. Tani vijmë përsëri te akuzat që u bëhen ambasadorëve të BE dhe SHBA, sepse dy diplomatët kanë folur qindra herë me ta se janë duke mos u treguar fleksibël në çështjen e reformës. Vërejtje të tilla mund t’u jenë bërë edhe socialistëve, edhe kryeministrit, por kjo nuk do të thotë se gjithnjë këta njerëz duhet ta luajnë topin nga njëra fushë në tjetrën. Partnerët tanë ndërkombëtarë përfundimisht mund të binden se këtu nuk ka shtet, nuk ka klasë politike të papërgjegjshme. Le të na lënë në fatin tonë të keq për t’u grindur me njëri tjetrin dhe të bëhemi pjesë e betejave të vazhdueshme të luftës për pushtet.

-Është hapur një debat për çështjen çame. I pari ishte ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, i cili tha se çamët bashkëpunuan me nazistët, ndërkohë edhe mediat greke kanë nisur sulmet e vazhdueshme?

Nuk mund të bëj gabimin e politikanëve që pa patur informacionin e duhur, dalin e bëjnë deklarata të nxituara emocionale, që nuk kanë për synim në zgjidhjen e këtyre problemeve që rrjedhin nga historia, por e kanë qëllimin që përmes flamurit të patriotizmit, të marrin vota në zgjedhjet e radhës. Si politikan dhe si njeri i diplomacisë, do të thosha që Kotzias bëri një hap përpara duke pranuar që ka një çështje çame. Deri në këtë kohë, të gjitha personalitet greke nuk e kanë pranuar ekzistencën e çështjes çame. Kjo duhet vlerësuar! Dhe duhet administruar me kujdes, me qëllim që në një takim tjetër, të hidhet një hap tjetër përpara për ta zgjidhur problemin sepse, këto janë çështje që duhen zgjidhur me shumë kujdes për të mos ndikuar në marrëdhëniet delikate shqiptaro-greke. Dhe unë mendoj që vizita e Kotzias prodhoi një klimë tjetër. Nëse dikush do kërkonte që me një vizitë të zgjidhej problemi historik i çamëve, do të ishte gabim! Rëndësi ka që po merret kthesa dhe duhet të ketë durim, me qëllim që të hidhen hapa të tjerë përpara. Përsa i përket ligjit të gjendjes së luftës, sigurisht që ai është një absurditet dhe si i tillë duhet një orë e më parë që të gjenden instrumentet e duhur për ta hequr nga rendi i ditës. Është krejt formal sepse ai quhet i kapërcyer që nga momenti që kemi vendosur marrëdhënie diplomatike, që nga momenti që është nënshkruar një traktat miqësie, që nga momenti që Shqipëria është bërë anëtare e NATO dhe që nga momenti që Shqipëria është kandidate për anëtare në BE. Këto çështje kanë nevojë prej të dyja palëve që të ulen pa paragjykime në bisedime dhe që opinionet publike të të dyja vendeve të mos nxiten dhe të mos furnizohen me ide të vjetra, shoviniste dhe luftë nxitëse nga të gjitha pikëpamjet. Është e nevojshme përmirësimi i klimës, dhe për këtë do të ndihmonte shumë një qasje më racionale të problemeve historike të të dyja palëve. Politika e dy vendeve që janë anëtare të NATO, edhe në BE nuk mund të jetë më tipike ballkanike ajo duhet të evropianizohet, dhe evropianizim do të thotë të hiqet dorë nga paragjykimet, dhe të gjendet zgjidhje racionale evropiane, ku mbi të gjitha të mbizotërojë respekti dhe të drejtat e njeriut. Nëse politika e të dyja vendeve arrin ta bëjë një gjë të tillë, atëherë mund ta ketë kryer misionin e vet. Unë mendoj se ende jemi larg për të gjetur zgjidhjet e duhura dhe të kënaqshme për të dyja palët, për të gjithë problematikën që kanë marrëdhëniet shqiptaro-greke. Në gjykimin tim, gjithë kjo paketë problemesh që kërkon zgjidhje duhet të bëhet me një ndjesi evropiane dhe graduale. Kush mendon se do të bëhet në formën e një akti të vetëm për një muaj apo për një vit, gënjen veten dhe mashtron të tjerët. Demokracia dhe mirëkuptimi, vetëm këto janë instrumentet e duhur për të gjetur zgjidhjen e problemeve. Fjalimet dhe emocionet politike janë për të marrë vota brenda vendit, në të dyja palët, dhe nuk janë për të zgjidhur problemet. Diplomacia ka rregulla të tjera dhe ka instrumentet e duhur për të gjetur zgjidhje pa presione nga jashtë. Në momentin që aktorë të veçantë politikë apo media, apo qarqe të caktuara ushtrojnë presione ndaj bashkëbiseduesve, ndaj diplomacisë, atëherë rrezikon që të infektojë atë mirëkuptim që duhet të ketë, që duhet të veprojë mes palëve kur negociohet. Intervistoi: Eneida Jaçaj

 

Please follow and like us: