Albspirit

Media/News/Publishing

Melsi Labi: Objektet e Sami Frashërit

 

Objektet e Sami Frashërit, në Muzeun Historik Kombëtar. Reliket u sollën në Shqipëri nga i nipi i tij, Emin Ekrem, me banim në Stamboll, i cili ishte i pranishëm në festimet me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ndër objektet e enciklopedistit të madh të kulturës turke, Sami Frashërit në Muzeun Historik Kombëtar, është skrivania e tij me numër inventari 1878.

Melsi Labi*

Në Muzeun Historik Kombëtar gjenden disa objekte të Sami Frashërit, ideologut dhe veprimtarit të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Reliket e Sami Frashërit u sollën në Shqipëri nga i nipi i tij, Emin Ekrem, me banim në Stamboll, i cili ishte i pranishëm në festimet me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ndër objektet e enciklopedistit të madh të kulturës turke, Sami Frashërit në Muzeun Historik Kombëtar është skrivania e tij me numër inventari 1878. Tryeza e punës është projektuar nga vetë Sami Frashëri, që të ishte funksionale dhe të shfrytëzonte sa më tepër libra në të njëjtën kohë. Ajo është e punuar me dru dhe sipër ka një shtresë llaku. Në anën e majtë ka një sirtar të vogël dhe poshtë ndodhet një vend për vendosjen e librave. Pjesa e sipërme e tryezës së punës është pak më e pjerrët. Mbi skrivani gjendet kallamari, prodhuar prej porcelani të bardhë.

Nëpër raftet e skrivanisë së Sami Frashërit gjenden libra të ndryshëm. Disa janë të shkruara prej tij dhe disa libra të tjerë kanë qenë pjesë e bibliotekës së Sami Frashërit, të sjella në Shqipëri në vitin 1978 nga nipi i tij, Emin Eren. Ndër librat e shkruar në gjuhën shqipe mund të përmendim këta tituj: “Shkronjëtore e gjuhësë shqip”, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë”, “Histori e përgjithëshme”, dramën “Besa” etj. Sami Frashëri ka qenë një ndër organizatorët kryesorë të themelimit të Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip, madje u zgjodh edhe kryetar i saj. Ai drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe “Dituria”, ku shkroi artikuj të shumtë.

Nga librat e përdorur prej Sami Frashërit në gjuhën frënge veçojmë: “La terre”, ‘La science geologique”, “L’atmosphere”, “Historie la geographie”, “La France ses colonies”, “Historie des Grecs” etj.

Me interes janë dy prej vëllimeve të veprës “Kamus al-a’lami”, një enciklopedi historike-gjeografike ose në frëngjisht “Dictionnaire universel d’historie et de geographie” në shqip (Fjalor i përgjithshëm i historisë dhe gjeografisë). Emrin e tij në vepër e shënon të plotë Samy-Bey Fraschery (Sami Bej Frashëri). Këtë vepër, Sami Frashëri e shkroi në kulmin e pjekurisë së tij intelektuale dhe shkencore. “Kamus al-a’lami” është shkruar në gjuhën turke dhe përbëhet nga gjashtë vëllime, të cilat kanë gjithsej 4830 faqe. Vëllimi i parë i veprës çelet me fjalën e botuesit Mihran dhe në vijim është parathënia e librit e shkruar prej Sami Frashërit. Në paragrafin e parë të parathënies, Sami Frashëri lëvdon Sulltan Hamitin. Parathënia është rreth tetë faqe, në të cilat Sami Frashëri shkruan për rëndësinë e shkencës së historisë dhe asaj të gjeografisë, flet për vështirësitë që i kishin dalë për zgjedhjen e lëndës, si edhe arsyen përse ka ndërmarrë të shkruajë një vepër të tillë.

Enciklopedia “Kamus al-a’lami” përmban artikuj gjeografikë e historikë për Europën, Ballkanin, Turqinë, Arabinë etj. Në të flitet për qytetet, detet, liqenet, malet, si dhe popujt e këtyre vendeve. Në vepër bëhet fjalë për perandori, mbretëri, dinasti, personalitete të ndryshme, si sulltanë, vezirë, papë, imamë, historianë, gjeografë, mjekë, filozofë etj. “Kamus al-a’lami” është shkruar gjatë viteve 1889-1898. Kjo vepër është enciklopedia e parë në gjuhën turke. Për hartimin e saj Sami Frashëri kishte hulumtuar për 11 vjet nëpër biblioteka të ndryshme, duke shkundur librat e lënë në pluhur dhe të ngrënë nga krimbat.Në fjalorin enciklopedik të Sami Frashërit gjenden të dhëna interesante mbi institucionet shtetërore, si edhe rreth qendrave më të rëndësishme administrative.

Sami Frashëri në veprën e tij ujep një vend të dukshëm figurave të rëndësishme që ka nxjerrë populli shqiptar gjatë historisë së tij. Në artikullin Arnaut (Shqiptarët) lexuesi njihet me personalitete të trevave mbarëshqiptare nga: Elbasani, Korça, Tetova, Prizreni, Ohri, Manastiri, Shkupi, Ulqini, Gjirokastra, Janina etj. Në vepër flitet për meritat dhe aftësitë e mjaft personaliteteve të spikatur të kohës si: Skënderbeun, Ali Pashë Tepelenën, Elena Gjikën etj. Për shqiptarë të shquar që ka pasur Perandoria Osmane si Mirahor Iliaz beu, stërgjyshi i Sami Frashërit nga nëna, Sinan Pashën, pushtuesin e Jemenit dhe pesë herë kryeministër (sadriazem), Mehmed Ali Pashën, reformator i Egjiptit, Seid Pashën, prej të cilit ka marrë emrin qyteti Port Said etj.

Për të hartuar, biografitë e personaliteteve që kanë luajtur rol të rëndësishëm në histori, Sami Frashëri ka shfrytëzuar një literaturë të gjerë dhe të shumëllojshme. Biografitë janë shkruar gjerësisht duke përmendur edhe detajet e veçanta të gjithsecilit prej tyre.

Sami Frashëri ka shkruar për lashtësinë e popullit shqiptar, për trimërinë, moralin dhe zgjuarsinë e tij. Në artikullin Arnautlluk (Shqipëria) bëhet fjalë për territoret e Shqipërisë, qytetet, krahinat, malet, fushat, lumenjtë, liqenet etj. Në vijim paraqiten të gjitha një e nga një, me karakteristikat e tyre gjeografike, historike dhe demografike. Sami Frashëri thekson se historia dhe gjeografia janë dy shkenca të pandashme, të cilat nuk mund të jenë funksionale pa njëra-tjetrën. Gjeografia është e nevojshme për historinë dhe anasjelltas, madje ato bashkohen në një degë, siç është “gjeografia historike”.

Sipas vlerësimit të personaliteteve të kohës, enciklopedia “Kamus al-a’lami” e rendit Sami Frashërin ndër dijetarët më të vlerësuar.  Sami Frashëri ka qenë edhe një filolog i madh, duke i dhënë Perandorisë Osmane disa vepra leksikografike, ndër të cilat mund të përmendim fjalorët: Frëngjisht-turqisht me rreth 50 mijë fjalë; Turqisht-frëngjisht me 35 mijë fjalë; Arabisht-turqisht etj.

Relike e rrallë në pavijonin e Rilindjes të Muzeut Historik Kombëtar është mjekra e Sami Frashërit, me numër inventari 1879, e cila është ruajtur nga familja e nipit të tij, Emin Eren, me banim në Stamboll.

Muzeu Historik Kombëtar disponon edhe një shami të Sami Frashërit, e cila mban numrin e inventarit 1800. Kjo shami është përdorur nga Sami Frashëri në çastet e fundit të jetës së tij në vitin 1904.

*Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar

Please follow and like us: