Albspirit

Media/News/Publishing

Eulex, sukses apo dështim?

Adea Hasi

Eulex paraqet misionin më të madh civil deri më tani të Politikës Evropiane për siguri dhe mbrojtje. Dhe misionin me të madh të vetin, me një numër të madh të zyrtarëve dhe me shpenzime të shumta për funksionim, Bashkimi Evropian e kishte parë të nevojshme ta mobilizonte në Kosovë.

Synimi kryesor i këtij misioni është t’i ndihmojë dhe mbështesë autoritetet kosovare në fushën e sundimit të ligjit, posaçërisht në fushën e policisë, gjyqësisë dhe doganave.

Ky është një mision i cili do të monitorojë, udhëzojë dhe këshillojë përderisa do të mbajë një numër të kufizuar të kompetencave ekzekutive, me një nga qëllimet bazë të udhëzojë Kosovën drejt ndryshimeve pozitive në sundimin e ligjit sidomos në veri.

Eulex përkrah Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian dhe ndihmon luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar sepse reduktimi i këtyre dy faktorëve destabilizues  shihet progres në rrugën e integrimit. Eulex ishte përkushtuar që të sillte qëndrueshmërinë dhe praktikat e Bashkimit Evropian në Kosovë, sigurisht gjithmonë duke parë aftësitë e Kosovës për të absorbuar.

Sic dihej, mandati i Eulex do mbaronte me 14 qershor të këtij viti por deputetet e parlamentit tonë kanë vendosur që të rimandatohet Eulex edhe për një periudhë dy-vjeqare, pra deri me 15 qershor 2018.

Ndonëse ekzistojnë mendime të ndryshme rreth faktit se a duhej të rimandatohej ky mission apo jo. Fillimisht, duhet theksuar fakti se pa marrë parasysh sa ka punuar dhe sa ka kontribuar

Eulex gjatë këtyre viteve, ky mission është i dërguar nga Bashkimi Evropian , nga destinacioni jonë i shumëdëshiruar prandaj në një farë mënyre ky mission simbolizon praninë e BE-së në Kosovë. Pastaj, neve nuk na kushton asgjë sepse ky mission paguhet nga Bashkimi Evropian dhe nga shtetet kontribuese, kështu që ne nuk humbim asgjë vetem përfitojmë.

Por, në anën tjetër ,skandalet korruptive kanë shkaktuar një njollë të zezë mbi kete mission dhe janë bërë burim pakënaqësie. Ky mission dikur aq i lakmuar  nga vendet e tjera sepse shihej si misioni që do bënte ndryshime dhe do kishte guxim të godiste politikanët dhe strukturat e korruptuara ne vend, u bë vetë temë korrupsioni.

Poashtu, ne si popull mendoj që kemi pritur shumë nga ky mission, dhe pritshmëritë tona nuk janë plotësuar ashtu si kemi dashur ne.

Por, tjetër fakt është se edhe pak shihen në praktikë sukseset e Eulex.

Për shembull Eulex kishte ardhur me objektiva të qarta për veriun por sa shihet plotësimi i këyre objektivave në realitet?

Të rivendos sundimin e ligjit në pjesën veriore të Kosovës; të përmirësojë performancën e Policisë së Kosovës  në atë rajon;  të përmirësojë standardet në qendrën e paraburgimit në Mitrovicë dhe  të fuqizojë shërbimet e regjistrimit civil në atë pjesë. Pra, sa është arritur përmbushja e këtyre objektivave?!

Progres ka në fushën e menaxhimit të kufijve.

Por, sa ka përmirësim në sundimin e ligjit, ose sa janë bërë më transparente institucionet e vendit tonë, ose sa më llogaridhënës janë bërë udhëheqësit e vendit tonë gjatë këtyre viteve?

S’kemi faj pastaj që ndahemi të pakënaqur.

Korrupsioni vazhdon, krimi i organizuar është prezent ende dhe vazhdojnë keqpërdorimet e parasë publikë dhe prapë vazhdon përdorimi i gjyqësorit për qëllime politike.

Ne nuk mund të synojmë Bashkimin Evropian pa i vënë gjërat në vijë dhe pa bërë ndryshimet dhe reformimet e nevojshme.

Por, sa na ka shtyrë neve Eulex për të bërë ndryshimet e duhura? Ky mission është mission udhëzues dhe është dashur të punojë fort që të udhëzojë Kosovën denjësisht drejt BE-së.

Ndoshta,  vullneti deficitar për punë dhe për ndryshim pozitiv i politikanëve dhe zyrtarëve tanë ka frenuar edhe vullnetin e Eulex për të bërë përpjekje të shumta.

Ndoshta, në dy vitet e ardhshme të mandatit, EULEX do përpiqet fuqishëm për të realizuar ato objektiva që nuk ka mundur t’i përmbushë deri tani, do korigjojë dështimet e deritanishme dhe do i përqendrohet te suksesi si alternative e vetme që të përfaqësojë denjësisht Bashkimin Evropian.

 

 

ADEA HASI- Studime të Integruara Evropiane dhe Shkenca Politike- Kolegji ISPE

 

Please follow and like us: