Albspirit

Media/News/Publishing

Ish ambasadori Ryerson: Ja si e kujtoj Shqipërinë…

1 Moza Rajerson

Intervistë e Mimoza Dajçit me ish Ambasadorin Amerikan në Shqipëri Z. William Ryerson/

Ryerson, si e pritët detyrën e Ambasadorit në Shqipëri, duke patur parasysh izolimin e vendit dhe diktaturën e egër gati 50-vjeçare të saj?

Kur erdha për herë të parë në prill të vitit 1991, dija shumë pak për Shqipërinë. E kisha parë Shqipërinë kur punoja në Beograd, nga ana tjetër e liqenit të Shkodrës, aty ku ndodhen malet shqiptare. Nuk e kisha idenë që do të vija ndonjëherë në Shqipëri.

Çfarë detyre mbulonit në atë kohë në Beograd?

Isha në detyrën e Konsullit të Përgjithshëm për SHBA-së, për katër vjet në Beograd.

 A kishit eksperiencë diplomatike më parë në vendet e lindjes që kishin përjetuar diktaturën komuniste si edhe Shqipëria?

Po, në Beograd, dhe tri vite në Poznan të Polonisë.

 Zoti Ambasador, ju keni qenë prezent në Shqipëri në momentet më kyçe të vendit tonë, siç ishte vendosja e pluralizmit dhe rrëzimi i rregjimit komunist. A mund të ndalemi pak tek këto ngjarje madhore që kaloi Shqipëria? 

Ishte kohë shumë e vështirë për shqiptarët në shumë aspekte, por edhe nga ana materiale. Ushqimi ishte shumë i pakët, i pamjaftueshëm për popullsinë vendase. Kishte rrezistencë të madhe nga rregjimi i vjetër karshi ndryshimeve qe po ndodhnin ne ato kohëra. Ju sigurisht ishit atje dhe e dini më mirë se unë. Megjithatë ishte e mahnitshme të shihje kurajon e shqiptarëve se si i rrezistonin asaj trysnie të madhe. Në pranverën e vitit 1992, ne i patëm ofruar Shqipërisë pleh kimik artificial, që të ndihmonte rritjen e prodhimit në vend pa pasur nevojën e importimit të ushqimit, me kusht që të shitej në ankand. Zv. Kryeministri shqiptar i asaj kohe, insistoi duke thënë se ishte e pamundur të zhvillohej ky si proces në Shqipëri, pasi shitja me ankand ishte kundra ligjit. Për ta bërë këtë të mundur, duhej patjetër që pala shqiptare të binte dakord e të firmoste por me sa dukej, kishte rrezik që Shqipëria nuk do të pranonte. Një ministër tjeter po i asaj kohe, që besoj se ishte anëtar i Partisë së Punës, pati kurajon ta nënshkruante këtë kontratë, pasi mendoi se kjo ishte për të mirën e Shqipërisë. Këto ishin situatat me të cilat po përballeshim ato kohë, ku individe të ndryshëm mundoheshin të bëheshin pengesë, ndërsa disa të tjerë kuptonin se këto ishin ndryshime pozitive për zhvillimin e vendit. E vlerësoj edhe sot kurajon e atij ministri që e firmosi atë kontratë, pavarësisht se çfarë anëtari partie mund të ishte ai, nëse fanatik apo jo. Ndërsa unë nga ana tjetër po rrezikoja të humbisja punën, se nuk isha në gjendje të merrja firmat e duhura. Departamenti i Shtetit Amerikan më bëri një telefonatë ku mu tha se nëse kjo kontrate nuk realizohej me Shqipërinë, atëherë plehun kimik do ta nisnin në ndonjë shtet tjetër.

 Në atë kohë besoj se patët rast të takoheshit me Ramiz Alinë. A keni biseduar me atë rreth situatës në të cilën ndodhej vendi?

E takova në pranverën e vitit 1991. Isha delegat, dmth ende pa marrë titullin e ambasadorit. Mbaj mend bisedën e parë tek kafeneja e parlamentit. Njerëzit më hapën rrugën dhe përkthyesja ime më tha: “Me sa duket ai do të takohet me ju”. Kështu që iu afrova. Pasi u përshëndetëm, sepse ai ishte president i Shqipërisë i thashë: “Z. President, ka ardhur koha që Shqipëria të ballafaqohet me të shkuarën e saj. Gjermania e ka bërë këtë. Unë kam qenë me shërbim diplomatik në Berlin, Bon, Vienë dhe jam familjarizuar me këtë proçes, prandaj them se duhet ballafaquar tashmë ajo e shkuar e tmerrshme edhe në Shqipëri”. Ai më tha: “Jo, kjo nuk ka të bëjë fare me ne, pasi ne nuk jemi ashtu”. Ai mbase e besonte vërtetë gënjeshtrën që me tha, por e vërteta ishte se kishte ardhur koha që Shqipëria ta shikonte në sy të shkuarën komuniste.

Duke u kthyer tek parlamenti i parë shqiptar, ju si përfaqësues diplomatik i SHBA, nuk u lejuat fillimisht të asistonit në parlament, dmth si ambasada amerikane ashtu edhe ambasadat e tjera.

Ditën pasi mbërrita në Shqiperi, shkova tek Kryeministria dhe takova shefin e protokollit për një vizitë kortezie. I thashë: “Kam dëgjuar se parlamenti juaj ka refuzuar një kushtetute, por janë në biseda e sipër për një kushtetutë të re. Do të kisha interes të dëgjoja debatet e diskutimet”. Përgjigja e tij ishte: – Nuk mund të vish në Parlament. Atëherë e pyes: “Ç’do të thotë kjo? Përfaqësuesi juaj që do të shkojë në Washington, D.C., do të jetë në gjendje që të dëgjojë seancat e Kongresit Amerikan pasi zhvillohen në mënyrë të hapur”. I thashë gjithashtu se dija vetëm për dy instanca ku Kongresi kishte mbajtur seanca me dyer të mbyllura, e para gjatë Luftës II botërore, ku u mbajt një debat për strategji lufte ku do të vendosej nëse Amerika do të ndërhynte më parë në Europë apo në Pacifik, dhe e dyta, më duket gjatë viteve 50-të, mbi energjinë atomike, ku kongresi mbylli dyert dhe diskutoi. Por kur pashë që shefi i protokollit shqiptar më kundërshtoi përsëri thashë: “Protestoj!”.

Ai mu përgjigj përsëri: – Nuk mundesh.

Atëherë unë shtova: “Qeveria ime proteston!”.

Pasdite shkova në Hotel “Dajti” dhe përkthyesi më tha se aty ndodhej edhe Gramoz Pashko, e se mbase bëja mirë të flisja me atë. Unë ende nuk e njihja, por e takova dhe diskutuam gjerë. Ai më tha se shpresonte të më shihte në Parlamentin shqiptar së shpejti. I thashë se për fat të keq nuk varej nga unë. Pashko më tregoi se delegatët demokratë kishin një mbledhje atë mbrëmje dhe do ta ngrinin edhe këtë si çështje. Të nesërmen më telefonoi shefi i protokollit të Kryeministrisë e më thotë se, mund të shkoja në Parlament dhe mund të sillja me vete edhe përkthyesin tim. Pasi shkova në Parlament, nisën të vinin edhe diplomatë të tjerë të huaj.

 Pra ky ishte suksesi juaj, Ambasador.

Jo, ky nuk ishte sukses për mua, por për parlamentin shqiptar që të zhvillohej në mënyrë të hapur. Kjo gjë mbase erdhi si shtysë edhe nga ministri i jashtëm i asaj kohe. Ata mbase kuptuan se ajo gjendje nuk po i ndihmonte përderisa edhe kamerat televizive ishin të pranishme në parlament. Ndërkohë une fillova te vija re se kamerat fokusoheshin shpesh tek une e më filmonin. Më vonë e kuptova se përse e bënin këtë, pasi mësova nga një çift shqiptar – miqtë e mi, se kishte filluar të përhapej lajmi për mua se “amerikani” nuk e kalon kohën në kafene tek Hotel “Dajti”, por është duke bërë punën e tij dhe duke dëgjuar seancat në parlament. E me sa duket, pasi më dhanë OK-in mua, vendosën t’i hapnin dyert të gjithë trupave diplomatike. Herën e parë që hyra në Parlamentin Shqiptar, më pritën dhe uruan mirëseardhjen një sërë trupash diplomatike të huaja si çekët, egjyptianët, etj. Përpara këtij evenimenti, diplomatët e huaj në Shqipëri nuk ishin të lejuar të bënin asgjë. Më kujtohet një mbrëmje, isha duke bërë xhiron e zakonshme në Bulevardin e Tiranës, ku rastësisht takova përfaqësuesin e Ambasadës së Polonisë dhe bashkëshorten e tij. Biseduam së bashku në anglisht apo mbase polonisht. Kishin bërë pazar e dukeshin te lumtur. Në duar mbanin dy qese me perime, si spinaq, etj. Më treguan se i ishte dashur të mbanin rradhë në dyqan ashtu si edhe vendasit. I thashë: “Përse jeni kaq të lumtur, që mbajtët rradhë?” Dhe ai mu përgjigj: “Deri më tani, kur sapo na shihnin, na hapnin rrugën e rradhën nëpër dyqane si të huaj që jemi, që të bënim pazarin e të largoheshim sa më parë në mënyrë që të evitohej kontakti me të huajt. Ndërsa tashmë ne po trajtohemi si të gjithë njerëzit e tjerë”. Dhe këto ishin ndryshime të vogla, por që filluan të viheshin re.

 Po pritjen që i bëri populli shqiptar Sekretarit Z. James Baker, si e vlerësoni sot pas 25 vitesh? A ishte kjo një pritje e ngjashme me atë të Presidentit Kennedy në Berlin?

Po, ajo ishte një pritje e jashtezakonshme! Ashtu sikurse pritja e Presidentit Kennedy nga populli gjerman në Berlin, ku ai u prit si Perëndia. Besoj se keni parë foto të atyre ngjarjeve. Unë asistova aty, pasi detyra ime e parë e jashtme për Departamentin e Shtetit, ishte në Berlin. Përpara vizitës së Baker-it në Shqipëri, mbaj mend se vazhdonin grevat e sindikatave. Autobusat e trenat nuk qarkullonin. Bëra një llogari me veten, thashë: “Ok, kjo qeveri komuniste nuk ka për të më vrarë. Nqs do të bëjnë diçka karshi sindikatave, bota do ta marrë vesh, ose do të më heqin qafe mua, të më vrasin, por ata nuk do ta bëjnë këtë gjë. Kështu që shkoja përditë tek sindikatat për të parë se si qëndronte situata, sa kishte shkuar numri i grevistëve, etj. Kur po diskutohej ardhja e Baker-it, sindikatat më thanë: “Mos ki merak, trenat e autobusat atë ditë do të funksionojnë dhe do të sigurohemi ne që t’i sjellim njerëzit”. Me sa mora vesh nga miqtë e mi, askush nuk kishte paguar për transportin publik atë ditë. Shoferët e autobusave dhe trenave i sollën njerëzit pa pagesë. Baker-i medoi se e kisha organizuar unë pritjen e tij madhështore, por e vërteta ishte që atë e organizuan vetë shqiptarët.

 Besoj se kjo tregoi në një farë mënyre dashurinë e popullit shqiptar për Amerikën, popullin amerikan dhe për respektin që krijuan për ju personalisht.

Cilido që do të ishte ambasadori i parë nga SHBA në Shqipëri mendoj se do të gjente këtë lloj konsiderate dhe respekti nga populli shqiptar. Shqiptarët ishin gati për një amerikan.

 Në një intervistë keni thënë se me ardhjen e Sekretarit të Shtetit z.James Baker në Tiranë, mbajtët një takim tek Hotel “Dajti” ku morën pjesë edhe 10-të ish të burgosur politikë, ku ndër të tjera Z. Baker i tha atyre: “Duhet të jeni të bashkuar që komunistët mos të vijnë më në pushtet”. A mund të njohim lexuesin me emrat e tyre dhe disa prej përgjigjeve që ata dhanë në atë takim?

Ishin rreth dhjetë vetë në ate takim. I mbaj mend vetëm pjesërisht emrat e tyre pasi kanë kaluar shumë vite, e kujtesa bën punën e saj. Di që ka qenë prezent Pjeter Arbnori, Sali Berisha, një përfaqësues i Partisë Republikane, një nga udhëheqësit e grevës së përgjithshme të sindikatave të pavarura, një përfaqësues i minoritetit grek si dhe një grua që me sa mbaj mend, ishte e angazhuar me shpërndarjen e ndihmave ushqimore që ne sollëm në Shqipëri. Sekretari Baker komentoi se ishte takuar me 4-5 disidentë në Moskë dhe vende të tjera, por kurrë nuk i kishte rënë rasti të ulej në tryezë bisedimesh edhe me një grua. Dhe unë i entuziasmuar thashë: “Atëherë ja arritëm këtu”.

 Po ish i burgosuri politik Osman Kazazi ishte i pranishëm në atë takim?

Të them të drejtën, nuk e mbaj mend nëse ka qenë prezent Osman Kazazi në atë takim apo jo. Megjithatë më kujtohet një mesazh i rëndësishëm i Baker-it, ku ai mes të tjerave tha: “Bashkohuni dhe votoni që të mos zgjidhen më këta” (dmth komunistët). Përfaqësuesi i Partisë Republikane, që në atë kohë ishte një forcë politike shumë e vogël u shpreh se nuk kishin marrë asistencën e duhur që i takonte nga qeveria si zyrë, makinë, etj. Baker-i pyeti: “Pse?” Dhe ai u përgjigj se nuk e dinte se pse. Taktikë puro komuniste mendova unë. Dr. Berisha foli gjatë pasi kishte më shumë për të thënë. Ai iu drejtua Baker-it me një analogji në terma mjekësore si psh “komunizmi është kancer”, apo diçka e tillë…

 Gjatë qëndrimit tuaj në Shqipëri, a patët rast të vizitonit ndonjë zonë – burg, ku vuanin dënimin shqiptarët e dënuar politik gjatë rregjimit komunist?

Jo, nuk kam patur rast të vizitoj ndonjë burg politik. Mbaj mend se jam takuar me disa ish të burgosur politik në Shkodër në janar të vitit 1992, gjatë një udhëtimi që bëra pasi u caktova ambasador. (Arrita në prill në Shqipëri, por pozicioni im si ambasador u aprovua e zyrtarizua vetëm në dhjetor të po atij viti.) Qëndruam në një ndërtesë e cila kishte qenë rezidencë e byrosë së PPSH. Hëngrëm drekë atje me ish të burgosurit politik, të cilët kishin ndihmuar në ndërtimin e asaj ndërtese gjatë kohës së tyre si të dënuar politike në burg. Ishte një eksperiecë e jashtëzakonshme ku u preka pa masë, që ata ishin tashmë aty si mysafirë të lirë dhe jo si skllevër. Ndodheshim aty rreth 40-50 vetë si dhe përkthyesi im.

 Dokumentat zyrtare kanë deklaruar se ju jeni survejuar nga sigurimi i shtetit i atëhershëm. Si mendoni ju, pse vazhdonin ata akoma me këto metoda?

Isha mësuar me këto situata survejimesh në Poloni e Beograd, (disi më pak në Beograd). Prisja të kishte mikrofona gjithandej. Njerëz që më survejonin se ku shkoja, sa do qëndroja atje, me kë flisja etj. 

Pra ju ishit i ndërgjegjshëm se po përndiqeshit nga ish Sigurimi i Shtetit shqiptar?

Në fakt nuk kisha shumë interes për këtë fakt e nuk shqetësohesha shumë. Shikoja punën time, pasi kishte shumë punë për tu bërë. Isha shumë koshient që njerëzit të cilët flisnin me mua mund të ishin të rrezikuar, por unë jo. Një burrë, djali i të cilit kishte fituar Azil Politik në Amerikë, erdhi të më takonte tek Hotel “Dajti” nga jashtë Tiranës. Unë isha takuar me të birin e tij në SHBA. Atij i ishte dashur të ecte një orë deri tek staconi i trenit, mori trenin dhe udhëtoi për në Tiranë. Më kishte sjellë mbështjellur në një kaush gazete disa kokrra qershi të freskëta që i kishte vjelë vetë. Tek hyrja e “Dajtit” sigurisht e ndalen punonjësit e ish sigurimit stacionuar aty dhe e morën në pyetje. Ju e dini se në atë kohë Hotel “Dajti” nuk ishte i hapur për të gjithë, nuk mund të frekuentohej nga gjithëkush. Njerëzit e Hotel “Dajtit” u mësuan me mua e me stafin tim dhe i porosita që dy përkthyesve të mi t’i jepej çelësi i dhomës time, pasi do të punonim shumë për tu përgatitur për vizitën e Sekretarit të SHBA James Baker.

Si e përzgjodhët stafin që punonte për ju, dhe si arritët të krijonit besim tek përkthyesit tuaj?

Për përkthyesit, u bazuam tek rekomandimi i gazetës “New York Times”, stafi i të cilës kishte qenë në Shqipëri përpara meje. Të them të drejtën ka qenë shumë e vështirë se kë mund të besoja në fillim. Nuk e dija kush ishin njerëzit e mirë dhe kush njerëzit e këqinj. Pra, nuk e dija nëse personi që kisha përballë ishte një nga torturuesit e atij sistemi apo kishte qenë i torturuar nga ai sistem. Dmth a kisha të bëja me dikë që i kishte shkulur thonjët njerëzve, apo atij i ishin shkulur thonjtë. Emra të personave të gjallë nuk dija përveç Ramiz Alisë. Kështu që shkova tek Osman Kazazi dhe i thashë: “Kemi nevojë të punësojmë një kuzhinier e dikë që të pastrojë rezidencën tonë. A mund të më rekomandosh dikë?” Mendova se njerëzit e ish persekutuar politikë meritonin një shans dhe njëkohësisht ishin më pak të mundur që të ishin spiunë komunistë. Kjo ishte le të themi mënyra ime e diskriminimit pozitiv, duke favorizuar kështu shtresën e persekutuar politike.

 Kur vizituat Shqipërinë për herë të parë, jam e bindur që ju kanë rënë në sy edhe bunkerët e “famshëm”. Ç’farë shije ju lanë ato fortifikime betoni?

Në fillim më patën dhënë shifra të ndryshme se sa bunkere ishin dhe se ku gjendeshin nëpër Shqipëri. Kur nisa të udhëtoja pak, pata rast t’i shikoja me sytë e mi se ku ishin. Mësova më vonë se prodhoheshin në Tiranë e më pas transportoheshin nëpër kodra. Shpenzime të jashtëzakonshme! Më kujtohet një episod…. Ishte pranvera e ‘91 kur dikush më pyeti se sa do të ishte vlera militare e bunkerëve.. Përgjigja ime ishte: “Do të ishin me vlerë sa në një lojë me topa bore ose betejë kalorësish me shtiza (cavalry charge). Reagimi i tij më la të kuptoja që nuk ishin ende gati për shaka mbi këtë subject. U tërhoqa pasi mendova se duhet të tregohesha i kujdesshëm pasi humori nuk kuptohet gjithnjë njësoj në gjuhë të huaja. Më thanë se vlera e njërit prej tyre, mund të kishte mbuluar vlerën e një apartamenti modest. Nqs paratë nuk do ishin shpenzuar për ato bunkerë, por për ndërtime godinash banimi, atëherë nuk do kishte pasur problem strehimi. Strehimi në atë kohë, ishte shumë problematik në Shqipëri.

 Diçka mbi marrëdhëniet shqiptaro amerikane në këto 25 vjet, si janë sipas jush këto raporte?

Më vjen mirë të them se këto marrëdhënie vazhdojnë të jenë të mira reciprokisht. Mund të jenë akoma edhe më mirë.

Me sa kemi dijeni ju ruani raporte shumë të mira me Shqipërinë dhe shqiptarët në SHBADuke qenë se këto kontakte janë të vazhdueshme, si e pritët lajmin se në Asamblenë e New Yorku-t u zgjodh edhe shqiptari Mark Gjonaj? Keni patur rast të takoheni me Z. Gjonaj?

Po, sigurisht kam dëgjuar për zgjedhjen e tij në këtë post. Unë e ndjek shypin shqiptar rregulllisht. Lexoj gazetën “Illyria”, ku jam i abonuar qysh nga viti 1992. Njoh Vehbi Bajramin dhe Ruben Avxhiun të cilët punojnë për gazetën “Illyria”. Nuk e njoh personalisht Z. Gjonaj por e kam takuar shkurtimisht gjatë vizitës së Kryeministrit Rama në Washington. Kishte shumë njerëz të pranishëm ndaj nuk kishte kohë për të folur. Megjithatë i dhamë dorën njëri-tjetrit dhe për këtë jam i lumtur.

 Më 4 Shtator të këtij viti Shenjtërohet Nënë Tereza në Vatikan. Në New York, me nismën e Senatorit Golden, kjo datë është njohur si “Dita e Nënë Terezës”. Mendoni se ky është sukses për shqiptarët gjithashtu?

Mendoj që po. Kam pasur privilegjin ta takoj Nënë Terezën dy-tre herë, herën e parë disa javë pasi arrita në Shqipëri. Ajo kishte marrë përsipër të sillte disa mjekë nga Italia për një klinikë afat-shkurtēr dhe ishte e preokupuar për sigurinë dhe vendqëndrimin e tyre. Më duket se ishte folur në telefon me Zv. Kryeministrin Gramoz Pashko dhe nuk i pëlqeu se çfarë po i propozohej në lidhje me akomodimin e tyre. Nënë Tereza insistoi deri sa e arriti atë që kërkonte. Ajo ishte një Zonjë me karakter të fortë që nuk dorëzohej kollaj.Mbaj mend që isha në aeroportin e Rinasit një ditë, ndërsa prisja time shoqe. Rastësisht Nënë Tereza ishte aty dhe patëm rast të flisnim. Në atë kohë sapo i kishin njohur nënshtetësinë shqiptare si dhe e kishin pajisur me pasaportë, të cilën e nxorri nga xhepi e ma tregoi me shumë krenari. Dukej shumë e lumtur për këtë, si një vajzë e vogël 10-vjeçare që sapo kishte fituar konkursin e poezisë.Nuk e fliste mirë shqipen. Herën e parë që e takova e pyeta: “Nënë, a flisni shqip?” “Jo, i dashur miku im – mu përgjigj ajo në anglisht, – e kam harruar tashmë”. Në anglishten e saj spikaste një aksent i mrekullueshëm i Kalkutës së Indisë. Më pas ajo erdhi në Ambasadën Amerikane në Tiranë, pasi unë sapo isha emëruar ambasador. Erdhi për të na vizituar e falenderuar pasi ne kishim dërguar ndihma ushqimore nëpërmjet organizatës së saj në Shqipëri. Kjo zgjedhje erdhi natyrshëm sepse ne nuk i kishim besë qeverisë së atëhershme. Nënë Tereza u kujdes për shpërndarjen e ushqimeve për popullsinë shqiptare. Ajo fillimisht siguroi magazina në Itali për ruajtjen e përkohëshme të tyre, të cilat u shpërndanë sipas nevojave. Përpara se të uleshim në dhomën e pritjes, zhvilluam së bashku me Nënë Terezën një tur të Selisë të Ambasadës tonë në Tiranë. Më la përshtypje të mirë fakti që, punonjësit tanë, shumica e të cilëve të fesë myslimane të trashëguar, (pavarësisht se për mua pak rëndësi kishte ky fakt pasi unë vetë nuk jam religjoz i madh) u treguan shumë entuziastë nga vizita e saj dhe donin ta përgëzonin për bamirësitë e saj e t’i uronin shëndet e jetë të gjatë. Më pas u ulëm të bisedonim të tre, së bashku me time shoqe. I ofruam kafe sipas zakonit të mikëpritjes shqiptare, por ajo e refuzoi, i ofruam nje gotë ujë, por ajo përsëri refuzoi dhe na shpjegoi mua e sime shoqe se nëse do të pranonte diku qoftë edhe një gotë ujë, dikush tjetër do të përpiqej që të ofronte diçka më shumë. Një mësim i madh modestie ky! Jam i bindur se Nënë Tereza e dinte shumë mirë se një Ambasador Amerikan nuk do të rrënohej financiarisht thjesht duke i ofruar një gotë ujë dikujt, megjithatë ky ishte principi i saj. Jeta dhe misioni i saj e çonin nëpër vendet dhe shtëpitë më të varfëra dhe nëse ajo do të pranonte një gotë ujë diku, atëherë familja fqinje që ishte po aq e varfër, do ta ndjente se duhej edhe ata ofronin një gotë ujë apo mbase një lëng frutash, mbase edhe biskota, apo ëmbëlsirë, apo një drekë a darkë, apo qoftë edhe ekstravagancën e luleve. Nënë Tereza nuk pranonte asgjë nga askush, që të mos t’i inkurajonte njerëzit të shpenzonin paratë kot. Mësim i mrekullueshëm ky! Dhe këtë mesazh ajo arriti të na e përcillte shumë thjeshtë me atë mënyrën e saj, pa nevojën e ndonjë lekture apo sermoni të gjatë.

 I nderuar Z. Ryerson, më lejoni t’ju komplimentoj për shqipen tuaj të shkëlqyer!

Faleminderit!

 -Kur dhe ku filluat të mësonit gjuhën tonë, pasi e flisni pastër gjuhën letrare?

Fillova të mësoj gjuhën shqipe kur punoja në Beograd, pasi punësova një të ri shqiptar nga Kosova e më pas me gjuhëtarë të zotë të gjuhës shqipe në Tiranë.Si fillim, pata punësuar një të ri, i cili pati ardhur të më takonte tek Hotel “Dajti” për të pyetur për familjen e tij që jetonte në SHBA. Unë e punësova privatisht si mësues të gjuhës shqipe duke e paguar nga xhepi im, për një orë leksion cdo ditë në ora 7:00 deri 8:00 të mëngjesit. Më pas në ambasadë, kisha një profesor që ishte shumë i zoti dhe fliste greqisht, italisht e anglisht. Quhej Thanas Shkurti, më duket se ishte i martuar me një të persekutuar politike. Pasi ai u emërua Ambasador i Shqipërisë në OKB, i kërkova të më rekomandonte një profesor tjetër për të zënë vendin e tij. Ai për çudine time, më rekomandoi një profesor që nuk fliste anglisht, e më tha se tashmë kishte arritur momenti që mund të vazhdoja leksionet në shqip-shqip. Z. Shkurti më inkurajoi edhe të jepja një intervistë në TV Shqiptar në shqip pa përkthyes. Dhe unë ja arrita.

 Ja edhe sot po komunikojmë bashkë edhe në gjuhën shqipe dhe ja dolët mbanë.

Nuk jam shumë i bindur për këtë. (Qesh)

Cilat janë gjuhët e huaja që ju flisni?

Zotëroj shumë mirë gjermanishten, pasi kam qenë tre vite në Berlin, tre vite në Vjenë, dhe katër vite në Bon. Jam në gjendje të lexoj gazetën në polonisht dhe serbo-kroatisht. Gjuhën polake e kam pasur po aq mirë sa edhe gjuhën shqipe, gjuhën serbo-kroate gjithashtu.

Keni patur rast të vizitoni Kosovën?

Vetëm një herë kur isha ende në Beograd. Në fakt ato kohë, kisha bërë plan të shkoja në Prizren të shpenzoja dy javë atje, ku do t’i kushtohesha intensivisht mësimit të gjuhës shqipe. Takova një zotëri i cili do të më ndihmonte për gjuhën që në atë kohë e flisja shumë pak. Por për fat të keq, dy javë para se të nisesha, ai më tha: “Billy, më kanë dhënë urdhër mos të të shoqëroj në Prizren”. Për koincidencë në kohën që unë duhet të isha në Prizren, atje pati protesta, dhe jam i bindur se serbëve nuk do t’i kishte interesuar që në atë mes të gjendej edhe një diplomat amerikan i cili fliste rrjedhshëm serbo-kroatisht si dhe pak shqip. Jam i bindur tashmë se ato trazira të Janarit ‘90 në Prizren, ishin të planifikuara nga serbët. Pastaj në Beograd mësuesi im i shqipes ishte një zotëri që përkthente tek asambleja e Republikës Serbe. Ai fliste serbo-kroatisht dhe shqip shkëlqyeshëm dhe pa asnjë aksent. Më pati treguar njëherë se e kishte gjetur veten në prezencë të një grupi të vogël serbësh, të cilët po komentonin me fjalë të ulëta shqiptarët, pa e ditur se ky zotëri ishte shqiptar – ai ishte nga Kosova…. Për të qenë i sinqertë, kur u largova nga Beogradi isha shumë i zhgënjyer nga serbët dhe nuk desha të kisha më të bëja me gjuhën serbe. Ndaj i vura qëllim vetes që të mësoja shqipen me çdo kusht, paçka se ata u munduan të ma vështirësonin këtë plan.

Çfarë do t’i uronit Shqipërisë dhe shqiptarëve?

Shëndet të plotë dhe jetë te gjatë. Pikë së pari i uroj paqe dhe ju lutem largoni prapambetjet e perandorisë osmane, zakonet një shekullore që u përforcuan edhe nga qeveria komuniste, favoritizmat dhe korrupsionin.

Please follow and like us: