Albspirit

Media/News/Publishing

Dekriminalizimi/ 6 policë me precedentë, ikën edhe djali i Shukri Xhelilit

Dekriminalizimi/ 6 policë me precedentë, ikën edhe djali i Shukri Xhelilit

Komisioni Parlamentar hetimor për zbardhjen e ligjshmërisë së emërimeve në administratën publike dhe Entet Shtetërore në mbledhjen e radhës ka bërë të ditur se nga verifikimi i listës me 130 emra të dyshuar, vetëm 18 prej tyre kanë rezultuar me probleme.

Dje Komisioni i drejtuar nga Genc Pollo shqyrtoi materialet e dërguara në Kuvend nga Policia e Shtetit, e cila, sipas tyre, ka kthyer përgjigje vetëm për 21 efektivë policie. Ndërkohë që demokratët kanë kërkuar që informacioni në Komision të ishte për listën e plotë të 130 funksionarëve të dyshuar.

Por sipas hetimit të Komisionit nga informacionet e Policisë, nga 21 punonjës vetëm 6 prej tyre kanë pasur probleme me Drejtësinë.

Genci Vogli, sipas të dhënave të Policisë, është dënuar nga Gjykata me 4 muaj e 20 ditë, aktualisht ai është punonjës i Policisë në Fier. Ai është dënuar për shkelje të qarkullimit rrugor dhe sipas Policisë, vepra e tij është parashkruar.

Ndërkohë që Gurian Lekzeqiri është arrestuar në vitin 2015. Ai është oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin numër 2 Tiranë.

Alfred Nomani, i cili aktualisht është në Drejtorinë e Policisë Korçë, është arrestuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHKB), por më pas është liruar nga Prokuroria. Po ashtu listës së funksionarëve të Policisë, të cilët janë dënuar nga Gjykata, figuron emri i Rexhep Bulkut. Ndaj Bulkut janë dhënë disa vendime gjykate. Aktualisht ai është funksionar në Drejtorinë e PME në Policinë e Durrësit.

Po ashtu me disa vendime gjykate, rezulton dhe Agim Lleshi, i cili është shef Njësie në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Tiranës. Edhe Nikollaq Dumi është në listën e 6 efektivëve, ndaj të cilëve janë dhënë dënime nga Gjykata. Ai është pjesë e Komisariatit Fier.

ADMINISTRATA

Nga lista e 130 të dyshuarve që Partia Demokratike dërgoi për verifikim në Ministrinë e Brendshme dhe në Departamentin e Administratës Publike, sipas verifikimeve paraprake rezultojnë 12 emra, të cilët janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen tre muajt e fundit, kur filloi të veprojë Ligji i Dekriminalizimit.

Nga këta zyrtarë të emëruar në administratën publike dhe Entet Shtetërore, shtatë prej tyre figurojnë te lista e të dorëhequrve dhe të larguarve, kurse për 5 zyrtarë janë njoftuar institucionet e tyre për marrjen e masave ndaluese ndaj tyre.

Në listën e funksionarëve të dorëhequr bie në sy dhe emri i djalit të Shukri Xhelilit, ish­kryebashkiakut të Dibrës. Klodian Xhelili ka pasur postin e arkitektit në Qendrën Kulturore në Peshkopi, por ai ka paraqitur dorëheqjen më datë 10.05.2016. Po ashtu sipas informacioneve të DAP, nga 7 funksionarë, vetëm dy prej tyre kanë dhënë dorëheqje vullnetarisht, ndërkohë që pjesa tjetër janë shkarkuar nga detyra.

Dje Komisioni Hetimor ka miratuar listën me 6 ekspertë që do të shqyrtojnë dosjet e mbërritura nga Departamenti i Administratës Publike dhe nga Ministria e Brendshme për emërimet që janë kryer që nga viti 2013 e në vazhdim.

Please follow and like us: