Albspirit

Media/News/Publishing

Fëmija i dhunuar në kopshtin privat, reagon Nikolla: E ndiej përgjegjësinë!

Fëmija i dhunuar në kopshtin privat, reagon Nikolla: E ndiej përgjegjësinë!trja e Arsimit dhe e Sportit, Lindita Nikolla duke e quajtur si një ngjarje të shëmtuar dhunimi e 3 vjeçarit në kopshtin ‘Diren’ nga administratorja Anjeza Shabani shprehet se ka reflektuar mbi ngjarjen e ndodhur.

Ajo thotë se gjatë kësaj kohe ka dëgjuar çdo zë që është thënë  në lidhje me ngjarjen, dhe shprehet se përgjegjësia nuk është vetëm e Ministrisë së Arsimit.

Nikolla ka bërë thirrje se duhet edhe ndihma e prindërve për të denoncuar ngjarje të tilla të shëmtuara.

Statusi i Ministres

SË BASHKU TË NDALIM DHUNËN!

Në pozitën e përgjegjëses për sistemin arsimor dhe edukativ në Shqipëri, unë kam qenë dhe jam e tronditur këto ditë, ashtu si gjithsecili prej jush, për incidentin në kopshtin e Saukut, denoncuar nga media. Po, është një ngjarje e shëmtuar, është një ngjarje tronditëse, madje e llahtarshme, për këdo që ka fatin të jetë prind, sikurse jam dhe unë. Kam reflektuar fort këto ditë për atë se çfarë përfaqëson kjo ngjarje dhe cilat janë masat për të korrigjuar dukuri të tilla. Kam dëgjuar me vemendje maksimale çdo zë, duke takuar, së pari, familjarët e vogëlushit, babain dhe gjyshin, përulësisht me një ndjesë të madhe për dhimbjen e tyre, sy më sy dhe larg ditirambeve mediatike e fejsbukiane. “Nuk ke asnjë përgjegjësi”, – më thonin në çdo fjalë timen. Por unë e di dhe po i them çdokujt që shqetësohet me shumë të drejtë, por edhe çdokujt që ngjarjen do ta përdorë për të më veshur lloj-lloj etiketimesh, atë që u thashë babait dhe gjyshit të vogëlushit: E ndiej përgjegjësinë. Ministri brenda meje nuk është as më shumë e as më pak, por përgjegjësi, përgjegjësi për të shërbyer me cilësi e transparencë dhe për të thënë gjithmonë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Por, saktësimi i parë që dua të bëj, është se e gjitha sa pamë në atë video zhvillohet në sferën e së paligjshmes, ndaj detektimi, korrigjimi, parandalimi dhe ndëshkimi i të paligjshmes është një detyrë jo vetëm e Ministrisë së Arsimit. Kjo qeveri ka treguar vullnet të qartë dhe me veprime konkrete u është kundërvënë paligjshmërisë dhe informalitetit që trashëguam si tipar të mosfunksionimit të shtetit dhe sistemit të drejtësisë. Kemi fituar beteja, por lufta ende vazhdon. Së dyti, dua të sjell sot në vëmendje faktin e shumë prindërve shqiptarë, të cilët çojnë fëmijët e tyre në institucione të tilla, dje në universitete, apo pardje në shkolla të cikleve të ndryshme të zinxhirit tonë arsimor, pa asnjë mekanizëm verifikimi, kontrolli, check-upi të besueshmërisë, kërkimi të një ose dy letrave për lejen, licencën apo forma të tjera që demonstrojnë se institucioni është i ligjshëm dhe i monitoruar.

Ndaj vijoj sërish, pa iu shmangur asnjë përgjegjësie, t’u bëj thirrje të gjithë prindërve shqiptarë dhe, në përgjithësi, të gjithë shqiptarëve të mos e mbështesin paligjshmërinë, të mos e ushqejnë atë me paratë tona, me mundin dhe sakrificën tonë. Dhe kjo nuk është t’u hedhësh fajin prindërve. Jo dhe jo. Kjo është përgjegjësi. Kultura e ndjekjes dhe e konsumimit të shërbimeve-produkte që burojnë në mënyrë të paligjshme nga ente të paligjshme, jo vetëm që duhet dekurajuar, jo vetëm është detyrë e shtetit, por është një detyrë dhe një e drejtë e njerëzve që të mos i ndjekin dhe të mos u japin jehonë, zhvillim, financim apo burim këtyre institucioneve, si rasti i kopshtit të paligjshëm në Sauk.

Por përsëri, unë nuk do ta përdor këtë formë komunikimi për të ndarë thjesht përgjegjësinë me të tjerët, as për t’iu referuar situatave dramatike kur fëmijët braktisnin shkollën për të demontuar armët dhe për të humbur jetën në Gërdec, as për të thënë se dhuna në shkollë ndodh edhe në shoqëri më të përparuara, as për të thënë që dhuna në shkollë nuk lindi sot, por për t’u përgjigjur se çfarë kemi gjetur në sistem dhe çfarë kemi bërë e po bëjmë? Gjetëm një kulturë mbi njëzetvjeçare të informalitetit, të sajimit të letrave, të fiktivitetit, më keq akoma, të një ekonomie kriminale informale, e cila prodhonte shërbime të pastandardizuara për njerëzit. E nisëm me mbylljen e universiteteve publike apo private me kushte skandaloze të ligjshmërisë. Vazhduam me inspektimin e cikleve të tjera dhe, çdo vit, inspektorati shtetëror heq, revokon licenca apo paralajmëron dhe vë kushte për elementet e ligjshmërisë. Ja një tregues: Gjatë viteve 2010 dhe 2011 zero inspektime në kopshtet publike dhe private, gjatë vitit 2012 vetëm 38 inspektime. Pra, në tri vite, IShA kishte bërë 38 inspektime në kopshte. Ne, në tri vite, kemi bërë 315 inspektime, nga të cilat 290 në kopshte private. 38 me 315 është ndryshim i madh. Por… Sigurisht që na ka shpëtuar diçka…, diçka ndoshta do të shpëtojë gjithmonë. Ne kemi pasur një defekt shumë të madh në njëzet e ca vite në shpërdorimin e profesionit të mësuesit dhe të edukatorit, i cili është formuar nga lloj-lloj diplomash publike apo private, shpesh herë të universiteteve periferike, shpesh herë jashtë vëmendjes së monitorimit dhe sigurimit të cilësisë e me mungesë të dhënash mbi personalitetin psikosocial të “edukatorëve”. Nuk kemi vijuar me avazin e vjetër, por… Kemi futur gjerësisht sistemin e pikëzimit dhe të certifikimit të mësuesve, duke i dhënë fund një sistemi informal të krediteve apo formimit profesional që gëlonte në dhjetëra e dhjetëra agjensi aspak të kontrolluara, duke e përqendruar këtë proces drejt institucioneve të besueshme dhe të vendosura në shinat e kontrrollit. Nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë” kemi siguruar punësimin në arsim të mësuesve bazuar në meritë dhe transparencë

– Një sistem që korrigjon defektet dhjetëravjeçare që ka sistemi ynë i edukimit, paligjshmërinë dhe çrregullimet. Por jemi të vetëdijshëm se të gjitha këto nuk mjaftojnë. Ky vit ishte viti i jo dhunës në shkollë dhe shumë aktivitete sensibilizuese dhe formuese janë bërë. Çdo rast dhune është penalizuar. Rasti i Saukut evidenton nevojën për të vijuar me masa të reja. KM ngriti taskforcën me 7 institucione për të kontrolluar në territor situatën e kopshteve të formalizuara dhe në luftë ndaj informalitetit.

Është ngritur grupi i punës ndërinstitucional për rishikimin e kuadrit rregullator të licencimit, si dhe ndryshimet ligjore të nevojshme. Ndërkohë, vetë MAS-i Së pari, Ministria e Arsimit dhe Sportit, në çdo fillimviti akademik dhe shkollor, do të publikojë sipas niveleve të gjitha institucionet e licencuara publike dhe private që gëzojnë besueshmërinë dhe standardet për të funksionuar. Inspektorati Shtetëror i Arsimit dhe ASCAL-i do të publikojë çdo fillimviti për të gjithë prindërit dhe përdoruesit kredencialet e besueshmërisë për të gjitha institucionet. Së dyti, ne do të ndërmarrim një fushatë sensibilizuese për prindërit dhe nxënësit që të kërkojnë dhe të shmangin institucionet e parregullta, të kërkojnë, para se të regjistrohen ose para se të paguajnë shërbimin, licencën korrente dhe kredencialet profesionale minimale që duhet të ketë një institucion, që të jetë i ligjshëm dhe i besueshëm. Për këtë, kërkojmë ndihmën e publikut dhe të mediave, të cilat i gjej të sensibilizuara maksimalisht në këtë rast. Së treti, brenda 9 muajve të ardhshëm, deri në 31 mars të vitit 2017, ne do të futim pa përjashtim në sistem testimin profesional e psikologjik për çdo mësues dhe edukator në sistemin publik, por edhe privat, për të niveluar dhe për të nxjerrë jashtë sistemit të gjitha sistemet fiktive që janë prodhuar për një arsye apo për një tjetër nga institucione publike apo private gjatë këtyre njëzet e ca vjetëve në kushtet e fiktivitetit, miqësive, hatëreve apo falsifikimeve. Së katërti, ne do të shtojmë te licenca e mësuesit testet psikologjike bashkëkohore që zbulojnë apo detektojnë elemente të personalitetit të mësuesve, për të mundësuar parandalimin e futjes në sistem të individëve devijantë apo me probleme psikologjike të rënda, të cilët e pamundësojnë kryerjen e rolit të edukatorit.

Njerëz të tillë nuk e kanë më vendin në sistemin edukativ dhe arsimor në Shqipëri. Së pesti, ne do të monitorojmë rreptësisht të gjitha institucionet burimore të formimit dhe trajnimit të vazhdueshëm të mësuesve duke ua lënë këtë detyrë universiteteve dhe institucioneve me kredenciale të njohura, të akredituara dhe me të dhëna profesionale të përshtatshme, duke zhdukur dhjetëra e dhjetëra qendra informale që testojnë ose rrisin pikët në mënyrë fiktive për mësuesit. Së gjashti, ne do të shpallim një fushatë të rëndësishme me masa të tjera për mjedisin socio-emocional të nxënësve dhe fëmijëve tanë në sistemin prauniversitar, e cila do të përmbajë një numër masash për të krijuar një mjedis social dhe emocional të përshtatshëm për fëmijët kundër praktikave të vjetra të dhunimit, kundër kulturës së rrahjes e ndëshkimit, kundër kulturës së penalizmit të nxënësit dhe të fëmijëve për të krijuar konceptet dhe parimet bashkëkohore të edukimit. Ne do ta realizojmë këtë në partneritet me prindërit, por kjo fushatë kërkon ndihmën e të gjithëve. Dhuna nuk lind vetëm në shkollë. Një edukim i ri, një metodë e re në edukim është qëllimi i kësaj qeverie dhe detyra ime në krye të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Një edukim që do t’i përgjigjet nivelit aktual dhe bashkëkohor të shoqërisë shqiptare, drejt një shoqërie tolerante, e cila zhvillon personalitetin e fëmijës, nuk e dhunon atë dhe ndëshkon rreptë çdo mësues dhe edukator që i zgjidh çështjet me vizore, me shkulje veshi apo me akte të tjera të papëlqyeshme.

Ky është preokupimi im kryesor dhe fushata ime më e rëndësishme. Në qoftë se të gjitha masat e tjera janë teknike dhe meritojnë 1, 2, 3, 4 apo 5 urdhra, udhëzime ministri apo akte nënligjore, kjo kërkon një mentalitet të tërë dhe unë jam e vendosur që të vijoj edhe me më vendosmëri në këtë rrugë për një shkollë të re, për një mënyrë të re edukimi që t’i përgjigjet shoqërisë shqiptare të shekullit XXI.

Please follow and like us: