Albspirit

Media/News/Publishing

Dalja e Alban Voglit nga burgu/ Si e ndryshoi dëshminë gazetari Eduart Ilnica

Një ditë më parë gjykata e Apelit vendosi të lirojë nga burgu Alban Voglin, një nga drejtuesit e Klubit të Kastriotit. Ngjarja shkaktoi habi jo vetëm mes gazetarëve por edhe në opinionin publik, për shkak të shpërfytyrimit që iu bë gazetarit Eduart Ilnica dhe dhunës së provuar katërcipërisht për shkak të detyrës. Reagimi i mediave ishte i ashpër pas ngjarjes. Dhjetëra shkrime dhe kronika denoncuese u bënë për dhunën e ushtruar ndaj gazetarit që u rrah barbarisht nga një grup njerëzish. Por çfarë ndodhi në Gjykatën e Apelit, ku u vendos të lirohet dhunuesi? Një deklaratë noteriale e firmosur nga gazetari Eduart Ilnica është dorëzuar në gjyq. Aty gazetari ndryshon totalisht dëshminë e tij përballë njeriut që e rrahu.

“Nuk mund të them nëse është Albani që më ka goditur apo persona të tjerë, pasi aty ndodheshin shumë persona dhe është e vështirë ta përcaktoj sepse unë jam mbrojtur duke vënë duart në kokë dhe shikimi im ishte me fytyrë nga toka. Mendoj se Alban Vogli nuk ka pasur dijeni për detyrën që unë ushtroj si gazetar sporti, edhe nëse është ai që më ka goditur” pohon gazetari në deklaratën noteriale.

Ilnica thotë se e ka falur Alban Voglin. Përmend aty miqësinë familjare që ka krijuar me të pas rrahjes dhe se dëshiron që ai të mos procedohet penalisht.

“Megjithëse mund të më ketë goditur apo jo, Z. Alban Vogli, me të cilin unë nuk jam njohur më parë, deklaroj se familja ime dhe unë personalisht me familjen e Z.Alban Vogli jemi shumë të afërt dhe kemi rreth miqësie të përbashkët dhe marrëdhëniet tona janë normalizuar. Unë duke pasur parasysh marrëdhëniet shumë të mira familjare, që kanë dy familjet tona, miqësinë që kam lidhur me Albanin dhe familjarët e tij pas asaj që ndodhi deklaroj me përgjegjësi të plotë ligjore se e fal për gjithçka sa ndodhi dhe jam dakort që procedimi penal ndaj tij të mos vazhdojë më” shkruhet në deklaratë.

Ashtu është vepruar. Pa e zgjatur më shumë, prokurori pranoi kërkesën e avokatit për lehtësimin e masës së sigurisë, ndërsa trupi gjykues është detyruar më pas të vendosë për lirimin e Alban Voglit, për një masë arresti më të lehtë.

Në intervistat për mediat, gazetari tha se kishte qenë pikërisht Alban Vogli që e kishte dhunuar barbarisht. Ai mori të gjithë mbështetjen e kolegëve që e ngritën zërin duke e dënuar ashpër ngjarjen.

Please follow and like us: