Albspirit

Media/News/Publishing

ISSH: Pensionet, 3 kategoritë fituan rritjen do të marrin paratë në fund të gushtit 

 

Solida-Dibra-620x620

Solida Dibra, Drejtore e Drejtorisë së Përfitimeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore flet për zbatimin e vendimit të qeverisë. Përfitojnë tre kategori, shtesat do të llogariten prej datës 1 qershor. Ndryshojnë të ardhurat për 500 ushtarakë.

Qeveria miratoi në datën 2 qershor rritjen e pensioneve për tre kategori, të cilat pas vitit 1990 kanë qenë më pak të favorizuara se kategoritë e tjera. Menjëherë pas këtij vendimi Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nisur punën për llogaritjen e shtesës për çdo përfitues. Në lidhje me këtë, në një intervistë të dhënë për “Shekulli” Znj. Solida Dibra, Drejtore e Drejtorisë së Përfitimeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, shprehet se brenda muajit gusht të gjithë pensionistët, e përfshirë në skemën e re, do të marrin përfitimin që vjen nga ky vendim i qeverisë. Sipas saj, shtesa do të llogaritet që prej datës 1 qershor të vitit 2016. Sipas vendimit të qeverisë, përfitues janë ata persona që kanë dalë në pension në vitet 1993-1996, të cilët kanë pasur pensione të asaj kohe, 5% më të ulëta se pensionet e tjera. Do të vlerësohen pensionet për vjetërsi shërbimi për ish-ushtarakët, ku llogaritet të jenë rreth 500 përfitues. Po ashtu në skemë përfshihen punonjësit e nëntokës që ishin në marrëdhënie pune deri në vitet ‘95-të dhe kishin plotësuar periudhën e sigurimeve, pavarësisht nga mosha dhe kërkesat e tyre.

Pensionet e ish-punonjësve, gra në arsim e në kulturë, të cilat dolën në pension të parakohshëm deri në vitin 1994 dhe kishin plotësuar jo më pak se 22 vite e 6 muaj, përfituan pension pleqërie vetëm 60% të pagës së asaj kohe, duke qenë dhe këto të disbalancuar në përfitimet që realizoheshin ndaj dhe janë përfshirë në skemën e re. Nga ndryshimi i vendosur në vendimin e datës 2 qershor përfitojnë përllogaritje të pensionit, plot 19655 persona nga të cilët, 10355 persona të dalë në pension pleqërie në harkun kohor 1993-1996, me një shumë mesatare prej 8400 lekë në muaj; Përftojnë 500 ish ushtarakë, me një shumë mesatare prej 5000 lekë në muaj; Përfitojnë 8800 minatorë dhe arsimtarë, që kanë kaluar tashëm në pension të plotë pleqërie, me një shtesë mesatare që arrin deri në vlerën e 40 mijë lekë të vjetra në muaj. Zonja Solida Dibra përshëndetje, rreth një muaj më parë prej qeverisë u miratua vendimi për rritjen e pensioneve për disa kategori ku nënvizohet se nga reformat e zhvilluara deri më tani nuk u është rritur pensioni. Mund të kemi një informacion më të saktë se për cilët kategori bëhet fjalë dhe përse ka ndodhur ky dallim në vite? Këshilli i Ministrave në datën 1.6.2016 miratoi Vendimin nr. 409 “Për ngushtimin e diferencave në masën e pensioneve”.

Kategoritë e pensionistëve që përfitojne nga rritja e masës së pensionit janë tre.

Së pari, përfitojnë pensionistët në pension të plotë pleqërie, të caktuar sipas dispozitave të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe e kanë përfituar pensionin për herë të parë në harkun kohor 1.10.1993 deri në 31.12.1996.

Së dyti, do të përfitojnë rritje të masës së pensionit të pleqërisë, punonjësit e nëntokës dhe gratë e punësuara në arsim dhe kulturë, të cilët përfituan pension të parakohëshm në harkun kohor 1.10.1993 deri në 31.12.1996, sipas dispozitave të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, por vetëm nëse kanë plotësuar moshën për pensionin e plotë të pleqërisë. Një pjesë e mirë e minatorëve dhe pothuajse të gjitha gratë e punësuara në arsim dhe kulture, të cilat kanë dalë në pension të parakoshëm në atë kohe, tashmë kanë kaluar në pension të plotë dhe do të jenë përfitues të rritjes së masës së pensionit menjëherë. Ndërsa ato nuk kanë plotësuar akoma moshën për pension të plotë pleqërie, nuk do të përfitojnë shtesë menjëherë, por, në momentin kur ato do të plotësojnë moshën, kjo shtesë do të reflektohet në masën e tyre të pensionit të plotë.

Kategoria e tretë që përfiton rritje sipas këtij vendimi, janë pensionistët në pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, të llogaritur sipas dispozitave të ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966, “Mbi sigurimet shoqërore shtetërore të Republikës Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar, deri në datën 30.9.1993, të cilët, kanë plotësuar moshën për pension të plotë në periudha të mëvonshme dhe iu është rivlerësuar masa e pensionit nga 60% në 70% të pagës mesatare.

Sipas një studimi të kryer nga specialistë të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, të iniciuar nga Ministri Blendi Klosi, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë si dhe miratimin e Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, këto ishin grupet më pak të favorizuara nga politikat e zbatuara në vite për rritjen apo indeksimin e pensioneve si dhe rritjen e diferencuar të pensioneve, e cila u aplikua në pesë faza në harkun kohor 1999 – 2005. Ndryshimi i menjëhërshëm i sistemit të pagave në fillimet e viteve 90, ndryshimi i formulës së llogaritjes së pensioneve, rritjet e pensioneve me tendencë rritjen me përqindje më të larta të pensioneve më të ulëta, rillogaritja e diferencuar e këtyre pensioneve në vitin 2006, bëri që të ngushtohen diferencat, pra të prishet raporti mes pensionit minimal dhe atij maksimal, apo e thënë ndryshe u konstatua ngjeshja e pensioneve pranë madhësisë së pensionit minimal dhe atij mesatar.

Pensionistët në pension pleqërie të caktuar në harkun kohor 1.10.1993 deri në 31.12.1996 që përfitojnë nga ky vendim, kanë një pension rreth 13-20% më të ulët se pensionet e caktuara deri në 30.09.1993 dhe 18-25% më të ulët se pensionet e caktuara pas vitit 1998. Pensionet e parakohëshme për punonjësit e nëntokës dhe gratë që kishin punuar në arsim, kur llogariteshin si të plota, rezultonin me një masë pensioni edhe më të ulët, e cila në të shumtën e rasteve rezultonte minimale. Pensionet për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve, që kanë përfituar atë me minimalisht 20 – 25 vite në shërbim, në llogaritura në vitet 90-93, pasi rivlerësoheshin si të plota, arrinin në vlerën e të ardhurave minimale, duke krijuar një diferencim të ndjeshëm me pensionet e pleqërisë të personave të tjerë, të cilët kishin të njëjtën periudhë pune, të njëjtat paga dhe kishin dalë në pension pleqërie në atë periudhë.

Ky vendim synon përafrimin e masave të pensionit për persona që kanë të njëjtat paga dhe periudha kontributive, por që janë llogaritur në kohë të ndryshme.

Kur do të përfundojë skema e rishikimit të pensionit për këto kategori. A ka një afat për këtë, dhe rritja do të prekë vetëm vitet në vazhdim apo do të nisë që prej momentit të daljes në pension?

Vendimi i Këshillit të Ministrave i shtrin efektet financiare nga data 1.6.2016, ç’ka nënkupton se pavarësisht kur do të kryhen veprimet, shtesa në buxhetet e pensionistëve që do të përfitojnë, do të kalojë nga kjo datë. Procedurat që do të kryhen nga organet e sigurimeve shoqërore janë parashikuar të përfundojnë brenda muajit gusht 2016, por veprimet mund të kryhen edhe më shpejt. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nxjerrë udhëzimin përkatës, për përcaktimin e saktë të përfituesve në zbatim të kritereve të Vendimit të Këshillit të Ministrave.

Në skemë do të jenë vetëm ata punonjës që kanë dalë në pension nga viti 1993-1996, apo dhe të tjerë?

Duhet saktësuar për qytetarët, viti 1993, pasi sipas këtij vendimi përfitojnë vetëm ato persona të cilëve iu është llogaritur pensioni nga data 1.10.1993, pra me ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, deri në 31.12.1996. Brenda këtij harku kohor janë edhe përfituesit e tjerë, punonjësit e nëntokës dhe gratë e punësuara në arsim dhe kulturë, të cilët përfituan pension të parakohshëm. E vetmja kategori që nuk i përket këtij harku kohor, janë pensionistët në pension për vjetërsi shërbimi, të cilët kanë përfituar pensionin para plotësimit të moshës për pension të plotë deri në datën 30.09.1993.

Në sqarimin e ministrit Blendi Klosi u tha se u rritet pensioni për 500 ushtarakë. Si është bërë kjo ndarje dhe sa do të jetë shtesa që do të përfitojnë?

Siç u shpreha edhe më lart, përveç pensioneve të caktuara në harkun kohor 1.10.1993-31.12.1996, vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton si përfitues edhe pensionistët në pension për vjetërsi shërbimi, të cilët kanë përfituar pensionin deri në datën 30.09.1993. Janë evidentuar rreth 500 ushtarakë, të cilët tashmë kanë plotësuar moshën për pension të plotë pleqërie, dhe megjithëse kishin të njëjtën periudhë pune dhe paga të njëjta apo më të larta se persona të tjerë, në pension pleqërie deri në 30.09.1993, masa e tyre e pensionit nuk kishte përfituar nga asnjë nga fazat e ngushtimit të diferencave të aplikuara për pensionet e plota apo të parakohëshme të pleqërisë të caktuara në atë hark kohor. Kjo masë i përafrohej më shumë të ardhurave minimale. Duke u llogaritur si pensione të plota, mbi masën që rezulton, do të aplikohen edhe 3 vendime të mëparshme të Këshillit të Ministrave për ngushtimin e diferencave, duke i barazuar këto përfitime me pensionet e plota të pleqërisë të caktuara deri në 30.09.1993.

Përfituesit

Përfitues nga vendimi i qeverisë do të jenë ata persona që kanë dalë në pension në vitin 1993. E vetmja kategori që nuk i përket këtij harku kohor, janë pensionistët në pension për vjetërsi shërbimi, të cilët kanë përfituar pensionin para plotësimit të moshës për pension të plotë deri në datën 30.09.1993.

Afati

Procedurat që do të kryhen nga organet e sigurimeve shoqërore janë parashikuar të përfundojnë brenda muajit gusht 2016, por veprimet mund të kryhen edhe më shpejt. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nxjerrë udhëzimin përkatës, për përcaktimin e saktë të përfituesve.

Shtesat do të jepen pas llogaritjes

Prej datës 1 qershor do të llogaritet shtesa në pension për 3 kategori. Në momentin që ISSH do të përfundojë përllogaritjen, në pensionin e rradhës do tu shtohet dhe shuma e përfituar prej kësaj date. Më pas pensioni do të merret me shtesën e vendosur. Në argumentin e qeverisë është saktësuar se kjo rritje vjen pasi të tre kategoritë marrin një pension shumë më të ulët nga të tjerët. Ndaj dhe në kuadër të përafrimit të pensioneve është marrë një vendim i posaçëm.

Studimi

Vendimi i qeverisë është marrë duke u mbështetut në një studim të kryer nga specialistë të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Rezultoi se ishin 3 grupe më pak të favorizuara nga politikat e zbatuara në vite për rritjen apo indeksimin e pensioneve si dhe rritjen e diferencuar të pensioneve, e cila u aplikua në pesë faza.

Please follow and like us: