Albspirit

Media/News/Publishing

Rasti “Spahiu” dhe “harresa” e përgjegjësive individuale së deputetëve

Përparim Spahiu i Lëvizjes Socialiste për Integrim është bërë sot lajm. Një status i tij në rrjetet sociale, ku ai shprehte kundërshtimin për statusin e misionit të Monitorimit për procesin e Vetingut për gjyqtarët, e ka vënë deputetin e LSI-së në një situatë presioni mediatik. Spahiu shprehej se fakti që vetingu do të bëhet nga të huajt është çështje e sovranitetit, por kjo është cilësuar nga partia e Ilir Metës si një deklaratë personale. Disa raportojnë edhe se Spahiu mund të përjashtohet nga Grupi Parlamentar!!!

Ndonëse nuk ka ende një qëndrim zyrtar, mediat po raportojnë pikërisht këtë gjë. Dhe në një parti ku çdo hollësi lexohet si dorë e Ilir Metës, sqarimi i situatës me Përparim Spahiun është i rëndësishëm. Mirëpo ky diskutim na sjell në mendje atë tezën parimore që u luajt ca javë më parë kur po përpunohej skenari i blerjes së votave nga PS-ja, me bekimin e ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Kryeministri foli për nevojën e “daljes nga tufa” të deputetëve të PD-së, ndonëse e di shumë mirë se 5 prej tyre janë gati ta votojnë, e njëri madje bën edhe informatorin vullnetar në këtë drejtim. Më e rëndësishme, ja se cili ishte apeli i Ambasadës së SHBA-së në datën 8 qershor kur nisi gjahu i deputetëve:

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara shpreh zhgënjimin e saj që takimi i 6 qershorit mes Kryeministrit Rama dhe Liderit të Opozitës Basha nuk arriti një vendim përfundimtar mbi reformën në drejtësi. Qeveria shfaqi fleksibilitet, por, në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë.

Prandaj, Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet përpjekjet e Qeverisë shqiptare për ta çuar draftin drejt miratimit. Do të jetë përgjegjësia e anëtarëve individualë të parlamentit të vendosin nëse duan të mbajnë sistemin e sotëm të drejtësisë të korruptuar dhe të politizuar apo nëse do ta mbështesin këtë reformë”.

Duke qenë se këto deklarata mediat pranë qeverisë i kanë shumë për zemër, mundet fare mirë të pyetet: Pse nuk e lini të qetë Përparim Spahiun që të ushtrojë përgjegjësitë e veta INDIVIDUALE?

Please follow and like us: