Albspirit

Media/News/Publishing

Britania pas referendumit, zyrtarët përpiqen të qetësojnë situatën

  • Luis Ramires

Kriza në Britani u thellua sot ndërsa zyrtarë britanikë dhe ata evropianë u përpoqën të qetësonin tronditjen e shkaktuar nga vendimi i votuesve për t’u larguar nga Bashkimi Evropian. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se nuk mund të ketë bisedime me Britaninë para se Londra të filloj zyrtarisht procesin e largimit nga BE. Kancelarja Merkel do të takohet sot në Berlin me presidentin francez dhe kryeministrin italian, për të diskutuar shpejtësinë e negociatave për daljen e Britanisë.

Duke shpresuar të qetësonte tronditjen e tregjeve sot, ministri britanik i Financave George Osborne bëri një deklaratë ku thuhet se ekonomia britanike ka themele të forta dhe se Britania mbetet e hapur për biznes.

Herët në mëngjes, tregjet në Evropë ishin në rënie, por jo aq sa të premten kur tregu i Londrës humbi 8 për qind të vlerës para se të mëkëmbej dhe të mbyllej me një humbje prej tre për qind.

Thirrjet nga anëtarët e BE-së për një dalje të shpejtë të Britanisë u zbutën disi nga kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila bëri thirrje për një dalje civile e të organizuar. Zëdhënësi i kancelares, Peter Altmaier, tha sot se nuk mund të ketë bisedime informale për kushtet e largimit të Britanisë para se Londra të dorëzojë dokumentacionin zyrtar për ta bërë një gjë të tillë. Steffen Seibert është zëdhënës i kancelares Merkel.

“Në se qeveria ka nevojë për një periudhë kohore për të kryer veprimin, ne e respektojmë atë, por kjo nuk mund të zgjatet pafundësisht. Një gjë është e qartë: para se Britania e Madhe të dërgojë njoftimit, nuk do të ketë bisedime paraprake jozyrtare për kushtet e daljes”.

Deklarata e shefit të personelit të kancelares Merkel se politikanët në Londër duhet të shfrytëzojnë kohën për të rikonsideruar pasojat e daljes,shtuan spekulimet se Britania mund ta ndryshojë vendimin e saj.

Një ndryshim është teknikisht i mundur. Referendumi i së enjtes i pyeti votuesit në se Britania duhet të qëndrojë apo të largohet nga Bashkimi Evropian dhe shërben si një masë këshilluese ndaj të cilës qeveria nuk është e detyruar ligjërisht të veprojë. Analistët megjithatë thonë se një referendum i dytë për këtë çështje nuk ka të ngjarë të ndodh. Pjesëmarrja në votim ishte 72 për qind, më e larta qysh nga viti 1992.

Për të filluar procesin e daljes dhe negociatat për këtë, qeveria duhet të kërkojë zbatimin e nenit 50 të traktatit së BE-së. Kush do ta bëjë këtë veprim dhe kur, mbetet e paqartë sot ndërsa Britania përballet me krizën e saj më të rëndë politike të kohëve moderne.

Please follow and like us: