Albspirit

Media/News/Publishing

Reforma në Drejtësi, Lu: Ofruam 3 zgjidhje të ndryshme


Ambasadori amerikan: Mazhoranca i ka pranuar këto propozime. Zoti Basha ka gjetur gjithmonë diçka për të refuzuar. Zgjidhjet e kompromisit në përputhje me paragrafët 61 dhe 88 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias

Ambasadori amerikan Donald Lu deklaroi sot se “që prej 4 majit të shkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi europian i kanë ofruar shumicës dhe opozitës në Shqipëri tre zgjidhje kompromisi”, për të kapërcyer ngërçin që mban të bllokuar reformën në Drejtësi. “Mazhoranca i ka pranuar këto propozime. Zoti Basha ka gjetur gjithmonë diçka për të refuzuar”, shkruan ambasadori Lu në një thirrje drejtuar të rinjve shqiptarë të publikuar në faqen facebook të ambasadës amerikane.

Palët në Shqipëri kanë rënë dakort me projektin e ndryshimeve kushtetuese, përveç formulës së emërimeve nga ana e parlamentit të disa anëtarëve të institucioneve të sistemit të Drejtësisë. Opozita këmbëngul në formulën e “vendeve të rezervuara”, një ndarje proporcionale e emërimeve, sipas peshës së forcave kryesore politike, duke këmbëngulur se një formulë e tillë është në përputhje me paragrafin 88 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias.

Në shkrimin e tij ambasadori Lu shkruan se “mendoj se populli shqiptar është i lodhur që politikanët e tij bëjnë lojëra. Nëse opozita dhe qeveria duan të realizojnë një marrëveshje, ne u kemi ofruar tre zgjidhje kompromisi që janë tërësisht në përputhje me paragrafët 61 dhe 88 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias. Politikanët nuk është e thënë të marrin idetë dhe sugjerimet tona, por ata duhet ta gjejnë kompromisin”, shprehet ambasadori amerikan duke shtuar se “ndoshta udhëheqësit e partive politike të Shqipërisë kanë frikë nga kjo reformë dhe nuk janë të gatshëm të bëjnë asnjë marrëveshje. Në këtë rast, u bëj thirrje anëtarëve individualë të Kuvendit që të marrin përgjegjësinë për të votuar në favor të kësaj reforme. Votimi është planifikuar për datën 21 korrik. Është koha për të vendosur”.

Duke ju referuar mbështetjes së gjerë që Reforma në Drejtësi gëzon në opinion, ambasadori Lu shton se “çdo udhëheqës politik partiak, çdo deputet i Kuvendit dhe çdo i ri e di se populli i Shqipërisë e mbështet në shumicën dërrmuese reformën në drejtësi. Cilët janë këta udhëheqës partish politike që i thonë popullit shqiptar se nuk mund ta ketë këtë reformë?”. Ambasadori Lu i drejtohet më pas të rinjve më një thirrje: “t’u thoni udhëheqësve që ju keni votuar se e doni këtë reformë. Shkruajini një letër. Bëni postime në median sociale. Flisni me miqtë tuaj. Vota e 21 korrikut do të përcaktojë drejtimin e vendit. Bëjuni me dije udhëheqësve tuaj se doni të rriteni në një vend të lirë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Thuajuni atyre se doni që Shqipëria të jetë një demokraci ku zërat tuaj do dëgjohen dhe ku ju do të trajtoheni në mënyrë të drejtë dhe me respekt”, përfundon shkrimi i ambasadorit amerikan.

Please follow and like us: