Albspirit

Media/News/Publishing

Obama, letër shqiptares Ermira Babamusta

Obama mirënjohës, letër shqiptares Ermira Babamusta

Ermira Babamusta është një vajzë që me ndihmën e fatit, por më shumë të vullnetit të saj, u radhit në krye të stafit të liderit më të fuqishëm botëror, Presidentit Barak Obama. Falë rezultateve të shkëlqyera në mësime, ajo arriti që nga Kavaja të përzgjidhej për të studiuar në tokën e premtuar.

Ermira jeton në Amerikë dhe është mjaft e vlerësuar në administratën vendase. Presidenti “Obama” ka preferuar t’i përgjigjet personalisht urimit të saj për ditëlindje, duke i dërguar një letër mirënjohjeje.

LETRA

Në letrën e dërguar shqiptares, Obama e falenderon atë për urimin që i ka bërë për ditëlindje. Gjithashtu ai shpreh mirënjohje për mbështetjen dhe kontributin që Ermira ka dhënë me punën e saj, në të mirë të Amerikës. “Faleminderit për urimin e ditëlindjes dhe për mbështetjen tuaj karshi vlerave tona të përbashkëta. Vendi ynë po bëhet gjithnjë e më i fortë dhe për këtë u detyrohemi njerëzve si ju”, shkruan ndër të tjera Presidenti i Amerikës Barak Obama, në letrën e tij.

INTERVISTA

Cila është prejardhja juaj?

Unë kam lindur në Kavajë. Kam kryer shkollën e mesme tek “Gjuhët e Huaja” në Tiranë, tri vitet e para. Më pas m’u dha e drejta e studimit për në SHBA. Babi im, Nekiu, ka prejardhje nga fisi patriotik Babamusta që janë me origjinë nga Kavaja, Durrësi dhe Tirana. Në vatrën e tyre janë mirëpritur patriotët e mëdhenj të kombit Ismail Qemali, Avdi Bej Toptani, Aqif Pashë Elbasani, familja Biçaku, Mustafa Gjinishi, vëllezërit Shyqyri e Mysim Peza, kushërinjtë e gjyshit tim. Fisi i mamit (Suzana Cani) me origjinë nga Canët e Dibrës, i njohur në shkallë ndërkombëtare. Dy familjet Babamusta dhe Cani kanë vatër të patriotizmit dhe të Luftës Nacionalçlirimtare, me shumë dëshmorë dhe të persekutuar.

Kur keni udhëtuar drejt Amerikës dhe pse?

Fitova të drejtën e studimit në vitin 1998 për të vazhduar shkollën e mesme në Oklahoma, ku dola shkëlqyeshëm me mesataren më të lartë (GPA 4:00) dhe fitova konkurse kombëtare në shkenca dhe gjuhë të huaja në Amerikë. Gjatë studimeve të shkollës së lartë kam dalë shkëlqyeshëm, jam futur në listën e studentëve të nderuar (honor roll) dhe jam vlerësuar nga dekani i fakultetit.

Për çfarë keni studiuar në Amerikë?

Tani jam kandidate për doktoraturë në Shkenca Politike në W. Virginia. Gjithashtu, po ndjek kursin për Sigurim Kombëtar dhe Politikë në Harvard. Kam dy mastera “Shkenca Politike” në Nju York dhe “Administrim Publik”, si dhe kam kryer studimin e avancuar për “Diplomaci, OKB” në Manhatan, Nj York.

Si është të punosh për Obamën? Çfarë ju ka thënë ai për Shqipërinë dhe shqiptarët?

Kam punuar për administratën e Obamës si drejtore për zgjedhjet presidenciale të fushatës elektorale 2008-2012. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme, ku pashë nga afër si punon sistemi demokratik në Amerikë. Më parë kam pasur fatin të punoj në Kongresin dhe Senatin Amerikan në Uashington DC, si eksperte e punëve të jashtme.

Presidenti Obama dhe Amerika janë aleate të fuqishme të shqiptarëve. Kanë një qëndrim shumë të fortë për miken e tyre, Shqipërinë. Presidenti Obama vlerëson punën e bërë nga Shqipëria dhe Kosova në ndërtimin dhe forcimin e shtetit me vlera demokratike dhe moderne dhe si dhe lidhjet e saj me komunitetin Euro-Atlantik. Në veçanti për shqiptarët presidenti Obama dhe Amerika vlerëson kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë emigrantët shqiptarë në Amerikë, e cila me gjenerata ka ndihmuar në ndërtimin dhe forcimin e shtetit dhe jetës amerikane.

Obama ju duket më shumë mik i Berishës apo i Ramës?

Besoj se Presidenti Obama është mik i shqiptarëve pa dallime, sepse respekton dhe vlerëson Shqipërinë, si mike dhe aleate strategjike të saj. Amerika nuk niset nga ana partiake, por shikon zhvillimin e vendit, forcimin e miqësisë dhe rrugën e Shqipërisë drejt BE-së dhe familjes europiane. Amerika mbështet çdo forcë politikë që ka veprimtari konstante bazuar në ligje dhe kontribuojnë për forcimin miqësor Shqipëri-Amerikë-Kosovë, Shqipëri-Europë.

A është Barak Obama një shef i rreptë?

Besoj se presidenti Obama është një lider i denjë, që bota e respekton dhe e vlerëson për punën e tij të jashtëzakonshme në ndërtimin e paqes dhe demokracisë në botë. E gjithë bota i hedh sytë drejt Amerikës për të zgjidhur problemet e saj. Falë drejtësisë, rregullit, vlerave demokratike dhe fuqisë së saj, Amerika ka arritur forcën që ka sot. Për vlerat e tij shumë të larta drejtuese si burrë shteti dhe udhëheqës në punë ndërkombëtare, presidenti Obama me urtësi dhe largpamësi po mban balancën politike në botë, për të vendosur një paqe ne shkallë ndërkombëtare.

Dhe tani Amerika po luan rolin e avokatit për ta integruar Shqipërinë dhe Kosovën në Bashkimin Europian. Çmoj shumë lart vlerësimet që më ka bërë Qeveria amerikane dhe Kongresi Amerikan. Kam punuar dhe vazhdoj të punoj për përhapur vlerat demokratike të popullit shqiptar, përparimet që janë bërë gjatë këtyre 23 viteve të demokracisë. Në mënyrë të veçantë kam lobuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës bashkë me babain tim, Neki Babamusta.

Please follow and like us: