Albspirit

Media/News/Publishing

Pse është nervoz Andi Bushati? – Nga Artur Zheji

 

artur zheji - andi bushati

Nga Artur Zheji

Dje fola në telefon me një koleg dhe një shok të vjetër të Bushatit.

“E ke mërzitur shumë Bushatin” më tha.

“Ai shqetësohet shumë nga shkrimet e tua!” vazhdoi kolegu me një nënqeshje të pakuptueshme, nëse po më inkurajonte apo po më frenonte.

“ Një si ai që gjuan mbas ferrës së “faqes”, pa emër dhe nën brez, madje gjithmonë e më poshtë brezit, nuk ka pse të mërzitet dhe të shqetësohet!” iu përgjigja.

Por ja, kolegu kishte të drejtë. Bushati, mbas ferrës së Portalit të vet, pa emër, lëshon gjilpërkat e veta të helmatisura, për shkrime dhe qëndrime që unë, të mira apo të këqia qofshin, i kam bërë ballas dhe u kam vënë emër e mbiemër poshtë.

Dhe “fap”, i “Mërzituri”, sepse 360grade.al, duke se i ka çmontuar skemën “elegante” të të ndihmuarit dhe të të shërbyerit të kryeministrit, ulet, rrëmben lap top dhe duke ruajtur rregullën e gjuajtjes së gjilpërkave mbas “Ferrës së Portalit”, që e përdor si nickname, më akuzon mua, hiçmë pak se për “antiamerikanizëm”…

Edhe kjo si një ndihmë e vyer për kryeministrin, për të deformuar frymën e një kritike të ashpër. Bushati pra, si një mburojë e Ed Ramës, duke sulmuar Tur Zhejin, që kritikon Ed Ramën! “Ah sa bukur, a!” do të thoshte pra Arjan Çani.

Por duke ju kthyer gazetarisë, ja zoti Bushat, 10 pika ku gabohesh:

  1. Kur gjyshi im, Spiro Zheji, dëgjonte fshehtas Zërin e Amerikës apo Radio Londrën, në pritje të ndonjë zbarkimi fatlum antibolshevik në Shqipëri, gjyshi yt, Besniku i Partisë, rehatohej në oxhakun e shtëpisë së gjyshit tim, që dikatura ia kish shtetëzuar dhe ia kish dhuruar bosëve të vet. Është rastësi, por në atë oborr, në vend që të rritesha unë, u rrite ti. Por s’kam mëri për këtë dhe ti e di. Pra gjenetikisht dhe nga ana “biografike”, kam lindur proamerikan. Por nuk kam pse mburrem për këtë.
  2. Në artikullin tim, me emër dhe mbiemër dhe me fytyrën time përsipër, të hapur sa më s’ka, mirë apo gabim e paca, unë kam renditur mendimet e mia për Reformën në Drejtësi dhe nuk e kam akuzuar në asnjë moment ambasadorin Lu. Ajo që shkruan i “Mërzituri”, është pra një fals i qëllimshëm dhe një stekë e ulur më poshtë sbëhet.
  3. Në këtë letër të hapur, nuk mund të mos nënvizoja se ambasadori Lu, ka bërë një diferencim jodiplomatik, ndërmjet liderit të Opozitës Lulëzim Basha dhe kryeministrit Rama. Dhe kam shkruar hapur dhe jo mbrapa “ferrës”, që kjo gjë nuk më tingëllon mirë!

Kjo ty të mërzit kaq shumë Bushat? Sa të më mbiquash thjesht e thjesht “antiamerikan”? Kaq shumë është mërzitur edhe Rama, sa u mërzite kaq shumë edhe ti?

Një këshillë: “mos shkruaj me nervozizëm, se të del bosh skema!” dhe një fjalë kolegu: “mos mendo se të fal më pa përgjigje!” Ke shkruar dhe je tallur mbas ferrrës sa herë ke dashur. Tanimë do të kesh përgjigje. Në mënyrë të papërtueshme!

  1. Më 22 Janar unë i shkrova hapur dhe në gazetë, mikut tim, ambasadorit amerikan Arvizu, që të mos lejonte Edi Ramën, asokohe lider opozite, që të bënte një demostratë të dytë dhe të tretë në Tiranë, mbas gjakderdhjes që ndodhi. Sepse kjo do të silltë destabilizim të Shqipërisë dhe nuk ja vlente as kolltuku i Berishës dhe as kolltuku i Ramës, gjakderdhjen e shqiptarëve.

Për koincidencë për herë të dytë flitet për Ramën. Ramën “revolucionar” të 21 Janarit 2011 dhe sot Ramën e të “gjitha pushteteve” të vitit 2016!

Ku qëndron kontradikta dhe “antiamerikanizmi” këtu, këtë vetëm Bushati e di!

  1. Të shkruash një letër të hapur dhe direkte, ndaj amabasadorit amerikan nga njera anë, të “luftosh kundër një projekti amerikan” më Shqipëri nga ana tjetër, janë gjëra shumë larg njera tjetrës dhe vinë era intrigë.

Por si i “mërzitur” dhe nervoz që je, të mirëkuptoj.

Përdore edhe gurin e fundit, atë të shpifjes që të del si pështymë në këtë rast, por aspak jo, si mendim dhe si analizë.

Sepse të gjithë kolegët e dinë që te vreri ti Bushat, shkëlqen, ndërsa te mendimi dhe te analiza, je shumë i konkurueshëm. Por je i ri akoma dhe me gjitha ato rrugë Parisi që bën, ke kohë të përsosesh.

  1. Për shkrimin tim “Antiamerikanizmi i porositur” të cilin ti Andi, nga mbrapa ferrës, e keq interpreton, unë flisja për një sulm të orkestruar që ish drejtuar ndaj ambasadorit të atëhershëm, që pati një mision të shkëlqyer në shpëtimin e Shqipërisë, nga një përplasje civile e rrugës, për të përmbysur kryeministrin e atëhershëm me forcë. Arvizu ndaloi aventurizmin e marrjes së pushtetit me kryengritje popullore dhe na shpëtoi nga një ’97-’98 e re! ndërkohë që mbi kokën e tij, derdheshin lumë akuzat, si proberishian dhe pro qeveritar, vetëm e vetëm sepse nuk pranoi rotacionin e dhunshëm të pushteteve.

Për qëndrimin e tij dhe qëndrimin tim të asaj kohe, sa më shumë kalon koha, aq më shumë e vlerësoj. Aq më tepër tani, kur shoh në veprim, se për cfarë qeverisjeje duhet të vdisnin simbas dikujt rrugëve të Tiranës, edhe disa mijëra veta. Kthjellohu shoku Andi!

  1. Ti akuzën më të madhe që më bën, e lidh me kandidimin tim në Durrës në vitin e largët 2009. Një kandidim me një partizë të kërcënuar, që ishte atëhere LSI. Një partizë e rrezikuar të vdiste nga mbipushteti i Berishës dhe i Ramës, mbas ndryshimeve të turpshme kushtetuese të vitit 2008. Ndryshime që sot e me kohë, vec e vec, edhe Rama, edhe Berisha, i kanë cilësuar si të gabuara. Mendoja se do të kishe kujtesë për këtë.

Por nga ty, nuk pritet kujtesë pozitiviste.

Në të gjithë botën që ti shëtit me shumicë, por nga sa shkruan, nuk më rezulton se e kupton po aq sa e shëtit, ka dhjetëra raste gazetarësh që angazhohen dhe kandidojnë nga shoqërija civile, si bëra edhe unë në vitin 2009. Me këtë rast të kujtoj një detaj: kryeministri yt, që kaq shumë është mërzitur sot bashkë me ty, bëri cmos, që të mos kishte në parlament një deputet me mbiemrin Zheji.

Dhe është parlamenti i sotshëm, produkti i largimit të vlerave të shoqërisë civile, mbushur me deputetë që fshehin vrasjet dhe blejnë me lekët e drogës, pafajsinë e tyre.

Por për këta, ti trimoshi Andi Bushati, nuk shkruan. Dhe të drejtë ke, se ata nuk të replikojnë ditën për diell si unë, por të heqin qafe. Se kemi jo pak nga ky soj deputetësh në Kuvend apo jo?!

E çdo të bëjë Reforma në Drejtësi për këta? E ke menduar? Do ti kapë drejtësia e re deputetët me të kaluar kriminale?

Reforma e kryeministrit me deputetët me pesë emra të kryeministrit aktual, që do të votojnë pro Vetingut? A nuk është kjo qesharake? Qesharake dhe e rrezikshme?!

  1. Ashtu si edhe nuk kujton, kur Berisha i 2011, nervoz dhe pa vetkontroll si ti sot, të listoji si pucist të 21 Janarit dhe ti ndër qindra mbështetës, kishe edhe mbështetjen time modeste, që ky listim ishte një lajthitje.
  1. Mendoj se është proamerikanizëm të punoj për stabilitetin e vendit tim dhe të kontribuoj hapur dhe jo mbrapa ferrës, që zoti Lu, të konsultojë edhe mendimet e mia. Qofshin si qofshin ato! Por kurrë sesi jo antiamerikane!
  2. Të faleminderit sidoqoftë, që më shërove dhimbjet e stomakut dhe më ule të të shkruaj. Vazhdojmë përditë po deshe, vetëm plotëso mundësisht dy kushte:
  3. Ngrije stekën
  4. Dil nga anonimati, apo nga ferra e portalit.

Gjithmonë miqësisht

Artur Zheji

P. S: foton time që boton shpesh me Metën, mundohu të ma shmangësh sepse është një foto e trishtuar ngushëllimi. Të dërgoj unë foto të tjera me Ilir Metën, nëse të duhen vlla

 

Please follow and like us: