Albspirit

Media/News/Publishing

Raporti sekret: 34 referendume kundër BE në Europë

Vota e Britanisë për tu larguar nga Bashkimi Evropian mund të shkaktojë një “cunam politik”, i cili mund të “paralizojë” unionin, sugjeron një raport.

Disa parti “kryengritëse” në të gjithë Europën kanë bërë thirrje që të imitojnë referendumin britanik në vendet e tyre, me një shtytje për të paktën 34 referendume në vitet e ardhshme, bën të ditur një raport i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Është me se e qartë se disa nga temat që u shfaqën në fushatën e referendumit në Mbretërinë e Bashkuar janë të përhapura në të gjithë vendet e BE-së”, thotë Susi Dennison, autore e raportit, për radio BBC.

“Edhe pse shumë nga partitë që kemi vërejtur janë themeluar nga çështjet e brendshme, ndikimi i krizës së refugjatëve, axhenda me masa shtrënguese në Evropë dhe kështu me radhë, është duke udhëhequr këto parti që të zhvillojnë një politikë të jashtme mjaft të fortë e cila është me të vërtetë sfiduese ndaj disa parimeve të konsensusit evropian të pasluftës.

Partitë populiste kanë marrë frymëzim nga suksesi UKIP-it, shtoi Dennison: “Ka një grup shumë të fortë që e kanë parë me kujdes se çfarë ka arritur Ukip në Mbretërinë e Bashkuar dhe janë shumë të etur për ta aplikuar atë në vendet e tyre.”

Në të gjithë BE-në, partitë “kryengritëse” luajnë një rol të drejtpërdrejtë në qeveritë kombëtare të 8 vendeve anëtare dhe kanë 1329 vende në parlamentet e 25 shteteve, bën të ditur raporti.

Raporti thotë se këto parti janë duke përdorur mediat, presionin popullor dhe postet politike për të detyruar referendume kombëtare mbi çështjet të cilat janë debatuar më parë nga nëpunësit civilë dhe qeveritë.

Raporti gjithashtu identifikon disa tema të rëndësishme të përbashkëta mes partive populiste, të tilla si skepticizmi ndaj BE-së, ndjenjat ndaj Shteteve të Bashkuara dhe dyshimet për tregtinë e lirë. Ata gjithashtu ndajnë një preferencë për kufij të mbyllur dhe janë gjerësisht pro-rusë.

“Këto parti do të mund të veprojnë si një bllok i rëndësishëm në planet e Këshillit të ardhshëm të BE për një emigracion kompakt me vendet tranzite fqinje”, thotë raporti “, dhe shumë prej tyre do të kundërshtojnë zgjerimin e sanksioneve ndaj Rusisë përtej kësaj vere”.

Votimi i Britanisë për tu larguar nga BE-ja u prit me festime nga grupet e ekstremit të djathtë në të gjithë Evropën.

Marine Le Pen, liderja e Frontit Kombëtar në Francë, ka deklaruar se populli britanik i kishte dhënë Evropës dhe botës “një mësim rrezatues demokracie”, ndërsa udhëheqësi holandez i partisë së Lirisë Geert Ëilders bëri thirrje për një “Nexit” sa më shpejt të jetë e mundur, duke thënë se “populi holandez meriton një referendum të tillë”.

Në Gjermani, Beatrix von Storch, një anëtar e Alternativës së krahut të djathtë, (AFD), i tha televizionit kombëtar se ajo “qau nga gëzimi”, për rezultatin e referendumit. Mbështetja për AfD, e cila ka një qëndrim anti-Eurozonë dhe anti-emigracion, është rritur kohët e fundit në nivele të reja mes shqetësimeve rreth hyrjes së refugjatëve në vend.

Lëvizja Pesë Yjet në Itali është duke kërkuar një referendum nëse duhet mbajtur euro, ndërsa Danimarka dhe Suedia kanë shfaqur të dyja interes për tu larguar nga Bashkimi Evropian.

The Independent

Please follow and like us: