Albspirit

Media/News/Publishing

 Carlo Bollino: Më shumë respekt për qytetarët

Kam “fatin” të banoj pak metra larg ish-stadiumit “Qemal Stafa” dhe kështu, pa dashjen time, por përjetoj drejtpërsëdrejti bashkëjetesën e vështirë të një qytetari me një kantier të madh ndërtimi. Disa probleme janë të pashmangshme, si psh bllokimi i trafikut dhe zhurmat përgjatë ditës. Por ka edhe probleme të tjera, që mund të shmangeshin, në rast se do të kishte një organizim më të mirë dhe një respekt më të madh nga ana e atyre që drejtojnë punimet.
Po përmend vetëm disa nga problemet, e krijuara për shkak të indiferencës ndaj qytetarëve nga ana e firmës së ndërtimit:
1. Papritmas, të gjithë banorët e zonës kanë humbur cilësinë e shërbimit të telefonave celularë, pasi, me sa duket, pa paralajmërim, janë çmontuar antenat, që kishin vendosur të gjitha kompanitë celulare në kullat e stadiumit
2. Gjatë natës nuk mund të flesh, ose të zgjon në agim zhurma e matrapikëve, pasi, duke shkelur normat e “heshtjes”, në fuqi në çdo qytet të botës, në kantier punohet 24 orë rresht
3. Ndoshta për të kursyer ujin, spërkatësit e mëdhenj, që shërbejnë për të shmangur ngritjen e pluhurit nga kantieri, shpesh mbahen të mbyllur dhe kështu shtëpitë tona përmbyten nga pluhuri, siç ndodhte në vitin 1993 me kantieret e para të ndërtimit në Tiranë
4. Nga dita e sotme, lagja (ndoshta edhe zona të tjera të kryeqytetit) është edhe pa internet, pasi, pa paralajmërim, punëtorët kanë prerë fibrat optike, që përdorin kompanitë kryesore dhe që kalojnë pranë stadiumit, duke u dhënë vetëm sot urdhër këtyre kompanive që t’i spostojnë diku tjetër.
Bashkë me dhjetëra milionë euro, që investohen në një vepër kaq gjigande, do të duhej të shtohej edhe pak respekt ndaj qytetarëve dhe më shumë edukatë ndaj qytetit. Respekti dhe edukata janë falas.

Please follow and like us: