Albspirit

Media/News/Publishing

ATA KURRE MOS U HARROFSHIN !

Për 38 martirët e klerit katolik shqiptar/sami-repishti-c1200x600-2-300x136Nga Sami Repishti, Ph.D.*/1-shkoder

5 nandor 2016. Ridgefield, CT. SHBA.-  Simbas njoftimit formal të Argjipeshkvisë Shkodër-Pult sot, në qytetin e Shkodrës mbahet ceremonia e Lumnimit të 38 martirëve të klerit katolik shqiptar, viktima të pafajshme të terrorit komunist në Shqipëri. I përjetëshëm qoftë kujtimi  – dhe mirënjohja e jonë!

Sot, nga Amerika e lirë, unë bashkëfestoj simbolikisht këte ceremoni që çmon vlerën e sakrificës supreme. Sot, bashkëfestoj fitoren mbi të Keqën, hirin e këtyne 38 martirëve, pjesëtarë të bashkësisë dinjitoze të vuejtjes së pameritueme, dëshmitarë të mesazhit çlirimtar, të qëndisun me duer sot të palëvizëshme e të shueme nga kryqëzimi i pakufishëm, “martir먴që kthyen dinjitetin për ne, të gjithë ne, në atdheun tonë të përbashkët shqiptar, tue premtue shpresën e pavdekshme të demokracisë e të lirisë së plotë për të gjithë familjen njerëzore…nji dhe të pandame !

”Ata kurrë mos o harrojshin!” (Atë Gjergj Fishta, O.F.M.)

******

“Nuk ndërtohet mbi boshllek!” shkruen nji shkrimtar françez. Duhen themele të shëndosha për nji ndertesë të fortë e permanente siç ashtë Kisha Katolike Apostolike Romane Shqiptare. Sot, themi se këto themele janë të vadituna me gjak dëshmorësh e martirësh të pa faj për ma shumë se 45 vjet me rradhë.

“Nuk ndërtohet parrizi me muratorët e ferrit!” shkruen nji shkrimtar shqiptar. Duhen duer të pastra dhe të dedikueme për nji “mision”, ashtu siç ishin duert e martirëve të Klerit Katolik Shqiptar!

Tradita historike e krishtënimit në Shqipëri, e pasunueme me ngjarjet tragjike të periudhës së diktaturës së kuqe ka trasformue tragjedinë në nji “angazhim” solemn e koshient të ruejtjes dhe përparimit të pranisë katolike në Shqipëri me sensin e përgjegjsisë së plotë. Plagët akoma të hapuna e kërkojnë; na duhet të respektojmë!

Tradita historike e krishtënimit në Shqipëri, si feja e parë në vendin tonë, buron nga dy drejtime: nga Roma në formën e ritit katolik apostolik roman, dhe nga Konstantipoli në formën e ritit bizantin. Shqipëria u bekue nga shenjtët Pal dhe Andre. Megjithëse nuk dimë datën e saktë, krishtënimi hyni në Shqipëri para Koncilit të Sardikës (343-344), sepse në Sinodin Shenjtë morën pjesë edhe ipeshkvijtë e Epirus Nova dhe Dardanisë (Kosovës).

Me ardhjen e invazioneve sllave e barbare, e ma vonë atyne otomane, gjithçka u shkatërrue! Shqiptarët e Veriut i u veshën maleve  ku ruejtën të gjallë katolicizmin e Romës; ata të Jugut vershuen Greqinë, dhe ma vonë Italinë e Jugut. Me 1089, u formue qendra metropolitane e Tivarit, dhe në shekullin XIII , gjatë sundimit venecian,u formue Argjipeshkvia e Durrësit. Që në vitin 1220, kur Shën Françesku i Asizit themeloi qendrën e parë të Urdhënit të tij, e për shekuj me rradhë, kujdesi i katolikëve shqiptarë u la në duert e fretënve françeskanë.

Katoliçizmi mori hov me Gjergj Kastriotin-Skenderbeu dhe me lidhJet e tia të ngushta me Vatikanin. Me 1457, Papa Kalisti III i shkruente heroit shqiptar: “Nuk ka njeri në botë që të mos dij ndërmarrjet e jueja heroike, dhe  që me fjalët ma të nalta nuk ju ngren në qiell, dhe nuk flet për ju si kampioni dhe mbrojtësi bujar i krishtënimit”. Struktura e “shtetit” të Skënderbeut ka qenë efektivisht struktura e Kishës katolike në Shqipëri: çdo kishë ka qenë nji qendër mbledhjesh, organizimi dhe përkrahje; çdo famullltar ka qenë nji udhëheqës lokal dhe nji propagandist i rezistencës. Çdo ipeshkëv ka qenë nji drejtues krahinor dhe Argjipeshkvi Pal Engjëlli i Durrësit ka kryesue veprimtaritë diplomatike të kohës, shkruen Imzot Fan S.Noli.

Papa Klementi XI (1700-1721) me origjinë arbëreshe, u tregue i gatshëm me ndihmue katolikët shqiptarë. Me kërkesën e tij, Sinodi i parë kishtar shqiptar u mbajt afër Lezhës, në vitin 1703. Në vitin 1856, u hap Kolegji Papnor, dhe ma vonë Seminari i Jezuitëve në Shkodër; u themelue nji shtëpi botuese. Po në këte datë, u rrit puna e organizueme e klerikëve katolikë për faljen e gjaqeve në Malësitë tona, dhe zhdukjen e vesit të mbrapshtë të hakmarrjes.

Me Kongresin e Berlinit (1878) qyteti i Tivarit u okupue nga malazezët (që formuen shtetin e tyne!) dhe Argjipeshkvia e Tivarit, që deri në atë kohë ishte kryeqendra edhe për katolikët e Shqipërisë së Veriut, në mbështetje të nji Konkordati me Malin e Zi (1886), hoqi dorë nga drejtimi i punëve kishtare në Shqipëri. Po atë vit, Selia e Shenjtë, caktoi Shkodrën si kryeqendër, me ipeshkvitë tjera si degë (me përjashtim të Durrësit).

Nji veprim i këtill i Vatikanit tregonte sensibilitetin e kësaj Qendre Ndërkombëtare për ndjenjat kombëtare të shqiptarëve- shembull që shohim sot të përsëritun këtu në Shqipëri, me emnimin e argjipeshkvit dhe tre ipeshkvijve (1993). Nji seri klerikësh shqiptarë u emnuen barij të besimtarëve katolikë shqiptarë. Kjo konfirmoi gjithashtu në mënyrë simbolike, njohjen e bashkësisë katolike si nji entitet kombëtar i dalluem. Që nga viti 1938, Shqipëria e Veriut ka qenë nën juridiksionin e Propaganda Fide-s; Shqipëria e Jugur nën atë të Kongregacionit Oriental.

Që nga fillimi deri në ditët tona, kleri dhe besimtarët katolikë shqiptarë kanë vazhdue traditën e tynë të lavdishme të përpjekjeve për çlirim kombëtar. Në luftën me armë, ata janë gjetë gjithmonë në ball të ma shumë se 48 kryengritjeve të mëdha kundër perandorisë otomane. Në luftën me penë, ata kanë qenë për afër katër shekuj dritë-dhanësit e vetëm në natën e errët e të gjatë të pushtimit otoman. Që nga Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani, Kazazi e Gjeçovi me shokë, e deri te “shkolla e Shkodrës” me shoqënitë Agimi, Përparimi, Hylli i Dritës, Leka etj. me Fishtën, Mjedën, Koliqin e me plejaden e madhe të shokëve të tyne, vëllaznit e motrat tona katolike shqiptare kanë qenë ndër mendjet ma të ndrituna të kombit tonë, pararoja e zhvillimit tonë kulturor të vonuem nga rrethana jashtë kontrollit tonë, dhe themeluesët e shoqënive të para kulturore, artistike, qendrave arsimore e bamirëse në të gjithë Shqipërinë e Veriut dhe Kosovën – zona të popullueme nga ata. Tue folë për Shkodrën, Madre Superiore e Urdhënit të Motrave Stigmatine shkruente: “…U vendos të hapet nji shkollë dhe nji konvikt në Shkodër. Kur u hap shkolla, në vjetin 1920, vajzat ortodokse, myslimane, hebreje e katolikët erdhën nga Korça, Tirana, Elbasani, Tivari, Cetinja, Shkodra për rregjistrim. Ishte fillimi i nji pune ma intensive për përgatitjen e mësueseve të kualifikueme shqiptare….”.

Në malet e egra të Shqipërisë veriore, kleri katolik zbuti pezmin që grumullonte hakmarrja, u pajtuen gjaqet u afruen miqt, u shpëtuen familje të tana. Në qytetet e vorfëna të Shqipërisë u hapën klinika, u mbushën spitalet me “Motra”, u themeluen strehimoret për jetimë, për të vorfën, për pleq. Kushdo që jetoi ato ditë dëshmon për besimin e madh që vuni populli i jonë në duert e “Motrave” të mëshirës së krishtenë. Kjo ishte e kaluemja e lavdishme!

(Asht nji ironi e fatit të dhimbshëm kur mendon njeriu që në vitin 1944, Vatikani dërgoi ndihma për Shqipërinë, dhe vetë diktatori E.Hoxha falënderoi delegatin apostolik Msgr. Nigris.)

Në nandor 1944, pa pritmas, perdja e hekurtë ra; në Shqipëri filloi tragjedia që zgjati plot 45 vjet….pa mëshirë, pa pushim!

*****

Sot, në këte ditë përkujtimore dhe kryenaltësie për Lumnimin e 38 Martirëve të Klerit Katolik Shqiptar, unë jam kredhë në mendime që më sjellin kujtimet e paharrueshme të së kaluemes së errët, dhe njikohësisht heroike e fisnike, nën terrorin komunist: emna, fytyra, gjeste që nuk harrohen! Natyrisht, diçka duhet ba!

Duhet të përpiqemi të mos lejojmë ramjen në “gropën e zezë të harresës” që thithë viktimën pa shpresë dalje.

Para së gjithash, duhet krijue atmosfera e pastër, vëllaznore e bashkëpunimit që pengpn sulmet e ndërsjella në mes të viktimës së komunizmit e “mohuesve” – meturina toksike të komunizmit – që na ndajnë kaq shumë.

Duhet gjetë fjalori i përbashkët që tragjedia e jonë meriton. E sidomos, duhet çmue si meriton përpjekja e secilit, e sakrifica e çdonjenit nga ne- tue theksue sidomos rastin e sakrificës supreme. Këtu vlen të theksohet vendi i nderit që zen kleri katolik shqiptar. Kjo ashtë nji e dhanun që duhet pranue a priori nga të gjithë njerëzit vullnetmirë. Kjo ashtë bindja e ime sot. ka qenë dje, dhe do të jetë edhe nesër!

Duhet thye heshtja! Kjo heshtje e thellë më tmeron! Sepse, nuk gjej nji përgjigje që ngushëllon: si mund të luftohet ecja e këtij fenomeni që eventualisht lejon përsëritjen e konfliktit, e që  reflekton imazhin e nji vendi në turbullim kercënues.

Fatmirësisht, sot, dokumenti i Vatikanit “Nostra Aetate” (Në ditët tona) flet për unitetin e njerëzimit. Sot, Vatikani flet “për nji bashkësi e cila përbahet nga të gjithë popujt”. ”Katolik” don të thotë “universal”. Sot, Vatikani pranon se Shpirti Shenjtë “…punon efektivisht edhe jashtë strukturës që ne shohim e që na quejmë Kishë”. Koncili i II i Vatikanit pranon se besimet monoteisie (Judaizmi e Islamizmi) në botën tonë “ janë sisteme adhurimi dhe sisteme etike njikohësisht, të cilat theksojnë randësinë e së mirës dhe damin e së keqes”. Njikohësisht, Islamizmi thekson mësimet e Kuranit se besimtarët hebraikë dhe të krishtenë janë “popujt e Librit” dhe gëzojnë mëshirën e Zotit, dhe mbrojtjen e autoritetit islam. Kjo ashtë “fryma e re “ që duhet të na ushqejë të gjithëve sot.

Në vitin 1984, në New York, SHBA., unë shkruejshe për Buletinin Katolik Shqiptar (San Francisco,) : “ …si besimtar i lindun mysliman, jam i bindun se feja në Shqipëri, me përdorë nji metaforë të famëshme, mbetet si guri që mbijeton zhdukjen e muratorit që e gëdhen; dhe, se do të vijë dita kur ky gur solid dhe i përherëshëm do të çfaqet përsëri, në mënyrë misterioze dhe të fuqishme, dhe do të paraqitet si mjeti udhëtues që transporton zemrat dhe shpirtët tonë të mbushun me devocion, drejt nji kahu të shpresës së pa shueme, nji besimi frymëzues, nji dashunie hyjnore të domosdoshme”. Ashtu ngjau!

Ky duhet të jetë mesazhi i pa kompromis që popullsia e heshtun e Shqipërisë duhet të sjellë për popujt e  botës sonë sot.  I ndjeri Imzot Rrok MIrdita, Argjipeshkëv Metropolitan i Tiranës dhe i Durrësit, shkruente, në 2010:

“…të nxirrja nga harresa historinë e gjatë dhe për nji çast të kujtohesha se ajo që rregjimi ishte përpjekë me zhdukë, nuk ishte zhdukur, donte të thoshte se nuk bahej historia e re në Shqipëri pa i bërë llogaritë me dëshmitarët e gjallë.(Theksi im.SR) Takimi im me këto dëshmitarë ishte hir i madh, hir që bahej angazhim”. (Për një Shqipëri me Zotin dhe për njeriun” Tiranë, 2010,v.1 ,f.39)

Unë kam qenë nji nga legjoni i madh i viktimave të gjalla, dhe përvoja e ime më detyron me marrë nji “angazhim” cilësi e vjetër që nga ditët e profetënve biblikë, dhe i ri aq sa edhe ditët tona që jetojmë në këte vend martir, e në këte kohë plot  shqetësime, “angazhim” që transformohet në një imperativ kategorik moral. Bashkëvuejtësi i im Atë Zef Pllumi e përcaktoi: ”Rrno, vetëm për me tregue”.

Vetëm për me tregue! Me tregue vuejtjet e vështira të “hetuesisë” në qelitë e errëta te ish-Sigurimit të Shtetit, (“monstra më e madhe që ka pjellë gjer më sot kombi shqiptar” I.Kadare) vitet e gjata në burgjet e errëta mesjetare, stinët e pandërpreme në punë të detyrueshme, dimën e verë, në moçale e në punime betoni nën kamxhikun e policëve idiotë dhe çizmen e ndytë të oficerëve kriminelë,  sadistë për natyrë e specialistë për torturë të mësueme në kurset e nëndheshme, larg nga drita e diellit, larg nga sytë e botës….që flinte gjumin e randë të frikës e të lodhjes së pakufishme…!

Vetëm me tregue! Unë shoh veten si dëshmitar okular i epokave që kam jetue. Si i këtill duhet të flas haptas sepse heshtja ashtë e pa pranueshme. Me folë, don të thotë me thanë të vërtetën që, pa qenë absolute për arsye të kontekstit që e përmban, ashtë shprehja e nji dëshmitari me të gjithë vlerën që ajo mund të ketë…. Zoti e deshi të njoh mjaft prej viktimave në burgje e kampe: “aristokratin” me sjellje e mendim, Dom Mikel Koliqin, kardinalin e ardhshëm, i heshtun, kryenaltë për vuejtjen që e mbuloi; Atë Frano Kirin, “burrë si motit”, i pa frikë, i pa përkulshëm; Atë Donat Kurtin, i përvuejtun, punëtor si bleta, që në msheftësi përkthente shqip Testamentin e Ri nga frengjishtja- e konsultohej me mue për gjetjen e fjalës ma të përshtatshme-, të gjithë kohën me libër ose me lutje; Atë Aleks Baçlin, gjithëherë buzëqeshun , ma të shumëten i vetëm, me nji biz në dorë tue gëdhenë bustin e nji fetari në dru të fortë, e jo ma të madhe se nji kokër gruni. Kur e pyetshe ai përgjigjej: ”Ka qenë nji murg që skulptoi bustin e Papës në nji kokër orizi”. E, natyrisht, At Çiprian Nikën që njoha shkurtimisht në qelitë e ish-Sigurimit, vetëm për pakë ditë…e që u pushkatue pa faj! Dom Ndoc Sumën, i plakun e i hutuem që u arrestue në mëngjez, u denue mbas dreke me 20 vjet burgim e që betohej: “Pasha Krishtin nuk di pse më kanë arrestue…!” Lista ashtë e gjatë.

Martirizimi i klerit shqiptar, e sidomos klerit katolik shqiptar, nuk mund të jetë i pa qellimshëm. Por, sakrificat e tyne do të njohin  vlerësimin e plotë, e mirënjohjen e përjetëshme vetëm atëherë kur parimet që ata mbrojtën me çmimin e jetës së tyne do të pasunojnë mendimin tonë, dhe do të udhëheqin veprat e bashkatdhetarëve të tyne në të ardhmen.

Nga qelitë e errëta të torturës, dhe nga kampet e vdekjes së rregjimit komunist në Shqipërinë time të martirizueme, nji botë e re përpiqet me lindë, nji brezni e re  po rritet me i dhanë formë nji të ardhmje ma të mirë për vete dhe për fëmijtë e tyne- si dhe për prindët që sot vuejnë nga pesha e fajit të heshtjes….! Feja tradicionale po tregon se nuk ashtë “vjetrue”, dhe se mendimi shkencor nuk ka pasë sukses me na kurue nga dëshprimi ekzistencial.

Nga forma elementare e besimit të njeriut të thjeshtë, nepërmjet vuejtjes, unë mendoj se vëllaznit e motrat shqiptare po hyjnë në fazën e “burrënimit shpirtënor”.

Nji hap cilësor në rrugën e drejtë ashtë hjedhë! Le të festojmë…!

*City University of New York

Please follow and like us: