Albspirit

Media/News/Publishing

Llosa: “Nobeli” për letërsi është për shkrimtarë, jo për këngëtarë

 

Laureati i çmimit “Nobel”, Mario Vargas Llosa, nuk është i kënaqur me vendimin e sivjetmë të Akademisë Suedeze për çmimin për letërsi. I pyetur rreth kantautorit amerikan, fituesit të çmimin “Nobel”, Llosa ka thënë: “Unë jam adhurues i Bob Dylanit si këngëtar. Shumë më pëlqejnë këngët e tij. Nuk mendoj se është shkrimtar i mrekullueshëm.

Mendoj se ‘Nobeli’ për letërsi është për shkrimtarë, jo për këngëtarë”, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e Gmanetwork. Llosa këto deklarata i ka bërë në një konference për medie gjatë qëndrimit të tij në Filipine. Po ashtu ka folur për letërsinë, ndikimin e saj në shoqëri dhe diktaturën.

“Diktatorët kanë të drejtë të dyshojnë për këtë lloj aktiviteti, sepse mendoj se letërsia zhvillon në shoqëri shpirtin kritik për botën si e tillë”, ka thënë laureati i çmimit “Nobel”, gjatë konferencës për media të mbajtur në “Instituto Cervantes”.

“Përse mendoni se të gjithë diktatorët janë munduar të kontrollojnë letërsinë?”, ka pyetur ai. “Ata kanë krijuar sisteme të censurës. Kanë krijuar ligje të veçanta për të vënë limite në botën e fantazisë që krijon letërsia – sepse ata mund të mos i besojnë këtij aktiviteti që prodhon histori për të zëvendësuar botën reale me botën e fantazive të letërsisë”.

Vargas Llosa ka thënë se shkrimtarët nuk duhet të jenë të prirë politikisht për të bërë një kritikë.

“Vetë letërsia është kritike e botës reale”, ka thënë ai duke theksuar fuqinë e fjalës së shkruar për të vizualizuar një mënyrë alternative të jetës për lexuesin.

“Kur lexojmë roman, ne zbulojmë sa e varfër, mediokre është bota reale me botën që ne jemi në gjendje ta zbulojnë me imagjinatën tonë, fantazinë dhe gjuhën – dhe mendoj se ky është një kombinim i madh i letërsisë për të bërë progres drejt ndryshimit”, ka thënë Vargas Llosa. Shpirti kritik, sipas tij, është zhvilluar duke i prezantuar lexuesit se “botët që janë më të mira, më koherente, dhe e pasur – në të cilën jetë ka mundësi që e vërteta nuk i ka”. Autori peruan, i cili fitoi çmimin “Nobel” për letërsi në vitin 2010, ka qenë një figurë aktive në debate politike në vendin e tij. Vargas Llosa, i cili për herë të parë vizitoi Filipinet gjatë epokës së Ligjit ushtarak, po ashtu ka thënë se Filipinet kanë “shumë gjëra të përbashkëta” me Perunë dhe shtetet e tjera të Amerikës Latine. Ai i bëri të qarta përshtypjet e tij për regjimin e Marcos: “Ishte diktaturë”.

“Ishte temë interesante për shkrimtarët nga Filipinet”, ka thënë ai. “Mendoj se shumica prej tyre ishin kritikë ndaj asaj që po ndodhte”. Dhe kontributi më i madh në botën e letërsisë, sipas Llosas, është kur jep ide që janë kritike për botën ashtu siç është.

Please follow and like us: