Dokumenti zyrtar i hartuar nga kryeministri, Mustafa Kruja dhe e gjithë elita shqiptare e vitit 1941, që flet për grabitje të pasurive shqiptare nga qeveria greke

Pasuritë e popullsisë çame nuk janë të vetmet pasuri shqiptare që shteti grek mban peng përmes Ligjit të Luftës. Një dokument i vitit 1941, i firmosur nga kryeministri shqiptar i kohës, Mustafa Kruja, bashkë një grup ministrash e zyrtarësh të tjerë, dëshmon për një sasi të madhe parash në bankat greke, si dhe për pasuri të paluajtshme të shqiptarëve që jetonin jashtë vendit. Është dokumenti “Për shpagimet shqiptare”, i firmosur nga Fejzi Alizoti, Mustafa Merlika-Kruja, Xhemil Dino, Dhimitër Berati dhe Tahir Shtylla. Në këtë dokument ka një kapitull vetëm për marrëdhëniet me Greqinë.

Deri në vitin 1937, janë rreth dy milionë franga ari përfshirë interesat e qysh prej vitit 1915. Janë fonde të akorduara nga bamirës shqiptarë që kishin vdekur jashë vendit si në Egjipt, Rumani e Greqi dhe që pasuritë e tyre i kishin lënë trashëgimi për vepra publike e bamirësi në Shqipëri. Në dokument evidentohen detaje rreth familjeve që i kanë kodrduar këto fonde dhe të gjitha përpjekjet e palës greke për t’i kanalizuar ato nëpër bankat greke duke shfrytëzuar makinacionet e paligjshme. Në dokument theksohet se qeveria greke e asaj kohe, i kishte bllokuar këta fonde me motivin e rremë se pritësit, pra Bashkësia ortodokse “greke” dhe institucionet greke nuk gjinden më në Shqipëri. Ndërkohë që arsyetimi ishte absurd, për shkak se pritësit e këtyre fondeve ishin populli i qyteteve të ndryshme shqiptare dhe qëllimi i dhuruesve ka qënë ai i bamirësisë dhe i arsimimit të tyre.

Dokumenti

regencaI vetmi autoritet konsullor që merrej me çështjet e bashkësisë ortodokse të perandorisë otomane, zyrtarisht, ishte gjithmonë autoriteti kunsullor grek. Nga ana tjetër, për institucionet shkollore shqiptarët ortodoksë nuk kishin mundësinë e zgjedhjes: ose atë greke ose hiç.

Siç shihet, njerëzit që donin të bënin bamirësi, nëpërmjet trashëgimisë në arsim, apo të tjera institucioneve të bamirësisë të vendit të tyre, shpesh gjendeshin dashje pa dashje të kapërthyer në dredhitë e agjentëve të helenizmit që njëjtësoheshin me ata të Patriarkatit. Kështu trashëgimi të rëndësishme të shumë shqiptarëve, që s’kishin në zemër gjë tjetër veçse të nxisnin arsimimin e bashkëfshatarëve dhe themelimin e institucioneve të bamirësisë, gjinden tani në bankat e Greqisë ose në dorë trashëgimtarësh të vendosur atje, të cilët nën trysninë e Qeverisë greke e për arsye të paqena, bllokojnë kapitalet e t’ardhurat, duke u mohuar përfitime të mëdha bashkësisë ortodokse, së cilës këta fonde u ishin kushtuar. Është bërë deri tani ndonjë përçapje për t’i shtyrë me të mirë depozitarët apo testamentarët të zbatojnë vullnetin e autorëve të testamenteve, por asnjë përfundim konkret nuk është arritur.

Përmbledhtas, çështja e trashëgimive sot paraqitet si vijon :

1 – Bamirës shqiptarë të vdekur jashtë shtetit n’Egjypt, në Rumani, në Greqi, etj kanë lënë fonde për dhurata ose testamente, të caktuara t’i shërbejnë veprave të bamirësisë ose kulturore të Vendit të tyre.

2 – Pritësit ose titullarët e këtyre trashëgimive janë bashkësitë ortodokse të Shqipërisë jugore, ose trashëgimitë i janë regjistruar njerëzve apo institucioneve banuese në Greqi, psh. trashëgimia Gjon Banka ka si trashëgimtar universal Bashkësinë Ortodokse të Korçës dhe mbarështimi i fondit i është besuar një komiteti të kryesuar nga pjestarë të familjes Dragunis.

3 – Fondet e këtyre trashëgimive gjinden të depozituara, pjesërisht në Bankën Kombëtare Greke e, pjesërisht, të investuara në pasuri të paluajtëshme etj. Dhuruesit e testamentshkruesit kryesorë janë Arsaqi, Zhapa, Lakçe, Banka, Adhami, Çiçka etj. Vendet pritëse të këtyre trashëgimive janë Korça, Labova, Gjirokastra, Përmeti e, në masë më të vogël, edhe Elbasani, Vlora, Berati e Himara.

ernest-koliqi 4 – Sasia e trashëgimive është mjaft e madhe. Vetëm trashëgimia Banka caktonte për Gjimnazin e Korçës 24.000 fr. ari të ardhura vjetore ; 3000 fr.ari për të varfërit. Kjo trashëgimi qëndronte në fillim në një kapital prej 500.000 fr. ari. Çiçka ka lënë 100.000 fr.ari për një spital në Korçë. Të marra së bashku, këto trashëgimí arrinin në 1937 në më shumë se dy milion fr.ari. Flasim për vlera ari, sepse Parlamenti grek votoi një ligj që detyron Bankën Kombëtare të kthejë në monedhën në të cilën janë derdhur shumat e caktuara për vepra bamirësie deri në 1915, përfshirë interesat e, mbas kësaj date, pa interesa.

5 – Qeveria Greke i ka bllokuar këta fonde me motivin e rremë se pritësit, pra Bashkësia ortodokse “greke” dhe institucionet greke nuk gjinden më në Shqipëri. Mëtimi është absurd, mbasi pritësi është populli i qyteteve të ndryshme shqiptare dhe qëllimi i dhuruesve ka qënë ai i bamirësisë dhe i arsimimit të tyre. N’atë kohë Bashkësitë fetare vareshin nga Patriarkati i Kostandinopolit dhe mësimi shkollor, i besuar atyre, bëhej në greqisht, mbasi autoritetet otomane nuk lejonin mësimin në shqip. Kjo gjëndje u ndryshua me vullnetin e vetë popullit. Me njohjen që Patriarkana e Stambollit i bëri vetë shpalljes së Kishës Ortodokse Shqiptare, ato Bashkësi, edhe në dritën e marredhënieve juridike me Patriarkanën, fituan një qënie përsosmërisht të ligjëruar. Në çdo rasë, çështja duhet të studiohet me hollësi, nga pikpamja juridike për çdo rast të veçantë.”, theksohet në këtë dokument. Përveç këtyre, dokumenti ka një relacion të detajuar për të gjitha dëmët që pala greke ka shkaktuar nëpër Shqipëri,  duke nisur nga shkatërrimi i pasurive e deri tek vrasja e njerzve. Një pjesë të rëndësishme zë edhe grabitja e popullsisë çame, që sapo kishte nisur:

dëme pasurive private të shkaktuara gjatë luftës së sotme

Gjatë rreth gjashtë muajsh, lufta kundër Greqisë është zhvilluar në territor shqiptar, ose të banuar nga shqiptarët në Çamëri. Qarqet e Korçës e të Gjirokastrës, në veçanti, kanë vuajtur nga dëmet e rënda. Disa krahina janë detyruar të zbrazeshin nga popullsia civile me shpejtësinë më të madhe, në mënyrë që banorët të mund të braktisnin gjithshka kishin: çiflikun, shtëpinë, veglat, bagëtinë. Në kthim nuk gjetën më asgjë nga të gjitha këto që mund të merreshin apo të shkatërroheshin.

Në vënde banimi ku nuk ankohen për shkatërrimet e bombardimeve, pati plaçkitje dhe përvehtësime pak a shumë të rregullta. Në teatrin e kësaj lufte e në afërsitë e frontit dëmet e shkaktuara pasurive private janë mjaft të mëdha dhe numuri i të dëmtuarve shumë i lartë. Por natyra dhe sasia e këtyre dëmeve, lista e përafërt dhe verifikimi i ankesave janë punë që i përkasin autoriteteve të Qeverisë Shqiptare. Të njëjtën mund të themi edhe për mënyrën e dëmshpërblimeve.

Për dokumentin “Për shpagimet shqiptare” ishin angazhuar intelektualë e eskpertë të fushave të ndryshme në atë kohë, duke hartuar një dokument të qartë për gjithçka shteti grek i mbetej borxh Shqipërisë. Dokumenti është hartuar me kontributin e Ernest Koliqit, Qazim Koculit, Jashar Erebarës, Rexhep Mitrovicës, Hasan Dostit, Ekrem Vlorës, Ismet Kryeziut, Fuat Dibrës, Tafil Buletinit, Avni Gjilanit, Ramiz Dibrës, Ahmet Gashit, Qerim Begollit, Vasil Andonit, Hamit Kokalarit etj. I përkisnin të gjitha rrymave të mendimit politik të asaj periudhe, por i bashkonte madhështia dhe rëndësia e problemit kombëtar. Ishte një çast historik i favorshëm, që duhej shfrytëzuar plotësisht.