Nga Ornela Çuçi

“Shqipëria është Europë, Greqia është Ballkan”. Një frazë e shkruar jo nga një shqiptar që mund të akuzohej për ndjenia nacionaliste anti-greke, por e shkruar nga Kristos Raptis, një gazetar me reputacion në shtetin fqinj. Raptis e bën këtë konstatim duke marrë shkas nga intervista e kryeministrit shqiptar Edi Rama në televizionin SKAI në Athinë, ku ai hapur siç nuk e kishte bërë asnjë politikan i lartë shqiptar më parë, preku një nga çështjet më të ndjeshme mes dy vendeve, mënyrën se si janë trajtuar shqiptarët në Greqi gjatë këtyre 25 viteve. Atyre që u është dashur nga halli, të punojnë e jetojnë atje.

Ndërsa Rama u nxori grekëve nga skutat e ndërgjegjes së tyre ballkanase ndjenjat anti-shqiptare iu tregoi atyre se shqiptarët nuk ishin si shumë prej tyre; shqiptarët nuk i kishin detyruar grekët të ndryshonin emrin dhe fenë për të pasur një jetesë normale në Shqipëri.

Ne (grekët) jemi të mbërthyer nga stereotipet, psikozat dhe irredentizmi i nën-ndërgjegjes së vjetëruar dhe të paaftë të politikës dhe kërkojmë pretekste për grindjet dhe dinakëritë në vend që të marrim shembull nga dëshira për prosperitet dhe progres që përshkon fqinjët tanë”, shkruan Raptis.

Ishte kjo arsyeja se pse intervista e Ramës ka një domethënie për të gjithë shqiptarët që kanë jetuar ose jetojnë aktualisht në Greqi.

Unë jam një ndër ta. Kam kaluar fëmijërinë dhe adoleshencën time në këtë vend, ku kostoja e vendimit për të mos ndryshuar emrin më ka rënduar shumë me racizëm dhe fyerje. Vetëm kush e ka provuar, e di, sa e vështirë ka qenë për ne, fëmijët “alvanos”, t’ia dilnim pa mohuar emrin, vendlindjen, gjuhën, identitetin, vetë veten tonë.

Në ditën time të parë të shkollës në Greqi, kur sapo kishim shkuar si emigrantë në ‘97-ën e mbrapshtë, një zyshë më shoqëroi në klasën e caktuar, duke më prezantuar si e vetmja shqiptare në shkollë. M’u caktua banka, dhe në klasë filluan menjëherë lëvizjet. Banka e tretë e rreshtit të tretë ishte për mua. Bosh! Një bankë para meje bosh. Një bankë pas meje po bosh. Të gjithë nxënësit rrinin tre veta në një bankë. Pëshpërisnin të gjithë duke parë nga unë, por nuk kuptoja asnjë fjalë. Dikush fshiu hundët dhe pecetën e hodhi në bankën time. Deri në fund të shkollës, isha gjithnjë e papërfshirë askund, isha shqiptarja, e ndryshmja, një qytetare e dorës së dytë në atë vend.

Një vend i mahnitshëm, i cili flet në çdo rrugë me histori e kulturë, një vend që ka pritur qindra e mijëra emigrantë, në të cilin mentaliteti i një pjese njerëzish nuk pasqyron prejardhjen e tyre aspak. Sigurisht që jo të gjithë grekët janë njësoj, janë kaq të shumtë miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi në atë vend, por përherë më ka dhembur kjo kohë e jetës sime, të cilën e ndiej edhe sot kur kaloj në kufi si turiste, e ndiej në supermarket, e më dhemb kur fëmijët e mi pëshpërisin shqip kur gjyshi i çon në parkun e lojrave “se do të na kuptojnë që jemi shqiptarë”.

Nuk e imagjinojmë dot këtu që t’i themi dikujt se je nga pakica greke që të jetë sportist dhe të jetë në ekipin tonë kombëtar të ndërrojë emrin”, tha kryeministri. Asnjëherë më parë prindërve të mi që jetojnë ende në Greqi, nuk iu qe dridhur zëri nga emocioni për politikën shqiptare, teksa përshkruanin reagimet e shqiptarëve të tjerë emigrantë në pallat, në autobus, në punë, pas kësaj interviste. Asnjëherë më parë ata nuk patën folë me kaq krenari për një zyrtar të shtetit amë, sa të nesërmen e intervistës të kryeministrit tonë tek SKAI.

Shumë zëra në Shqipëri i konsideruan deklarata si të rrezikshme për faktin se ka 25 vjet tanimë që debatet me shtetin grek janë bërë nisur nga pozita inferiore, dhe të trajtohesh, apo të paktën të pretendosh të trajtohesh si i barabartë me fqinjët e tu, nuk do të thotë të vësh në rrezik marrëdhëniet dypalëshe, por të mbrosh dinjitetin e një kombi, dinjitet të cilin e ka për detyrë ta mbrojë çdo kryeministër i Shqipërisë. Edhe në qoftë se këto deklara të kryeministrit të vendit tim, janë bërë thjesht për motive politike apo për efekt votash, aspak nuk më intereson. Ajo që më intereson është efekti që patën këto deklarata në mbarë opinionin publik grek.

Bashkëqytetarët e mi grekë, tashmë janë të sigurt se ne shqiptarët jemi qytetarë europianë, jo thjesht ballkanas, dhe si të tillë duhet të bashkëjetojmë me të drejta të barabarta brenda Bashkimit Europian.