Albspirit

Media/News/Publishing

E vërteta e 20 letrave për një mik të vajzës së Stalinit, Svetlana Alliluyeva

svetlanaSvetlana Alliluyeva , vajza e Stalinit ( lindi në shkurt të 1926),  vdiq në SHBA në moshën 85-vjeçare në anonimitet dhe varfëri, ne nëntor te vitit 2011 . Lajmi i cituar nga agjencitë dhe gazetat botërore cilesonte se gjatë jetës së saj, ajo pëdori shumë emra në kërkim të fshirjes së lidhjeve me babanë e saj. Pas dy martesave dhe vdekjes së Stalinit në vitin 1953, ajo mori mbiemrin e nënës dhe u quajt Svjetlana Alilujeva. Në vitin 1967 ajo shkoi në Indi dhe më pas kërkoi azil në SHBA. Në vitin 1970, ajo u quajt Lana Peters pas një martese të shkurtër me arkitektin William Wesley Peters.Gjithsesi, vajza e vetme e shefit madhor të ish- Bashkimit Sovjetik e braktisi vendin e saj dhe prej vitesh bënte një jetë të tërhequr, madje gati askush nuk dinte gjë për të.

Në një rast Svetlana i lejoi vetes të shplodhej dhe të kujtonte të shkuarën e saj .
Kjo ndodhi në vitin e largët 1963 në Zhukovka, pranë  Moskës kur ajo brenda 35 ditëve shkroi kujtimet e saj “20 letra për një mik”. Kritika e cilësoi atëherë si një nga librat më të mirë në llojin e tij (për shekullin e XX-të), ku padyshim provohet edhe talenti letrar i vajzës së Stalinit. Lajtmotivi i jetës së saj konsiston në tregimin e problemeve thelbësore që ekzistonin mes babait dhe nënës së saj, si dhe mes pushtetit dhe lirisë.

Fëmijë, Svetlana ishte e izoluar nga gjithçka, madje edhe nga informacioni më fillestar. Kur ishte ende një vogëlushe gjashtë vjeçare, vëllai i saj i madh Vasily i tregoi një sekret ‘të madh’ : “A e di që babai ynë është gjeorgjian ? dhe më pas i shpjegoi : “gjeorgjianët jetojnë të veshur më “cherkeska” dhe dinë të vrasin njerëz”.

Por vdekja e nënës së saj ishte një grusht i tmerrshëm për të. Vetëm pas shumë vjetësh, gjatë luftës, kur ajo studionte anglisht u befasua, kur në një revistë të huaj lexoi një artikull kushtuar babait të saj. Svetlana mori vesh e tmerruar që “gruaja e Stalinit, Nadezhda Alliluyeva, kishte vrarë veten natën e 8 – 9 nëntorit të vitit 1932”. Svetlana vrapoi dhe pyeti dadon e saj…,  por ajo i pohoi se gjithçka ishte e vërtetë .

Nadezhda vrau veten si protestë kundër politikës së Stalinit, kundër uzurpimit të pushtetit dhe kundër budallallëqeve që ai i lejonte vetes të bënte në kurriz të familjes së tij .

Askush nuk mund ta ndalonte më, dhe Nadezhda ishte e para që e kuptoi kërcënimin që mund të kishin të gjithë përballë idealeve të revolucionit të proletariatit . Duke folur me termat e asaj kohe ajo ishte një   trockiste.
Ndërkohë nuk kanë munguar edhe hipotezat për vdekjen e kësaj gruaje të mençur që vinte nga një familje bolshevike, por që ishte kritikuar për idetë e saj në parti. Sipas disa historianëve më 2 mars 1932, Nadya i kishte shkruar letrën e fundit Stalinit , ku ndër të tjera i thoshte “se do të ikte nga shtëpia” gjë që nuk e bëri deri sa më 8 nëntor vrau veten, pikërisht kur kremtohej me madhështi fitorja e revolucionit të proletariatit.
Molotov pohonte se shkak kishte qënë një atak xhelozie, kur ajo kishte parë Stalinin në një moment shumë intim me gruan e shokut Yegorov. Gjithsesi zyrtarisht vdekja e saj u komunikua si vdekje e shkaktuar nga apandesiti.
Ndërkohë Svetlana me kalimin e kohës ndjeu përqëndrimin e tmerrshëm të pushtetit në duart e babait të saj dhe ajo do të kujtonte momentin kur kishte kuptuar : “babai im kishte arritur të bëhej zot i të gjithë vendit”.

Ajo kujton. Një natë u kthye në shtëpi kur kishte kaluar mesnata. Kur shërbyesja i shërbeu pulë, Stalini shumë i nxehur i kishte ulëritur: “Prapë pulë!”.Mandej e   kishte kapur nga këmba pulën dhe e kishte hedhur nga dritarja. Fëmija e trembur kishte dëgjuar zhurmë në asfaltin ku qëndronte një roje ( apartamenti i shefit të qeverisë ndodhej në Kremlin). Mbrojtja e vetme për të kish qënë dadoja e saj.
Kur Stalini mbeti i ve, nuk dinte më se si duhej të edukonte vajzën e tij, problemet e formimit të saj ishin gjithnjë për të një dhimbje koke.Gjunjët e zbuluara të Svetlanës, shënjat e para që ajo po trasformohej në një grua e trishtonin dhe tek ai provokonin rrëmujë. Duke e dashur vajzën e tij me pasionin e një tigri, ai  e shikonte të udhës ta mbante gjithnjë në survejim.
Largimi i Svetlanës nga shtëpia ishte për të një torturë. Kur ajo i dërgoi një foto ku kishte dalë në kampin e pionierëve gjatë pushimeve verore, ku fundi që mbante veshur e lejonte t’i shiheshin pak gjunjët, sekretari i përgjithshëm e qarkoi me laps të kuq imazhin dhe shkroi me germa të mëdha : Prostitutë!. Paskësaj e ktheu  menjëherë nga kampi ku ndodhej duke tmerruar të gjithë ata që ishin atje.
Stalini i mohoi kësisoj fëmijërinë vajzës së tij duke e konsideruar atë gjithnjë një fëmijë të rritur. Duket se Svetlana e duroi diktatin e të jatit deri në momentin kur mësoi lajmin së nëna e saj kishte vrarë veten. Ishte atëhere, kur për herë të parë guxoi të mendojë që në shumë raste babai i saj nuk kishte të drejtë   Dhe dyshimet e saja me kalimin e kohës iu kthyen në revoltë.
Në thelb kulti i individit të Stalinit u rrënua fillimisht në familjen e tij…!

Do të ishte fillimisht vetëflijimi i gruas dhe pastaj vajza e tij Svetlana që do të portretizonte tërësisht figurën e Stalinit . Svetlana duke kërkuar azil në SHBA , duke u shndërruar në kristiane dhe duke hyrë në një kishë evangjeliste tregoi se në këtë epokë Stalini kalonte kohën duke parë edhe spektakle muzikore amerikane dhe mbi të gjitha filma me Charlot. Duke njohur trajektoren e tij, kupton se ai ishte pjellor jo vetëm për një politikë represive, por edhe për një politikë që do të përkthehej në dhjetra milionë të vdekur.

Please follow and like us: