Albspirit

Media/News/Publishing

Aqif Pashë Biçakçiu, firmëtari i Pavarësisë

aqif-pashc3ab-elbasaniAqif Pashë Biçakçiu, një ndër firmëtarët e Shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor të vitit 1912, ishte një nga figurat më në zë të luftës për bashkimin e trojeve shqiptare.

I pajisur me dije, kulturë e shpirt liridashës, Aqif Pashë Biçakçiu (Elbasani) dha një ndihmesë të vyer në lëvizjen kombëtare shqiptare. Veprimtaria e tij politike, atdhetare e shtetërore, spikati gjatë lëvizjes kombëtare shqiptare në vitet e luftrave Ballkanike, kur u shpall pavarësia dhe u krijua shteti shqiptar.

Ai u shqua në periudhat më të rëndësishme, në vitet më të ndërlikuara të Luftës së Parë Botërore e pas saj, në Kongresin e Lushnjës dhe në përpjekjet për konsolidimin e demokratizimin e shtetit shqiptar. Eshtrat e tij prehen në një varr pa emër diku në varrezat e qytetit.

– Aqif Pasha, ngriti flamurin në Elbasan –

Aqif Pashë Elbasani, siç njihet në qytet, ndihmoi për kryengritjen e përgjithshme antiosmane në vitin 1912 dhe në organizimin e çetës së Elbasanit. Njihet si bashkëpunëtori më i ngushtë i Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë si dhe për mbështetjen e plotë që i dha qeverisë së tij.

Bashkë me popullin e Elbasanit dhe me mbështetjen e Ismail Qemalit, ngriti flamurin kombëtar në 25 nëntor të vitit 1912, dhe shpallën të parët pavarësinë duke i treguar ushtrisë serbe që po i afrohej Elbasanit se kishte shkelur në vise të Shqipërisë së Pavarur. Më 25 nëntor 1912, Elbasani shpalli i pari pavarësinë kombëtare duke vënë kështu gurin e parë në themelet e kësaj pavarësie.

– Aqif Pashë Elbasani, këshilltar i qeverisë së Ismail Qemalit-

Asnjë problem të rëndësishëm të politikës së brendshme e të jashtme nuk ndërmori Ismail Qemali e qeveria e tij, pa u këshilluar me parë me Aqif Pashën, i cili ndihmoi për ngritjen e administratës së qeverisë së parë të Vlorës, duke hedhur bazat e para të një shteti. Aqif Pasha përjetoi me dhimbje ndarjen e trojeve etnike shqiptare, nuk u pajtua asnjëhere dhe u përpoq të çante shtigje per realizimin e bashkimit kombëtar. Mbështeti kryengritjen antiserbe te shtatorit 1913, që shpërtheu në rrethinat e Peshkopisë dhe u përhap në Dibër dhe në qytete e krahina të tjera shqipare, si dhe mori në mbrojtje mijëra viktima të terrorit serb.

– Cilësohet nga shtypi vendas dhe i huaj si President i parë i Shqipërisë –

Ai mbështeti dhe regjimin e Vidit, si shumë atdhetarë të tjerë, sepse e konsideronte atë si regjimin legjitim të Shqipërisë, faktorin kryesor të ruajtjes së pavarësisë së shtetit shqiptar, të sanksionuar e garantuar nga fuqitë e mëdha. Edhe gjatë Luftës së Parë Botërore, kur ushtritë Austro-Hungareze hynë në Shqipëri, Aqif Pasha ngriti administratën shtetërore vidiste në Shqipërinë e Mesme, për t’u treguar shteteve ndërluftuese se Shqipëria ishte një shtet asnjanës, i garantuar prej tyre. Mbante korrespondencë të vazhdueshme me patriotë, Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, Hoxha Kadriun, Bajram Currin, Hasan Prishtinën etj.

Shkëmbimi i mendimeve dhe pikëpamjeve politike ndërmjet atdhetarëve mundësuan thirrjen e “Kongresit te Lushnjes”, ku u zgjodh kryetari i tij dhe për një kohë u njoh e veproi si kryetar i këtij Këshilli. Shtypi i kohës, vendas dhe i huaj, e cilësoi Aqif Pashën si President i Parë i Shqipërisë.

Ai e vlerësonte lart Kongresin e Lushnjes duke theksuar se “asnjëhere populli nuk ka qënë i bashkuar si sot,”. Me dëshirën e madhe për një Shqipëri të bashkuar, në 20 mars 1920, Aqif Pasha ftoi Fan Nolin dhe shqiptarët e Amerikës të bashkëpunonin për Shqipërinë. Ai u rreshtua në krahun liberaldemokrat dhe, kur forcat e djathta e konservatore forcuan pozitat e tyre në organet shtetërore, ai u detyrua të largohej nga Shqipëria drejt Vjenës, ku dhe do të krijonte Partinë Kombëtare. Ai shtroi idenë e pluralizmit politik parlamentar, për një shtet juridik ku të zotëronte ligji dhe të shpallte të drejtat dhe liritë demokratike të shtetasve, si dhe domosdoshmërine e bashkimit të të gjithë shqiptarëve. Pas zgjedhjeve të Asamblesë Kushtetuese të dhjetorit 1923, Fan Noli e vuri kandidaturën e tij si deputet në Korçë ku dhe fitoi.
Aqif Pasha ndërroi jetë në 20 shkurt 1926 në qytetin e Elbasanit.

-Djali i Aqif Pashës, një nga të burgosurit e diktaturës-

Në vitet ’50 të shekullit të kaluar, regjimi komunist dënoi me 18 vite burg djalin e Aqif Pashës, Ibrahim Biçakçiun. Pas dënimit që kreu në Burrel, ai jetoi për shumë vite pranë motrës së tij në lagjen “Kala” dhe e mbylli jetën e tij duke punuar si pastrues. Për të mos mjaftuar me kaq shtëpia e Aqif Pashë Biçakçiut, e ndërtuar në shekullin e XIX, gjatë periudhës së diktaturës u tjetërsua në Muze Lufte.

Një bust i ndërtuar në qendër të qytetit është i vetmi simbol në nderim të Aqif Pashë Biçakçiut, i cili kujtohet çdo 28 nëntor me disa kurora lule.

Please follow and like us: